Si u kthye Norvegjia në një nga vendet më të pasura në botë

Shkëlqimi ekonomik i vendit skandinav i atribuohet intuitës së një gjeologu iraken. Faruk al Kasim ritregon historinë (tashmë të njohur në P...

Shkëlqimi ekonomik i vendit skandinav i atribuohet intuitës së një gjeologu iraken. Faruk al Kasim ritregon historinë (tashmë të njohur në Perëndim) e suksesit personal, e njëkohësisht të një kombi të tërë, në një intervistë për revistën “Pacific Standard”

Në fund të viteve ’80, disa ekonomistë u munduan t’i jepnin shpjegim një fakti që shkonte kundër intuitës së përgjithshme: vendet që zotëronin me bollëk burime natyrore ishin ose më të varfrat ose përballeshin me probleme të mëdha të ndarjes së pasurisë mes popullsisë. Ekonomisti britanik, Richard M. Auty, shpiku në vitin 1993 formulën e famshme që e cilësonte fenomenin “mallkim të burimeve”. Historia kohëve të fundit e shumë vendeve duket se konfirmon atë, por ekziston të paktën një shembull i kundërt: Norvegjia – është eksportuesja më e madhe e naftës në Evropë dhe një nga më të mëdhatë në botë. Sipas vlerësimeve të 2010-s, ky shtet eksporton rreth 1.6 milionë fuçi nafte çdo ditë, më shumë se dyfishin e vendit të dytë evropian në klasifikim (Mbretëria e Bashkuar). Norvegjia ka përdorur pasurinë e naftës për ta shndërruar ekonominë e saj, e cila pas luftës së dytë botërore mbështetej vetëm te peshkimi dhe shfrytëzimi i pyjeve. E megjithatë, deri në vitin 1968 ajo as që e dinte se zotëronte naftë. 
Ndërsa shumë vende evropiane luftonin kundër pasojave më të ashpra të krizës, treguesit ekonomikë për 2010-n, tregonin se Norvegjia kishte një rritje të bilancit të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 10%. Kësaj statistike i shtohet ajo e papunësisë në nivelin e 3.3% dhe ajo e rritjes së bilancit tregtar me rreth 40 miliardë euro. Po ashtu, Norvegjia është udhëheqëse botërore sa i takon të hollave që jep në donacion për vendet e varfra.
Ka disa mënyra për të treguar suksesin e Norvegjisë: e para është përzierja fatlume e vlerave komunitare me ato individuale, diversiteti kulturor, numri i popullsisë – gjithsej vetëm 5 milionë banorë, kultura politike (që sigurisht nuk është krijuar në pak dekada) e vendos Norvegjinë gjithnjë midis vendeve  më virtuoze në lidhje me transparencën dhe korrupsionin. Madje suedezët tregojnë gjithnjë barcaleta mbi norvegjezët duke i përshkruar si më budallenjtë dhe naivët nga të gjithë nordikët.

Suksesi i Norvegjisë në shpëtimin nga “mallkimi” është i njohur. Gjithçka nisi në vitin 1968 nga një gjeolog me origjinë irakene, Faruk al-Kasim, i cili sot është 77 vjeç dhe jeton në portin norvegjez të Stavenger. Al-Kasim, që kishte studiuar në Londër, u njoh dhe u martua atje me një vajzë norvegjeze. Pasi jetuan disa vite në Irak u transferuan në Norvegji, në maj të ‘68-s. Me të mbërritur në shtetin skandinav, 31 vjeçari iraken vendosi të vizitonte zyrat e Ministrisë së Industrisë për t’u informuar nëse kishte kompani nafte në Norvegji dhe nëse ndonjëra prej tyre kërkonte gjeolog. Al-Kasim ishte me fat. Në ministri e pritën shumë zyrtarë: “Ishin kuriozë të dinin çfarë profesioni kisha ushtruar? Nëse isha inxhinier nafte apo gjeolog? Me çfarë merresha në atë moment? Dukej që kishin nevojë urgjente për ekspertë”, shprehet al Kasim. Ajo që nuk dinte ishte se Ministria e Industrisë kishte nevojë për një gjeolog ekspert për të vlerësuar rezultatet e një sërë testesh të zhvilluara gjatë muajve të kaluara në Detin e Veriut. Prej më se 5 vitesh autoritetet norvegjeze kishin zbatuar projekte eksploruese, por deri atëherë nuk kishin gjetur gjurmë nafte, edhe sepse sektori që mbulonte këtë fushë kishte vetëm 3 nëpunës. Al-Kasim kaloi tre muaj me interpretimin e të dhënave të nxjerra nga 13 puse eksplorimi dhe doli në përfundimin se në brigjet norvegjeze kishte sasi të mëdha nafte, por askush nuk i dha të drejtë. Autoritetet ishin skeptike dhe thuajse të gjitha kompanitë e naftës po largoheshin nga vendi, pas vitesh të tëra eksplorimi. Por në dhjetor të 1969-s, kompania amerikane “Phillips Petroleum” gjeti për herë të parë naftë në zonën Ekofisk, e cila pas disa ditësh u deklarua si një nga depozitat më të mëdha në botë. Detajet janë edhe më interesante: pusi në fjalë ishte i fundit i mbetur midis atyre që kishte autorizuar qeveria. “Phillips Petroleum” dëshironte të kursente shpenzimet e shpimit, por autoritetet i bënë të ditur se ndërprerja e eksplorimeve do t’i kushtonte një gjobë të majme. Kështu kompania doli në përfundimin se ishte më ekonomik shpimi.
Al-Kasim thotë se politikanët norvegjezë kur u bindën se depozitat e naftës ekzistonin vërtet,  filluan të druheshin për ardhjen e beftë të shoqërive të huaja për eksplorim në truallin norvegjez. Nga eksperienca e tij nuk mund veçse të ishte dakord: “Kisha jetuar në agoninë se mos isha një dordolec i imperializmit”, thotë ende sot.
Ai i kishte shumë të qarta dy rrugët që mund të ndiqeshin për menaxhimin e naftës: 1.krijimin e hapësirave për kompanitë shumëkombëshe (kjo zgjidhje ishte vërtetuar shpesh herë e dëmshme për ekonomitë vendase) apo 2.nxjerrja e tyre jashtë ligjit, ashtu siç kishin bërë shumë vende në Lindjen e Mesme midis viteve ‘50-’60. As kjo nuk funksiononte: përqendrimi i naftës në duart e pak autoktonëve, thellë-thellë nuk ndryshonte shumë nga lënia e saj “imperializmit”. Por al Kasim e gjeti shumë shpejt rrugën. Ai dhe një koleg hartuan një projekt në lidhje me çështjen më të rëndësishme: si duhej menaxhuar gjithë ajo naftë. Thelbi i tij ishte ky: ngritja e një kompanie të kontrolluar nga shteti “Statoil”, në mënyrë që të punësoheshin norvegjezët dhe të zhvilloheshin kompetencat lokale në këtë sektor,  në të njëjtën kohë krijimi i një organizmi kontrolli plotësisht të pavarur: “Drejtoria e Naftës Norvegjeze”. Shoqëritë e huaja të naftës mund të vazhdonin të shfrytëzonin burimet në këtë shtet (në ndryshim nga vendet lindore që ndoqën rrugën e monopolit), por  aktivitetet e sektorit do të rregulloheshin nga Drejtoria, me vëmendje të veçantë ndaj pasojave ambientale.

Shteti zgjodhi të vinte në praktikë projektin e al-Kasim që u bë baza e suksesit norvegjez. Në ndryshim nga pjesa më e madhe e prodhuesve të naftës, qeveria norvegjeze përdori paratë e qytetarëve për të financuar gjysmën e investimit, duke marrë përsipër gjysmën e risqeve në zhvillimin e puseve. Kur fitimet nisën të vinin vërtet në vitet ’90, shteti i vendosi ato në një fond kursimi, në pritje të momentit kur depozitat do të ezauroheshin. Drejtoria e Naftës, së cilës iu desh të luftonte shumë për të balancuar pushtetin  “Statoil”-it (ku al-Kasim punoi për dy dekada si një nga drejtuesit kryesorë), vendosi objektivin e “ndotjes zero” të mjedisit dhe si rrjedhojë shumë pak agjentë kimikë të dëmshëm janë shkarkuar në Detin e Veriut. Për vite të tëra al Kasim këmbënguli në zhvillimin e teknologjive të reja për shfrytëzimin maksimal të puseve, një bindje personale që bëri të mundur shfrytëzimin me 45% të depozitave të naftës, ndërsa në pjesën tjetër të botës vazhdon të jetë rreth 25%.
Fondi sovran norvegjez, i cili administrohet nga banka qendrore është më i madhi në botë, ndërsa pak ditë më parë ai tejkaloi vlerën e përgjithshme prej rreth 5 miliardë koronash (më shumë se 600 miliardë euro) dhe 183% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Ky lajm u raportua nga agjencitë ndërkombëtare me sintezën e sugjeruar që “secili nga ata 5 milionë norvegjezë është një milioner i mundshëm”./ Përgatiti: Dorina Gjuzi

Related

Reportazhe 8234892620439198937

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item