“Kurvat e kohës sime ishin të virgjëra”
Luela Myftari Rikthehet Besa Myftiu. promovon librin “Drejt të pamundurës” "Shekulli" ju përcjell Besën në një intervistë ndryshe,...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/kurvat-e-kohes-sime-ishin-te-virgjera.html
Luela Myftari
Rikthehet Besa Myftiu. promovon librin “Drejt të pamundurës” "Shekulli" ju përcjell Besën në një intervistë ndryshe, nostalgjike dhe plot mister
-Besa Myftiu nuk botoi gjë në periudhën shqiptare të rinisë së saj. Shkruante dhe botuesit ia kthenin poezitë me justifikimin se “ishin shumë intime” dhe nuk kishin ndonjë “karakter patriotik apo popullor”. Përvojë shkrimi ishte gazetaria që lëvroi në revistën “Skena dhe Ekrani” një organ deri diku elitar për kulturën dhe artet, por gjithsesi organ zyrtar dhe nën mbikëqyrjen e censurës. Përvojë shkrimi ishte edhe ndonjë skenar si “Unë e dua Erën”, ku duken përpjekje për të trajtuar probleme delikate të botës femërore. Muri i Berlinit kishte rënë. Por, në vitin 1990-1991, të flitej në ekran për një femër që kishte rënë shtatzënë pa qenë e martuar dhe aq më tepër pa e pasur një burrë përkrah, ishte akoma tabu. Besa shkroi këtë histori njerëzore që do të interpretohej nga Luiza Xhuvani dhe Ndriçim Xhepa, nën drejtimin e regjisorit Mevlan Shanaj. Besa Myftiu ka raporte të ngushta me të kaluarën e Shqipërisë komuniste, e cila i shërben si skena ku drama njerëzore nëpërmjet nostalgjisë dhe ëndrrës vjen e bëhet një zhanër tragjikomik. Kështu ndodh te “Rrëfim nga vendet e harruara” i botuar shqip më 2011-n, te përmbledhja me tregime “Drejt së pamundurës”, të cilën ajo prezantoi dy net më parë në Tiranë, dhe u bë shkas për të bërë këtë bisedë me autoren. Shkrimtare, skenariste, pedagoge...
Çfarë ka ndihmuar më së shumti në krijimin e portretit që keni sot?
Të gjitha këto përmblidhen në një togfjalësh më vete: dashuria për artin. Krijimi, letërsia është ajo që i jep ngjyrën kryesore personazhit që jam sot. Të bërit letërsi më ka ndihmuar të përkthej, të jem përkthyese dhe pastaj gazetare e skenariste. Të shkruarit më ka ndihmuar që të aktroj, sepse personazhi ishte i imi. Unë isha brenda atij përjetimi dhe brenda atij personazhi që kisha krijuar vetë për filmin “Yllka”.
Mendoni të keni marrëdhënie të mëtejshme me kinematografinë? Ndonjë skenar, apo rol?
E vështirë. Në letërsi ndjehem shumë më e lirë se sa në kinematografi. Po ju përmend rastin e një skene, të cilën regjisori i filmit nuk e realizoi ashtu siç unë e kisha shkruar. Në skenar unë shihja një qengj të pjekur, ndërsa në film pashë disa thela mishi, të cilat nuk kishin lidhje me imazhin që unë vetë kisha menduar. Kjo për regjisorin ishte një skenë e shtrenjtë, një skenë që kushtonte. Besoj se kjo ngjarje e ka përgjigjen brenda.
Sa ndikon tek ju e shkuara?
Mendoj se, të jesh shkrimtar, në thelb do të thotë të jesh nostalgjik. Kam përshtypjen se nuk ka shkrimtarë që nuk janë nostalgjikë, ashtu siç nuk mund të jesh shkrimtar nëse nuk i kthehesh së shkuarës. Më pëlqen një shprehje e Kamy- së që na thotë se të gjithë jetojmë nga e shkuara dhe shkatërrohemi po nga e shkuara. Për mua e shkuara është një lloj shtyse për të shkuar përpara dhe nëse i kthehem së shkuarës, i kthehem gjithmonë me buzëqeshje dhe me nostalgji. Në njëfarë mënyre, është pikënisja e gjithçkaje që shkruaj.
Çfarë ju josh nga bota shqiptare? Dielli shqiptar nuk ka të paguar. Më mungon shumë dielli. Edhe hareja që vjen pas çdo situate, qoftë edhe të keqe, më josh. Si e shihni femrën shqiptare sot?
Ajo ka avancuar në dukje, por në brendësi shoh ndryshime, të cilat janë përtej disa kufijve që duhet të ketë një femër. Nëse dikur po të vishje minifund, të dilte emri në fletërrufe, sot minifundi është në masë, madje ndonjëherë edhe i ekzagjeruar. Do të preferoja që ju të ishit më të kontrolluara në veshje dhe më të lira në mendime. Kur vajta në Zvicër dhe kuptova sesa kishim luftuar ne për të drejtat elementare, me të cilat femrat jashtë lindin, më vinte keq për veten dhe për të gjitha mikeshat e të afërmet e mia.
Shumë i rëndësishëm në romanin tuaj është edhe trajtimi i abortit. Këtë fazë të paktën e kemi kaluar?
Për mua ishte tragjik fakti që nuk lejoheshin mjetet mbrojtëse. Një femre atë kohë i duhej të rrezikonte për të mbijetuar. Aborti nuk ishte i ligjshëm. Një vajzë që mund t’i bënte një lëshim të dashurit të saj të zemrës gjendej papritur buzë vdekjes. Atë kohë dënoheshin të gjithë ata që sillnin kontraceptivë dhe mjete të tjera mbrojtëse nga jashtë. Më vjen mirë që e keni kaluar këtë fazë. Një femër e lënë kështu në duart e fatit, në atë kohë kur nuk të dilnin paratë të rrisje dy fëmijë, duhet të ishte e detyruar të luftonte për të mos pasur një të tretë dhe të ndërmerrte rrezikun për të lënë dy fëmijë të tjerë jetimë.
Përkthimi dhe lexuesi shkojnë "Drejt së pamundurës"
Besa Myftiu rikthehet në Shqipëri për të promovuar librin “Drejt të pamundurës”. Janë nëntë tregime, të ndara në tri pjesë. Në pjesën e parë titulluar “Me syrin e një shqiptareje” trajtohet zbulimi i botës perëndimore. Pjesa e dytë që titullohet “Të shkuara të paharruara” trajton temën e seksualitetit në Shqipëri dhe fatin e gruas shqiptare. Ndërsa, pjesa e fundit titullohet “Histori dashurie”. Të gjitha tregimet janë të inspiruara nga realiteti. Në një tregimet e saj me titullin “Kurva”, Besa shkruan: “ Kurvat e kohës sime ishin të virgjëra, nuk kishin puthur asnjëherë ndonjë djalë dhe nuk dinin asgjë mbi seksualitetin”. “Përshkrimi i ngjarjeve dramatike me ngjyra komike është këndvështrimi i veçantë që dallon shkrimtaren Besa Myftiu. Ajo rrëfen me shumë humor dhe elegancë. Stili është për t’u admiruar, saqë nuk e lëshon dot librin nga dora”, thotë shkrimtarja Amelie Nothomb. “Ka diçka shekspiriane në veprat e Besa Myftiut”, shkruan gazeta franceze Figaro. “Besa Myftiu ka ditur të na bëjë për vete duke u shprehur në një frëngjishte të përsosur pa humbur elementin ekzotik që e ka mahnitur gjithmonë lexuesin perëndimor. Ajo ka mbetur shqiptare, ndonëse plotësisht e integruar në kulturën zvicerane”, shkruan Eugene Enriquez, kryeredaktor i revistës “Nouvelle Revue de Psychosociologie” për librin “Drejt të pamundurës”.
Çfarë ju ofron frëngjishtja që nuk e gjen tek shqipja?
Romanin tim të parë e shkrova në frëngjisht dhe më vonë nuk u shqetësova ta gjeja lirinë e të shkruarit në shqip, sepse në të vërtetë e ndjeja këtë liri në frëngjisht. Në romanin tim kisha disa personazhe shqiptarë, njerëz që unë i kisha njohur më parë, fqinjë e të afërm. Nisi rastësisht. Nisi për dy arsye.
Së pari, sepse krijova në mendjen time romanin, lexuesi i të cilit do të ishte krejtësisht i panjohur, publikun ideal, atë që nuk di asgjë. Dhe së dyti, sepse kur je jashtë dhe shkruan me një gjuhë tjetër, gjithçka që është e dhimbshme, kthehet dhe e humb atë peshën e rëndë që ka. Të shkruaja për të shkuarën në frëngjisht, për mua ka qenë më e thjeshtë për t’i parë gjërat me pozitivitet sesa në shqip, të njëjtat situata më dukeshin më të vrazhda, sepse në atë gjuhë ato kishin ndodhur dhe në atë mënyrë e shkuara dhembte.
Mos ndoshta problemi qëndron tek ata që do t’ju lexonin? Si e konceptoni lexuesin shqiptar?
Halla ime nuk e ka lexuar deri në fund librin e babait tim. Ai sigurisht që do t’i përshkruante situatat sipas këndvështrimit të tij. Halla ime hezitonte të shkonte partizane. Babai im kishte shkruar veç aq, pa e vazhduar më tej. Në të vërtetë, fillimisht, ajo refuzoi të shkonte partizane. Lexoi deri në faqen 34 të librit dhe e mbylli për të mos iu rikthyer më, duke u ankuar se ajo nuk ishte ashtu në të vërtetë. Halla, më vonë, iu bashkua forcave partizane, por babai im nuk e kishte vazhduar historinë më tej. Ky është një nga ato rastet së cilës i trembesha fare pak, por që gjithsesi i dija këto gjëra nga përvoja e babait tim.
Ju i keni përkthyer vetë veprat tuaja. E keni të vështirë ta lini përkthimin e tyre në duart dhe mendjen e dikujt tjetër?
Çfarë ju tremb nga përkthimi i dikujt tjetër? Unë i kam rishkruar veprat e mia në shqip. Ato nuk janë tërësisht të përkthyera, madje janë aq të paktë elementet e përkthimit sa nuk denjoj të them se janë të përkthyera. Kam shtuar fraza, të cilat nuk ekzistonin në botimin në frëngjisht dhe nuk kam përkthyer frazat që kanë jetë në frëngjisht, por që nuk rrinë në shqip. Nuk kam dashur që t’ia lë dikujt tjetër përkthimin sepse jam e sigurt që do të përfundoja e pakënaqur.
Një ditë me Besën në Zvicër
Si është një ditë e juaja?
Nuk kam një orar për zgjimin. Nis të bëj rreth një orë gjimnastikë e më pas ha një mëngjes të shëndetshëm. Pas mëngjesit, bëj një orë biçikletë dhe pastaj nis punën. Në përgjithësi, mësimdhënien e kam pas drekës. Në Zvicër nuk punohet çdo ditë. Pedagogët punojnë vetëm dy ditë në javë, jo tetë orë, sepse pjesa tjetër e ditës i kushtohet punës intelektuale, kërkimit intelektual. Në mbrëmje, zakonisht shkruaj dhe dal me miqtë e mi. Bëj një jetë që më pëlqen. Si e kapërceni një ndjenjë pasigurie? Unë jam disi fataliste, si grekët e vjetër. Nëse mërzitesh asgjë nuk ndryshon, ndaj është mirë që të shijojmë çdo moment derisa të na trokasë e keqja. Këtë ua them shpesh edhe studentëve të mi. Ndaj në vend që të filloj të ndihem e pasigurt, pretendoj t’i gëzoj çastet deri në momentin kur mërzitja e trishtimi të vijë. Zakonisht, kujtoj një frazë të Epikurit që thotë se të vuash përpara se të vijë e keqja, do të thotë të vuash më shumë se ç’duhet.
Edhe Elina në albumin e saj “Matanë malit” ka risjellë këngë të cilat në kohën e komunizmit “u zhdukën”. Sa ka ndikuar nëna tek bija e saj?
Sa ndikon Besa tek Elina Duni në përgjithësi? Elina është e ndikuar nga e shkuara, por nuk e di sesa shumë nga unë. Unë shpresoj të kem ndikuar tek ajo, por nuk besoj të kem influencuar tek ajo, apo tek muzika e saj. Sa herë që hanim darkë bashkë dhe rrotull të kishte qirinj, unë i tregoja asaj histori nga e shkuara shqiptare. E megjithatë, nuk mendoj se kam ndikuar në zgjedhjen muzikore, që ajo kultivon sepse unë në Shqipëri nuk kam dëgjuar shumë muzikë shqip. Preferoja, ashtu si edhe shumica e brezit tim, të dëgjoja muzikën e huaj, atë që na ndalohej. Në këtë mënyrë, unë nuk i kam folur pothuajse fare për muzikën shqiptare, prandaj edhe mendoj se në muzikën e saj nuk kam ndikuar unë.
Marrëdhënia e Besës me librin
Cili është mendimi i parë që ju ngacmon teksa ju kujtojmë fjalinë e parë të njërit prej romaneve tuaj: “Shtëpia ime ka vendosur të vrasë veten”?
Ajo shtëpi ka qenë një shtëpi me bahçe, një shtëpi që më sjell gëzim kur e kujtoj, një oborr i mbushur plot me fëmijë. Bahçja përpara shtëpisë ka pasur pemë frutore. Më kujtohen edhe komshinjtë që hynin e dilnin shpesh. Para pak kohësh, këtë shtëpi e rrethuan pallate. Gjelbërimi që deri atëherë kishte mbuluar bahçen time do të zhdukej, dielli nuk do ta ngrohte më. Atë kohë mendova se kjo shtëpi nuk do të presë që ta shembin, por ajo do të shembet vetë, do të vrasë veten. Kështu kam menduar se shtëpia ime e meriton një monument. Me të e nisa romanin tim.
Cila janë ato libra të cilat Besa këshillon që t’i lexojë çdokush të paktën një herë në jetë?
“Ushtari i mirë Shvejk” i Jarosllav Hashek, “Martin Iden” i shkrimtarit Xhek London dhe “Kështu foli Zarathustra” i Niçes, paçka se përthimi i tij në shqip nuk më pëlqen. Libri më i mirë në shqip që keni lexuar kohët e fundit? “Dera” nga Ndriçim Ademaj, është një djalë 21-vjeçar që sapo është hedhur në tregun shqiptar. Më pëlqeu shumë poezia e tij.
bio
Besa Myftiu është lindur dhe shkolluar në Tiranë. Në vitin 1991 u largua nga Shqipëria për në Zvicër. Mësoi frëngjishten, mori një diplomë gjuhe dhe nisi të punojë pranë Mireille Cifali, psikanaliste dhe historiane. Jep mësim në Universitetin e Gjenevës në Fakultetin e Shkencave Pedagogjike. Gjithçka e ka shkruar në gjuhën frënge. Është autore e vëllimit poetik “Des amis perdus” botur në dy gjuhë; e romaneve “Ma Légende” (L’Harmattan, 1998, me parathënie të Ismail Kadaresë), “Confessions des lieux disparus” (Editions de l'Aube, 2008, me parathënie nga Amelie Nothomb, dhe “Amours au temps du communisme” (Fayard, 2011); e përmbledhjes me tregime “Le courage, notre destin” (Editions Ovadia, 2007). “Unë kisha dy ëndrra: të realizoja një film dhe të realizoja një doktoratë”, thotë Besa. Më 2001 bëri filmin “Yllka” bashkëprodhim shqiptaro-zviceran dhe më 2002 bëri tezën “Nitezsche et Dostoïevski: éducateurs!” (botuar nga Les Paradigmes 2005). Në tezën “Niçe dhe Dostojevski: edukatorë”, me këtë merrem, se si arti na edukon.”