Gjermania do të tërheqë arin nga SHBA dhe Franca

Analistët e konsiderojnë lëvizjen si mungesë besimi mes bankave qendrore më të mëdha të botës Pronari i rezervës së dytë më të madhe të arit...

Analistët e konsiderojnë lëvizjen si mungesë besimi mes bankave qendrore më të mëdha të botës

Pronari i rezervës së dytë më të madhe të arit në botë, Gjermania, ka në plan të tërheqë një pjesë të kësaj rezerve nga Nju Jorku dhe Parisi, ku mbahen aktualisht, një lëvizje që dyshohet se mund të shënojë thyerjen e besimit mes bankave kryesore qendrore të botës, raporton CNBC.
Bundesbanka, banka qendrore e Gjermanisë, lëshoi një deklaratë javën e kaluar ku thuhej se do të riatdhesonte një pjesë të arit nga Banka e Rezervave Federale të Nju Jorkut dhe nga Banka e Francës. Deklarata thotë se do të tërhiqen 300 tonë nga Nju Jorku për t’u dërguar në Frankfurt, në mënyrë graduale deri në vitin 2020, ndërsa nga Parisi do të tërhiqen 374 tonë.
Brenda dekadës së ardhshme, Gjermania ka në plan të mbajë më shumë se gjysmën e rezervës së vet në ar në kasafortat e saj në Frankfurt. Pjesa tjetër do të ndahet mes Nju Jorkut dhe Londrës, ndërsa në Paris nuk do të mbahet asgjë.
“Me këtë plan të ri magazinimi, Bundesbanka po përqendrohet në dy funksione kryesore të rezervës së arit: për të krijuar besim brenda vendit dhe për të rritur aftësinë e shkëmbimit të arit për monedha të huaja nëpër qendrat e tregtisë së arit jashtë vendit me shpejtësi më të madhe”, thotë Bundesbank.
Tërheqja e plotë e rezervave të mbajtura në Paris, sipas saj kryhet për shkak se me krijimin e euros nuk ka më nevojë për Parisin si qendër financiare ku duhet të shkëmbejë ar për monedha rezervë ndërkombëtare.
Gjermania ka 3400 tonë rezervë ari, e dyta më e madhe në botë pas Shteteve të Bashkuara. Vlera e kësaj rezerve është 177 miliardë dollarë. Gjermania lëvizi pjesën më të madhe të rezervës së vet të arit jashtë vendit gjatë Luftës së Ftohtë për shkak të rrezikut nga një sulm mbi Gjermaninë Perëndimore nga Bashkimi Sovjetik.
Lajmi se Berlini do të kthejë në shtëpi rezervat, shkaktoi tension mes investitorëve ndërkombëtarë. Bill Gross, drejtor i gjigantit të tregtisë së bondeve PIMCO tha: “Lajmi është që Gjermania po lëviz arin nga NY/Paris për në Frankfurt. A mos do të thotë kjo se bankat qendrore nuk i besojnë njëra-tjetrës?”
Një tjetër argumentoi se nëse do të ketë një krizë të vërtetë borxhi publik në SHBA, gjermanët do të ndihen më rehat nëse do të kishin në shtëpi një pjesë më të madhe të arit të vet.
SHBA-ja është në një telash të vazhdueshëm politik. Tavani ligjor i borxhit çoi në situatë krize dhjetorin e kaluar, ndërsa pritet të mbërrijë në një tavan tjetër të përcaktuar nga Kongresi brenda muajit shkurt. Kongresi është i përçarë mes demokratëve dhe republikanëve pa pasur mundësi për të gjetur një zgjidhje kompromisi.
Një strateg te banka Societe Generale komentoi se arsyeja se pse Bundesbank po e bën një gjë të tillë është që të rrisë besimin te konsumatori gjerman mbi qëndrueshmërinë e kësaj banke.
“Tashmë ajo është një shenjë se sistemi po thyhet, se besimi është më i paktë në të gjithë botën dhe se i gjithë sistemi financiar në thelb është bërë një sistem vendor, ke zonën euro, zonën dollar dhe zonën jen”, tha ai.

Related

Botë 877408700435564867

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item