Njerëzit e partisë së Presidentit autokrat të rrëzuar të Egjiptit, Hosni Mubarak, duket se janë angazhuar tashmë në mbështetje të gjeneralit Sisi, i cili pritet të garojë për president në zgjedhjet e ardhshme, bën të ditur agjencia “Reuters”. Rrjeti i patronazhit të ish-diktatorit që u rrëzua nga “Pranvera arabe” në janar të 2011-s, duket se kanë dalë në terren sërish, duke kërkuar vota në këmbim të parave, të ndihmës ekonomike apo të pajisjeve elektroshtëpiake si frigoriferët.
Makineria politike e grabitjes së shtetit të krijuar nga Mubarak gjatë shumë dekadave po mbështet gjeneralin Abdel Fatah al-Sisi, i cili rrëzoi presidentin e parë të zgjedhur në mënyrë demokratike të vendit, islamikun Mohamed Mursi.
Kthimi i tyre hedh dyshime mbi të ashtuquajturin proces të kthimit te qeverisja demokratike në shtetin më të madh arab. Megjithëse Sisi pritet të fitojë me mazhorancë të thellë, mbështetja nga rrjeti i shefave të pasur të provincave sugjeron se ai mund të bazojë pushtetin e vet në të njëjtat mekanizma që përdori Mubaraku.
Ndërsa revolta e vitit 2011 synonte të hiqte qafe nga skena politike operatorë të tillë pushteti si rrjeti i biznesmenëve të kohës së Mubarakut, tashmë duket se po ndodh pikërisht e kundërta. Fusha e tyre e veprimtarisë janë zonat e varfra rurale, ku njerëzit janë të gatshëm të votojnë për këdo që ofron vende pune apo para.
Ndërkohë, teksa shumë prej mbështetësve të Mursit janë në burg apo në arrati, ndërsa partitë liberale nuk duken të afta për të sfiduar Sisin, ka shumë pak njerëz të gatshëm për të sfiduar sistemin.
Partia Kombëtare Demokratike e Mubarakut u ndalua të ekzistojë me ligj pas vitit 2011, por ajo nuk ishte kurrë ideologjike. Ajo ishte një makineri efikase për shpërndarjen e pushtetit në këmbim të votave dhe korruptimit të elitave në çdo qytet apo fshat të vendit.