Siria akuzohet për vrasjen e 11 mijë të burgosurve
Lufta Civile Një fotograf policie dezertoi dhe dorëzoi 55 mijë foto rrëqethëse torturash dhe vrasjesh nga regjimi jë ish-fotograf i policisë...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/siria-akuzohet-per-vrasjen-e-11-mije-te.html
Lufta Civile
Një fotograf policie dezertoi dhe dorëzoi 55 mijë foto rrëqethëse torturash dhe vrasjesh nga regjimi
jë ish-fotograf i policisë së regjimit të Sirisë dezertoi dhe dorëzoi një kashe me mbi 55 mijë fotografi, në të cilat paraqiten së paku 11 mijë raste torturash dhe ekzekutimesh, duke përbërë dokumentet më rrëqethëse deri tani nga lufta civile që ka kushtuar mbi 100 mijë jetë njerëzore. Prokurorët në Hagë thonë se tashmë kanë prova të qarta se Siria torturoi dhe ekzekutoi kundërshtarët apo të dyshuarit si kundërshtarë të regjimit në mënyrë sistematike dhe në shkallë industriale.
Kasheja e dokumenteve të nxjerra nga fotografi jashtë vendit përmban krimet e kryera vetëm në një rajon të Sirisë. Dyshohet se këto krime përbëjnë vetëm majën e ajsbergut të krimeve të luftës të kryera në këtë vend.
Një ish-prokuror i Hagës ka hartuar sakaq një raport që kërkon përndjekjen penale për krime lufte të regjimit të Sirisë. Raporti thotë se provat implikojnë “agjentët e qeverisë së Sirisë”. Damasku mohon akuzat për dhunë.
Publikimi i raportit vjen vetëm një ditë para se të fillojnë bisedimet e paqes në Gjenevë të Zvicrës. Këto bisedime shihen si përpjekja më e madhe diplomatike për t’i dhënë fund luftës së përgjakshme që vijon prej gati tre vjetësh.
Ndërkohë, në raportin e vet vjetor, Human Rights Watch akuzoi Rusinë dhe Kinën se po lejonin që këto abuzime të vijonin duke bllokuar veprimin e bashkësisë ndërkombëtare përmes OKB-së. Organizata akuzon si qeverinë, ashtu edhe forcat e opozitës për shkelje të të drejtave të njeriut, përfshirë torturim dhe vrasje.
Ka pasur shumë raporte deri tani mbi prova të mbledhura nga grupimet e të drejtave të njeriut dhe hetues ndërkombëtarë, por raporti i fundit flet për përmasa krimesh të paimagjinueshme.
Të 55 mijë fotografitë dokumentojnë së paku 11 mijë ekzekutime dhe ato janë marrë vetëm nga një fotograf. Provat janë analizuar nga tre prokurorë ndërkombëtarë për krime lufte dhe ekspertë mjekoligjorë, të cilët ekzaminuan fotografitë dhe morën në pyetje informatorin, i cili njihet vetëm me emrin Cezar.
Raporti është paguar nga Katari, i cili mbështet rebelët dhe grupimet e opozitës. Fotografi tha se qe urdhëruar të fotografonte trupat, pjesërisht për të lejuar lëshimin e certifikatave të vdekjes dhe pjesërisht që urdhëruesit e krimeve të kishin prova për zbatimin e urdhrave të tyre.
“Kishte deri në 50 trupa në ditë për të fotografuar me 15 deri në 30 minuta për të shpenzuar për çdo kufomë”, raportohet të ketë thënë fotografi. Ai nuk tha se qe dëshmitar në ekzekutim apo në tortura. Fotografitë përfshijnë ekzekutime të kryera që kur filloi kryengritja më 2011 deri në gusht të vitit të kaluar.
Hetuesit thonë se të gjitha kufomat me përjashtim të njërës, janë meshkuj. Ata dalluan shenja dhune mbi trupat e tyre, shumë prej të cilëve dukshëm qenë rrahur apo mbytur. Disa nuk kishin sy, ndërsa të tjerë tregonin shenja torture me shok elektrik.
Një nga autorët e raportit, profesor Sër Geonfrej Najs (Geoffrey Nice), tha se përmasat e vrasjeve siguronin prova të mjaftueshme të përgjegjësisë së qeverisë në mbështetje të një përndjekjeje të mundshme penale.
Një mjek ligjor tha se fotografitë tregonin shenja vdekjeje nga uria në një pjesë të madhe të kufomave. Ai tha se shumë duket se qenë ekzekutuar me mbytje.
Raporti thotë se fotografitë përbëjnë “prova të qarta” për “torturë sistematike, vrasjen e të arrestuarve nga agjentët e qeverisë së Sirisë”.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë Uilliam (William) Hague tha se komentet qenë “rrëqethëse dhe të tmerrshme” dhe se urdhëruesit do të dënohen.
Dje, OKB tërhoqi një ftesë që ia pati dërguar Iranit për të marrë pjesë në bisedime. Opozita pati kërcënuar se do t’i bojkotojë propozimet në rast se Irani merr pjesë. Ftesa zemëroi edhe SHBA-në e vende të tjera perëndimore. Rusia nga ana e vet e konsideroi “gabim” tërheqjen e ftesës për Iranin.
Raporti i ekzekutimeve “Cezar”
Mbi 50 mijë fotografi dixhitale – të cilat tregojnë trupat e mbi 11 mijë të të arrestuarve – u kontrabanduan jashtë Sirisë
Fotografitë janë marrë në një Spital Ushtarak në një pjesë të padeklaruar të Sirisë nga marsi 2011 nga një fotograf i policisë me emrin në kod Cezar
Çdo kufomë është fotografuar me një numër serial, të gjithë janë meshkuj me një përjashtim, të moshës nga 20 në 40 vjeç, me pak rroba ose pa rroba fare
“Një numër i konsiderueshëm” i kufomave jep shenja urie, të tjera kanë plagë të ndryshme, përfshirë djegie, sy të ngufatur, të nxira nga rrahjet apo shenja mbytjeje me litar