Pavarësia: Pse katalanasit e kanë zili Skocinë

Dy rajone kërkojnë pavarësinë. Por Skocia e ka pasur shumë më të lehtë rrugën, ndërsa Katalunja po përballet me kërcënime të vazhdueshme, gj...

Dy rajone kërkojnë pavarësinë. Por Skocia e ka pasur shumë më të lehtë rrugën, ndërsa Katalunja po përballet me kërcënime të vazhdueshme, gjë që e acaron popullatën e rajonit dhe shton mbështetjen për pavarësi
Allan Little, BBC

Fshati në majë të kodrës Sant Pere te Torello, në bazë të maleve Pirene, veriu i Barcelonës, është i zbukuruar me ngjyrat e shtetit të Katalunjës.
Flamuri kuqeblu dhe i artë i lëvizjes për fitoren e pavarësisë nga Spanja valëvitet nëpër dritare, ballkone e tarraca në çdo rrugë.
Flamuri ngrihet gjithashtu mbi bashkinë e qytetit të këtij vendbanimi me 2500 banorë, kryebashkiaku i të cilëve është zyrtari i parë i Katalunjës që e shpalli territorin e vet “të lirë” – duke vendosur të dërgojë taksat vendore në kryeqytetin e rajonit, Barcelona, në vend që t’i dërgonte në Madrid. Është një hakmarrje simbolike dhe një pastrim i trashëgimisë spanjolle të qytetit në këmbim të një identiteti të qartë kombëtar katalanas.
“Është diçka e vogël”, thotë Griselda Castells, një këshilltare e kryebashkiakut, “por ne jemi përpjekur prej vitesh t’i shpjegojmë Spanjës se kemi nevojë për veprim. Megjithatë, asgjë nuk ka ndryshuar. Tani, qeveria e Spanjës mund ta shohë se është diçka reale, kjo ndjenjë që ne kemi është reale. Është diçka e vogël, por e rëndësishme për ideologjinë tonë, për ëndrrën tonë, që Katalunja të bëhet e pavarur.”
Ka pasur një rritje dramatike në mbështetje të pavarësisë së Katalunjës përgjatë viteve të fundit. Një demonstratë pro pavarësisë në Barcelonë në shtator 2012 nxori më shumë se 1 milion njerëz në rrugë. Sondazhet vazhdimisht raportojnë për mbështetje mbi 50 për qind për idenë e ndarjes nga Spanja.
Presidenti i qeverisë rajonale të Katalunjës, i pavaruri Artur Mas, ka mbështetjen e shumicës së Parlamentit për të zhvilluar një referendum, i cili, thotë ai, do të zhvillohet në nëntor të këtij viti. Spanja, gjithsesi, e ka cilësuar lëvizjen ilegale dhe ka deklaruar se referendumi nuk do të kryhet.
Përplasja është në kontrast mbresëlënës me situatën në Skoci, një krahasim i zakonshëm për Katalunjën. Atje, Partia Kombëtare Skoceze, e cila mbështet pavarësinë, fitoi shumicën në Parlamentin e Skocisë dhe njoftoi për plane për një referendum që duhet të zhvillohet në shtator. Ajo arriti një marrëveshje me qeverinë e Britanisë për kohën e mbajtjes së referendumit dhe për formulimin e pyetjes: “A duhet që Skocia të jetë një vend i pavarur?”
Qeveria e Britanisë dhe fushata kundër pavarësisë “Më mirë së bashku”, kanë thënë se do të respektojnë rezultatin e referendumit.
“Ne mund të kemi zili pak për atë që po ndodh në Britani”, më tha mua Artur Mas, “për shkak se ne do të na pëlqente të kishim një marrëveshje me institucionet e Spanjës. Synimi ynë është të arrijmë një marrëveshje, por dallimi është se qeveria qendrore e Spanjës thotë se ne nuk kemi të drejtë të votojmë.”
Kështu, unë e pyeta atë nëse ai do ta kishte më me kënaqësi të merrej me Kryeministrin e Britanisë, Dejvid Kamerun (David Cameron) sesa me qeverinë aktuale të Spanjës?
“Natyrisht”, thotë ai. “Tani, jo ekzaktësisht me Kamerunin, por me mentalitetin britanik. Që do të thotë: nëse ke një komb, Skocinë apo Katalunjën, dhe ke në këtë komb një mazhorancë të madhe të popullsisë që kërkon një referendum, demokraci të vërtetë, çfarë duhet të bësh? Duhet të ulesh në tavolinë, të arrish një marrëveshje dhe të lejosh popullin të votojë. Kjo është mënyra britanike. Dhe unë dëshiroj që Spanja të ishte pikërisht e tillë, me të njëjtin mentalitet.”
Por Spanja nuk është Mbretëria e Bashkuar dhe Katalunja nuk është Skocia. Të dyja kanë popullata të ngjashme, pesë milionë Skocia dhe 7.5 milionë Katalunja.
Skocia kontribuon me 89 për qind të taksave të Mbretërisë së Bashkuar (duke përjashtuar naftën dhe gazin) – afërsisht në përputhje me përqindjen e popullsisë që ka.
Por Katalunja është rajoni më i pasur dhe ekonomikisht më produktivi i Spanjës dhe kontribuon për rreth një të katërtën e taksave të Spanjës – shumë më tepër sesa pesha e popullsisë së saj. Kjo pabarazi ka ndihmuar në rritjen e mbështetjes për pavarësi.
Ka edhe një dallim tjetër të madh mes Skocisë dhe Katalunjës. Në Skoci, partia për pavarësi ka bërë fushatë për arsye parimore, për shkak se partia u themelua gati një shekull më parë. Mbështetja për pavarësinë ka qenë solide, rreth 30 për qind, që prej dekadash.
Në Katalunja mbështetja për pavarësinë është rritur nga 10 për qind në mbi 50 për qind vetëm pas fillimit të krizës aktuale ekonomike. Shumë aktivistë kundër pavarësisë, argumentojnë se rritja e fundit është një anomalitet kalimtar, një përgjigje afatshkurtër ndaj krizës ekonomike, por që mund të ketë pasoja afatgjata të pakthyeshme.
Dhe megjithëse një mazhorancë e qartë në Katalunja – rreth tre të katërtat në sondazhin e fundit – kërkojnë të drejtën për të votuar mbi këtë problem – një minoritet kërkon që Spanja të veprojë për të ndaluar zhvillimin e referendumit.
“Spanja mund të bëjë shumë gjëra”, thotë Fernando Sançez Kosta (Sanchez Costa), një anëtar i Parlamentit të Katalunjës për qeverinë qeverisëse spanjolle të djathtë, Partia Popullore.
“Unë shpresoj që të mos mbërrijmë deri këtu, por ne për shembull mund të pezullojmë autonominë e Katalunjës. Kushtetuta jonë demokratike na jep këtë mjet. Nuk do të jetë e nevojshme të pezullohet Parlamenti (i Katalunjës). Në Irlandën e Veriut diçka e ngjashme ndodhi disa vite më parë. Disa kompetenca u pezulluan përkohësisht. Kjo mund të ndodhë edhe në Katalunjë.”
Por shumë në Katalunjë besojnë se një hap i tillë thjesht sa do të fuqizojë mbështetjen për pavarësinë edhe më shumë.
Artur Mas thotë se ai është i vendosur të ecë përpara, pavarësisht kësaj. “Më lejoni t’ju kujtoj”, thotë ai, “se ne kemi pasur zgjedhje demokratike këtu një vit më parë. Premtimet elektorale qenë shumë të qarta dhe populli na zgjodhi ne, për shkak se ata deshën të drejtën për të ushtruar zgjedhjen e vet. Ne duhet të respektojmë premtimin tonë për të zhvilluar një konsultë”.
Dhe nëse Spanja e bllokon atë? “Atëherë ne do të thërrasim zgjedhje të reja, maksimalisht më 2016-n, dhe këto zgjedhje do të bëhen referendumi mbi pavarësi. Nuk mundet të bindësh popullin e Katalunjës se ata nuk kanë të drejtë për të votuar mbi këtë çështje. Nuk mund të ndalosh një lëvizje demokratike dhe paqësore si kjo”.

Related

Shtypi i huaj 2569197375548594588

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item