Sa kursejmë

Shqiptarët preferojnë që të ruajnë paratë në shtëpi apo nëkuletë, ndërkohë që nuk i njohin pothuajse fare forma të tilla investimi si produk...


Shqiptarët preferojnë që të ruajnë paratë në shtëpi apo nëkuletë, ndërkohë që nuk i njohin pothuajse fare forma të tilla investimi si produktet financiare të investimit.
Raporti i Bankës së Shqipërisë,  “Kultura financiare në Shqipëri: Rezultatet e vrojtimit për matjen e nivelit të njohurive financiare të popullatës, 2011”, përpiqet të masë format më tipike të kursimit për t’i sjellë ndërmend të anketuarit, të gjitha mënyrat e përdorura prej tij.
Sipas raportit, sjellja kursimtare përbën një komponent të rëndësishëm të edukatës financiare, pasi ndikon direkt në rritjen e sigurisë financiare dhe në kufizimin e mbështetjes në kredi për të mbuluar shpenzimet. Shuma e kursyer dhe harku kohor i mbajtjes së kursimeve ndryshojnë nga individi në individ, megjithatë fokusi i këtij studimi mbetet të analizojë nëse i anketuari kursen apo jo para, në harkun kohor njëvjeçar. Pyetja e drejtuar për këtë qëllim përmban format më tipike të kursimit për t’i sjellë ndërmend të anketuarit, të gjitha mënyrat e përdorura prej tij.
Nga vrojtimi, vihet re se personat që kanë kursyer gjatë 12 muajve të fundit, janë lehtësisht më shumë (47.9%)23 se ata që nuk kanë kursyer (45.9%). Rezultatet e anketimit tregojnë se forma më e përdorur për të kursyer është duke i ruajtur paratë në shtëpi apo në kuletë (27.1% e totalit të individëve), ndjekur nga individët që preferojnë t’i depozitojnë kursimet e tyre në një llogari kursimi (10.1%) dhe ata që thjesht i lënë paratë në llogari rrjedhëse (8.4%).
Alternativat e tjera të kursimit si produktet financiare të investimit apo klubet informale të kursimit rezultojnë pothuaj të papërdorura nga të intervistuarit.
Sipas rezultateve, gjinia nuk përbën një faktor ndikues në sjelljen e individëve në favor ose kundër kursimit. Përsa i përket grup-moshës së të intervistuarit, më kursimtarët rezultojnë individët 30-59 vjeç (gjysma e të cilëve pranojnë se kanë kursyer gjatë 12 muajve të fundit), të ndjekur nga ata 18-29 vjeç, ndërkohë që gjysma e personave mbi 60 vjeç pohon se nuk kursen. Niveli arsimor i të anketuarit ka një lidhje të drejtpërdrejtë me kursimin. Personat më të arsimuar janë ata që shprehen më tepër se kanë kursyer. Kështu për shembull, nëse 68.1% e individëve me arsim të lartë ose pasuniversitar kanë kursyer gjatë vitit të fundit, kjo sjellje është ndjekur nga 45.8% e personave me arsim të ulët deri të mesëm dhe vetëm 32.9% e atyre të paarsimuar.
Statusi i punësimit paraqitet si një tjetër faktor që ndikon sjelljen pro ose kundër kursimit. Të vetëpunësuarit (58.3%), të pasuar nga studentët (56.1%) dhe të punësuarit (54.9%) kryesojnë renditjen e atyre që kanë kursyer gjatë vitit të fundit. Nga ana tjetër, individët që i përkasin kategorive të cilat nuk janë në marrëdhënie pune deklarojnë përqindje më të larta të moskursimit gjatë kësaj periudhe.

E njëjta sjellje vihet re edhe për sa i përket të ardhurave mesatare të familjes. Nëse 73.5% e individëve që i përkasin një familjeje me të ardhura të larta ka kursyer gjatë 12 muajve përpara zhvillimit të anketimit, kjo përqindje zbret në 43.0% të individëve nga familje me të ardhura të mesme dhe vetëm 33.2% të atyre me të ardhura të ulëta. /Monitor/Revistaekonomia/

Related

Ekonomi 5312658746916465529

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item