Europa histerike mbi kriminelë që nuk ekzistojnë
Media tabloide është e mbushur me lajme të frikshme mbi miliona emigrantë të rinj nga Lindja, por këto dallgë apokaliptike në realitet po re...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/europa-histerike-mbi-kriminele-qe-nuk.html
Media tabloide është e mbushur me lajme të frikshme mbi miliona emigrantë të rinj nga Lindja, por këto dallgë apokaliptike në realitet po rezultojnë pika uji. Europa është e zhytur në ksenofobi, raporton Foreign Policy
Furia
HARRIET SALEM, Foreign Policy
Nga Londra në Berlin, gazetat tabloide të majta dhe të djathta e kanë zhytur veten në një furi ksenofobike përgjatë të gjithë vitit të kaluar. Ata kanë paralajmëruar për “dallgë emigrantësh”, “rritje të normave të kriminalitetit” dhe “fundosje e tregut të punës” apo “turizmit me përfitime”.
Edhe zyrtarët e qeverive hynë në veprim pas këtyre lajmeve: Lodevijk Asher (Lodewijk Asscher), ministri i Holandës për Çështjet Shoqërore, lëshoi një “kod portokalli”, një alarm që zakonisht lëshohet në Holandë kur nivelet e ujit arrijnë në lartësi të rrezikshme, në një vend shumë të prekur nga përmbytjet. Në Britaninë e Madhe ka bisedime për të hedhur në qarkullim “siguri të stilit olimpik” nëpër aeroporte. Presidenti i Francës, François Hollande, dhe qeveria e tij socialiste bënë thirrje për “shtypje”.
Shkaku i këtij paniku ishte vetëm një: më 1 janar 2014, kufizimet në emigrim të vendosura mbi Rumaninë nga shumë vende të Europës Perëndimore morën fund. Pasi dy vendet lindore u bashkuan me Bashkimin Europian më 2007-n, këto rregulla vendosën kufizime të forta në aftësinë e rumunëve dhe bullgarëve për të emigruar për arsye pune në Austri, Belgjikë, Francë, Gjermani, Maltë, Holandë, Luksemburg, Spanjë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Përgjatë dekadës së fundit, emigrimi i brendshëm në BE është bërë një çështje shumë e debatueshme. Anëtarësimi i dhjetë vendeve më 2004-n, përfshirë shumë vende të varfra të Lindjes, i shtyu shumë njerëz – vlerësimet janë për disa milionë – të lëviznin në Perëndim në kërkim të standardeve më të mira të jetesës, mundësive për punësim, kujdesit shoqëror e shëndetësor.
U prek veçanërisht Mbretëria e Bashkuar, si një nga tri vendet që nuk vendosi kontrolle migrimi. Mes viteve 2004 dhe 2011, më shumë se 650 mijë njerëz mbërritën nga të ashtuquajturit vendet A8, Sllovakia, Hungaria e Polonia mes të tjerave – në Britaninë e Madhe, një shifër që tejkaloi ndjeshëm parashikimet e qeverisë. Qenë këto shifra, krahas krizës ekonomike dhe shqetësimeve të vjetra mbi popullatat e emigrantëve, që rritën ksenofobinë.
Në fund, kjo gjë solli kufizim të emigrimit nga Bullgaria dhe Rumania – vende ku më shumë se 40 për qind e popullsisë jeton në rrezikun e rënies poshtë nivelit të varfërisë dhe pagës minimale, të cilat janë respektivisht 1.22 dollarë dhe 1.46 dollarë për frymë.
“Zgjerimi i kufijve të BE-së në vitet e fundit ka ndodhur mes vendeve që kanë pabarazi shumë më të mëdha sesa në kohën kur projekti europian filloi”, thotë Kris Houarth (Chris Howarth), analist në qendrën kërkimore Open Europe. “Migrimi tashmë është shqetësimi numër 1 për publikun nëpër sondazhet mbi anëtarësimin dhe zgjerimin e Bashkimit Europian”.
Por realiteti i migrimit Europian është shumëngjyrësh. Me të vërtetë, ka shumë keqinterpretime mbi numrin e njerëzve që emigrojnë, mbi impaktin e vërtetë që migrimi ka mbi vendet e vjetra europiane dhe se si ndihen vendet në anën tjetër – pra në Rumani dhe Bullgari – mbi tendencën e nënshtetasve të vet që ikin jashtë vendit për punë.
Para 1 janarit, vlerësimet për numrin e rumunëve dhe bullgarëve që duhet të jenë drejtuar për nga Perëndimi janë shumë të ndryshme. Në Britaninë e madhe, për shembull, shifrat e prodhuara nga institucionet kërkimore variuan nga 50 mijë në 385 mijë vetë në vit. Këto vlerësimet e larta janë prodhuar nga ata që duan të shkaktojnë frikë dhe të mbështesin argumentet e veta, përfshirë thirrjen për politika për diskurajimin e emigrantëve të rinj.
Në dhjetor, Partia Konservatore dërgoi një ligj të debatuar në Parlament për të kufizuar aksesin e emigrantëve të rinj te ndihma ekonomike dhe kujdesi shëndetësor, si dhe për të detyruar integrimin e emigrantëve që, sakaq, janë në Britani përmes masave të tilla, si mësimi me detyrim i gjuhës dhe teste gjuhe.
Rregullat e reja përcaktojnë që të huajt që kapen duke jetuar në rrugë apo duke lypur të ekstradohen menjëherë. Qeveritë në Gjermani, Holandë e Francë po debatojnë gjithashtu mbi masa të ngjashme.
Por, ndërkohë, në dy javët e para të 2014-s, dallga e parashikuar e migrantëve doli se ishte vetëm një spërkatje. Paralajmërimet nga gazeta britanike Daily Mail se fluturimet me kosto të ulët nga Bukureshti dhe Sofja për javët e para të këtij viti qenë “të prenotuara dy herë”, ndërsa biletat e autobusit qenë “shitur të gjitha”, rezultuan jashtëzakonisht të pavërteta.
Ndërkohë, Ion Jinga, ambasadori i Rumanisë në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se shifrat që i janë dhënë atij nga autoritetet holandeze tregojnë se, në dhjetë ditët e para, vetëm 21 bullgarë dhe 10 rumunë u regjistruan si të sapombërritur në këtë vend.
Por ndërsa e djathta europiane mund të ketë arritur një fitore duke imponuar masa antiemigrim në axhendat politike të vendit, ekspertët ekonomikë dhe rajonalë thonë se numri i vogël i mbërritjeve shpjegohet më mirë nga tendencat afatgjata dhe kushtet aktuale të punës në BE sesa nga propaganda e ndalimit të emigrimit.
Kontrollet e punës në fakt janë relaksuar vazhdimisht në shumë pjesë të BE-së përgjatë viteve, shpjegon Stefan Ralçev (Ralchev), drejtor dhe analist politik në një institucion kërkimor në Sofje.
“Shumica e atyre që me të vërtetë donin të iknin (nga Rumania dhe Bullgaria), kanë qenë në gjendje ta bënin sakaq”, thotë ai.
“Ky miti i emigrimit masiv ka qenë gjithmonë një flluskë”.
Sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), 3.5 milionë rumunë – afërsisht një e gjashta e të gjithë popullsisë – sakaq po jeton jashtë vendit, përgjithësisht në vendet e BE-së. Për shumë, destinacioni i përzgjedhur nuk ka qenë Europa Perëndimore, por rajoni i Jugut, ku shumë vende në praktikë kanë eliminuar kufizimet për emigrantët shumë më përpara sesa viti 2014.
Në Spanjë e Itali, për shembull, rreth 1.9 milionë emigrantë nga Bullgaria dhe Rumania sakaq janë regjistruar për punë dhe rreth 1 milion të tjerë vlerësohet se udhëton në këto vende për punësim sezonal.
Edhe në vendet perëndimore të BE-së që imponuan kufizime në emigrim deri këtë vit, gjithsesi, vrimat nëpër ligje kanë lejuar prej kohësh punëtorët e kualifikuar dhe gjysmë të kualifikuar të hyjnë në tregjet e punës. Britania ka sakaq më shumë se 150 mijë rumunë dhe bullgarë që jetojnë brenda kufijve të saj. Gjermania ka 200 mijë.
Dhe pavarësisht asaj që sugjerohet nga kundërshtarët e emigrimit për probleme sociale që shkaktohen nga ky fenomen, në fakt popullatat e reja migratore i kanë ndihmuar ekonomitë.
Britania dhe Gjermania kanë mungesë krahësh pune të kualifikuar në sektorë si teknologjia e informacionit, kujdesi shëndetësor etj., dhe rrjedhimisht po përfitojnë nga zgjerimi i forcës së disponueshme të punës. Kërkime të kohëve të fundit nga University College i Londrës kanë zbuluar se të sapoardhurit nga zona ekonomike europiane kanë ndihmuar rritjen e ekonomisë së Britanisë së Madhe përgjatë dhjetë viteve të fundit, duke paguar 34 për qind më shumë taksa nga sa kanë përfituar në ndihmë ekonomike. Për më tepër, një studim nga Komisioni Europian zbuloi se migrantët e papunë përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të përfituesve të ndihmës ekonomike në vendet e BE-së.
Argumentohet se në fakt eksodi i të rinjve dhe të talentuarve është më shumë shqetësim për vendet nisëse sesa për vendet Perëndimore.
“Ikja e trurit sakaq ka ndodhur në Rumani dhe Bullgari që kur këto vende u bashkuan me BE-në, më 2007-n”, thotë Marcela Ganea, nga Universiteti i Bukureshtit. “Nëse ke mundësi të zgjedhësh mes të qenët mjek në Rumani për 400 euro apo në Europën Perëndimore për 3 mijë euro, çfarë do të zgjedhësh?”
Në nëntor 2013, Konstantin Dimitrov, ambasadori i Bullgarisë në Londër, deklaroi për median vendase, se vendi i tij po “dëmtohej” nga humbja e profesionistëve të kualifikuar.
Pavarësisht këtyre realiteteve, furia ndaj emigrimit ekonomik nuk ka gjasa të vdesë shpejt në Europën Perëndimore. Më 7 janar, një vëzhgim në Britani zbuloi se 77 për qind e njerëzve mbështesnin idenë e kufizimit të numrit të emigrantëve që po mbërrijnë në vend. Ndërkohë, debati ka shkaktuar telashe politike në Gjermani, ku qeveria është e ndarë pas propozimeve për të kufizuar përfitimet shoqërore nga emigrantët.
Deputetja britanike dhe kryetare e komitetit për punët e brendshme, Keith Vaz, thotë se ndërsa retorika ksenofobike përreth liberalizimit të 1 janarit është “për të ardhur keq”, emigrimi “është një problem që qeveritë e BE-së duhet ta trajtojnë me urgjencë”. Disa të tjerë argumentojnë se ka një valë masive azilkërkuesish nga ish-Jugosllavia.
“Publiku është i shqetësuar”, thotë Vaz. “1 janari nuk është kurrsesi fundi. Është vetëm fillimi i një debati më të madh dhe më të gjerë mbi rolin dhe të ardhmen e BE-së”.