Himni mbretëror i panjohur i princ Vidit
Ish-oficeri i Forcave Detare Italiane, Paolo Muner, rrëfen mbi himnet e sapogjetura të princ Vidit dhe kolonisë shqiptare të Borgo Erizzo-s ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/himni-mbreteror-i-panjohur-i-princ-vidit.html
Ish-oficeri i Forcave Detare Italiane, Paolo Muner, rrëfen mbi himnet e sapogjetura të princ Vidit dhe kolonisë shqiptare të Borgo Erizzo-s
Kopertina e Himnit botuar nga Capolongo-Feola |
Ai quhet Paolo Muner. Dikur oficer i Forcave Detare Italiane, Trupi i Rojave Bregdetare, me një karrierë 40-vjeçare, tri vite të së cilës me shërbim në Shqipëri, sot në pension, kërkues i pasionuar pas historisë shqiptare, për të kuptuar më tepër rreth vendit të vogël, përballë të cilit Italia i ka dhënë shumë gjatë historisë së vet, e për të cilin italianët e sotëm kanë dëgjuar pak viteve të diktaturës, e keq gjatë atyre të demokracisë.
I fokusuar më së shumti në harkun kohor 1912-1939, me vetëdijen e plotë se në arkivat e Italisë, e ato të Triestes veçanërisht, gjenden shumë gjëra me vlerë mbi historinë e shqiptarëve, ai s’ngurron të na sjellë sa herë mundet risitë e zbuluara, siç bëri dhe rreth katër vite më parë me librin “Një histori shkodrane, flamujt e parë detarë, të anijeve tregtare shqiptare (1913-1914)”, ku përmes dokumenteve zyrtare shkëmbyer mes përfaqësive diplomatike të Perandorisë Austro-Hungareze dhe atyre mbareuropiane, dëshmonte peripecitë e sanksionimit të simbolit shtetëror, me të cilin do të lundronin në ujërat fqinje dhe ndërkombëtare, mjetet lundruese tregtare shqiptare, shteti i të cilave ishte ende i pakonsoliduar.
Aktualisht, teksa në proces botimi ka një tekst mbi shqiptarët e famshëm dhe ngjarjet e rëndësishme historike që kanë lidhur Triesten, qytetin e tij të lindjes, me Shqipërinë, si Kongresi i Shqiptarëve mbajtur aty një vit pas Shpalljes së Pavarësisë, më 1913-n, me një rëndësi tejet të madhe për formën që do të merrte shteti shqiptar më pas, apo rrugëtimi ca më vonë nëpër të i princ Vidit, teksa vinte për të marrë në dorëzim Shqipërinë, arkivat, por padyshim edhe nuhatja e tij prej kërkuesi, i kanë nxjerrë përpara një sërë dokumentesh që rrëfejnë disa variante të panjohura të himnit shqiptar.
Sipas tij, në kontekstin aktual të njohurive mbi këto variante, dokumentet e gjetura dëshmojnë dy risi: njëra lidhet me një himn luajtur në kohën e princ Vidit, kurse tjetra me himnin e shqiptarëve të Borgo Erizzo-s, njohur sot si Arbanasi (në Zadar, Kroaci). Pyetjeve se ç’vend zënë dokumente të tilla në historikun e himneve shqiptare, se a janë ato zbulime të mirëfillta apo se çfarë i ka bërë më tepër përshtypje teksa merrej me hulumtimin e tyre, ai u përgjigjet si më poshtë.
Artikull i botuar në La Canzonetta mbi himnin e Logory & Nardella-s
Teksti i Himnit Logory-Nardella
Teksti i himnit të Borgo Erizzo-s
“‘Zbulimet’ e mia të vërteta” (rizbulimet më mirë), janë dy: ajo e himnit të princ Vidit dhe ajo e kolonisë shqiptare të Borgo Erizzo-s, në Dalmaci. Kërkimin për të parin e nisa prej një të dhëne të thjeshtë: në librin “Shqipëria, një mbretëri për gjashtë muaj”, e ambasadorit Ferdinado Salleo, thuhet se “më 7 mars të 1913-s, gjatë mbërritjes në Durrës të princit dhe princeshës Sofia, ‘banda luante himnin kombëtar kompozuar prej maestro Nardella-s’”. Që himni ishte, qe më se e sigurt, sepse lajmi vinte prej një burimi absolutisht rigoroz, hiq mirënjohjen personale ndaj ambasadorit Salleo, për prezantimin brilant që i bëri librit tim “Një histori shkodrane” gjatë promovimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Romë, që ishte thuajse një leksion i mirëfilltë mbi historinë e Shqipërisë.
Teksa thelloja kërkimet në këtë drejtim, mësova se banda që kishte luajtur himnin ishte drejtuar prej maestro Enrico Annoscia-s, drejtor i Bandës Bashkiake të Barit, sjellë me shumë gjasa prej Durrësit për rastin historik në fjalë, kurse maestro Evemero Nardella, kompozuesi i muzikës së himnit, ishte një autor i njohur i këngëve napolitane, më e famshmja mes së cilave “Chiove” (Piove, në italisht). Vargjet në shqip i kish shkruarLonith Logory, (që në disa burime e gjen edhe si Loni), një poet shqiptar që merrej kryesisht me tekste këngësh, i cili kish jetuar një farë periudhe në Egjipt, tejet aktiv në vitet ’20 e ’30, me shumë gjasa nga Korça.
Ekziston partitura origjinale?
Partiture e himnit Logory & Nardella
Patjetër. U publikua prej shtëpisë botuese “Capolongo Feola” në Napoli, në vitin 1913. Fillimisht, kur u përpoqa të kontaktoja me këtë shtëpi botuese, vështirë se po i bija në gjurmë. Vetëm ca më pas, me ndihmën e një mikut tim napolitan, më se i familjarizuar me ambientet muzikore, zbulova se menjëherë pas publikimit të himnit, ajo kishte ndërruar emrin në “La Canzonetta”, emër të cilin e mban edhe sot. U vura në kontakt me titullarin e saj, zotin Franco Fedele, i cili me një bujari e ndjeshmëri të pamat, më vuri në dispozicion origjinalin – tashmë 100-vjeçar – pa asnjë lloj pagese mbi ndonjë të drejtë, duke saktësuar se “ishte një nder i madh për të, të kontribuonte për daljen në dritë të këtij prodhimi shekullor për Shqipërinë”.
Zbulim i vërtetë? Do të thosha po, sepse në librin e çmuar “Princi i shqiptarëve – Prince of Albanians – Wilhelm von Wied”, fq. 105, të Artan Lames, me shumë gjasa një prej ekspertëve të figurës së Vidit, publikohet partitura e një “Himni Mbretnor” me shumë vargje, ku spikat një didaskali shkruar ngucurazi, që thotë “Teksti dhe muzika e Himnit Mbretëror, krijuar për Principatën e Shqipërisë” (AQSH), pa shtuar asgjë për autorët e muzikës dhe të tekstit. Duke e njohur rigorozitetin që shquan zotin Lame, më duhet të besoj që të dhëna të tilla kanë qenë të ditura.
Po gjithmonë prej Artan Lames, te “Medaljet Shqiptare”, Vol. I°, 1914-1944, fq. 44/45., kuptojmë se “më 1921-shin, princi dekoroi me Medaljen e Zyrtarit të Urdhrit të Shqiponjës së Zezë, autorin (shqiptar) të Himnit Kombëtar më 1914-n”. Cilin? Emri mungon sërish.
Gjithsesi, ky himn duhet ta ketë pasur jetën shumë të shkurtër, njësoj si princi i vet. Ndërkaq, meqenëse e dimë që muzika është e “pavdekshme” thuajse për përkufizim, ja ku gjejmë në katalogët e Viktor-it, një prej shtëpive më të mëdha diskografike amerikane, se më 28 mars, 1918, kur princ Vidi kishte thuajse 4 vjet që e kishte lënë Shqipërinë, në Nju Jork, në diskun 10 n. 72187, është publikuar “Hymni Mbretnor”, interpretuar prej tenorit Giuseppe Mauro (me origjinë arbëreshe nga Katundi i Kampanjës), orkestra e të cilit drejtohej nga Nathaniel Shilkret-i, klarinetist, kompozitor e drejtor i një orkestre amerikane, dirigjent i “Victor Talking Machine Company” (më pas: RCA Victor). Sipas të thënave, ky disk ka kapur një rekord shitjesh, me mbi 50 milionë kopje, shifër astronomike kjo për dhjetëvjeçarët paralufte. Për fat të keq, si autor këtu shfaqet vetëm Loni Logori dhe jo maestro Nardella.
Por Vidi ka “shijuar” edhe një himn tjetër shqiptar, luajtur për nder të tij në Trieste (prej nga mori anijen që e pruri në Durrës), nga një fanfarë ushtarake austriake. Mbi të s’dihet thuajse asgjë, por ka të ngjarë që të mos jetë i njëjti me atë që u dëgjua një ditë më pas në Durrës. Mbi këtë po kërkoj ende, edhe pse shpresat i kam të pakta.
Himni tjetër që kam “rizbuluar”, tani për tani përgjysmë, është ai i kolonisë shqiptare të Borgo Erizzo-s, një vendi në portat e Zarës (Zadar), sot në Kroaci, themeluar në mes të shekullit XVIII nga emigrantët shqiptarë ardhur prej Shkodre e Tivarit, fshatrat e Briskos dhe Shestanit.
Për hir të italianizimit të tyre gjatë viteve 1800, teksa në Dalmaci kryhej lufta kombëtare mes italianëve dhe kroatëve, ashtu si edhe në shumë vende të Perandorisë Austriake populluar prej italianëve, edhe këtu u ngrit Shoqata e Bersalierëve, që përgjithësisht ishte pretekst për të forcuar ndjenjat kombëtare italiane. Shoqata të tilla mbanin shpesh edhe një fanfarë (bandë muzikore) shumë të ngjashme me atë të Bersalierëve ushtarakë italianë, me të cilët u ngjanin edhe uniformat. Më 1912-n, kjo shoqatë pasurohet me një seksion koral drejtuar prej maestro Giuseppe Knering-ut, njohur edhe si autor i një “himni shqiptar”, shkruar në italisht, me muzikë të maestro Paolo Riverso-s, që borgerizanët ia kushtonin mëmëdheut me rastin e shpalljes së pavarësisë.
Këtij himni i kishin humbur thuajse krejt gjurmët, ashtu siç ka ndodhur për fat të keq në Dalmaci me një pjesë të mirë të dëshmive italiane. Gjatë eksodit të italianëve prej Dalmacisë dhe Istriës, kryer me metoda të egra gjatë “pastrimit të parë etnik” jugosllav, edhe borgerizanët u strehuan në pjesën më të madhe të tyre në Itali. Ata që mbetën pas, e patën shumë të vështirë ta ruanin italianitetin e tyre, e ca më shumë akoma “shqiptarinë”, duke u asimiluar, pra “kroatizuar” me kalimin e kohës.
Edhe për këtë himn kisha kohë që i premtoja e i ripremtoja vetes se do t’i vazhdoja kërkimet, ndoshta edhe duke shkuar në vendngjarje, se në fakt kam edhe një lidhje sentimentale me këtë pjesë, ngase ime më është me origjinë dalmate, por normalisht, vizita të ngjashme nëpër vende ku kanë kaluar si shumë “tanke”, edhe nacionalizmi, dhe pastrimi etnik, fillimisht jugosllavët e pastaj kroatët, përfundojnë me zhgënjime të mëdha për një italian.
I kisha shkruar shumë herë në fakt për këtë punë “Bashkimit Italian të Zarës”, organizmit që mbledh italianët e mbetur, por s’kisha marrë asnjë përgjigje dhe po nisja t’i hiqja shpresat për të gjetur diçka, kur, ca mbrëmje më parë, teksa konsultoja një pjesë të “arkivit shqiptar” lënë shumë bujarisht prej prof. Ennio Maserati-it, profesorit tim të Historisë Bashkëkohore në Universitetin e Triestes, kërceva pupthi prej karriges: në dorë po mbaja tekstin e Himnit Shqiptar të Borgo Erizzo-s!
Në ballë të vargjeve të himnit shquhet dedikimi i mëposhtëm: “Me rastin e njohjes së pavarësisë së popullit kalorësiak të Skënderbeut, bashkatdhetarët shqiptarë të Borgo Erizzo-s, Zarë, i nisin si homazh të lavdishmes së tyre ‘Mëmës Atdhe’, vargjet e gëzueshme të poetëve Paolo Riverso e Giuseppe Knering, të cilët i ngjizën me shumë mirësjellje”.
Në fakt, vargjet duhet të jenë të Giuseppe Knering-ut, që ishte maestroja i korit, kurse muzika e Paolo Riverso-s (1876-1961), muzikant e drejtues bandash muzikore, që e zhvilloi aktivitetin e tij artistik e didaktik në shumë rajone italiane jashtë, përfshi Dalmacinë.
Po të shihet me vëmendje himni i daktilografuar, poshtë vargjeve ndodhet një NB (Nota Bene/ Vëre me kujdes) që thotë se: “teksti origjinal i fjalëve, si dhe ekzemplari i vetëm i muzikës, iu ‘huazuan’ Kom. Francesco Chinigò, i cili s’i ktheu kurrë”. Është e qartë që tashmë duhet të vihem në kërkim të Kom. Chinigò-s, edhe pse e di që s’kam për ta gjetur kurrë. Gjithsesi, emrin e tij e kam të njohur: ka qenë një prej përfaqësuesve të Kongresit Shqiptar të Triestes më 1913-n, në përfaqësinë e arbëreshëve të Kalabrisë. Një ide mund të jetë që himni shqiptar i kënduar në mbyllje të Kongresit të jetë pikërisht ky, i sjellë prej shqiptarëve të Borgo Erizzo-s dhe pëlqyer aq shumë prej Chinigò-s saqë e ka marrë me vete në Kalabri për ta shumëfishuar a përhapur… Chinigò-t janë prej San Giorgio Albanese-s (në arbërisht Mbuzati), provincë e Kozencës, dhe që këtu duhet nisin edhe kërkimet e mia për marrjen vesh të kësaj gjëje.
Paolo Muner, ish oficer i Forcave Detare Italiane, studiues |
Këto nuk janë himnet e vetme shqiptare me të cilat jeni marrë. Pak kohë më parë, te revista “Hylli i Dritës”, numri i përgatitur me rastin e 100-vjetorit të saj, ju botuat edhe një artikull ku rrëfenit pikërisht mbi variantet e himneve shqiptare, shkruar gjatë periudhave të ndryshme të shtetit modern shqiptar. Ç’ju ka bërë më shumë përshtypje në tërë këtë panoramë?
Gjatë kërkimit tim jam marrë me shtatë, ndoshta edhe tetë himne shqiptare. S’jam thelluar shumë ne historinë e trive prej tyre me “origjinë shqiptare”, (atë të “Hymnit të Flamurit”, që në të vërtetë ka lindur në Rumani, atë të Gjergj Fishtës me Lec Kurtin dhe Himnin Mbretëror të kohës së mbretit Zog I), sepse nga ana ime, si i huaj, do ta cilësoja si mendjemadhësi, pa llogaritur, nga ana tjetër, që në Shqipëri dihet thuajse gjithçka për to.
Për pesë himnet e tjera, që për komoditet po i quaj “me origjinë italiane/italofone”, çka më tej do t’ua shpjegoj më qartë, kam vërejtur që për njërin, i cili sipas kronikave lokale është kënduar në fund të punimeve të Kongresit Shqiptar të Triestes, më 4 mars 1914, s’dihet praktikisht asgjë. Jam duke kërkuar dhe shpresoj të gjej diçka.
Jam në dijeni të një tjetër himni, kompozuar në Shkodër gjatë pushtimit ushtarak ndërkombëtar, me shumë gjasa në verën e 1913-s, prej drejtorit të fanfarës ushtarake italiane, Regjimentit të Këmbësorisë 42°, maestro Rosario Misasi-t, luajtur shpesh gjatë koncerteve mbajtur në ambiente të hapura, sidomos ditëve festive, që populli të merrte veten fizikisht dhe moralisht prej vuajtjeve të rrethimit serbo-malazez, që s’kishte veç ca muaj që kish marrë fund.
Çka më ka bërë përshtypje ndërkohë, dhe shpresoj që kjo të kuptohet qartë prej shqiptarëve, është konstatimi i se si e sa vëmendje ka pasur për Shqipërinë si nga vendet pranë saj, ashtu edhe nga ato larg, sidomos në vitet e para të shtetit të ri shqiptar (1912-1914).
Këtë e them edhe ngase shqiptarët qahen shpesh – dhe me të drejtë – që bota është interesuar thuajse gjithmonë shumë pak për ta, për fatet e tyre, dhe kur them bota, përfshij në të dhe Italinë. Po për këtë do të duhej një tjetër libër, – jo i vogël, – për të dëshmuar (të paktën prej këndvështrimit tim si italian i një tipi të caktuar) që s’ka qenë aspak kështu, edhe pse interesimi i një vendi për një tjetër është pikërisht i tillë për hir të “interesave” politike, ekonomike, industriale e ushtarake etj. Gjithsesi, këtu po flasim për “himne kombëtare”, dhe një himn, – bashkë me flamurin, – është një prej gjërave të shtrenjta që mund të ketë një popull, një komb, që s’kushton thuajse asgjë. S’besoj se ka pasur mes personazheve rreth të cilëve tregoj në kërkimin tim, që të ketë shkruar e orkestruar një himn “për interes”. Po e ka bërë, ka qenë vetëm për dashuri.
Një tjetër aspekt që më ka bërë përshtypje para një numri kaq të madh himnesh “të ndryshme”, ka qenë konstatimi se sa proces i gjatë, i vështirë e shpeshherë subjekt i ndikimeve të jashtme, ka qenë konsolidimi i shtetit të ri shqiptar. Por kështu e kanë pasur edhe shtete të tjera, përfshi dhe Italinë nëse duam.
Ndërkaq, një libër i juaji, që lidhet po me shqiptarët dhe Shqipërinë ndodhet në shtyp. Pse zgjodhët argumentin “shqiptarët e Triestes”. Ç’ka për t’u theksuar në këtë drejtim?
Po e përfundoj këto ditë dhe shpresoj të jetë gati për mars-prill. Triestja është qyteti im, një qytet i përbërë prej shumë komunitetesh ardhur nga jashtë, pak a shumë të largëta: austriakë, hebrenj, grekë, serbë, kroatë, sllovenë, turq, armenë dhe shqiptarë. Për të gjitha këto komunitete është shkruar diçka mbi historinë e tyre, në një apo më shumë libra, dëshmuar nëpër muze etj. Vetëm për shqiptarët s’kishte gjë. Për ta askush s’ishte kujtuar më parë. Kjo ndoshta edhe ngase ata s’kanë krijuar kurrë një komunitet të vërtetë, ngase janë integruar menjëherë ose ngaqë u ka munguar një “kishë” që t’i mblidhte.
Në libër rrëfej për personazhe të famshëm triestinë me origjinë shqiptare, si Karl Gega dhe Aleksandër Moisiu, por edhe për shumë personazhe më të vegjël e prej familjeve më të vogla, që kanë mbërritur këtu gjatë shekujve.
S’duhet të harrojmë që Triestja është edhe vendi i një sërë ngjarjeve të rëndësishme për Shqipërinë, historinë e saj, e unë në libër jam përpjekur të sjell diçka rreth tyre, me vetëdijen që për to dihet fare pak: për Kongresin e Shqiptarëve mbajtur në mars të 1913-s, me delegatë ardhur nga e gjithë Shqipëria e Diaspora, për të diskutuar të ardhmen e shtetit që sapo ishte shpallur i pavarur e po ashtu edhe për nisjen e Princ Vidit, përmes detit, drejt Durrësit, prej nga do të fillonte aventurën e shkurtër e të pafat shqiptare. Në këtë pikë, mund të pohoj se në nivelin “e ceremonialit”, çifti princëror pati në Trieste maksimumin e marrë ndonjëherë dhe kjo për dy motive: një sepse ai ishte kreu i një shteti perëndimor, dhe dy se për kohën Triestja ishte thuajse një kryeqytet, kryeqyteti detar i perandorisë më të madhe europiane.
Por unë jam sidomos triestin dhe në mbyllje jam përpjekur të rrëfej edhe diçka mbi “triestinët në Shqipëri”. Edhe këtu ka surpriza, sepse në Shqipëri mund të dihet sa italianë kanë qenë aty dhjetëvjeçarëve të fundit, motivet, shkaqet, por pak dihet sa prej tyre kanë qenë triestinë.
Gjithsesi, nga gjithë rrugëtimi im këto dhjetë vite nëpër arkiva mbi historinë e vendit tuaj, mund të them më se i sigurt tashmë, se asnjë qytet tjetër italian, hiq natyrisht ato arbëreshe e ndoshta edhe venecian, nuk ka pasur dhe ka kaq lidhje me Shqipërinë sa Triestja, dhe dokumentet arkivorë më janë dëshmitarë për këtë.
Albana NEXHIPI