Birra: Ligji i lashtë që qeveris prodhimin gjerman
Një ligj shekuj i vjetër përcakton se birra nuk duhet të ketë asgjë tjetër veç ujit e elbit. I famshëm dhe i dashuruar nga gjermanët, ky lig...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/birra-ligji-i-lashte-qe-qeveris.html
Një ligj shekuj i vjetër përcakton se birra nuk duhet të ketë asgjë tjetër veç ujit e elbit. I famshëm dhe i dashuruar nga gjermanët, ky ligj po bllokon përpjekjet e birrarive për të shtuar aroma të reja në pijen e vjetër
Stephen Evans, BBC
Erik (Eric) Toft është në mision për të përmirësuar birrën e Gjermanisë. Kjo është e çuditshme, para së gjithash se ai është amerikan.
Pavarësisht kësaj, Toft, kreu i prodhimit në një birrari të vockël në Bavari, në jug të vendit, me edukatë predikon se prodhuesit gjermanë të birrës duhet të jenë më aventurierë në treg.
Në një komb shumë krenar për birrën e vet, ai është një i huaj që beson se vendësit mund ta bëjnë edhe më mirë. Jo se Toft duket që në pamje të parë i huaj. Me flokët e tij të çeltë me krela dhe me faktin se ai pothuajse gjithmonë vesh lederhosen – pantallonat e shkurtra tradicionale Alpine – ai mund të ngatërrohet lehtë me një bavarez tipik.
Toft, i cili shkoi fillimisht në Gjermani për të studiuar prodhimin e birrës, vendosi të qëndrojë. Ai është sot mjeshtri i birrës në birrarinë 234-vjeçare Schonram me bazë në fshatin me të njëjtin emër pranë kufirit mes Gjermanisë dhe Austrisë.
Ai e ka pasion birrën dhe megjithëse punon brenda kufizimeve të Reinheitsgebot, ligjit të Gjermanisë për pastërtinë e birrës, përveç birrave më tradicionale gjermane ai prodhon edhe birrat e stilit britanik, të tilla si India Pale Ale (IPA).
Megjithëse në një gjendje të tillë punësh shumë gjermanë mund të kolliten me ironi përballë birrës së leger (të lehtë), Toft thotë se prodhuesit e vegjël të vendit duhet të eksplorojnë edhe mundësitë e reja, ndërkohë që vijojnë të mos e shkelin ligjin.
Në fund të fundit, shitjet e birrave me recetat e tij të reja po rriten fuqishëm, në një kohë kur konsumi i përgjithshëm i birrës në Gjermani është aktualisht në pikën më të ulët në 20 vjet.
Reinheitsgebot u aplikua për herë të parë në Bavari më 1516, ndërsa nga viti 1906 mbuloi të gjithë Gjermaninë. Në tekstin e vet origjinal, ligji sanksionoi se birra mund të bëhet me ujë, elb dhe lupolo, bima që i jep aromë.
Majaja u shtua më vonë në listë kur roli i saj i rëndësishëm në përgatitjen e birrës u kuptua, ndërsa më vonë u lejua edhe gruri.
Megjithatë, praktikat e vendeve të tjera që i shtojnë ingredientë më të lirë birrës, si oriz, misër apo sheqer janë të ndaluara. Të tilla janë edhe frutat që u shtohen birrave ales të Belgjikës. Ligji ndalon çdo gjë artificiale.
Kaq i lavdëruar është ligji i birrës në këtë vend sa Shoqata e Prodhuesve të Birrës në Gjermani aplikoi dhjetorin e vitit të kaluar në Organizatën e OKB-së për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) për ta shpallur këtë ligj si “trashëgimi botërore”.
Më herët UNESCO e jepte këtë status vetëm për monumente dhe objekte të tjera fizike, por së fundmi e ka zgjeruar për t’ia dhënë edhe thesareve “të paprekshme”.
Kërcimi Tango dhe kuzhina franceze janë sakaq në listë dhe birraritë gjermane kërkojnë që edhe Reinheitsgebot të shtohet aty.
Marc-Oliver Huhnholz, zëdhënës për Shoqatën e Birrës thotë se ligji nënkupton se kur njerëzit pinë birrë gjermane ata e dinë se ajo është “absolutisht e pastër”.
“Ne bëmë një vrojtim (në Gjermani) dhe pyetëm njerëzit nëse dëshironin të kishin birrë të përgatitur sipas ligjit të pastërtisë dhe më shumë se 90 për qind thanë se deshën që ky ligj të vijonte të zbatohej. Ka disa gjëra për të cilat Gjermania është krenare dhe një nga këto është birra… ne duam të tregojmë para botës se kemi një traditë shumë të vjetër”.
Por nuk ka dyshim se Reinheitsgebot është edhe pengesë. Siç është përmendur sakaq, kjo nënkupton që birraritë e Gjermanisë nuk u shtojnë dot aroma birrave të veta me fruta, diçka që kompanitë konkurruese në Belgjikë kanë fituar nam.
Në një kohë kur shitjet e birrës në Gjermani vijojnë të bien, Toft mendon se rregullat antike kanë bërë që prodhuesit e birrës në Gjermani të mendojnë gabim – se ata duhet të ruajnë të njëjtat mënyra të vjetra dhe të njëjtat birra të vjetra.
“Për shumë prodhues është një justifikim i lehtë të thonë, ‘unë nuk mendoj dot jashtë kutisë time të rregullave dhe rrjedhimisht do të bëjmë biznes siç e kemi bërë gjithmonë’”, thotë ai.
“Por, aktualisht, Reinheitsgebot duhet të japë incentiva për të qenë krijues, sepse ne jemi të detyruar të mendojmë për mënyra se si ta bëjmë birrën me shije të ndryshme, por pa e shkelur ligjin”.
Shpëtimi vjen nga lulet e lupulusit, të cilat u japin të gjitha birrave një nivel athtësie.
Ndërsa shumica e lupolos që rritet në Gjermani është e butë dhe e zbehtë e që përdoret për të bërë birrë lager, lupolo nga Britania e Madhe dhe veçanërisht nga SHBA – mund t’i japin një shije të veçantë frutash birrës, me aroma si portokall, grejpfruit apo pjeshkë.
Lupolo të tilla me aroma frutash po fillojnë të rriten edhe në Gjermani dhe kjo do të thotë se prodhues si Toft mund të realizojnë përzierje të reja që shijojnë më shumë se ale apo birra kraft e Amerikës.
Rezultati është që shitjet e birrave të reja më aromatike po rriten me shpejtësi, veçanërisht për konsumatoret gra, ku kanë zbuluar një treg të ri dhe të fuqishëm.
Toft thotë: “Ne zbuluam se këto birra joshin gratë që më herët kanë pretenduar se nuk u pëlqen birra. Dhe nga kjo pikë këto birra janë bërë popullore edhe me bashkëshortët e tyre”.
Ai është gjithashtu i suksesshëm në marketimin e birrave për të rinjtë në Itali.
Thorsten Shope (Schoppe), pronar i një fabrike të vogël birre në Berlin, po përdor lupolo fruktoze për të përgatitur birrë të fortë të stilit amerikan. “Në Belgjikë ata prodhojnë birrë qershish”, thotë ai.
“Nëse e prodhon diçka të tillë në Gjermani do të duhet ta quash ‘pije alkoolike të prodhuar me qershi’, pra nuk quhet zyrtarisht birrë. Duhet ta shkruash diçka të tillë në etiketë”.
Por ndërsa Shope thotë se shumica e njerëzve në Gjermani janë të kënaqur me ligjin e pastërtisë së birrës, sepse diçka e tillë nënkupton se nuk do të ketë “plehra” apo “kimikate artificiale” në birrën e tyre, ai thotë gjithashtu se kjo kufizon birraritë që duan të bëhen krijuese dhe të dalin nga turma.
Në të shkuarën ai ka eksperimentuar duke i shtuar gjëra të tilla si bimë medicinale, mjaltë, kanellë apo spec djegës birrës – gjëra që janë të papranueshme në Gjermani.
Por ai gjithsesi po vijon të shtojë shije të reja dhe po shënon shitje më të larta, pavarësisht se vijon të respektojë ligjin e birrës.
Birrat tradicionale gjermane
Helles – lager e zbehtë nga Gjermania e Jugut me përmbajtje të ulët lupulusi.
Pils – një version i lager me origjinë nga qyteti çek Pilsen; ka një normë më të lartë lupulusi sesa helles.
Dunkel – birrë e errët e lehtë e prodhuar me malto elbi që është pjekur për një kohë më të gjatë.
Birrë gruri – siç sugjeron edhe emri, përdor grurë përveç elbit.
Kolsch – Birrë e zbehtë nga qyteti Këlnit.
Altbier – do të thotë “birrë e vjetër”; me ngjyrë bakri e variantit ale nga Dyseldorfi.