Radika është shpirti i Dibrës, pasuri kombëtare

Nga Fatos Daci Qeveria maqedonase duhet të deklarojë hapur se ka hequr dorë nga ky projekt antishqiptar, nëse jo, qeveria shqiptare duhet të...

Nga Fatos Daci
Qeveria maqedonase duhet të deklarojë hapur se ka hequr dorë nga ky projekt antishqiptar, nëse jo, qeveria shqiptare duhet të ushtrojë të gjithë autoritetin e saj për ta ndalur sa më pare.

Shqetësimi im për devijimin e lumit Radika është shqetësim qytetar se, për mua, problemi Radika është problem kombëtar, i lidhur fort dhe me sovranitetin e vendit tim. Nuk jam i interesuar as për të rrëzuar e as për të ngritur qeveri, nuk jam i interesuar që t’i pëlqejë ndonjë partie politike, ndonjë shoqate joqeveritare apo ndonjë individi. Zëri im dhe i Unionit të Krijuesve Dibranë (Historianë, Gazetarë, Shkrimtarë, Poetë dhe Artistë), të cilin e kryesojë unë, bashkohet me zërin e të gjithë atyre që janë të interesuar të mbrojnë interesat e Shqipërisë dhe të Dibrës dhe që, thjeshtë, kërkojnë që edhe të tjerët të mos cenojnë interesat tona. Unë jam nga ata që respektojnë kufijtë, pikërisht për këtë unë jam kundër të tjerëve, kur ata kërkojnë të tejkalojnë kufijtë e interesave të tyre në dëm të interesave tona.
Prej muajsh po “ zien” problemi “Radika”, i cili është një problem real e nuk është as shpifje e as krijesë medietike e komunitare. Gjatë disa muajve, shoqata jo qeveritare, ose siç shqiptarët i quajnë rëndom “Shoqëria Civile” dhe media janë ngritur në këmbë për të kundërshtuar një projekt antikombëtar që synon të kthejë rrjedhjen natyrale të lumit Radika në rrjedhje artificiale, duke e devijuar këtë lum nga shtrati i vet natyror, e cila që kur e ka krijuar Zoti është derdhur në lumin Drini i Zi, në një shtrat të ri që të derdhet në lumin Vardar. Me sa kuptojmë, synimi i parë i ideatorëve të këtij projekti antishqiptar është që ujët e këtij lumi ta shfrytëzojnë për ndërtimin e një hidrocentrali të ri, atij të Fushës së Lukovës. Ndërsa synimi i prapafshehur i ideatorëve është që, mundësisht, Radika të mos derdhet në lumin Drini i Zi, por në lumin Vardar, me qëllim që ky i fundit të bëhet i lundrueshëm, që Maqedonia të siguroi dalje në Detin Egje. Këto shoqata jo qeveritare kanë bërë disa deklarata për shtyp dhe kanë organizuar disa tubime proteste. Ndërsa, media e masmedia, si instrumente të ndjeshmërisë ndaj interesave kombëtare nuk kanë reshtur së ndërtuari emisione specifike e të posaçme për këtë lum dhe synimet antishqiptare, si dhe të botojnë faqe të pafundme kronikash e shkrimesh problemorë. Pikërisht për këtë, këto media e masmedia, këta gazetarë e gazetare të palodhura, si dhe pronarët e tyre, që u kanë krijuar mundësinë për ta pasqyruar sa më mirë këtë shqetësim mbarëkombëtar duhen falënderuar përzemërsisht.
Po qeveria e shqiptarëve dhe pjesa shqiptare e qeverisë së Maqedonisë si i është përgjigjur këtij shqetësimi thjesht mbarëqytetar e kombëtar, që nuk ka asnjë lidhje me politikën e politikanët, as me kufij shtetërorë e as me pretendime territoriale. Ajo që shohim e dëgjojmë është se këta po luajnë vetëm me fraza e me fjali manipulative. Të gjithë thonë e pranojnë se ka një projekt konkret. Asnjë nuk e fsheh këtë fakt. Po ashtu të gjithë thonë se po analizohen dëmet, që mund të vijnë nga realizimi i këtij projekti. Dhe, pastaj, belbëzojnë se nëse ka dëme në mjedis e nëse dëmtohet interesi komunitar, projekti nuk do të realizohet. Pra, asnjë nuk del të thotë se ky projekt nuk do të ndërtohet. Si nuk e ditkan se do të ketë dëme, si nuk e ditkan se dëmtohet komuniteti dibranë e shqiptar?! Logjika më e thjeshtë e pranon se kur dikujt ia heq një gjë, atij një punë ia ke prishur. Si, ende, nuk e ditkan se të thashë një lum të tërë, që rrjedh në mbi 50 km terren, duke e nxjerr në një shtrat të ri, nuk është dëm për popullsinë nga ka kaluar?! Çfarë analizash duhen kryer e çfarë raportesh duhen përpiluar për ta kuptuar këtë gjë?! Në rast të realizimit të këtij projekti antishqiptar, ktheje nga ta kthesh, dëmet janë të mëdha e të pallogaritshme, të qarta si drita e diellit dhe parashihen nga të gjithë, veç atyre që përfitojnë në planin personal. Kjo, sipas meje, fsheh qëndrimin e vërtetë, dhe kjo më bën të dyshojë se pushtetarët e të dy shteteve po shkojnë drejt faktit të kryer, të ndërtimit të hidrocentralit të Fushës së Lukovës dhe të devijimit të lumit të Radikës.
Ka një mijë e një arsye për të mos e lejuar që ky projekt antishqiptar të realizohet. Sa nuk është vonë, qeveria maqedonase duhet të deklarohet se heq dorë përfundimisht nga devijimi i rrjedhjes së Radikës dhe nga ndërtimi i hidrocentralit të Fushës së Lukovës. Disa nga këto arsye po i rreshtojmë më poshtë.
Dibra gëzon të drejtën natyrore mbi lumin Radika, mbi ujët e saj dhe natyrën përreth saj. Zoti, kur e ka krijuar këtë botë, Radikën ia ka falur Dibrës dhe ua ka falur dibranëve. Dhe, jo vetëm Radikën si lum, por gjithë pellgun e saj ujëmbledhës. Etno-gjeografikisht dhe historikisht e gjithë Gryka e Radikës, me Rekën, të Madhen e të Voglën, janë Dibër. Historikisht këto kanë qenë njësi administrative nën juridiksionin e Dibrës. Kështu ka ndodhur në kohën e sundimit otoman e kështu ka ndodhur deri në Konferencën famëkeqe të Londrës, vendimet e padrejta të së cilës e përgjysmuan dhe e gjymtuan jo vetëm Dibrën, por të gjithë Shqipërinë. Pak kohë Reka ka qenë Kaza e Sanxhakut të Dibrës e gjithnjë ka qenë Nahije e Kazasë dhe e Sanxhakut të Dibrës. Kështu ka ndodhur edhe gjatë Luftës Dytë Botërore, kur Shqipëria u bashkua për herë të parë e të vetme pas copëtimit nga Konferenca famëkeqe e Londrës,nga italianët dhe kështu e bashkuar u mbajt dhe nga gjermanët, deri në mbarim të Luftës, kur Dibra e Madhe ka kaloi sërish në ish Jugosllavi e sot në Maqedoni.
Pikërisht për këto arsye, shpirti dibranit është i lidhur pazgjidhmërisht me Radikën. Të prekësh Radikën, është si të prekësh dritën e syrit të Dibrës dhe të dibranëve. Radika është ushqimi i saj ujor, por edhe ushqimi i saj shpirtëror e patriotik. Radika është sinonim i Dibës dhe i historisë së saj. Gryka e Radikës është monument natyror i gjallë i luftërave shekullore të dibranëve kundër hordhive pushtuese osmane, bullgare, serbe, austriake, gjermane e italiane. Në këtë Grykë është shkruar heroizmi i pashembullt dibranë kundër të gjithë këtyre pushtuesve. Këtë Grykë, këtë shtegkalim pushtuesish, dibranët e kishin kthyer në një varrë të madh të hapur për këdo që do të guxonte të shkelte trojet shqiptare. Këtyre luftërave dhe këtij heroizmi që lidhen me ekzistencën dibrane e shqiptare dhe me Radikën, u janë kushtuar aq shumë këngë e trimëri, disa prej të cilave janë dhe himne për Dibrën dhe dibranët, siç është ajo e luftës kundër gjeneralit famëkeq Hajredin Pasha. Ndaj, po u cenove dibranëve Radikën, u ke cenuar nderin, dinjitetin dhe krenarinë.
Radika është burimi i vetëm ujor për Dibrën e Madhe. Prej Radikës Dibra merr ujë për vaditje, merr ujë për të pirë dhe merr të gjithë derivatet e saj, që ky lum sjell në ekuilibrat ekologjik. I thave dibranit Radikën, i ka tharë tokë e shtëpi. Radika ndërkohë, është rregullator i pazëvendësueshëm i ekuilibrave natyrorë në këtë ujëmbledhës të madh e me histori. Me devijimin e Radikës, që shqip do të thatë tharja e saj, do të zhduken qindra specie e lloje bimësie, si dhe gjallesa të lidhura me të. E thënë hapur, Radika është edhe ekonomia e Dibrës.
Radika dhe gjithë pellgu i saj ujëmbledhës janë një perlë natyrore, që s’e ka kush. Ujë i Radikës është uji më i pastër ndër gjithë ujërat e Ballkanit,sepse Radika është i vetmi lum, ujë i të cilit mund të përdoret dhe për t’u pirë. Nëse ky projekt antishqiptar do të lejohet të shkojë deri në fund, ashtu si ka nisur, Radika nga një perlë natyrore, do të kthehet në një kufomë natyrore. Po, a mund të lejohet të ndodh kjo gjë?!
Po të preket Radika, siç po tentohet, është cenuar hapur siguria kombëtare bashkë me interesat ekonomike të Shqipërisë. Dihet fakti se, Radika, është dega kryesore e Drinit të Zi, e cila ka një prurje prej 30-35 m3 ujë në sekondë. Ky lum është edhe ushqyesi kryesor i lumit Drini i Zi dhe njëkohësisht i të gjithë kaskadës energjetike të Drinit, ku janë ndërtuar tre hidrocentrale të mëdhenj e të fuqishëm, të cilët janë baza e vetme e prodhimit të të gjithë energjisë hidrike të vendit tonë. Ndërkohë, botërisht është i njohur fakti i krizës ujore prej dekadash në këtë kaskadë energjetike, edhe bashkë me Radikën. Po sikur të ndodh, ajo që pritet të ndodh, të ndërtohet hidrocentrali i Fushës së Lukovës, të shteret Radika e të divijohet rrjedhja e saj, kriza energjetike dhe mungesa e prurjeve ujore në lumin Drini i Zi do të jenë fatale për sistemin shqiptar energjetik dhe ekonominë shqiptare. Ndaj, si mund të lejojë qeveria shqiptare që të thahet e të shterojë Radika dhe të zyrtarizojë krizën e gjithëvjetore të sistemit hidroenergjetik. Prandaj, asnjë pikë ujë nuk duhet të lejojë qeveria shqiptare që të devijohet nga rrjedhja natyrore e Radikës.
Radika është ujë i përbashkët mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Për shfrytëzimin e ujërave të përbashkëta ka dhe norma juridike ndërkombëtare, ka dhe memorandume ndërkombëtare, mbi të cilat janë zgjidhur problemet ujore mes shteteve dhe janë zgjidhur dhe mosmarrëveshjet e lindura. Një ndër këto norma juridike ndërkombëtare është një memorandum, i pranuar botërisht, sipas të cilit asnjë lum nuk lejohet të ndërrojë shtrat, të dalë nga pellgu i tij ujëmbledhës e të derdhet në një pellg tjetër ujëmbledhës, siç po tentohet hapur të bëhet me lumin Radika. Gjithashtu, rregullimi ndërkombëtar e kombëtar për ujërat përcakton edhe detyrimin që për shfrytëzimin e një ujë të përbashkët i pari duhet të pyetet ai që është i fundit në rrugëkalimin e atij lumi, e atij përroi apo të atij burimi. Në këtë rast, për devijimin e Radikës të parët që duhet të pyeten janë dibranët dhe Shqipëria. Në se këta përcaktohen kundër, atëherë shfrytëzimi i tij i njëanshëm, del nga agjenda e shfrytëzuesit të ri. Kjo do të thotë që Maqedonia dhe qeveria maqedonase duhet të heqin menjëherë dorë nga projekti në fjalë.
Po qeveria shqiptare çfarë duhet të bëjë përballë kësaj situate, tashmë konkrete, të krijuar pas një projekti dhe tentativës maqedonase për ta zbatuar në mënyrë të njëanshme atë projekt. Kjo do të thotë që, menjëherë, qeveria shqiptare duhet të heq dorë nga sofizmat dhe loja e fjalëve. Duhet të shprehet qartë se është kundër ndërtimit të hidrocentralit të Lukovës dhe kundër devijimit të lumit Radika. Dhe, jo vetëm kaq, por duhet të ushtrojë të gjithë autoritetin e saj për ta ndalur këtë projekt antishqiptar, se qeveritarët e Shqipërisë, ashtu si të gjithë qeveritarët e botës, kanë vetëm të ndenjurat të tyret, ndërsa gjithçka tjetër, mes tyre dhe pasuria ujore, është e sovranit që i ka vënë të drejtojnë punët e atij shteti. Nëse do të ishte uji dhe pasuria e baballarëve të tyre, le të bëjnë ç’të duan, por ky është uji i gjithë shqiptarëve, është pasuri kombëtare dhe nuk mund të luajnë me të, nuk mund ta tjetërsojnë, as ta falin, as ta dhurojnë e as ta shesin, sepse është uji dhe pasuria e shqiptarëve. Është e pamundur të rrezikohet ekonomia kombëtare për të ndrequr ekonominë e të tjerëve, është e pamundur të përmirësojmë sistemin energjetik të fqinjëve, duke cenuar sistemin tonë energjetik. Edhe unë personalisht jam për fqinjësi të mirë me vendet që na rrethojnë, pra edhe me Maqedoninë, por kjo fqinjësi nuk do të thotë që të vetë-dëmtohemi ose të lejojmë të na marrin nëpër këmbë interesat tona. Fqinjit duhet t’i japësh, por kur ke për vete. Kur nuk ke për vete, as fqinji nuk ka se ç’kërkon dhe as ti nuk ke çfarë t’i japësh. Populli e ka sintetizuar shumë bukur këtë lloj marrëdhënie: Kur nuk ke qiri në shtëpi, s’ke si çon qiri në xhami. Aq më shumë kur fqinji nuk e kërkon, por tenton të ta marrë pa të pyetur!
Ndryshe, më e pakta, historia do t’i gjykojë dhe do t’i dënojë se, Shqipëria nuk ka asgjë për të falur, asgjë për të dhuruar, asgjë për të shitur.
*Anëtar i Përhershëm i Akademisë Amerikano-Shqiptare të Shkencave dhe Arteve

Related

Studime 1160742762678208774

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item