Ja kush është në krye të revoltave në Ukrainë

Të dielën më 19 janar nisi në Kiev një fazë veçanërisht e dhunshme e një proteste që vazhdon pa ndërprerje nga 21 nëntori i vitit të kaluar,...

Të dielën më 19 janar nisi në Kiev një fazë veçanërisht e dhunshme e një proteste që vazhdon pa ndërprerje nga 21 nëntori i vitit të kaluar, kur qeveria e presidentit Viktor Yanukovich ndërpreu bisedimet me Bashkimin Evropian, duke refuzuar një marrëveshje për tregti të lirë dhe duke shkaktuar  reagimet e shumë qytetarëve ukrainas. Javën e kaluar, këtyre protestave iu shtuan ato që kërkonin lirimin e të burgosurve politikë dhe vijuan me manifestimet kundër ligjeve të reja represive, të cilat parashikojnë deri në 5 vite burg për këdo që merr pjesë në manifestime të paautorizuara

Në fund të një takimi me liderët kryesorë të opozitës, më 25 janar, presidenti Yanukovich iu ofroi poste qeveritare dy prej tyreve. Arseniy Yatsenyuk e Vitali Klitschko e refuzuan ofertën dhe përsëritën kërkesat për dorëheqjen e presidentit dhe zgjedhje të parakohshme. Ja një identikit i shkurtër i drejtuesve të opozitës që nxorën në sheshe për muaj me radhë mijëra njerëz kundër qeverisë dhe presidentit Yanukovich:

 Vitali Klitschko, 42 vjeç, i njohur ndryshe si “Grushti i hekurt”, është ndoshta më i famshmi nga të tre liderët e opozitës. Kampioni i botës për peshat e rënda, ish-boksieri që nxeh zemrat e manifestuesve më shumë se kushdo tjetër, është në krye të partisë së qendrës “Udar” (Goditja). Për pjesën më të madhe të ukrainasve është një lloj heroi kombëtar, një njeri që në jetë ka çarë i vetëm, duke u pasuruar nëpërmjet sportit dhe pa ndihmën e politikanëve dhe oligarkëve.


Arseni Iatseniuk, 39 vjeç, i martuar me dy fëmijë, është kryetari i grupit të partisë së ish-kryeministres Iulia Timoshenko, “Patria”. Në vitet e qeverisjes së saj ka qenë ish-ministër i Ekonomisë dhe ish-ministër i Jashtëm pro-Evropës. Në tetor të 2012-s, u kandidua në zgjedhjet parlamentare në krye të lëvizjes “Fronti për Ndryshim” bashkë me partinë e Timoshenkos. Zgjedhjet u fituan nga Partia e Rajoneve e presidentit Viktor Yanukovich, ndërsa partitë opozitare denoncuan mashtrime. Mbi Iatseniuk rëndon imazhi i intelektualit të ftohtë e të shkëputur, ai është i paaftë për të ndezur turmat.


 Oleg Tiaghnibok, 46 vjeç, ka dërguar në sheshe mijëra persona dhe militantë të partisë së tij, “Svoboda” (Liria) e djathtë radikale. Tiaghnibok është nga ata që vendoset gjithnjë në radhë të parë kur duhen “përveshur mëngët”. Komponenti dhunë është thelbësor në këtë protestë, shumë ndryshe nga Revolucioni (paqësor) Portokalli i 2004-ës. Por është pikërisht ekstremizmi që e bën Tiaghnibok (i akuzuar për antisemitizëm dhe homofobi) një udhëheqës të pamundur të koalicionit.
Iulia Timoshenko. E dënuar më shtatë vjet burg në një proces që BE dhe SHBA e konsiderojnë të motivuar politikisht, gjatë ditëve të kaluara ish-kryeministrja ukrainase iu është drejtuar protestuesve duke thënë se nëse do të ishte e lirë do të luftonte edhe ajo përkrah tyre. Timoshenko pa hekurave, iu jep kurajë manifestuesve në sheshin “Maidan” të Kievit, ku gjatë këtyre ditëve ballafaqimet me policinë kanë qenë tejet të dhunshme duke shkaktuar edhe viktima.
Ekstremi i djathtë. Megjithatë, ata që konfrontohen fizikisht në kryeqytet nuk janë aktivistët e opozitës (përveç disa përjashtimeve) që kanë zënë paqësisht “Maidan” prej tre muajsh, por ekstremistët, të cilët janë pjesë e një grupi pak të njohur të ekstremit të djathtë “Right sektor”. Janë pikërisht këta që prej disa ditësh sulmojnë me gurë dhe molotov forcat e rendit. Kanë një raport të shkëlqyer me “Svoboda”-n, ultranacionaliste të Oleg Tiaghnibok./D.Gjuzi

Related

Botë 4239110656328404639

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item