Evolucioni i klasës së mesme

Nga sipër, majtas: Karroca me kuaj më 1900, një djalë që dëgjon radion në vitet 1920, burrë dhe grua duke mbajtur një fshesë me vakum në vit...

Nga sipër, majtas: Karroca me kuaj më 1900, një djalë që dëgjon radion në vitet 1920, burrë dhe grua duke mbajtur një fshesë me vakum në vitet 1940, radhë me makina në vitet 1950.
Rreshti poshtë nga e majta: çokollatat me mente After Eights, broshurë pushimesh luksi e viteve 1970, makinë Volvo e viteve 1980 dhe reklamë për treg fshatarësh në vitet 2000


Debatet janë të shumta mbi atë pjesë të popullsisë që mund të konsiderohet “shtresë e mesme” dhe po komplikohen nga fakti se edhe të pasurit, edhe të varfrit, parapëlqejnë të vetëdeklarohen të tillë

Britani

Tom de Castella, BBC

Klasa e mesme në Britani po përballet me një krizë besimi, thotë udhëheqësi i Partisë Laburiste. Por në një komb të famshëm për fiksimin pas shtresëzimit social, çfarë nënkupton termi shtresë e mesme?

Njëherë e një kohë ishte sinjalizuar se pasja e shërbyesve dhe pronësia e një pianoje të bënte shtresë të mesme. Sot mund të nënkuptojë pasja e një makine Volvo, bërja e pazarit në tregje të specializuara apo dëgjimi i një radioje të veçantë, Radio 4.

Klasa e mesme është një term hileqar. A është e njëjta gjë me termin Të Ardhura të Mesme? Apo i referohet një numri familjesh dhe trashëgimie kulturore – prindër, arsimim, vende pune apo zgjedhje në stilin e jetesës?

Këtë javë, udhëheqësi laburist, Ed Milband, hyri në lojë duke shpallur plane për “rindërtimin e klasës sonë të mesme”.

Ai shkroi te Daily Telegraph se “gjatë viteve të fundit janë pakësuar ato lloje vendesh pune dhe profesionesh të kollarebardhëve që dikur mbanin të fortë shtresën e mesme”.

Përkufizimi i tij dukej se lidhej me vendet e punës dhe të ardhura. Por se çfarë të klasifikon si klasë të mesme, u la e paqartë.

Ndarjet tradicionale shoqërore britanike të shtresës së lartë, të mesme dhe asaj punëtore mund të duken sot jashtë kohe. Dejvid Kamerun (David Cameron) – arsimuar në Iton (Eton) – e ka përshkruar veten dhe bashkëshorten e tij – vajza e një baroneshe – si pjesë e “shtresës së mesme që kanë bërryla të fortë” që e çajnë rrugën përpara.

Ish-kamerieri i anijes Xhon Preskot (John Prescott) tha më 1997-n se “ne të gjithë jemi shtresë e mesme tani” pak para se të bëhej ministër, megjithëse një dekadë më vonë, ai duket se është më i paqartë për këtë.

Dikur ishte më e lehtë, thotë Lorenc Xhejms (Lawrence James), autor i librit Shtresa e Mesme: Një Histori. Në një nga përpjekjet më të hershme për ta përkufizuar, një shkrimtar i epokës elizabetiane tha se janë “njerëzit që jetojnë falë aftësive të veta dhe jo falë punës fisnike”, thotë Xhejms. Nëse kthehemi edhe më pas në kohë, këta ishin mjekët, juristët dhe zyrtarët.

Por këta me të vërtetë u veçuan gjatë revolucionit industrial dhe rritjes së perandorisë kur nevojiteshin “ushtri të tëra zyrtarësh” për të qeverisur, thotë ai.

Pas Luftës së Dytë Botërore, shtresa e mesme u rrit me shpejtësi, thotë Dejvid Kinaston (David Kynaston), autor i Britanisë Moderne. Vijat ndarëse ishin shumë të qarta, ato përcaktoheshin nga puna në industritë e rënda dhe të punësuarit nëpër zyra.

“Një zyrtar mund të fitojë më pak se sa një punëtor i kualifikuar. Por sërish ai do ta klasifikojë veten si shtresë e mesme”, thotë Kinaston.

Vitet 1960 ishin të rëndësishme në kuptimin që industritë britanike të shërbimeve u rritën më shpejt dhe kapërcyen manifakturën. Ishte epoka e kryeministrit konservator Harold Mekmillan (Macmillan), i cili një herë pyeti: “Cilët janë ata të shtresës së mesme? Dhe çfarë duan ata?”

Por duhej të vinin vitet 1980 kur ndryshimi strukturor në ekonomi u përshpejtua edhe më shumë, duke kaluar nga përqendrimi tek industria e rëndë te sektori i shërbimeve.

Shitja nga ana e qeverisë “Theçer” (Thatcher) e shtëpive nën pronësinë komunitare dhe aksionet e ofruara për publikun nga kompanitë shtetërore shpesh citohet si një pikë kthese. Që të dyja politikat u hartuan në mënyrë që punëtorët që aspironin të bashkoheshin me shtresën e mesme, ta bënin. Por kolumnisti i Times, Methju (Mathew) Parris, i cili shërbeu në zyrën private të Theçer para se të zgjidhej si deputet konservator, e sheh këtë pak më ndryshe.

“Në njëfarë mënyre, qeveria ‘Theçer’ po ndiqte tendencat sociale në vend që t’i shkaktonte ndryshimet”, thotë ai. Ju nuk mund të ekzaminoni shtresën e mesme pa shqyrtuar më parë “vdekjen e klasës punëtore angleze”, shton Parris. Në terma ekonomikë – veçanërisht në kuptimin marksist të proletariatit, kjo klasë nuk ekziston më, argumenton ai.

Tashmë është gjerësisht e pranuar se ndarjet e qarta të vjetra nuk ekzistojnë më. Një nga shenjat e stilit të vjetër ishte aksenti në të folur. Fëmijët e shtresës së mesme dikur mësonin “të flisnin siç duhet” por tashmë jo më, thotë Xhejms.

Edhe shenjat dalluese të tjera janë më të vështira për t’u vënë re, thotë Rober Opie, themelues i Muzeut të Markave në Londër. “Nga vitet 1990 ti sheh të famshmit që marrin avantazh si një aspiratë nga shpresa për të qenë shtresë e mesme”, beson ai.

Sot, edhe një punëtor në sektorin e shërbimeve me paga të ulëta mund të mos i bëjë duart pis. Por kjo nuk do të thotë se ai domosdoshmërisht është shtresë e mesme.

Dhe është debatuar nëse tiparet dalluese klishe të stilit të jetesës së shtresës së mesme janë me të vërtetë një panoramë e saktë e kësaj shtrese.

Të ardhurat mesatare bruto për një punëtor me kohë të plotë ishin 27 mijë paund më 2013-n, sipas Zyrës së Statistikave Kombëtare. Për familjet me dy punëtorë, të ardhurat mesatare janë 40 mijë paund. Këto shifra mund të mos jenë të mjaftueshme për të përballuar lukset e perceptuara të shtresës së mesme nga pikëpamja kulturore – një makinë Volvo apo Audi, pushime jashtë vendit në zona si Toskana, rroba firmato apo konsumimi i rregullt një herë në javë i Prosekut.

Ajo me të cilën ne bëjmë shaka më së shumti për të stereotipizuar sjelljen e shtresës së mesme është më së shumti e saktë për shtresën e mesme të sipërme, thotë dr. Xhon Lorenc (John Lawrence), lexues në Historinë Moderne Britanike në Universitetin e Kembrixhit.

“Shumë stereotipa si vajtja për ski janë në fakt të vlefshme për vetëm 10 për qind të anëtarëve të kësaj shtrese”, thotë ai.

Ka pasur përpjekje për të kodifikuar një sistem klasor të ri dhe më kompleks. Pra nuk bëhet fjalë vetëm për shtresën e mesme. Ka shtresë të mesme të ulët, shtresë të mesme të lartë dhe – normalisht – shtresë të mesme të mesme.

Në prill 2013, BBC punoi me sociologë për të hartuar shtatë grupime të reja shoqërore. Në majë ishte “elita”. Në fund, “shtresa tradicionale punëtore”, “punonjësit e shërbimeve që po zhvillohen” dhe “prekariati”.

Në mes të tyre gjendet shtresa e mesme, shtresa e mesme e teknicienëve dhe punonjësit e rinj me të ardhura të konsiderueshme.

Biznesi dhe bota akademike prej kohësh i kanë ndarë njerëzit sipas të ardhurave dhe profesioneve krahas shkallës ABCDE.

Gjithsesi është e vështirë të shohësh se terma të tillë teknokratikë të hyjnë në debatin e zakonshëm. Ndoshta leverdia e shprehjes “shtresë e mesme” qëndron në faktin që ajo mund të kuptojë pothuajse gjithçka që ti dëshiron të kuptojë.

Milibandi nuk e zgjodhi termin aksidentalisht. Më herët ai pati përdorur termin “të shtrydhurit e mesit”. Duke përdorur etiketën “shtresë e mesme”, ai dukej se po i përgjigjej një këshille specifike të përfituar nga rezultatet e sondazheve.

Është një lëvizje sakaq intriguese dhe gjerësisht kuptohet që politikanët kryesorë përpiqen të shmangin angazhimin në debate të ashpra mbi klasat.

Në SHBA, termi Shtresë e Mesme përdoret për të nënkuptuar klasën punëtore që tradicionalisht në Britani është konsideruar thjesht si klasë punëtore. Politikanët britanikë në dekadën e fundit kanë adoptuar shprehjen “familjet që punojnë shumë” në vend të saj. Ky është një kod. Si në SHBA ashtu edhe në Britani, ajo nënkupton njerëzit që nuk janë në skemën e ndihmës ekonomike, por nuk janë as bankierë, thotë Lorenc.

Megjithatë, gjashtë nga dhjetë njerëz e cilësuan veten klasë punëtore në vrojtimin e vitit 2013 Prirjet Shoqërore Britanike. Gjëja me të vërtetë interesante është se sa rezistentë ndaj etiketimeve klasore janë banorët që iu përgjigjën vrojtimit.

“Vetëm gjysma e popullsisë e vendosi veten lehtësisht dhe pa ngurrim në njërën apo tjetrën klasë, ndërsa të tjerët zgjidhën vetëm pasi u detyruan ta përcaktojnë se ku e ndienin veten”, shpjegoi raporti i vrojtimit.

Lorenc mendon se kjo është për shkak të “kuptimeve kulturore pezhorative” dhe se të qenët në etiketën e shtresës së mesme – praktikisht banor i zonave suburbane, të bën automatikisht objekt përqeshjeje nëpër komeditë televizive.

“Është lidhja sekrete e shtresës së mesme me ndjenjën e të qenët snob apo paragjykues nga pikëpamja shoqërore, fenomen që ka filluar që nga vitet 1970 apo ‘80”, thotë ai.

Parris thotë vetidentifikimi i njerëzve tregon më shumë gjëra mbi modën se sa mbi realitetin

“E vërteta është se 60 për qind e britanikëve nuk janë klasë punëtore”, thotë ai.

Termi u krijua për të nënkuptuar diçka të qartë – të punuarit në industrinë e rëndë, njerëz me veshje të posaçme pune, gra që vuanin duke pastruar. Kjo tashmë thjesht është sinonim me “njerëzit e zakonshëm”, beson ai.

Uilliam (William) Nelson i cili shkroi një raport mbi klasat për institutin kërkimor Future Foundation, tha për Daily Telegraph më 2010 se përcaktuesi më i mirë për shtresën e mesme ishte akumulimi i aseteve për të ardhmen të tilla si kursime, bonde, aksione e prona.

Kolumnistja e Guardian, Polli Tojnbi (Polly Toynbee), e cila ka kryer kërkime mbi vetëdijen mbi të ardhurat për një libër të saj, thotë se që të dy, të pasur dhe të varfër, kanë tendencën ta shohin veten pranë shtresës së mesme, pavarësisht se sa larg saj janë. Pra në kuptimin e të ardhurave, perceptimi i popullit për atë çfarë do të thotë të jesh shtresë e mesme shkatërrohet nga vetë rrethanat e tyre ekonomike.

Rreth 85 për qind e njerëzve fitojnë më pak se 40 mijë paund në vit, thotë Tojnbi. Dhe megjithatë, gazetat shpesh flasin për “sulm ndaj shtresës së mesme” kur vjen puna për të rritur taksat për njerëzit që fitojnë më shumë se kaq.

Në fund të fundit, është mashtrim, thotë Lorenc.

“Ajo që e bën klasën të komplikuar këtu është se njerëzit nuk shohin lidhje mes statusit shoqëror dhe të ardhurave”, thotë ai. “Në thelb ne jetojmë në botën e Xhein Ostin (Jane Austen) por thjesht kjo botë është e modernizuar. Dhe ne sërish na mundon kjo gjë në një mënyrë të ndryshme nga vendet e tjera”.

Përpjekja për të përkufizuar klasën e mesme po del aq e vështirë sa të shtrydhësh vaj ulliri përpjetë.

Related

Suplement 1461845737330942418

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item