Një libër në kohën e internetit

NGA: DRITAN HILA Pesë vjet përpara, nga një sondazh i bërë në Itali, rezultoi se gjashtë persona ndër dhjetë, donin të shkruanin një libër, ...

NGA: DRITAN HILA


Pesë vjet përpara, nga një sondazh i bërë në Itali, rezultoi se gjashtë persona ndër dhjetë, donin të shkruanin një libër, por vetëm katër nga këta të gjashtët, kishin lexuar në jetën e tyre një të tillë. Mjafton kjo e dhënë për të kuptuar se sa i përmbytur është tregu i botimeve, ku gjithfarë kaqolësh kërkojnë të shkruajnë spazmat e tyre mentale. Në Shqipëri kjo shifër duhet të jetë më e madhe, mjafton të ndalesh në një librari çfarëdo, dhe të shikosh titujt dhe autorët e tyre. Kupton se arti i të shkruarit, tashmë nuk step asnjë grafoman që me një milion lekë të vjetra, të hedhë edhe emrin e tij në treg, duke përkëdhelur ëndrrën se edhe ai hyri në panteonin aq të vogël të njerëzve të mendjes. Bjerrja e vlerave; rrënimi i shkollës; internetit si mundësi për të marrë informacion, i cili ngatërrohet me kulturën solide të ofruar nga mendje të elaboruara; mospërfillja e shtetit në subvencionimin e kulturës, ose edhe kur jepen pak para, shkojnë në vendin e gabuar; të gjitha këto dhe dhjetëra arsye të tjera, bëjnë që mendja tek ne, të jetë produkti më pak i vlerësuar. Nuk është gafë, por gabim madornal. Kombet, bëhen të mëdha nga mendjet dhe jo nga muskujt apo numri. E kanë kuptuar edhe kinezët këtë. Në këtë situatë kaotike, është një njeri i cili nuk dekurajohet nga gjithë sa ndodh. Dhe mos harrojmë se është një situatë, ku një milion e gjysmë shqiptarë ia kanë mbathur nga sytë këmbët nëpër botë, dhe ata që kanë mbetur, janë bjerrë në besimin se ky vend do të bëhet. Me durimin e bletës, qëmton fakte nga gazetat dhe librat, i kalon në mekanizmin e tij intelektual të kolauduar në pesë dekada eksperiencë gazetareske dhe diplomatike, dhe pasi i kontrollon në skanerin e atdhedashurisë, ia ofron publikut. Lind pyetja, se si nuk mërzitet; si nuk i vjen në majë të hundës të shkruajë për një treg ku gjallojnë gjithfarë deformimesh, dhe gazeta ordinere kapin majat e tirazhit e libra me subjekte banale apo përkthime skandaloze, mbysin gjithçka të hajrit? Si nuk i sikteris, të gjithë ata të cilët merren me punët e shtetit, dhe shtetin kujtojnë se drejtohet si fis kaçakësh, por me durim përpiqet të shpjegojë se ku është interesi i shqiptarëve? Përgjigjja e punës së tij, thotë se: Unë bëj detyrën time ndaj vendit; kjo është llogorja, dhe nuk kam ndër mend ta braktis. Në një vend ku patriotizmi nuk paguhet dhe shpesh tallet, duhet goxha kurajë t'u qëndrosh besnik parimeve.

Personazhi është Shaban Murati. Pak ditë përpara, doli në treg libri i tij i ri "Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit". Është një libër pak ndryshe nga paraardhësit, pasi edhe pena ngjan më e shpenguar. Çdo kapitull, ka larmishmëri tematike. Në njërin tregon një tullë të godinës së shtetit shqiptar e cila po shkërmoqet dhe rrezikon shembjen, kur flet për trupën diplomatike, kriteret e përzgjedhjes dhe funksionimit të saj. Në kapitujt mbi problemet rajonale, si trajner kampionësh, i tregon shtetit shqiptar që është në ring, që të mos trembet nga kundërshtarët por të luftojë siç kampionët dinë të bëjnë, se fitorja vjen vetëm dhe së pari, kur ti je i bindur në vetvete se je më i miri. Në kapituj të tjerë, ironizon psikologjinë e berihajt të politikës sonë, e cila në terma ndërkombëtarë shpesh nuk e vret mendjen të mbajë qëndrim individual, por kopjon shabllonet e hiç më pak se superfuqive botërore, pa marrë parasysh sa e ka takatin dhe ku e ka interesin. Ndërsa në të tjerë, shëmtinë e shqiptarëve që nuk kanë mirënjohje ndaj miqve të mëdhenj, pa rënë vetë autori në pozitat e servilit. Çka veçohet, është kujtesa që nënkupton çdo radhë e librit.

Autori mirëkupton ëndrrën tonë për integrimin në BE, pasi u anëtarësuam në NATO. Por ambasador Murati iu tërheq vëmendjen njerëzve që BE-ja është shumë e re dhe NATO po ashtu; që janë ëndërr e bukur e humanistëve të mëdhenj europianë për një kontinent në paqe dhe pa luftëra, por problemet e mbijetesës sonë, janë mijëravjeçare dhe nuk duhet të harrojmë aksiomën e vjetër se "Nuk ka dashuri të përjetshme, vetëm interesi kombëtar është i tillë".

Related

Libri 6933889064302338167

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item