Çfarë mund ta mësojë sporti për kapitalizmin?

Konkurrencë, miliona euro, unione, menaxherë, adhurues, shitblerje marramendëse dhe shumë marketing, sporti është një shembull i suksesshëm ...

Konkurrencë, miliona euro, unione, menaxherë, adhurues, shitblerje marramendëse dhe shumë marketing, sporti është një shembull i suksesshëm i kapitalizmit
CNN

Që sporti është bërë një biznes i madh, kjo është një klishe e ditur, po ashtu dihet edhe fakti që komercializmi në sport është relativisht një fenomen i kohëve të fundit.
Pesëdhjetë vite më parë, shumica e sporteve ishin të organizuara në mënyrë amatore, madje edhe në sportet profesionale flitej për shuma të pakta parash.
Sporti i ditëve të sotme është bërë një nga manifestimet më të dukshme të globalizmit, me transmetime live dhe sponsorizime që po i kthejnë klubet dhe lojtarët në makina të prodhimit të parave, disa madje i konsiderojnë si produkte më shumë se atletë.
Pra, si funksionon e gjitha kjo për organizatorët, lojtarët dhe adhuruesit? Dhe në këtë kohë krize, çfarë mund të na mësojë ky mikrokozmë e kapitalizmit për ekonominë në botën e vërtetë?
Librat e ekonomiksit na mësojnë se vështirësitë e kapitalizmit mund të identifikohen me dy probleme: Dështimi në krijimin e tregjeve konkurruese dhe manifesti i shpërndarjes së paarsyeshme të të ardhurave.
Tregjet dështojnë të jenë konkurruese për shkak të manifestimeve të ndryshme të fuqisë së monopolit, shpesh e lidhur me superioritetin e aksesit në informacione të caktuara. Ndërsa përpjekjet për të përmirësuar drejtësinë e perceptuar të shpërndarjes së të ardhurave shpesh bien ndesh me objektivin e përmirësimit të efikasitetit ekonomik.

Kapitalizmi sportiv ka disa karakteristika unike:
Së pari, monopoli nuk funksionon, skuadrat dhe atletët kanë nevojë për konkurrentë të fushës. Së dyti, këta konkurrentë duhet të jenë të sinqertë, në kuptimin që duhet të ekzistojë një shkallë barazie, parashikimi në sport ka vlerë të kufizuar për nga argëtimi që pret publiku.
Ekzistojnë kryesisht dy modele të organizimit të konkurrencës: modeli amerikan dhe modeli europian.
Modeli amerikan funksionon kështu. Një grup biznesmenësh bien dakord të themelojnë një ligë, secili drejton një franshizë që është përgjegjëse për menaxhimin e një skuadre, sigurimin e një stadiumi dhe shitjen e biletave.
Liga, që nënkupton pronarët që operojnë si një komitet, menaxhojnë kryesisht disa çështje të rëndësishme. Zakonisht, të drejtat e transmetimit shiten bashkërisht, po ashtu edhe të drejtat e produkteve të reklamimit, paratë e fituara ndahen në mënyrë të barabartë mes skuadrave.
Skuadrave vizitore mund t’u jepet një përqindje e caktuar. Liga negocion kryesisht me një union lojtarësh, duke caktuar pagat minimale dhe maksimale. Asnjë klub nuk është i lejuar të shpenzojë shumë më shumë se skuadrat e tjera dhe skuadrave më të dobëta u jepet nderi të bëjnë zgjedhjet e para të lojtarëve të rinj që hynë në ligë.
Në thelb, liga drejtohet si një lloj kolektivi socialist nga pronarët e franshizës. Dhe ky model ka qenë kolosalisht i suksesshëm në përfitimet e përgjithshme këto 50 vitet e fundit. Në vitin 2012 një studim nga WR Hambrecht llogariti se vlera e tregut të katër ligave më të mëdha NFL, MLB, NBA, NHL ishte 67 miliardë dollarë. Kolektivizmi duket se funksionon.
Ligat argumentojnë se suksesi i tyre mund të jetë falë rregullave që ruajnë baraspeshën midis skuadrave. Skeptikët debatojnë se suksesi ekonomik derivon nga pamjaftueshmëria artificiale (hyrja në kompanitë e mëdha është e kufizuar) dhe fuqia monopoliste (këto janë ligat më të mira sportive në botë dhe probabiliteti që të tjerë t’i bëhen konkurrentë të fortë është i pakët).
Sporti në Europë është i dominuar nga futbolli, i cili operon nën një model biznesi plotësisht të ndryshëm.
Nga perspektiva ekonomike hyrja është e lirë, në kuptimin që kushdo mund të krijojë një skuadër dhe të hyjë në nivelin më të ulët të ligës dhe pastaj të punojë për ngjitjen më lart të skuadrës.
Kjo, sepse çdo ligë në një shtet të caktuar është e lidhur me ligat e tjera nëpërmjet sistemit të rritjes dhe degradimit. Kështu në fund të çdo sezoni bëhen të ditura skuadrat me performancën më të keqe dhe dërgohen të luajnë në një ligë më të ulët sezonin tjetër, ndërkohë që skuadrat më të mira i zëvendësojnë ato.
Kjo rrjedhshmëri promovon një lloj konkurrence të pamëshirshme, ku marrëveshjet kolektive janë shumë të kufizuara. Kërcënimi i degradimit nënkupton që të fortët e futbollit nuk duan të ndajnë asgjë me më të dobët. Ndoshta befasisht, modeli europian është një model i pastër i konkurrencës kapitaliste. Përfitimi është shumë i ulët.
Sipas një studimi të publikuar nga Unioni Europian i Shoqatave të Futbollit (UEFA) në vitin 2012, nga 700 klube që operojnë në divizionet e larta të vendeve europiane, 63 për qind raportonin humbje operative, 55 për qind raportonin humbje neto, 38 për qind raportonin mosbarazi të kapitalit neto dhe 16 për qind shqetësime në rritje.
Ligat europiane janë gjithashtu shumë të pabarabarta në aspektin sportiv, me një grup klubesh që mbizotërojnë konkurrencën në nivel kombëtar dhe europian.
Shumë besojnë se sistemi nuk është i qëndrueshëm dhe UEFA së fundi ka prezantuar rregulla në mënyrë që të arrihet një mjedis më pak konkurrues nga ana ekonomike.
Megjithatë, si një sistem futbolli europian ka qenë shumë i qëndrueshëm, me pak klube të mbyllura dhe me shumë persona që kanë vendosur t’i hyjnë kësaj rruge dhe të financojnë klube për shkak të prestigjit që kjo sjell.
Në të dyja sistemet, lojtarët kanë dalë jashtëzakonisht mirë. Në Amerikë, unionet kanë siguruar përqindje të garantuara të të ardhurave të ligës, ndërsa në Europë konkurrenca e hapur ka bërë të mundur që pagat të rriten shumë. Lojtarët kryesorë fitojnë dhjetëra milionë si rrugë dhe akoma më shumë prej nënshkrimeve me skuadra të ndryshme.

A fitojnë ndonjë gjë adhuruesit e sportit?
Ndonjëherë duket se adhuruesit e sportit janë të pakënaqur, duke kthyer plot xhelozi sytë nga e shkuara kur jeta ishte më e thjeshtë dhe biletat më të lira. Ekzistojnë skandale të vazhdueshme në lidhje me abuzimin me drogën, dhunën në dhe jashtë fushës, ndeshjet e trukuara, bastet dhe shfrytëzimin e adhuruesve me bileta gjithnjë e më në rritje.
Por e vërteta është se universi i ndjekësve të sportit është zgjeruar shumë gjatë 50 viteve të fundit, prania në stadium është rritur në nivele të paparashikuara dhe transmetimi ka bërë të mundur që çdo ngjarje sportive të shihet kudo nëpër botë.
Në këtë drejtim, sporti profesional modern, si ai i mirëkomanduar në SHBA, ashtu edhe ai i konkurrencës “dhëmbë për dhëmbë” në Europë, mund të konsiderohen si një nga shembujt më të suksesshëm të kapitalizmit modern.


Vështirësitë e kapitalizmit mund të identifikohen me dy probleme: Dështimi në krijimin e tregjeve konkurruese dhe manifesti i shpërndarjes së paarsyeshme të të ardhurave
Kapitalizmi sportiv ka disa karakteristika unikeSë pari, monopoli nuk funksionon, dhe së dyti, këta konkurrentë duhet të jenë të paparashikueshëm në rezultate
Ekzistojnë kryesisht dy modele të organizimit të konkurrencës: Modeli amerikan dhe modeli europian
Modeli amerikan operon përmes ligave të organizuara mirë dhe të cilat kanë një barazi ekonomike jo hierarkike të skuadrave
Modeli europian është i bazuar në konkurrencën e ashpër, skuadrat më të mira marrin fitime më të larta dhe janë në krye të ligave

Related

Sport 5427028622361479264

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item