Saga olldashiane
Nga Bedri Islami Në jetën time nuk e kam takuar asnjëherë Sokol Olldashin, nuk e kam takuar as kur ai ishte gazetar, e aq më pak do të kisha...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/saga-olldashiane.html
Nga Bedri Islami
Në jetën time nuk e kam takuar asnjëherë Sokol Olldashin, nuk e kam takuar as kur ai ishte gazetar, e aq më pak do të kisha mundësinë ta takoja atë si njeri i politikës. Si duket, ai ishte një nga ata njerëzit me etje plot afsh për liritë qytetare, dhe tek i cili, inteligjenca u bë në shumë raste e njëjtë me harbutërinë, kultura me shfrimin e panevojshëm, intelektuali u zëvendësua herë pas here me njeriun e vrazhdë, por gjithëherë të drejtëpërdrejtë, diçka e veçantë, fluide dhe e pakapshme si duhet në politikën shqiptare. Nuk e kam ditur se ai kishte qenë njëri nga të thirrurit e parë nga vetëdija e tij për të qenë pranë PD-së në qytetin e Durrësit, kur ende i ri do të shpërndante thirrjet për takimet e para pluraliste, që në të vërtetë u bënë të njëzëshme deri në trazim; por nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, duke pasur parasysh gjithë jetën e tij, të filluar në një lagje bllokiste të rrethuar, kur kujtesa e tij politike e njerëzore as që kishte filluar të ngjizej, e të vazhduar në streha përqendrimi makabre. Në vitin 1995, kur ai ende djalë i ri, i pasionuar dhe i gatshëm për të qenë pjesë e mendimit politik, do të ishte në stafin e gazetës “Albania”, asokohe pa dyshim zëdhënësja më e zellshme e pushtetit, unë isha larg Shqipërisë, gjërat që ndodhnin këtu më shërbenin vetëm për të ditur nëse ishin apo jo në dobinë e një çështje tjetër që i isha përkushtuar. Shumë vite më pas, kur gjërat po qetësoheshin, mësova se Olldashi shkruante poezi, ishte njeri i dëshirës për një jetë gazmore, i pasionuar pas çasteve, mik i shtrenjtë për disa dhe i paduruar për të tjerët, shpërthyes dhe i qetë njëkohësisht, me shpirtin polemist, të cilin herë pas here ia prishte trysnia që ushtronte mbi të politika e një njeriu të prapshtë. Megjithëse do të ishte ndoshta zëri më kryengritës në gjirin e të vetëve, kurrë nuk do të mund të bëhej një zë ndryshe, dëshmi kjo se sa e furishme dhe e ngulur mund të jetë një diktat “demokratik”, ndaj të cilit, edhe një brez i ri, pa kurrëfarë kundërshtimi, përkulte kokën përpara truplicës politike të Berishës dhe gardës rreth tij. Përballë vullnetit berishian, mjerisht, të emëruarit e të zgjedhurit prej tij, nganjëherë bënin ndonjë vërejtje të përvujtuar, nganjëherë murmuritnin, por kurrë nuk kundërshtonin. Në momentin që Olldashi deshi të provonte këtë të fundit, rebel e këmbëngulës, si në kronikën e një fundi të paralajmëruar, ai nuk do të ishte më mes njerëzve të tij të afërt, të cilëve do u mungojë në gjithë jetën.
Si thashë, unë nuk e kam njohur atë. Në të vërtetë, nuk kam pasur asnjë lloj kureshtje ta njoh, pasi në vargun e ministrave, ai , për mua, ishte njëri nga të tjerët, që, edhe pas një vendimi të prapshtë, merrte përsipër rolin e kamikazit politik, si ndodhi kur ai kandidoi për kryetarin e bashkisë së Tiranës, në vend të Bashës, që u zbraps pas një urdhri të Fazlliqit. Kam patur përshtypjen e gabuar se edhe me të, si me shumë të tjerë, të bindur deri në vuajtje përmalluese, Berisha mund të luante si e kur të donte, mund ta përulte dhe nëpërkëmbte, mund ta linte pas portës së politikës ose ta bënte aktor të saj. Kisha ëndërruar gjithnjë për një trupë parlamentare të mësuar me kulturë elitare, të frymëzuar nga besimi, mbi të cilët oborri kryeministror dhe garda e tij pretoriane e politikës të mos kishin asnjë ndikim, njerëz që nuk donin pozita, që nuk do të influencoheshin as nga joshjet e sirenave të parasë, as nga frikësimet e gardës, që të ushtronin me kryelartësi privilegjin për të hartuar ligje të pavaruara nga dëshira e një njeriu dhe, pas një seance parlamentare, ku kishin thënë gjithçka e kishin quajtur të drejtë për shtetin, shtetarët e zullumet e tyre, ktheheshin pa frikë, në këmbë, drejt njerëzve të tyre. Sokol Olldashi nuk më dukej të ishte një i tillë, ashtu si të paktë i kisha gjetur edhe në anën tjetër. Sidoqoftë, komisioni parlamentar i drejtuar prej tij në rastin Rama, ishte po aq butaforik sa edhe të tjerët, e ashtu si të tjerët, nuk la asnjë lloj gjurme, veç asaj butaforie politike që lënë pas gjërat e boshta. Kjo ishte një gjë, që edhe po të të ngjallte vëmendje, ajo nuk ishte kurrësesi e dobishme.
Pse e larguan Olldashin nga Ministria e Brendshme?
Vëmendja e njerëzve, edhe e imja, drejt Olldashit u kthye kur ai u bë Ministër i Brendshëm në qeverinë e parë Berisha, dhe kur me dorë të fortë, papritmas, por e paralajmëruar, bëri arrestimin e disa nga bandave të rrezikshme, shumë nga të cilat vinin nga e njëjta zonë ku ai sapo ishte zgjedhur deputet me votim të drejtëpërdrejtë. Kjo do të ishte paraqitja e tij e parë madhore, publike, në atë rang që do të shkruanin më pas, pas vdekjes miqtë e tij, por që fshihte në vete edhe forcën e ndrydhur të një vullneti të shtypur. Do të rrinte gjatë i ndrydhur dhe i shtypur ky vullnet, për më tepër i një djali të ri, të aftë e kurajoz, që shumë mirë mund të jetonte edhe pa çadrën blu të partisë së tij? Koha do të tregonte se, ndërsa rrethimi kishte qenë i gjatë dhe i rëndë, shpërthimi do të ishte i beftë dhe i shkurtër. Ishte dikush që i kishte interesuar që të kishte pasur një ndrydhje të gjatë dhe një ndërprerje të shpërthimit? Nuk është e pamundur…
Ditët e para të Sokol Olldashit si Ministër i Brendshëm ishin të shkëlqyera, për aq sa mund të jenë ato në Shqipëri. Rrokada e plotë në Ministrinë e Brendshme do të ishte parathënia edhe e atyre rrokadave të tjera që ndodhën më pas, afrimi i militantëve dhe “veriorizimi” i saj do të ishte po ashtu një shenjë se, edhe aty brenda asaj kupole, përplaseshin gjërat, se pas nisjes së vrullshme, kur prekja po shkonte drejt “të vetëve”, ai duhej ndaluar, se një fillim i mbarë nuk është gjithnjë gjysma e punës. “Koliqizmi” i policisë së shtetit e linte të lirë Olldashin deri aty ku donte i pari i tyre dhe deri sa nuk ishin prekur sinorët e tyre, dhe këto nuk ishin të paktë. Nga i dobishëm, Olldashi mund të bëhej i dëmshëm, nga afirmues ai mund të bëhej figurë cilësuese, goditja mund të kthehej edhe kundër tyre, sepse ishte krejt e mundur që, idealizmi i vitit 1992 të mund të ripërsëritej tek ai. Viti i parë i tij si ministër kishte qenë i mjaftueshëm, dhe si duket, jo papritmas, ashtu si çdo gjë që ka të bëjë me “fazlliqët”, e dërguan të kandidojë kundër Ramës, që ishte ende në zenithin e tij si kryebashkiak. Pra, e dërguan drejt humbjes për të pasur alibinë e largimit. Fakt është se pas largimit të Olldashit, të gjithë ministrat e tjerë të punëve të brendshme nuk lanë asnjë gjurmë, nuk goditën asnjë bandë, asnjëlloj grabitje apo korrupsioni galopant nuk u denoncua prej tyre, e zeza filloi të ligjëronte e të bënte ligjin. Dordolecët e dërguar aty lejuan zhvillimin e një tragjedie, deri sa gjithçka u kthye në një farsë groteske, duke dërguar një farë trimi nga Kukësi, më shumë i njohur si Muli se sa me emërin e tij të vërtetë, si kapoja i gardës dhe dy elementë më tej se groteskë, Nard Ndokën dhe Arben Ristanin, si shenjat e sigurta të butaforisë. Në fakt, pas largimit të Olldashit, Ministria e Brendshme nuk kishte më ministër e as drejtor të përgjithshëm të policisë, kishte disa lolo që shkonin e vinin duke i hapur rrugë të paligjshme që pinin me krimin e ndanin fitimet me të, dhe një të padukshëm si drejtor. Rastësi? Duhet të jesh naiv që të besosh këtë gjë…mafia e politikës përllogarit çdo gjë, dhe sado e pabesueshme mund të duket kjo, asgjë nuk është e rastësishme aty ku mpleksen interesat e klaneve mafiozë, zotër të politikës dhe të jetës së njerëzve. Largimi i Olldashit, kur ishte pa dyshim, ministri më i suksesshëm i qeverisë së parë Berisha, nuk ka asnjë shpjegim tjetër. Rikthimi i tij në një post tjetër qeveritar, po ashtu të rëndësishëm, por ku kishte pak gjëra në dorën e tij, ishte ose një shpërblesë për heshtjen disa mujore, kur nuk ishte askund, ose një pajtim me të keqen, për të pritur një ditë tjetër, “për të shpërthyer pa frikë e pa zori”. Është fakt se të gjithë ata që kanë heshtur ndaj së keqes, qoftë nga qeveria Nano, qoftë më pas, qeveria Berisha, në pak kohë kanë marrë shpërblimin e tyre. Shembulli më tipik është Fatmir Mejdiu, heshtja e të cilit e bëri sërish ministër e vazhdon ta lërë deputet. Nëse ai do të kishte folur, është shumë e mundur që të kishte pasur një aksident të rastësishëm, shumë përpara Kostë Trebickës që foli. Olldashi nuk u dëgjua në ato muaj, heshti, shumë kush mendoi se kaq ishte, ai u rishfaq për ndërtimin e atyre rrugëve, të cilat ende pa përfunduar, do të mbyllnin si një alibi, jetën e tij.
Tre kundërshtarë të mëdhenj përballë Sokol Olldashit dhe një kundërshtizë
Kundërshtarët e mëdhenj ai i ka pasur në bandat që arrestoi papritmas, por duke paralajmëruar. Jam i bindur se ata nuk e kanë harruar goditjen e tij, dhe fakti, nëse deri atëherë, kishin qenë ose jo mbështetës të tij, nuk ka asnjë lloj rëndësie. Zakonisht, banda të tilla presin shumë gjatë për të dhënë pasgoditjen e tyre, sidomos ata presin një moment të veçantë kur krimi mund të përzihet me politikën, ose, krejt lehtë, mund të fshihet pas saj.
Kundërshtarët e mëdhenj ai i ka pasur në klanet gardiane mafioze brenda në strukturën e tij politike, të cilat, të gjithë strehën politike e kanë si një lloj fasade, pas së cilës, mjeshtërisht, krimi fshihet më mirë, goditja bëhet më e errët, pasgoditja është groteske, sepse mund të vijë edhe me tufa me lule dhe lot përmallimi. Në përcjelljen e fundit të Olldashit kishte shumë nga ata që nuk e kishin dashur, që mezi kishin pritur ta hiqnin qafe në Ministrinë e Brendshme, dhe që tani, përmallshëm mbanin tufat me lule.Të ketë qenë zgjedhje e Koliqit si këshilltar për sigurinë në grupin parlamentar të PD-së si një shfaqje për të heshtur, si ai, ashtu edhe të tjerët? E vështirë për ta ditur, e lehtë për t’u marrë me mend.
Kundërshtarët e mëdhenj ai i ka pasur në strukturën politike të partisë së tij, të cilat, nëse ia falën guximin për të kandiduar në postin e lënë bosh de jure nga Berisha, nuk mund t’ja falnin rebelimin për të herë të dytë, pasi, si peng i këtij rebelimi dhe shpërfytyrim i tij, mund të hidheshin shumë dorashka, të cilat, nëse dikur mendoheshin se kishin qenë të bardha, si të gjitha dorezat mjekësore, tani ose ishin të përlyera, ose të gjakosura. Deri ku do të ishte i aftë të bënte këtë çjerrje të së vërtetës, kjo është e vështirë të dihet tani.
Kundërshtiza e Olldashit vinte nga rivalët e tij politikë, të cilët, deri në ditën që ai kandidoi për shefin e opozitës, gjenin tek ai një njeri të aftë, polemist, të drejtpërdrejtë, të aftë për të zhvendosur ngjarje e situata në dobi të tij, mospërfillës ndaj rregullave, por asnjëherë nuk shihin tek ai as tiranin që gjenin tek Berisha, dhe as dordolecin, që gjenin tek Basha. Ndërsa me Berishën nuk kishte më se çfarë të bisedohej, nëse me Bashën nuk ia vlente të bisedohej, me Olldashin mund të gjendej një rrugë dytësore, aq më tepër se Ai, aq sa kishte miq në PD, aq, e ndoshta më tepër, kishte miq në PS.
Të gjitha këto deri sa erdhi nata e 20 nëntorit 2013. Kjo është nata e krijimit të një sage olldashiane, e cila nëse fillimin e kishte pasur në entuziasmin e një njeriu të etur për lirinë, fundin do e kishte në dyshimin se çfarë ndodhi asaj nate. Dhe si për ta bërë gjithçka më të mjegullt, ajo kishte qenë një natë me shi, në një rrugë ende të pashtruar, përmes vetëtimave (si tek Makbethi), e ku nuk mungonin as magjistricat, të cilat, përmes mjeteve online, përhapën edhe “lajmin” e parë tragjik, përmes së cilit, Olldashi kishte qenë vetë i dytë në makinë, ndoshta me një grua, me një vajzë…për të zhvendosur vdekjen në një tjetër plan, si të gjithë ata që shpejtojnë të lajnë duart pas një krimi. Edhe kjo ndodh tek Makbethi…
……e hëna e Olldashit
Dhe si për të mos munguar asgjë nga ngjashmëri, ishte parathënë edhe “e hëna e Olldashit”, e cila, sipas disave do të ishte dita e së të vërtetës, ndërsa unë kisha e vazhdoj të kem mendimin se ajo do të ishte një e hënë e zakonshme, që mund të kishte disa drithërima, por jo shkundje.
Dyshimet për natën e 20 nëntorit nuk kanë reshtur as sot e do të vazhdojnë të jenë edhe për shumë mote të tjerë. Qoftë edhe për faktin se ai nuk ishte një njeri i zakonshëm, qoftë nga misteri i përplasjes, qoftë nga nxitimi me të cilin u shpejtuan të mbulojnë gjithçka. Kjo do të rrijë si një makth mbi politikën e së nesërmes, dhe duam apo nuk duan njerëzit, e quajnë ose jo një çështje të mbyllur, duan ta trajtojnë si diçka që i përket vetëm familjes së tij, ajo do të vazhdojë të jetë atje, e pranishme, disi e harruar, por e pranishme, paralojë për të ardhmen dhe prognozë se gjithçka mund të ndodhë. Pas 20 nëntorit heshtën të gjithë zërat “kundërshtues” brenda partisë së tij dhe u kthyen në belbëzime, ata vazhdojnë të jenë të tilla edhe sot e kësaj dite, kur, si duken gjasat, ata, të shpallur e të pashpallur si miq të Olldashit, do të jenë anash lojës politike dhe, së shpejti, edhe jashtë saj. Skifterët pëdëistë janë në revansh të plotë për përmbysjen e gjërave dhe ky revansh, duam apo nuk duam, filloi që nga 21 nëntori, që rastësisht përkon edhe me ditën e mbylljes së gojëve.
Gazeta DITA, me vetëdijen se duhet thënë e vërteta, apo edhe gjysma e saj kur të çon nga e plota, ka bërë disa investigime të veçanta, serioze, të njëpasnjëshme dhe nga specialistët e duhur. Gjysma e atyre që është sjellë në DITA do të ishte e mjaftueshme për t’u hapur e rihapur disa herë proçeset e lëna përgjysmë, të heshtura, të pazbardhura, e deri të injoruara. Do të kishte mjaftuar deri tani për t’u ngritur një komision i veçantë parlamentar, jo thjeshtë sepse një deputet nuk është më, por sepse enigma e lënë pas tij do e turbullojë jetën parlamentare.
Kur disa kohë më parë, pas botimit të shkrimit tim në gazetën DITA, ” E hëna e Olldashit”, një mik i imi që nga vitet e fëmijërisë së përbashkët, poeti Agim Doçi, më shkroi se Olldashi ishte një njeri i pasionuar, i denjë dhe i etur për jetën, dhe shtoi se, babai im dhe gjyshi i tij, Dashnor Mamaqi, kishin qenë miq në gjithë jetën e tyre dhe kishin pasur një fund të njëjtë, thashë me vete se tashmë, edhe për mua, do të ishte një çështje e mbyllur, dhe urova që dheu i vendit të tij të jetë i lehtë, gjithë e mira e këtij njeriu të vazhdojë të jetë e pranishme dhe prapshtia të shkojë sëbashku me të.
Pse kjo memecëri?
Do të kisha dashur të isha asnjanës në të gjithë këtë histori, i heshtur, mirëpo është memecëria ajo që ka platuar gjithë shpirtin dhe nuk mendova e nuk doja të isha pjesë e saj. Unë e besoj gazetarin Mero Baze në gjithë atë që ka shkruar për mikun e tij, Sokol Olldashi, sepse e ka njohur edhe kur kanë qenë shumë të afërt, edhe kur janë larguar për shkak të politikës së prapshtë, edhe kur janë riafruar për hir së të drejtës. Jam i prirur të besoj në ato që dhimbjen e kanë të vazhdueshme dhe mungesën e kanë të plotë. Mirëpo nuk jam i pritur të besoj verbërisht, si institucionat, se e gjitha ishte një aksident rutinë, nga shiu, era, vetëtimat, cigarja e ndezur, telefoni celular, nga portofoli i humbur, makina e përmbysur, shkarja e butë, rrotullimi njëherësh, pra nga të gjitha ato që, në vend që të mbushin mendjen, ta rrokullisin edhe më keq.
Nëse do të ishte aksident, qoftë edhe i një njeriu të njohur, si ishte Olldashi, përse u nxitua aq shumë me konkluzionet, me largimin e tij, me provat gjysmake që kurrë nuk u bënë të plota, kush u rikthye në vendin e krimit për të zhdukur çdo lloj gjurme? Shumë fillesa pyetje, të cilën, më të parën e kanë në atë se kush ishte i interesuar për largimin e tij, qoftë dhe kaq naivisht dhe brutalisht?
Që nga 20 nëntori, me përjashtim të miqve të tij, edhe këto më shumë përmes mjeteve online, asnjë nga miqtë e tij partiakë, nuk ka guxuar të marrë shembullin e tij hapur, si një shembulltyrë që duhet ndjekur apo që i duhet shkuar deri në fund kësaj enigme. I vetmi, jo nga miqtë, ka qenë Basha, në një takim në qytetin e Durrësit, ku këputi aq shumë broçkulla në pak kohë, saqë e kuptoi edhe vetë, megjithëse me vonesë, se askush nuk ia hante ato. Berisha, i cili nuk lë as një rrëshqitje këmbë pa e paraqitur si krim dhe kriminelë, dhe i njohur për paranojën e tij njerëzore e politike, që nga 20 nëntori, as nuk është kujtuar për mikun e tij, dhe ndoshta nga mbështetësit më të fuqishëm kur pranë tij nuk ishte thuajse askush. Topalli mendoj se e ka harruar se ekzistonte dikur Olldashi, për të mos folur për Bode e të tjerët, të cilët duken se janë lehtësuar nga ai largim i beftë. Gjithçka po zbehet, ditët po e largojnë atë nga partia e tij, si një dëshmi se dikush është i interesuar për këtë largesë, duke i bërë gjërat më të padukshme. Kjo deri sa të vijë 20 nëntori i këtij viti dhe ata do të shfaqen përsëri të përmalluar dhe me lule në dorë.
Ndoshta është tepër sinjifikative ajo që ka vërejtur botuesi Mero Baze se, mediat që dhanë lajmin e parë për praninë e një gruaja apo vajze në makinën e aksidentuar, ishin pikërisht mediat më pranë Bashës. Ishte thjeshtë një përpjekje spekulative për të bërë më të prekshme enigmën, apo tërheqjen e mendimit drejt privates dhe larg asaj që kishte ndodhur? Media të tjera kanë sjellur po ashtu fakte rrënqethëse, edhe pse ato kanë rënë në vesh të shurdhër.
Nuk dua të risjell faktet e botuara në DITA apo në media të tjera. Shumë prej tyre dihen nga të gjithë, mirëpo njerëzit duan të dinë se sa është e vërtetë e thëna policore se ai po vinte nga qyteti i Elbasanit, kur kishte shkuar atje dhe me cilët ishte takuar, ka persona realë që e dëshmojnë këtë apo vetëm heshtje? Përmes telefonit të tij celular mund të gjendet shumë lehtësisht ecuria e tij në atë natë, momentet ku ka qenë, por njëkohsisht do të ketë edhe një dëshmitar të fundit që është takuar me të. Qoftë ai edhe njeri i mediave. Përse e gjithë kjo heshtje. Përse kjo marrëveshje e heshtur për të mos trazuar një enigmë që nuk është e rastësishme si e tillë.
Le ta lëmë politikën mënjanë, le të themi se ajo nuk ka asnjë lidhje me natën e 20 nëntorit, megjithëse gjithçka tregon se ajo është e pranishme. Le të marrim pasgoditjen e bandave të dërguara pas hekurave pikërisht nga Olldashi, si Ministër i Brendshëm. Nëse nuk mund të futen dot në sinoret e politikës, çfarë i pengon të futen në botën e krimit? Ku mund ta dinë ata se nesër, në një ditë të ardhshme, krimi nuk do të kthehet të godasë sërish në botën e politikës?
Sokol Olldashi ishte një njeri që mendohej se po përgatitej të shndërrohej në një institucion. Do të ishte një institucion i dështuar si edhe herë të tjera në PD, kjo tashmë nuk dihet, por, duke besuar miqtë e tij, ai nuk do të rikthehej nga rruga si djali plangprishës, dhe kjo e bënte edhe më rrezikshëm atë.
Përse u ndërpre rruga e tij, kjo tashmë është një postulat që njihet. Nëse shumë njerëz kanë pasur dyshime se çka ndodhi asaj nate dhe kanë dashur të besojnë se gjithçka ishte një fatalitet, pas ngjarjeve të fundit, sidomos zhdukjes së provave në vendin e ngjarjes dhe zbulimit të provave të reja, gjithçka është e lëkundshme dhe të shpie drejt bindjes se, asaj nate, mjerisht, nuk ka ndodhur një aksident i zakonshëm, në një natë me shi e vetëtima, ndaj një njeriu të shkujdesur, por shumë më tepër se kaq.
Detyra e një gazete, sado e besueshme të jetë ajo, qoftë edhe gazeta DITA, nuk është të bëjë hetuesin, e aq më pak një bashkëpunëtor i saj. Dyshimi është ngritur, provat janë dhënë, gjërat janë ende të pahapura deri në fund, rreziku i “çardakizimit” të provave ekziston gjithnjë, sepse shembujt janë dhënë edhe kur njerëzit janë vrarë ballas e gjakftohtësisht, enigma me kalimin e kohës mund të zbehet, por edhe të rikthehet, në fund të fundit mund të jemi përballë një krimi të pandëshkuar. Nuk është e rëndësishme se kush e mendoi dhe se kush e çoi deri në fund; e rëndësishme është se një njeri ka marrë me vete një enigmë, e cila pa dashur, nuk është më vetëm e tij dhe nuk i takon më vetëm disa strukturave të specializuara.
U takon të gjithëve, sepse pa dashur, dhe njëkohsisht papritur, Sokol Olldashi doli tepër jashtë vemendjes së një partie, ai u bë fillesa e re e një kujdesi politik e ndoshta edhe një shembull më shumë e mbylljes së gojës.
Nuk e kam takuar kurrë Sokol Olldashin. Edhe po të ishim takuar është shumë e mundshme të mos kishim qenë kurrë miq, sepse u takonim dy mendësive të ndryshme. Por jo të armiqësuara. Nuk do të kisha dashur të bëja këtë shkrim për të. Do të kisha dashur të shkruaja për gjëra të tjera, mirëpo rreth tij po vendoset heshtja që vret dhe nuk dua që e nesërmja të jetë një shtatore e akullt, sepse, dreqi e mori, nuk kemi as kujt t’ja çojmë.