Afganistani: Detyra e stërmadhe e tërheqjes nga lufta
Ndërsa SHBA dhe Britania përgatiten për të tërhequr trupat e fundit të mbetur nga Afganistani, në qindra baza, mijëra mjete dhe shumë tonë p...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/afganistani-detyra-e-stermadhe-e.html
Ndërsa SHBA dhe Britania përgatiten për të tërhequr trupat e fundit të mbetur nga Afganistani, në qindra baza, mijëra mjete dhe shumë tonë pajisje po paketohen për t’u nisur për në shtëpi, po shiten apo po hidhen poshtë. Si mund të bëhet e gjitha kjo?
Dominic Bailey, BBC
Tërheqja e trupave ndërkombëtare nga Afganistani në fund të dhjetorit 2014 nuk është thjesht çështje e hipjes së ushtarëve në avion dhe fluturimit për në shtëpi.
Operacioni i stërmadh logjistik i tërheqjes nga toka, deti dhe ajri sakaq ka filluar, ndërsa misionet e luftimit vijojnë deri më 31 dhjetor. NATO vlerëson se rreth 218 mijë mjete dhe kontejnerë me pajisje ushtarake duhet të transportohen nga Afganistani drejt vendeve përkatëse mes marsit 2012 dhe dhjetorit 2014. Deri tani, 80 mijë mjete dhe kontejnerë janë larguar.
Shtetet e Bashkuara do të kthejnë në atdhe 20 mijë kontejnerë me pajisje, 24 mijë automjete dhe 38 mijë trupa, me një operacion që pritet të kushtojë 5 deri në 7 miliardë dollarë.
Deri tani janë dërguar 300 mijë tonë pajisje, por jo të gjitha do të kthehen. Çdo gjë që del e tepërt, pajisje të dëmtuara apo të shtrenjta për t’u transportuar, do të shitet për skrap.
Britania e Madhe po kthen në atdhe 5500 kontejnerë me pajisje, 3345 mjete apo pajisje të mëdha, 50 avionë, 400 tonë municione dhe 5200 trupa. Operacioni do të kushtojë 500 milionë dollarë. Kjo është pjesa që do të kthehet në shtëpi. Një pjesë e pajisjeve do të shiten në Afganistan ose do të shiten për skrap.
“Kamionë të tepërt, kontejnerë bosh apo njësitë e lavanterisë në terren do të shiten në Afganistan”, thotë një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Britanisë.
Komandanti përgjegjës për shitjet thotë se ata kanë shitur sakaq mbi 2 mijë kontejnerë me pajisje dhe mbi 100 makina, përfshirë Land Rovers, Tata, si dhe dy makineri për pastrimin e akullit në aeroporte.
Një zëdhënës i NATO-s në Afganistan thotë se mbi 15 mijë makina planifikohen të lihen në këtë vend për t’u përdorur për misionet e pas vitit 2014, do t’i dhurohen qeverisë së Afganistanit apo do të shiten për hekur.
Mes këtyre makinerive janë rreth 1600 – 1700 mjete rezistente ndaj minave, mjete 20 tonë me kosto 1 milion dollarë secili, që janë krijuar për të mbrojtur ushtarët nga bombat anash rrugës, të cilat kanë qenë mjeti më vdekjeprurës i kryengritësve.
Mbi 9 mijë mjete të tilla do të tërhiqen nga Afganistani, por pjesa tjetër do të dalin në ankand për 2 mijë deri në 5 mijë dollarë secili.
“Nëse nuk do të ketë blerës, ato do të demilitarizohen, do të priten në copa dhe do të shiten për skrap. Nëse këto mjete nuk na nevojiten, ne nuk do t’i tërheqim”, – thotë një zëdhënës i amerikanëve.
Pikat e kontrollit ushtarak nëpër bazat e avancuara të NATO-s po mbyllen ose po i dorëzohen ndërkohë ushtrisë së Afganistanit. Pajisjet joushtarake si banjat e fushës, tavolinat, gjeneratorët e energjisë, kompjuterët e televizorët do t’u lihen forcave të Afganistanit. Nëse këta nuk i pranojnë, do të hidhen.
Por disa gjëra nuk janë të përshtatshme për t’u hedhur, të tilla si materialet e luftës, të cilat mund të përdoren për abuzime. SHBA, sakaq po pajisin forcat afgane me armë, municione dhe mjete. Por zyrtarët thonë se, nëse është e mundshme, pajisjet mbështetëse apo armatimet do të kthehen në shtëpi.
Pajisjet po kthehen me avionë, me tokë apo det. Avionët e mallrave, të tillë si C-17 dhe C-130 apo avionë të marrë me qira 747, po ngarkohen me çdo gjë, nga automjetet deri te helikopterët.
Rruga e ajrit nënkupton fluturime të drejtpërdrejta në Britani apo në portet ndërmjetëse në Gjirin Persik ose Mesdhe, nga ku do të vijojnë udhëtimin me anije.
Rruga tjetër është me tokë, përmes Pakistanit drejt portit të Karaçit. Kjo është rruga më e lehtë, por ka pasur probleme, vonesa dhe mbyllje të përkohshme. Kjo rrugë u mbyll më 2011-n, pasi operacionet e NATO-s gabimisht vranë ushtarë të Pakistanit.
Ka një shteg tjetër me rrugë apo hekurudhë drejt veriut, ku mjetet shkojnë në Uzbekistan, Kazakistan dhe Gjeorgji, ose përmes Rusisë në Letoni.
Afganistani përbën një sfidë të stërmadhe për tërheqjen në krahasim me Irakun.
Vendi është pa dalje në det dhe me rrugë shumë të këqija. Në Irak kishte autostrada dhe porte në Kuvajt. Rruga drejt veriut nuk ka rezultuar aq e suksesshme nga sa mendohej. Ajo tashmë po përdoret shumë më pak.
Ekziston frika e vjedhjeve gjatë udhëtimit dhe kjo gjë bën që të gjitha pajisjet të çmontohen, një sfidë në vetvete.
Pajisjet e rrezikshme si municionet apo eksplozivët apo armët që janë joshëse për t’u vjedhur nga organizatat terroriste apo kriminale, do të transportohen me avionë dhe jo me tokë.
Kostoja e tërheqjes së amerikanëve varet shumë nga fakti nëse rruga tokësore drejt Pakistanit do të qëndrojë e hapur. Në rast se mbyllet, qindra miliona dollarë më shumë do të shpenzohen për transportim nga ajri. Aktualisht kushton mbi 10-15 mijë dollarë për transportimin e një kontejneri nga Azia Qendrore me tokë. Në këmbim të përdorimit të territorit të Uzbekistanit, Britania ka rënë dakord të japë 700 mijë dollarë pajisje ushtarake falas për këtë vend.
Në total, 57 mijë trupa të NATO-s do të tërhiqen nga Afganistani brenda këtij viti, ku gjysma janë amerikanë. Mbetet e paqartë se sa trupa të huaja do të vijojnë të qëndrojnë në këtë vend pas këtij viti. Marrëveshja që duhet ta mundësojë këtë nuk është firmosur nga qeveria e Afganistanit, por nëse firmoset, mundet që deri në 15 mijë trupa të qëndrojnë për stërvitjen e ushtrisë së Afganistanit.