Ramona Tullumani, ylli i ri i muzikës operistike

Ramona është një soprano e re, me një portret sa hyjnor aq edhe të veçantë. Tepër e re në moshë, por shumë profesioniste, si dhe me një  cur...


Ramona është një soprano e re, me një portret sa hyjnor aq edhe të veçantë. Tepër e re në moshë, por shumë profesioniste, si dhe me një curriculum vitae të ngjeshur, gjë që shumë soliste do ta dëshironin në karrierën e tyre, kjo vajzë radhitet tanimë në atë grup artistësh që shënojnë mjaft koncerte dhe çmime të marra në arenën ndërkombëtare. Një emër i ri, por që së shpejti – me vullnetin dhe punën e saj – mund të konkurrojë përkrah sopranove me emër sot në botë. Natyra ka qenë shumë bujare me të, duke i dhuruar talentin dhe bukurinë klasike të femrës. E lindur dhe e rritur mes një familjeje artistësh, me artin e trashëguar ndër deje, Ramona ka nisur të këndojë që në moshën gjashtëvjeçare, për të arritur suksesin që ka sot. Bijë e dy artistëve dhe mbesë e baritonit të famshëm shqiptar Ramiz Kovaçi, Tullumani është konsideruar vërtet një soprano e re, por që premton shumë. Në një rrëfim sa të veçantë aq edhe interesant, Ramona tashmë na vjen në një dimension të ri, si bashkëshorte dhe si nënë e një djali të vogël.
Si i përjetuat hapat e para të një karriere të suksesshme?
Profesioni im kërkon një punë të jashtëzakonshme, pasi është shumë e vështirë të jesh soprano. Kërkoj shumë nga vetja, për të qenë e plotësuar në gjithçka. Gjithmonë kam dëshiruar të mos jem vetëm një këngëtare dhe, kaq; të nxirrja zë në skenë dhe të harroja që kishte edhe shumë e shumë elemente të tjera, jashtëzakonisht shumë të nevojshme. Është tepër e vështirë të jesh sopranoja që përçon çdo rol që luan te publiku. Porse unë, me një punë të jashtëzakonshme, mendoj që ia arrij ta përçoj te publiku artin tim dhe t’i bëj ata të ndjejnë vërtet personazhin, të cilin unë u paraqes.
Kë quani arritjen tuaj më të madhe?
Nuk do të preferoja fjalën “arritje”, pasi në këtë profesion ka vetëm vazhdim dhe punë, ndërsa bilancet bëhen në fund të karrierës. Atëherë po, mund të flitet për arritje. Megjithatë, për mua suksesi i parë është plotësimi i ëndrrës apo i dëshirës më të madhe që kurdoherë kam pasur: fakti i të qenit në skenë. Unë jetoj aty dhe nuk mund ta shoh dot veten pa skenën, pa performuar për publikun. Pra, ky është suksesi im i parë, i ndjekur edhe nga shumë të tjera.
Ju shohim me një pamje fizike tepër të rregullt dhe veshur hijshëm, si në skenë, në auditor, por edhe kur lëvizni lirshëm në rrugët e kryeqytetit. Sa e vështirë është të jeni gjithnjë në një formë të tillë?
Duke ju falënderuar për fjalët e bukura, do të thosha se, për mua, kujdesi ndaj paraqitjes së jashtme, për të qenë kurdoherë e rregullt dhe e hijshme, është shumë i rëndësishëm. Edhe kur jam në shtëpi, unë kërkoj që të jem patjetër e mbajtur mirë. Ndihem rehat me veten, kur jam e veshur bukur dhe me tualetin e nevojshëm që i duhet një femre. Kam gjithmonë një rregull: nuk dal kurrë nga shtëpia pa qenë e rregulluar siç duhet. Mundohem të vishem sa më thjesht dhe që ta ndiej veten rehat, ndërsa flokët dhe fytyra janë dy gjëra që duhet t’i kem gjithmonë të kuruara. Edhe tani që jam bërë një mami e re, mundohem të jem gjithmonë e rregulluar bukur. Mënyra se si e organizoj ditën, edhe me djalin, edhe me bashkëshortin, më mundësojnë që të më mbetet gjithmonë kohë për t’u kujdesur për tualetin tim personal. Ndoshta kjo vjen nga fakti se jam njeri publik dhe e kam të domosdoshëm edhe kujdesin ndaj paraqitjes së jashtme. E bëj me kënaqësinë më të madhe këtë kujdes ndaj vetes, ndaj dhe shpesh më ndodh që shumë njerëz më thonë se dukem si “një kukull porcelani”. Mua më pëlqen kjo.
Pra, tani keni sjellë në jetë djalin tuaj. Si ka ndryshuar jeta juaj këto kohët e fundit?
Unë do të thosha që kjo është mrekullia ime më e madhe. Im bir është gjithçka për mua! Pas lindjes së djalit tim Boris, unë ndihem e realizuar plotësisht. Teksa shoh bashkëshortin tim, Elton Metaj, dhe Borisin tim të vogël, mendoj: “Ja familja ime! Ja, kjo është gjithçka që një femër duhet të kërkojë nga jeta!”. Me këtë dua të them një karrierë sa më të suksesshme, një bashkëshort që ta adhurojë profesionin e gruas që ka në krah dhe atë si femër, si dhe një djalë të vogël, i cili kur të shikon në sy duket sikur ti je bota për të. Unë mendoj se me lindjen e djalit gjithçka është bërë më e mrekullueshme. Tashmë çdo gjë e shijoj akoma më shumë; edhe daljen në skenë e shoh në një tjetër mënyrë, se e di që pas shfaqjes ai do të jetë atje bashkë me Eltonin, dhe do të më përqafojë e shtrëngojë fort…
Të qenit nënë thonë se është lumturia më e madhe që mund t’i japë një femër vetes. Sa e vërtetë është kjo për ju?
Kjo është plotësisht e vërtetë. Nuk ka lumturi më të madhe, por do të shtoja edhe diçka tjetër, që mendoj se është shumë e rëndësishme. Në qoftë se nuk ke mbështetje kur lind fëmijën, gjithçka kthehet në një vështirësi të madhe. Është shumë e rëndësishme që për një mami të re si unë, që ka edhe karrierën për ta çuar përpara, të ketë pranë një bashkëshort që t’i kuptojë këto kushte dhe mos lodhet nga vështirësitë që mund të shfaqen nga një femër, e cila ka një profesion të vështirë si ky imi. Unë jam plotësisht e kënaqur, pasi lindja e djalit solli një lumturi të jashtëzakonshme. Mundohem çdo ditë ta shijoj pafund, pasi koha kalon shpejt dhe nuk dua të më mungojnë më pas ditët, kur im bir ishte i vogël dhe e kisha të gjithin për vete.
Ramonë, sa ambicioze je? Pasi, për të pasur sukses nuk nevojitet shumë modestia, por vlerësimi për veten.
Unë jam shumë ambicioze, kur bëhet fjalë për profesionin. Kam studiuar me pedagoge shumë të rrepta, të cilat m’i kanë skalitur këto qëndrime thellë në karakter. Gjithmonë më kanë thënë se profesioni ynë është i pamëshirshëm, është i vështirë dhe me një konkurrencë tepër të fortë. Jam shumë kritike ndaj vetes, nuk kënaqem kurrë. Por këtë gjë nuk e tregoj në publik, pasi kur dal në skenë, me sjelljen dhe sigurinë time tregoj që jam vërtet më e mira. Është shumë e rëndësishme në profesionin tonë të dish të komunikosh me publikun dhe t’i shprehësh atij vetëm atë që ti dëshiron. E kjo realizohet jo vetëm me përvojë, por edhe të dish t’i mposhtësh bukur emocionet e skenës.
A i pranon këshillat dhe vërejtjet një femër e talentuar, siç jeni ju? Jo pak herë kemi dëgjuar se talentet dhe gjenitë janë shumë moskokëçarës.
Ashtu është, kjo ka diçka të vërtetë. Unë jam shumë moskokëçarëse. Bëj gjithmonë atë që dua në skenë dhe ashtu si më pëlqen mua. Por kam një person shumë të dashur për mua, me të cilin ndaj gjithmonë bisedat profesionale dhe që ia dedikoj gjithmonë këtë sukses në karrierën time. Ai është babai im. Me të flas gjithçka që ka lidhje me profesionin. Debatet dhe mospërputhjet lindin pikërisht në momentet kur unë mezi i pranoj këshillat apo ndonjë vërejtje, pasi mendoj se kam gjithmonë të drejtë… Shpeshherë babi im, por edhe bashkëshorti, më ngacmojnë, pasi kur hidhet një ide, në lidhje me profesionin tim, unë, pa e dëgjuar mirë atë, them menjëherë “Jo”.
Sa ka ndikuar në karrierën tuaj fakti që jeni mbesa e të madhit Ramiz Kovaçi?
Gjyshi është frymëzimi im. Nëse çdonjëri nga ne ka një idhull, një këngëtar të cilin e adhuron, unë kam Ramiz Kovaçin. Ai ka qenë baritoni më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. Duhet të krenohemi me të, pasi, fatkeqësisht, një i dytë nuk po i vjen skenës shqiptare.
Mërziteni me një pjesë të konsiderueshme të popullit shqiptar, që ende nuk e kupton operën?
Nuk mendoj kështu. Përkundrazi, jam e mrekulluar nga publiku ynë. Është shumë i ngrohtë, është një publik i mrekullueshëm! Unë e them gjithmonë se nuk ka si publiku shqiptar, nuk ka si publiku i vendit tënd. Pastaj, gjithkush e shijon muzikën e zhanret e saj, por edhe sportin apo politikën dhe gjithçka tjetër në jetë, sipas mënyrës së tij. Këtu nuk ka vend për kritika.
Si është një ditë e zakonshme për ty Ramonë?
Më parë dita niste me një zgjim të ngadaltë dhe, ndoshta duhej zilja e orës apo ajo e telefonit për t’i thënë “mirupafshim” krevatit. Por, që prej ardhjes në jetë të Borisit, ditën time e përcakton ai tashmë. Borisi vendos kur duhet të zgjohemi e, ndonjëherë, edhe kur duhet të ushqehemi apo të flemë. Dita ime e zakonshme fillon me zërin e Borisit; dhe nisje më të bukur nuk mund të ketë. Pastaj vazhdon me kafenë e mëngjesit, po në praninë e Borisit të vogël dhe Eltonit. Më pas futem në studion time, ku studioj me orë të tëra dhe, kuptohet, që e kam të nevojshme shpeshherë të ritakohem gjatë ditës me bashkëshortin tim, me mamin apo me gjyshen time të shtrenjtë. Pra, dita ime e zakonshme është e mbushur nga njerëzit e mi më të dashur. Mundohem të rri sa më shumë pranë tyre, të organizoj festa të vogla për ta, ta shijoj jetën sa më shumë që të jetë e mundur. Tani që mes nesh është edhe Borisi, festat janë shtuar; dhe mua e Eltonit na pëlqen të mbledhim njerëzit më të afërt të familjes, për të kaluar një pasdite së bashku. Shpeshherë, me shaka kujtojmë se vetëm pak ditë të muajit na kanë mbetur pa ndonjë festë apo ngjarje që duhet kujtuar. Tashmë kuptohet që qendra e gjithçkaje është Borisi, dhe pyetja e parë që bëjnë gjyshet dhe gjyshërit është vetëm për të. Unë dhe Eltoni ndihemi disi të mënjanuar nga vëmendja e prindërve tanë, por na vjen mirë për këtë.
Cila është marrëdhënia juaj me ushqimin dhe gatimin?
Unë e adhuroj ushqimin! Më pëlqen të ha mirë, por më pak të gatuaj. Gjithsesi, gjërat që më pëlqejnë mundohem edhe t’i gatuaj vetë, përveç byrekut me spinaq – që ma gatuan gjithmonë vjehrra ime – dhe e adhuroj ashtu si ajo e bën. Më pëlqen shumë të ha makarona dhe ëmbëlsira; më mirë le të them se nuk jetoj dot pa këto të dyja.
Cila është marrëdhënia juaj me paranë?
Ha, ha, ha…..! Një marrëdhënie mes dashurisë dhe urrejtjes.
Marrë nga revista “Elite”

Related

Kultura 4492482116254138819

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item