Referencat ideologjike të së djathtës shqiptare

MARK MARKU    Mediat italiane i kushtuan një vend jo pak të rëndësishëm vendimit të disa ditëve më parë të Silvio Berluskonit, liderit të së...

MARK MARKU


  
Mediat italiane i kushtuan një vend jo pak të rëndësishëm vendimit të disa ditëve më parë të Silvio Berluskonit, liderit të së djathtës italiane për ta shpallur librin e at Zef Pllumit Rrno për me tregue si libër referencial të forcës së tij politike. Ky libër i përkthyer në italisht me titullin Il Sangue di Abele dhe i shoqëruar me një parathënie nga Silvio Berluskoni do të shpërndahet në 12 milionë kopje në të gjitha klubet politike të partisë së tij dhe do t’u rekomandohet për lexim anëtarësisë dhe simpatizantëve të së djathtës italiane. Ndoshta ia vlen të përmendet këtu fakti se para këtij libri, Berluskoni kishte rekomanduar si tekst referencial ideologjik Librin e zi të komunizmit, një libër që tronditi opinionin publik botëror në fillim të viteve ’90 me informacionin që solli për gjenocidin dhe krimet e komunizmit.
    Ajo që të bën përshtypje në këtë histori, nuk lidhet me suksesin e librit të at Zef Pllumit, pasi suksesi i një dëshmie të tillë tronditëse dhe të shkruar në mënyrë brilante është i garantuar. Nëse ai libër do të ishte botuar në Perëndim në vitet ’60-’70, në valën e botimeve të dëshmive nga ferri komunist, pa diskutim që do të kishte pasur të njëjtën jehonë që pati Arkipelagu Gulag i Solzhenicinit apo Ditari i Kolimës i Shalamovit.
    E rëndësishme është se Rrno për me tregue përdoret si libër referencial ideologjik pa dalë ende mirë në qarkullim nga një prej partive më të mëdha të djathta në Itali, ndërkohë që një gjë e tillë nuk ndodh në Shqipëri as me këtë libër, as me librat e tjerë të ngjashëm me të. Në vendin tonë, ky libër është gjerësisht i lexuar dhe i komentuar, aq sa ka marrë në mënyrë të vetvetishme statusin e një dëshmie normative të krimeve të komunizmit. E megjithatë, asnjë prej forcave të djathta shqiptare nuk ka bërë ndonjë akt të tillë politik: dhënien e statusit të tekstit referencial ideologjik. Por, At Zef Pllumi nuk është i vetëm. Arshi Pipa, gjithashtu i ka dëshmuar gjerësisht krimet e komunizmit, madje, përveç dëshmisë, ai bën edhe një teorizim të dukurisë së komunizmit shqiptar, sidomos në librin Stalinizmi shqiptar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Sami Repishtin. Nëse vazhdojmë me përmendje emrash dhe dëshmish, do të shohim se vërtet komunizmi shqiptar ka qenë i egër dhe pjellor në shpikjen e mizorive, por edhe se rezistenca e humanizmit shqiptar ndaj këtyre mizorive ka qenë jashtëzakonisht e madhe dhe se të dyja këto janë fiksuar dhe vazhdojnë të fiksohen në shumë dëshmi të të mbijetuarave të burgjeve dhe kampeve komuniste (Instituti i studimit të krimeve dhe pasojave të komunizmit po bën një punë shumë të mirë në mbledhjen dhe botimin e këtyre dëshmive).
    Do të duhej që e djathta shqiptare dhe kryesisht PD, si formacioni kryesor i kësaj të djathte, ta shfrytëzonte veprën dhe modelin e tyre moral për të krijuar një sistem referencial vlerash, por ato nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Dhe kjo e ka shpjegimin në paradoksin e krijimit të elitës politike e kulturore shqiptare të nëntëdhjetës: edhe pse një pjesë e mirë e saj u angazhua për rrëzimin e regjimit komunist, kulturalisht kjo elitë ishte dhe mbeti e majtë. Dhe sistemi i saj referencial i vlerave ishte kryesisht i majtë. Një klasë kulturalisht e majtë dhe e komprometuar me regjimin është instinktivisht refuzuese ndaj vlerave të së djathtës. Më tej, një refuzim i tillë është edhe pragmatik: nëse pranon vlerat e rezistencës antikomuniste, automatikisht ke theksuar komprometimin e rëndë me komunizmin. Ja pra, pse jo vetëm tre emrat e përmendur më sipër, por edhe të tjerë të ngjashëm me ta (jo të paktë në numër e kontribute) jo vetëm që nuk janë legjitimuar si vlera nga PD dhe formacionet e tjera të djathta, por madje janë luftuar në forma nga më të ndryshmet.
    Kjo ka ndikuar jo pak në identitetin e së djathtës shqiptare. Përballë një të majte që nuk s’ka pushuar kurrë së legjitimuari sistemin e vet të vlerave, e djathta shqiptare ka bërë të kundërtën, pra ka delegjitimuar sistemin e vet të vlerave, duke legjitimuar sistemin e vlerave të kundërshtarit. Kjo është reflektuar më pas si një krizë përfaqësimi dhe si një kontradiktë diskursi.

    Normalisht që një formacion politik nuk mund të përkufizohet vetëm në rrafshin ideologjik, por identiteti i saj varet kryesisht prej sistemit të vlerave të cilave u referohet. Rikthimi i formacioneve politike të djathta drejt këtyre vlerave të refuzuara duhet të jetë një nga parakushtet e ristrukturimit të saj. Pa këtë vetidentifikim e djathta rrezikon të mbetet një amalgamë rrethanore pa identitet, siç ka qenë deri tani.

Related

Opinione 4995685160060065205

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item