Armiqtë e vërtetë të Erdogan

Kryeministri turk nuk kërcënohet nga një komplot i errët i forcave të jashtme në bashkëpunim me liderin islamik Fetullah Gulen, ashtu s iç k...

Kryeministri turk nuk kërcënohet nga një komplot i errët i forcave të jashtme në bashkëpunim me liderin islamik Fetullah Gulen, ashtu siç ka përsëritur vazhdimisht ditët e fundit, por nga vetë shokët e partisë së tij

Në muajin mars do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme të destinuara për të formësuar panoramën politike turke  për vitet e ardhshme. Por kryeministri Rexhep Tajip Erdogan duket se e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm. Një sërë përmbysjesh ndërkombëtare e kanë bojkotuar aspiratën e tij për ta bërë Turqinë një shembull për vendet e tjera myslimane. Rikthimi i ushtarakëve në Egjipt, apo dështime të tjera për pritshmëritë e tij, nuk kanë rënduar aq shumë sa vendimi për t’i shpallur luftë Bashar al Asadit.
Pavarësisht viteve të suksesit, tani votuesit dhe drejtuesit e partisë së tij po i kthehen kundër. Kryeministri turk ndodhet në vështirësi të mëdha dhe kundër tij nuk po komplotojnë shtetet që nuk e aprovojnë politikën e jashtme të Ankarasë dhe as nuk ka komplote të brendshme të dukshme që minojnë fuqinë e tij, por janë një sërë dështimesh të vogla e të mëdha dhe një dëshirë për ndryshim, e shtrirë gjithandej që e prek personalisht kryeministrin. Nuk u pëlqyen reagimet e tij ndaj revoltës për parkun Gezi, kur shtypi me forcë protestat, ashtu sikundër nuk pati ndonjë efekt lëvizja e tij kur në prag të Krishtlindjeve zëvendësoi dhjetë ministra, tre prej të cilëve të hetuar për korrupsion. Ministri i Ambientit dhe Urbanistikës, Erdogan Bajraktar, një aleat politik dhe mik personal i kryeministrit e ftoi këtë të fundit që të jepte dorëheqjen.
Po në dhjetor, Erdogan akuzoi një tjetër braktisje, këtë herë nga mbështetësi i fuqishëm, Fetullah Gulen, i cili është lider i lëvizjes islamike “Hizmet” dhe jeton në Shtetet e Bashkuara. Gulen ka rreth 4 milion ndjekës besnikë të shpërndarë nëpër botë dhe gjithashtu është në krye të një perandorie ekonomike të respektueshme. Një ndër gazetat më të rëndësishme në vend, “Zaman”, revista “Aksyion”, agjencia e lajmeve “Cihan” dhe disa televizione janë vetëm një pjesë e vogël e trashëgimisë së organizatës së tij që menaxhon qindra shkolla dhe disa dhjetëra miliardë dollarë.
Pikërisht disa ditë më parë Gulen hodhi poshtë akuzat e kryeministrit në një intervistë për “The Wall Street Journal”, duke mohuar se kish komplotuar ndonjëherë kundër Erdogan dhe partisë së tij, ndaj së cilës ka qenë për një kohë të gjatë mbështetës. Por, njëkohësisht, Gulen e akuzoi kryeministrin se e ka braktisur rrugën e reformave dhe se tashmë po “lundron” në drejtim të kundërt të demokracisë.
“Spastrimet e bazuara në ideologji ishin një praktikë e së kaluarës, të cilat partia  që është sot në pushtet kishte premtuar t’iu jepte fund”, shpjegoi Gulen, duke motivuar kështu bezdisjen e tij. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që votat e lëvizjes së tij të shkojnë drejt partisë republikane.
Ndryshe nga ajo që pohon Erdogan, nuk ka asnjë komplot gulenist, por brenda partisë së tij AKP shumë duken të bindur se ka ardhur momenti që ta mënjanojnë atë dhe të synojnë gjithçka mbi Abdullah Gul, i cili ka qenë kryeministër i vendit kur Erdoganit i qe ndaluar kandidatura, pastaj për një kohë të gjatë ministër i Jashtëm dhe tani president i republikës. Pikërisht në këtë rol po përpiqet të gjejë një rrugëdalje nga kiza politike që tashmë prej muajsh ka përfshirë vendin dhe ashtu si të tjerët duket se e ka gjetur zgjidhjen duke zëvendësuar Erdoganin, pavarësisht se si mik ka ndarë me të një 10 vjeçar në pushtet.
Gul, i është kundërvënë atij duke thënë se do të hetohen të gjitha rastet për korrupsion, e mbi të gjitha ato që kanë prekur kabinetin qeveritar.“Duhet të qëndrojmë larg pozitave, të cilat dëmtojnë shtetin ligjor dhe demokratik”, u shpreh presidenti, në fillim të janarit në kulmin e pastrimeve masive në polici dhe në sistemin e drejtësisë. Ndonëse deri tani, të dy u janë shmangur konfrontimeve të drejtpërdrejta publike, midis tyre është krijuar një hendek i thellë./ D.Gjuzi

Related

Turqia 1465120825296308763

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item