De Biazi: Me lehtë takon Papën se sa Januzajn

Xhani De Biazi ka folur për të disatën herë për Adnan Januzajn. Gjatë emisionit të djeshëm “Mëngjes në AS” në televizionin “Albania Screen”,...

Xhani De Biazi ka folur për të disatën herë për Adnan Januzajn. Gjatë emisionit të djeshëm “Mëngjes në AS” në televizionin “Albania Screen”, trajneri i Kombëtares ka lëshuar edhe një batutë, si për të treguar vështirësitë që po has federata për të kontaktuar me babanë e talentit të Mançester Junajtid. Ndër të tjera, ai ka folur edhe për problematikën në skuadër, duke filluar nga sulmi e deri te lëvdatat ndaj Valdet Ramës për golin “alla Mesi” të shënuar të hënën në mbrëmje.

Keni takuar dy ditë më parë kryeministrin Rama së bashku me presidentin Duka, ç’mund të na thoni mbi atë takim?
 
Mund të them se ishte goxha i frytshëm, pasi u diskutua për gjëra esenciale që i përkasin futbollit. Vërejta se kryeministri ishte i interesuar që ta ndihmonte futbollin dhe specifikisht në ndërtimin e infrastrukturës. Kjo më bën të jem edhe më i qetë, duke qenë se prek direkt punën time.

“Panorama Sport” ka shkruar se Mustafi mund të jetë afrimi i radhës…

Po, është një lojtar me të cilin unë kam folur që një vit më parë, a ndoshta edhe më shumë. Ia pata bërë të ditur mendimet e mia dhe besoj se në të ardhmen do të ketë edhe ai vend në skuadër. Gjithsesi, gjithçka varet nga vetë ai, duke qenë se kohë më parë donte të luante për Gjermaninë. Sot për sot, mund t’ju them se ai lojtar është në planet e mia.

Një tjetër lojtar që nuk ka shtetësi shqiptare në skuadër, nuk ju tremb fakti që me pranimin e Kosovës në FIFA të gjithë këta mund ta braktisin Shqipërinë?

Për të qenë i sinqertë, deri tani lojtarët kosovarë, të paktën ata që luajnë aktualisht me Kombëtaren, nuk më shqetësojnë. E di që do të qëndrojnë te Shqipëria. Megjithatë, secili prej tyre ka drejtë të bëjë zgjedhjet e veta dhe nuk do të paragjykohet.
Te Shqipëria luajnë shumë kosovarë, por jo të gjithë janë në listën prej 25 lojtarësh. Po ata që do të jenë jashtë saj, a nuk mendoni se mund të jenë të parët që mund të largohen?
Jua thashë, kjo gjë nuk më shqetëson. Të gjithë kanë të drejtë të bëjnë zgjedhjet e tyre. Normal që për këto kualifikime lista e Kombëtares nuk do të jetë kaq e madhe, ndaj cilido nga këta lojtarë që e shikon veten jashtë planeve të mia mund të shkojë të luajë për Kosovën.

Keni thënë gjithnjë se keni problem në sulm, e në fakt sulmuesit nuk janë në ditët e tyre më të mira…

Po, e vërtetë. Çani më shqetëson shumë. Është një lojtar, tek i cili besoja shumë, por nuk po luan. Duhet me patjetër të gjejë një skuadër dhe të ndihmohet psikologjikisht. Është realisht një lojtar i mirë që po kalon një moment të keq. Salihi gjithashtu është pa skuadër për momentin, por në bazë të informacioneve të mia mund të shkojë në Zvicër. Uroj të luajë në atë kampionat. Sadiku sapo ka shkuar te Zyrihu dhe duhet të shikoj nëse do luajë rregullisht apo jo. Ndërkaq, vazhdoj të kem në konsideratë edhe Edmond Kapllanin.

Valdet Rama ka bërë një gol të bukur me Valadolidin, e patë?

Po, ishte një supergol dhe një Valdet Ramë i jashtëzakonshëm. Më besoni, unë nuk arrij ta kuptoj atë djalë. Nuk e di se çfarë ka në kokë dhe për çfarë arsye nuk ka mundur të shprehet si duhet në fushën e lojës. Ai është një superlojtar, me talent dhe për më tepër edhe një djalë i mirë, i përulur. Gjykoj që nuk e kemi parë ende Valdet Ramën e vërtetë.

Së shpejti hidhet shorti për EURO 2016, keni preferenca?

Nuk e di ç’të them, pasi ne jemi në vazon e pestë dhe çdo skuadër teorikisht është më e fortë se ne. Megjithatë, mua do të më pëlqente të kisha në grup Italinë. Do kisha shumë dëshirë t’i luaja ato dy ndeshje, paçka se do ishte shumë, shumë e vështirë për t’i fituar. Por jam i sigurt se emocionet do ishin të jashtëzakonshme dhe do bëja të pamundurën për t’u marrë pikë. Edhe këtu në Shqipëri nuk besoj se do kishte njeri që nuk do donte të luante përballë axurrëve.

Kalojmë te çështja “Januzaj”, deri ku kemi shkuar në bisedime me këtë lojtar?

Jemi në vendnumëro. Sipas meje, Januzaj është një talent i padiskutueshëm dhe jo pa qëllim luan te Mançesteri dhe në formacion. Mendoj se në harkun e pak viteve ai do të jetë për “Top të Artë”. Duhet parë vetëm nëse ai nuk do humbasë me kalimin e kohës, pasi pjesa më e vështirë është mosha 19- 22 vjeç. Në këtë moshë kam parë shumë lojtarë që më pas kanë dështuar.

Do luajë për Shqipërinë?

Nuk e dimë. Unë dhe drejtuesit e federatës kemi bërë të pamundurën për ta kontaktuar, por problem është babai i tij, i cili nuk kthen qoftë edhe një përgjigje normale. Për batutë, më kollaj më duket të lidhem me Papa Françeskun sesa me Abedin Januzajn. Nuk e di se çfarë do të bëhet, por në lojë janë futur tashmë edhe Turqia, Belgjika dhe Anglia. Ne nuk kemi pasur asnjë kontakt, ndaj nuk di të them nëse duhet të kemi shpresa se ai mund të luajë për ne apo jo.

Related

Sport 5481508517739754010

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item