Antisistemi shkollor
Nga Brikena Bogdo Nga studime të ndryshme rezulton se dhuna psikologjike nëpër shkolla konsiderohet po aq e dëmshme për fëmijën, sa edhe ajo...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/antisistemi-shkollor.html
Nga Brikena Bogdo
Nga studime të ndryshme rezulton se dhuna psikologjike nëpër shkolla konsiderohet po aq e dëmshme për fëmijën, sa edhe ajo fizike, duke deformuar inteligjencën emocionale dhe psikologjinë e fëmijës. Dhuna fizike, e përdorur deri dje nëpër shkolla, po zëvendësohet në përqindje të frikshme nga dhuna psikologjike, e cila ka ndikim në psikën e fëmijës, duke i shkaktuar frikë, depresion deri çrregullime personaliteti. Pasojat e dhunës prekin nivelin e përgjithshëm të funksionimit emocional të fëmijës, me mundësinë për të zhvilluar sjellje të dhunshme në të ardhmen. “Presion i fortë psikologjik”, – shprehen fëmijët nëpër shkolla.
Dhuna psikologjike është një lloj dhune, të cilën po nuk e njohe, nuk e kupton dot që po ushtrohet ndaj teje. Nëse fëmijët nëpër shkolla i pyet se çfarë konkretisht ushtrohet mbi ta, nuk janë gjithmonë në gjendje ta saktësojnë. Dhuna psikologjike është grumbullimi i shumë incidenteve të vogla gjatë një periudhe të gjatë kohore. Çdo incident duket si i parëndësishëm kur analizohet i veçuar ose jashtë situatës, duke mos dhënë kështu idenë e keqbërjes. Rrjedhimisht nuk përbën arsye për dënim. Kjo e bën të vështirë identifikimin e saj.
Dhuna psikologjike është shfaqja e një sjelljeje të vazhdueshme armiqësore, shpesh nëpërmjet përdorimit të kritikave të pajustifikuara, fajësimit, për gjëra të parëndësishme. Shpesh kritika bazohet në shtrembërime, keqinterpretim ose shpifje. Kjo është e rrezikshme, sidomos tek fëmijët të cilët ende nuk e kanë krijuar personalitetin e tyre.
Karakteristika kryesore e njerëzve që dhunojnë është paaftësia. Një e treta e mësuesve u bërtet fëmijëve në shkolla në formën më të shpeshtë të mundur, duke i kërcënuar me forma nga më të ndryshmet. Kjo tregon nivelin e lartë të përqindjes së mësuesve të paaftë në sistemin shkollor. Kjo lidhet sigurisht edhe me korrupsionin. Përgjatë punës time në fushën antikorrupsion kam realizuar dokumentarë televiziv (të cilat janë transmetuar nëpër disa televizione), ku mësues shprehen se kanë paguar nën dorë miliona lekë, për të ushtruar profesionin e mësuesit. Një sistem arsimor i bazuar mbi ryshfetin sigurisht do të prodhojë figura të deformuara mësuesish, deformime në mësimdhënie si dhe paaftësi serioze.
Një e treta e nxënësve perceptojnë pasiguri të niveleve të ndryshme, të cilat lidhen të gjitha me përdorimin e dhunës fizike dhe psikologjike. Dhuna fizike dhe psikologjike është rritur ndjeshëm duke kapur shifrat e 57% të fëmijëve nëpër shkolla. Por fatkeqësisht, fëmijët janë të prirë të denoncojnë më shumë dhunën që ushtrojnë mbi ta fëmijët e tjerë dhe më pak të prirë të denoncojnë dhunën e mësuesve. Ajo që mbetet problematike është fakti që trajtimi i rasteve të denoncimit të dhunës, është i përciptë dhe mbi të gjitha nuk merret seriozisht.
Përveç shtrembërimeve psikologjike dhe emocionale patjetër që dhuna psikologjike ndikon drejtpërsëdrejti në shëndetin e individit, stres sëmundje, dhimbje, lodhje, pagjumësi, obsesion, acarim, mospërqendrim, harresë, dridhje, lot, dobësi,depresion.
Ndërkohë, legjislacioni shqiptar, nuk përcakton qartë çfarë përbën dhunë psikologjike dhe nuk e trajton në mënyrë tërësore dhe të detajuar, të gjitha aspektet e dhunës kundër fëmijëve. Nëse për dhunën seksuale, si dhe për trafikimin e fëmijëve ka një paketë ligjesh dhe dispozitash specifike, për dhunën fizike dhe sidomos për dhunën emocionale, ligjet dhe dispozitat janë jotërësore, të padetajuara, të paadresuara specifikisht për fëmijët. Së pari duhet të përcaktohet saktë se çfarë konsiderohet dhunë psikologjike, në mënyrë që fëmijët ta perceptojnë saktë, të reagojnë ndaj saj dhe ta denoncojnë atë.
Ndërkohë, legjislacioni shqiptar, nuk përcakton qartë çfarë përbën dhunë psikologjike dhe nuk e trajton në mënyrë tërësore dhe të detajuar, të gjitha aspektet e dhunës kundër fëmijëve. Nëse për dhunën seksuale, si dhe për trafikimin e fëmijëve ka një paketë ligjesh dhe dispozitash specifike, për dhunën fizike dhe sidomos për dhunën emocionale, ligjet dhe dispozitat janë jotërësore, të padetajuara, të paadresuara specifikisht për fëmijët. Së pari duhet të përcaktohet saktë se çfarë konsiderohet dhunë psikologjike, në mënyrë që fëmijët ta perceptojnë saktë, të reagojnë ndaj saj dhe ta denoncojnë atë.
Megjithëse ndjekim çdo ditë tryeza të rrumbullakëta, kompletimi i legjislacionit në lidhje me dhunën kundër fëmijëve në Shqipëri, nuk është ende një veprimtari sistematike, por një veprimtari me fushata. Legjislacioni shqiptar, duhet të mbulojë ligjërisht, të gjitha format e dhunës, në të gjitha mjediset, ku banon dhe mëson fëmija, që më pas të parashikojë masat e duhura ndëshkimore; dëmshpërblimin dhe kompensimin e viktimave të dhunës. Ndërkohë në Shqipëri lidhur me trajtimin e të miturve në sistemin gjyqësor, mungon Gjykata e të Miturve.
Ashtu si edhe ndëshkimi trupor, dhuna emocionale është trajtuar shprehimisht vetëm në ligjin e vitit 1995 “Për sistemin arsimor parauniversitar”. Në të, krahas të tjerave, thuhet: “…Individualiteti dhe dinjiteti njerëzor i fëmijës dhe i nxënësit respektohet, ai mbrohet nga dhuna fizike e psikologjike, diskriminimi e veçimi. Në kopsht dhe në shkollë, janë kategorikisht të ndaluara ndëshkimet fizike, apo trajtimet poshtëruese e denigruese të fëmijëve”. Po ashtu, në pikën 3 të nenit 36 të dispozitave që përmendëm më sipër, theksohet e drejta e fëmijës për të mos u dhunuar psikologjikisht dhe emocionalisht në lidhje me rezultatet mësimore. Këtu përfshihen mënyrat e vlerësimit të nxënësve dhe e drejta e tyre për t’u ankuar, në rastet kur nxënësi mendon se nuk është vlerësuar drejt nga mësuesi. Edhe në këtë rast konceptimi i termit “dhunë emocionale” është i paspecifikuar. Nuk përcaktohet saktë se çfarë përfshihet konkretisht në dhunën psikologjike.
Gjithashtu, mungon edhe parashikimi i masave ndëshkuese për ushtruesit e dhunës emocionale. Kjo përbën një zbrazëti të madhe në kushtet kur dhunimi psikologjik i fëmijëve shfaqet në përqindje mjaft të larta si në shtëpi, në shkollë dhe në mjedise te tjera dhe veçanërisht, në kushtet kur toleranca për dhunën emocionale është më e madhe, si në rrafshin e mentaliteteve, ashtu edhe në praktikën e përditshme.
Në Shqipëri nuk ka ende struktura qeveritare në nivel qendror dhe lokal, që të trajtojë në mënyrë parësore, të mirëfilltë dhe specifike problemin e dhunës tek fëmijët. Ende nuk ekzistojnë struktura të posaçme parlamentare, të cilat të merren specifikisht me dhunën kundër fëmijëve.
Veprimtaritë e organizatave shqiptare (me ndonjë përjashtim) lidhen përgjithësisht me gjeografi të kufizuara. Po ashtu, veprimtaria e tyre është i paorkestruar dhe si pasojë shpesh krijohen dublime të panevojshme. Ndërkohë, veprimtaria e organizatave ndërkombëtare është e shtrirë në një territor më të madh. Në përgjithësi, iniciativat e organizatave jofitimprurëse kanë të bëjnë me trajnimin e profesionistëve dhe të publikut për të parandaluar e trajtuar çështjet e dhunës, me këshillimin e tyre, me sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e publikut të gjerë me anë publikimesh, me kryerjen e studimeve mbi të drejtat e fëmijëve dhe dhunën që ushtrohet mbi ta, me ofrimin e shërbimeve mbështetëse e avokatore dhe, në ndonjë rast, edhe shërbime rehabilituese për fëmijët etj. Por ky rol është i paefektshëm, nëse nuk hartohen ligje të qarta ku të përfshihen konkretisht rastet e dhunës psikologjike dhe fizike ndaj nxënësve, nëse nuk ndërmerren masa ligjore për të gjithë ushtruesit e dhunës psikologjike dhe fizike.
Për mbrojtjen e fëmijëve nga format e ndryshme të dhunës në Shqipëri është i nevojshëm një kompleks ndërhyrjesh në fusha të ndryshme. Së pari, janë të rëndësishme masa të cilat kanë efekte parandaluese, dhe së dyti trajtimi i viktimave të dhunës. Po shikohet si domosdoshmëri ngritja e një sistemi që do të merret me ankesat e fëmijëve që vuajnë episode dhune në arsim dhe në institucione të kujdesit social; sistem për regjistrimin e të gjitha rasteve që përfshijnë dhunën në institucione arsimore, njësi këshillimore dhe rehabilitimi që merren me rastet urgjente ku ka dhunë ndaj fëmijëve.
Shkak tjetër i dhunës psikologjike tek nxënësit janë lëndët dhe tekstet shkollore të pastudiuara shkencërisht. Specialistë të kurrikulave dhe shoqëria civile po ngre si shqetësim kryesor rishikimin e lëndëve shkollore, me qëllim që të pakësohet stresi tek mësuesit dhe nxënësit dhe të merren masa për trajnim lidhur me menaxhuesit e stresit. Një rol kyç në realizimin e saj do të luajë “elita intelektuale”, e cila do të marrë vlerë më tepër se kurrë. Sot, në një bum informatik, ku gjithkush mund të hedhë dhe të marrë informacion në një kompjuter, kjo elitë përzgjedhëse, shkencërisht e saktë, është një domosdoshmëri.
Ndërkohë, po kërkohet jo vetëm shtrirje, por edhe efikasitet i shërbimit psikologjik në të gjitha institucionet e edukimit shkollor. Aktualisht po realizohet një reformë edhe për punonjësin social, i cili do të jetë një pikë e rëndësishme lidhjeje midis fëmijës, prindit dhe stafit pedagogjik nëpër shkolla për probleme të ndryshme, ku hyjnë edhe ato të dhunës. Këto projekte do të mbeten iluzive (ajo që po ndodh me psikologun nëpër shkolla), nëse këto strategji të reja për punonjësin social nuk hartohen në përputhje me realitetin shqiptar, në mënyrë që të jenë lehtësisht të përthithshme nga ky realitet dhe të zbatueshme në këtë realitet.