“Jeta e re” ruan frymën e letërsisë elitare

Dafina Kabashi Dhjetori i këtij viti, i ftohtë si edhe herëve të tjera, ka sjellë numrin më të ri të revistës letrare “Jeta e re”. E mbushur...

Dafina Kabashi
Dhjetori i këtij viti, i ftohtë si edhe herëve të tjera, ka sjellë numrin më të ri të revistës letrare “Jeta e re”. E mbushur me prozë, poezi, dramë, kritikë, intervista, etnos dhe me rubrikën e veçantë “Dossier”, revista me 400 faqe në numrin e saj të tretë për këtë vit, i ofron ngrohtësi çdo lexuesi të saj.

Kryeredaktori i “Jetës së re”, Agron Gashi, ka treguar për “Zërin” se në këtë numër janë publikuar më shumë autorë dhe tekste, nga letërsia botërore dhe shqipe. Duke folur për përmbajtjen e revistës, ai ka treguar se çfarë e karakterizon rubrikën e prozës.
“Për adhuruesit e prozës kemi zgjedhur nobelistin Isaac B. Singer me njërin nga tregimet e tij antologjike, ndërsa për herë të parë në shqip vijnë edhe dy tregime të Bukowskit”, ka thënë Gashi. Përveç tyre, ai ka thënë se do të ketë edhe prozatorë shqiptarë, derisa ka përmendur emrat si Ardian Klosi, Lazër Stani, Kujtim Rrahmani, Rudi Erebara dhe Ragip Sylaj.
Poetë të huaj e shqiptarë edhe kësaj radhe e pasurojnë rubrikën e poezisë të “Jetës së re”, duke u sjellë lexuesve tema, motive, ide e stile të ndryshme.
“Redaksia është përkujdesur që lexuesit të saj t’i ofrojë poezi dhe cikle poezish nga autorë të huaj si: J. T. Gillet, Pier P. Pasolini, Tom Philips, për t’u shoqëruar nga poetët shqiptarë: Eqrem Basha, Visar Zhiti, Agim Vinca, Haxhi Vokshi e Blerina Rogova-Gaxha”, ka treguar Agron Gashi.
“Jeta e re” ka edhe dy rubrika të tjera, që janë intervista, që sjell nobelisten e këtij viti Alice Munro, dhe rubrika “Dossier” në të cilën sjell shkrimtarin dhe eseistin e njohur Claudio Magris i cili prezantohet me katër tekste në prozë, njëri prej të cilëve është shkëputur nga kryevepra e tij “Danubi”.
Rubrika e kritikës, nis me autorët Cl. Pichois dhe A. M. Rousseau. Pastaj është një studim për çështje të referencës tekstuale nga Linda Hutcheon, dhe studiuesi francez, Paul Van Teighem, me një studim teorik nga komparativistika. Me esetë dhe interpretimet e tyre janë prezantuar autorë si: Abdulla Tafa, Muhamet Hamiti, Zija Çela, Xhavit Alickaj, Edmond Çali e tjerë.
Adil Olluri, redaktor i revistës “Jeta e re”, ka thënë se viti 2013 ka qenë i suksesshëm për revistën, ngase, sipas tij, ajo ka arritur të ruajë frymën serioze të një letërsie elitare, me të cilën identifikohet.
“Në tre numrat e këtij viti kemi botuar krijime të veçanta me vlera të mirëfillta letrare, si nga letërsia botërore, po ashtu edhe nga ajo shqiptare”, ka thënë Olluri. Ai ka treguar se këtë vit janë përpjekur t’i botojnë një sërë krijimesh të shkrimtarëve e studiuesve të gjeneratës së re, të cilët përmes revistës “Jeta e re” dalin në pah dhe po mirëpriten nga opinioni letrar. Ai ka thënë se “Jeta e re” është një storie e suksesit në Kosovën e vitit 2013.
Revista letrare “Jeta e re” financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./Zëri

Related

Letërsi 7735770463522786239

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item