…të shkoj diku e të vallëzoj me të

Alban Pici Romani i ri i Alban Picit, me narracionin filmik zgjon botën romantike të humbur në rendjen e përditshme; një rrëfim që mbërthen ...

Alban Pici

Romani i ri i Alban Picit, me narracionin filmik zgjon botën romantike të humbur në rendjen e përditshme; një rrëfim që mbërthen dy anë, shpirtëroren dhe meditimin klasik mbi ndjenjën e pafundme të dashurisë. Pici u afrohet ndjesive aq sa edhe u largohet si testim tipik i arealit të sotëm, ku brezat mund të rigjejnë “humbjet” e vogla përgjatë jetës



Dita e nëntë
Të nesërmen Endri u zgjua energjik dhe plot me ide për atë ditë. Donte që ajo të mbetej një ditë e paharrueshme dhe që çdo gjë të ishte perfekte. E kishte një ide të ngulitur në kokë: “Të shkonte diku dhe të kërcente i përqafuar me të”, por nuk e kishte të qartë se me kë duhej të fliste dhe si ta organizonte. E dinte vetëm që diçka do të shpikte derisa të takohej me atë. Hë, pra, si do t’ia bënte? Kishte më pak se dy orë dhe i duhej të vepronte rrufeshëm? Kur, më në fund, iu kujtua Ivi dhe vendosi ta thërriste në telefon.
-Mirëmëngjesi! Sa shumë kohë u bënë që nuk jemi dëgjuar bashkë, – bëri shaka ai.
Ivi, që, me sa dukej, nuk zgjohej aq herët, normalisht, atyre që i prishnin gjumin në atë orë, iu përgjigjej vetëm sharje të panumërta, cilëtdo që të ishin ata. Por kësaj radhe nuk ndodhi kështu. Me zërin e tij të kthjellët, shumë “teatral” që ishte zgjuar bashkë me të, i tha:
-E di që po prisje të sharat e mia, por ja që nuk mund të ta plotësoj këtë dëshirë.
Po, çka ndodhur që më telefonon në këtë orë? Të ka lënë e dashura? – bëri shaka i, pa ditur se mikut të tij i dha një pickim që nuk dinte ta përcaktonte sa i dhimbshëm ishte.
Por ja që asgjë nuk mund t’ia prishte humorin Endrit, as batutat pa dashje pickuese të mikut të tij, ndaj ia ktheu:
-Në një farë mënyre ke të drejtë, pikërisht për këtë të thirra, dua të organizoj diçka për sonte me një vajzë dhe vetëm ti mund të më ndihmosh.
- Mos u shqetëso fare, më thuaj çfarë të duhet?
-Dua t’i bëj një surprizë, të shkoj diku dhe të vallëzoj me të, në një ambient intim dhe të këndshëm. Mund të më japësh informacion për diçka të tillë?
Nga mënyra se si i foli, Ivi e kuptoi se për mikun e tij kjo ishte një darkë shumë e rëndësishme dhe kishte shumë dëshirë të gërmonte në këtë histori. “Qerratai”, mendoi me vete “më bëri mua të flisja një pasdreke të tërë për marrëdhënien time të re, kurse ai as që më jep qoftë edhe një shenjë të vogël për këto shejtanllëqet e tij”. – Pastaj iu përgjigj:
-Sigurisht, që kemi, përse jemi këtu, për t’ju shërbyer zotëri, madje kemi dy zgjedhje për ju dhe jo vetëm një. E para është lokali që shkuam mbrëmë për darkë. Atje ka një sallë vallëzimi, ngjitur me pjesën e restorantit, e cila është intime, simpatike, shumë e thjeshtë… arrin edhe aty aroma e gatimeve të ndryshme…E dyta është një sallë vallëzimi shumë më e madhe, me një sistem audio perfekt, me drita të forta, dhe të buta, si të duash. Pronari është një shoku im dhe nuk ka asnjë problem për të shkuar sonte.
Në të vërtetë ato punojnë vetëm të premte dhe të shtunë, ndërsa sot është e hënë, prandaj jemi në rregull. Më thuaj cila është zgjedhja jote, në mënyrë që unë të të vë në kontakt me personin që ti do.
-Unë jam më tepër i orientuar për propozimin e dytë. Atje, ku ishim mbrëmë, më duket perfekt për dreka e darka, por, nëse kërkon diçka ndryshe, lokali tjetër më duket shumë më i përshtatshëm për idenë time”
-Në rregull më lër të flas unë dhe, sapo të marr përgjigje, do të thërras ty.
Endri përfitoi që të lahej dhe të vishej. E bënte çdo gjë mekanikisht dhe e vetmja shqisë që punonte plotësisht ishte dëgjimi, pasi po priste me padurim telefonatën e Ivit. Lau dhëmbët me kujdes të madh, sepse muajt e fundit e kontrollonte gjendjen e tyre me kujdes. Kështu që, sapo shihte ndonjë “të re”, së pari, i vinte detyrë vetes t’i pastronte dhëmbët edhe tri herë në ditë dhe vetëm kur nuk ia arrinte ta zgjidhte vetë problemin, atëherë i duhej të shkonte për të marrë masat e duhura në studion e dentistit.
Pas takimeve me mjekun ai gjithmonë nuk rrinte pa thënë me vete: E kripur. Nuk e kishte se, pas mjekimit, në gojë i ngelej shije e kripur, por për faktin se kishte paguar një shumë të kripur parash, shpeshherë shumë të kripur.
Në muajt që sapo kishin kaluar, në bazë të përvojës së tij personale ai e kishte kuptuar se pse shoku i tij për dy vjet e kishte ndërruar tri herë makinën jo për të marrë ndonjë që harxhonte më pak karburant, pra, ekonomike, por për të provuar bisha të vërteta asfalti. E fundit ishte një bombë, një Audi e zezë, me gati 200 kuaj fuqi, që kur kalonte të bënte të ktheje kokën sikur po shihje një femër të bukur (por që harxhonte më pak….se një e tillë).
Pas shërbimeve vetjake, u vesh dhe iu afrua kuzhinës që kishte probleme hapësire kohët e fundit, në kuptimin se kohët e fundit, ngaqë ia kishte varur rregullit (jo pastërtisë), i duhej të ndërhynte mbi kapicat e gjërave të braktisura. S’dije si ta quaje këtë angazhim, një lloj frymëzimi, apo, ndoshta, një angazhim të detyruar, ndërkohë që priste telefonatën. Ja filloi nga pjatat dhe kusitë e lara, të bëra pirg njëra mbi tjetrën, i vuri kapakët dhe i futi në sirtarin e madh të poshtëm të kuzhinës. Më pas iu erdhi radha e lugëve, pirunëve, thikave… dukej sikur kishin ngrënë dhjetë vetë në atë shtëpi. Vazhdoi duke vënë nëpër vende jastëkët dhe tapetet që, të paktën, prej më se tre ditësh ishin të varur në tharësen jashtë ballkonit.
Kështu filloi t’i pëlqente pamja që po merrte kuzhina, ajo dukej më e rregullt dhe më e këndshme për të qëndruar atje. Përfundimisht mori një revistë dhe u ul mbi divan për të kaluar kohën, duke lexuar ndonjë gjë, ashtu si kot.
Kur u ul mbi divan, ose më mirë kur u hodh mbi divan, ai s’postoi ajrin mbi të dhe nuk mund të mos dallonte që në ajër ishin përzier edhe mikrocopëzat e saj. Ishte era e saj, që ai nuk mund të harronte dhe nuk mund ta ngatërronte me erën e askujt tjetër në botë. Ndërsa po mbushte mushkëritë me erën e saj, ra zilja e celularit.
-Jam i shpejtë, apo jo? Sapo fola me personin dhe më tha që nuk kishte asnjë kundërshtim për sonte. Madje, do të bëje mirë të shkoje ta takoje për ta organizuar më së mirë atë që ke menduar. Pronari është shumë djalë i mirë dhe i edukuar. Po të jap numrin e tij që të flisni se mund të lini edhe ndonjë takim.
-Fort mirë, më jep numrin e tij…ndërkohë, shumë faleminderit!
-Për kaq pak? Për çfarë duhen shokët atëherë? Mos harro se shokë jemi edhe kur të duhet të dalim e të festojmë nëpër lokale e restorante, por shokë të vërtetë janë ata që dalin kur ka probleme për t’u zgjidhur. Pastaj një ide kaq romantike…
Si mund të mos e mbështesja?- e mbylli monologun e tij me zërin që i dha një ton e zërit solemn për gjërat që tha dhe pastaj filloi të qeshte.
Nuk rezistoi dot nga e qeshura, sepse ndiente mirëfilli një tension pozitiv nga ana e Endrit dhe dëshironte që ai të arrinte të bënte një gjë të bukur, që ishte shumë e rëndësishme për të.
Endri, që e njihte shumë mirë tashmë, nuk e prishi aspak terezinë pas të qeshurës së Ivit, por shënoi numrin dhe më pas i tha:
-Pastaj do të flasim bashkë, mendoj se e kam radhën unë të të tregoj shumë gjëra për veten.
Pasi u përshëndetën, ai telefonoi menjëherë shokut të Ivit me të cilin ra dakord që të takoheshin te lokali i tij pas një ore.
“Një ore!!!!” – përsëriti me vete. I dukej shumë kohë derisa të bisedonte me të, ngaqë mezi priste të vraponte pastaj në takimin që kishte lënë me Florën.
Vetëm kur arriti pranë lokalit, e kuptoi se për këtë të bëhej fjalë, për lokalin më ekskluziv të të gjithë pellgut, ku ai nuk kishte pasur rastin asnjëherë të shkonte. Kushdo që ishte dhënë kjo mundësi tregonte se vazhdonte të ruante mbresat më të mira. Një ambient ëndrrash, i bukur dhe i sofistikuar.
Nuk kishte kohë, kështu që hynë drejt e në temë.
Mund të më shoqërosh në sallën që ti e mendon të përshtatshme? – e pyeti Endri.
Patjetër, iu përgjigj pronari.
Ai nuk kishte më shumë se tridhjetë vjeç, i shëndoshë, me flokët dhe lëkurën e kuqe, që i jepnin pamjen e një njeriu, i cili sapo kishte bërë tri orë banja dielli nën pikun e vapës. Kishte veshur një këmishë me një ngjyrë rozë absurde, bojë e tmerrshme që, kur e vështroje, të dukej sikur merrje një grusht syrit. Ndërsa këpucët ishin e shndritshme, kravata e zezë që në mëngjes dhe celulari nga modelet më të fundit që tingëllonte vazhdimisht, e me sa dukej, duhej të ishte nga ata që kërkoheshin shumë.
Salla ku u futën ishte në errësirë gati të plotë dhe vetëm pasi u dëgjua një zhurmë e lehtë dhe e shurdhër, filluan të hynin rrezet e para të dritës së diellit. Aty ai kuptoi se pse të njohurit e tij, që kishin qenë më përpara aty, e kishin cilësuar si një ambient ëndrrash.
Lart, në vend të çatisë, kishte një kupolë që hapej me një telekomandë të veçantë. Prej andej hynin rrezet e diellit duke e bërë krejtësisht të panevojshme përdorimin e ndriçimit të brendshëm që nga agimi e deri në perëndim të diellit. Ishte me gjashtë faqe që bashkoheshin me disa elemente alumini me një ngjyrë të bardhë në krem dhe, për t’u hapur e tëra, kupolës i duheshin vetëm pesë minuta. Në darkë e mbyllnin rregullisht pasi nëna e budallenjve është gjithmonë shtatzënë dhe për dy apo tre net rresht që kishin pasur probleme me mbylljen automatike të saj, ishin detyruar të paguanin një çmim shumë të shtrenjtë siç ishte zëvendësimi i dy prej gjashtë faqeve të xhamit, të thyera nga gjuajtja me gurë drejt saj.
Salla u ndriçua krejtësisht nga drita e ngrohtë e diellit. Për tokë kishte pllaka me përmasa gjigande, që formonin një mozaik ndërmjet ngjyrës së bardhë dhe asaj të zezë.
Nuk ishin kursyer për asgjë, kishte llamba ndriçimi nga më të fundit që kishin dalë në treg, si dhe llambën e madhe stroboskopike me një diametër afro një metër e gjysmë, kishte katër grupe amplifikatorësh me nga katër altoparlantë secili, që duhej t’i detyronin të ftuarit në sallë t’u vinin shumë xhel apo llak flokëve, përndryshe fuqia dhe shpejtësia e lëvizjes së tingujve do t’ua shkatërronte flokët.
Fragment nga romani “10 ditë”

Standard

Related

Letërsi 5660948594477966197

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item