GURËT E FATIT…
Rudolf Marku 1. Shpesh e më shpesh, në Londër, në lagjen e Chelsea-t ku banoj, se si më kujtohet Marka Fana dhe fati i tij i çuditshëm. Hi...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/12/guret-e-fatit.html
Rudolf Marku
1.Shpesh e më shpesh, në Londër, në lagjen e Chelsea-t ku banoj, se si më kujtohet Marka Fana dhe fati i tij i çuditshëm. Historia e tij më vjen pavullnetshëm, tek jam pjesë e jetës normale dhe pjesë e grumbullit normal që nxitojnë të kapin metronë, që të arrijnë në kohë në zyrën e tyre a në Bankën Lloyds a Nat -West ku punojnë të suksesshëm e të lavdëruar nga punëdhënës që mburren se marrin paga vjetore me gjashtë shifra…Por historinë e Marka Fanës do doja ta ndaja me ju, dhe jo me banorët e Chelsea-t, sepse besoj se është njëra ndër ato histori që na flasin në mënyrë të pashmangshme për fatin tonë, të qenies njerëzore, dhe nga ana tjetër ngase mendoj se kjo histori dhe historira të ngjashme me të, nuk kanë për t’u kuptuar kurrë nga njerëzit e ngutshëm të Chelsea-t, të cilët, tek vrapojnë, nuk kanë kohë që të dëgjojnë historira, e aq më tepër histori të dhimbshme ballkanike…
Dhe do doja ta ndaja me ju, sepse nuk dua ta mbaj peshën e kësaj historie vetëm për veten, sepse e ndjej se histori të tilla janë si plagë të hapura që kullojnë e të cilat ne i fshehim me kujdes që të mos na i shohë kush. Kështu që tek e tregoj dhe e ndaj me ju, ndjehem më i lehtësuar… Marka Fana ishte një burrë që dallonte nga njerëzit e tjerë, sidomos nga njerëzit që quheshinnormalë (dhe që atëherë fjala-normal-tek unë ka dhe konotacionin e shpëlarjes e të ngjyrës gri). Njerëzit si Marka Fana, të cilët qëndronin jashtë normalitetit, ishin të vetmit që ma bënin normale jetën time prej fëmije. Dhe ishin të vetmit që e bënin jetën e qytetit tonë një pikturë me ngjyra të gjalla, plot shkëlqim dhe fantazi …Marka Fanën e kam njohur që kur isha fëmijë, tek bridhte rrugëve të qytetit tonë me një trastë të madhe mbi kurriz. Dhe natyrisht, ishin njerëzit normalë që i viheshin pas për t’u zbavitur. Të gjithë e dinin se në trastën e tij që kishte peshë të rëndë (mund të merrej me mend lehtë pesha e saj, sepse Marka Fana i shkretë mezi e mbante peshën e trastës mbi kurriz) Marka Fana mbante gurë, gurë të mëdhenj që i mblidhte në mal…Njerëzit normalë i viheshin pas, zyrtarët e komiteteve, shitësi i bukës, berberët, jevgjitë që ndërprisnin përgjysmë lojën cic-mic dhe kërcenin të eksituar sapo e shihnin trastën e tij të rënduar, fëmijët xhagajdurë që ndërsenin kundër tij qentë endacakë të qytetit. Askush nuk u frikësohej gurëve që ai mbante në trastë. Të gjithë e dinin se Marka Fana ishte njeriu më paqësor i kësaj bote…Marka Fana, na i trego gurët e trastës- i luteshin njerëzit normal…Por ai, shpërfillës ndaj banorëve të qytetit, ashtu siç ishte shpërfillës ndaj kësaj bote, qeshte, vazhdimisht qeshte, dhe vazhdonte më tej… E qeshura e tij më mahniste. Ishte një sfidë e vetëdijshme? Apo, ashtu si dhe era që frynte, apo si dhe ujërat e lumit Drin që rridhnin pa qenë nevoja të shpjegoheshin, ishte ekzaktësisht ajo që ishte, një e qeshur e madhe, e plotë, e vetësigurt, që nuk kishte nevojë t’i drejtohej dikujt, madje që nuk i drejtohej askujt…Ajo e qeshur ishte e tillë edhe kur Marka Fana ndodhej i vetëm në majën e kodrës, poshtë Kalasë së Qytetit. Në atë vend larg syrit të banorëve, larg nga nëpunësitë e zymtë dhe njëkohësisht hokatarë, larg nga jevgjitëritë dhe fëmijët rrënimtarë, ai ulte në tokë trastën misterioze të mbushur me gurë, dhe i shpërdante gurët me kujdes në një rrethore simetrike. Dhe pastaj fillonte t’u fliste: (Gurit të parë). “Ti, mbreti i Rusisë, të rrish urtë, e të mos u biesh në qafë të tjerëve!” (Gurit të dytë, pak më i vogël nga ai i pari): Ti, i pari i Gjermanisë! Nuk kam ndërmend me të nxjerrë jashtë trajsës time e me të hedh në rrugë të madhe. Por mos vrit kënd! Të paça!; (Gurit të tretë, që ishte një gur në ngjyrë të errët)- Ty, mbreti i Arabisë, që je i bërë synet, nuk ta ka frikën askush!…e kështu me radhë. Pa e ditur as vetë, Marka Fana bënte kështu mbledhjen e vet të Lidhjes së Kombeve të Bashkuara. (Në vitin 1996, i ftuar në OKB, shoqëronjësi im amerikan, i bindur se po më bënte një nder, më pat ftuar për të parë Sallën Norvegjeze, duke më thënë se mund të ulesha në karrigen e Kryetarit të OKB-së sa për të bërë një fotografi. Kurse unë i pata kundërshtuar duke i thënë se ky nder i takon veç Marka Fanës, e askujt tjetër! I shkreti shoqërues, i hutuar nga se nuk mund ta kuptonte se cili nga personalitetet e shquar të politikës botërore qenka Marka Fana që ai nuk ia paskësh dëgjuar as emrin, heshti i turpëruar!)…Marka Fana e ndjente veten mbretin e botës, kryetarin e denjë të saj, sa kohë që mbi kurrizin e vet, (dhe jo mbi kurrizin e të tjerëve), pranonte të mbante, në mënyrën e vet, peshën e kësaj bote…Por historia e trastës së tij ka dhe anën tragjike të saj. Vite më vonë im atë ma pat treguar të plotë historinë e gurëve të Marka Fanës, të cilët janë historia e gurëve që mbajnë mbi kurriz të gjithë njerëzit…
Marka Fana ishte nga Kashnjeti, një krahinë e Mirditës që administrohej nga Lezha. Kishte zbritur nga Kashnjeti në fushat e Lezhës, së bashku me nënën, për një jetë më të mirë. Jetonin në një kasolle kur e ëma, e mësuar me ajrin e freskët të maleve, sëmuret pa shpresë. Në çastet e fundit e ëma i lutet që ta varrosë në fshatin e saj, në Kashnjetin e largët malor. Marka Fana e merr të ëmën në krahë dhe fillon udhëtimin e vështirë. Në Kreshtë (pika më e lartë malore kur le fushat e Zadrimës dhe fillon ngjitjen e maleve) e ëma i vdes. I vendosur që ta çojë deri në fund amanetin e së ëmës, vazhdon ngjitjen e maleve me kufomën e nënës mbi kurriz. Plot dy ditë dhe dy net. Derisa arrin varrezat e fshatit Fregen të Kashnjetit, ku dhe e varros kufomën e së ëmës. Pas kësaj, Marka Fana ndjen një dëshirë të pashmangshme që të mbajë diçka mbi kurriz, një peshë të rëndë, që ta kujtojë përgjithmonë mbartjen e kufomës së nënës së vet, që ta kujtojë përgjithmonë udhëtimin e vetmuar makabër mes malesh. Dhe mbledh gurët rreth varrit të nënës dhe i fut në një trastë. Dhe që nga ajo ditë shënohet dhe fati i tij. Nuk flet me të tjerët, i mjafton biseda me gurët e fatit të vet. Dhe çuditërisht gurët që mbart mbi kurriz i japin kuptim dhe shpjegim botës. Gurët janë Bota, janë shtetet e largëta e të panjohura, janë kryetarët e shteteve, të pafuqishëm ndaj fatit, të heshtur, ngase mund të flaken a mund të ruhen, ngase mund të përdoren njëlloj si një grumbull i heshtur rreth një varri të humbur, a si një zbukurim rreth një monumenti të një njeriu që të tjerët besojnë se qe i rëndësishëm…
Por ajo që më ka mahnitur gjithmonë është e qeshura e Marka Fanës, e qeshura e përhershme e tij, një e qeshur e mirë, e pastër, që përvijëzohej harmonikisht me sytë e butë dhe me flokët e kreshpëruar e të palarë prej muajsh, por që qëndronin mbi kokën e të zot si një helmetë e një fisniku mesjetar…
2.
Duke kujtuar gurët e Marka Fanës, shpeshherë më bie ndërmend ai zakoni i çuditshëm që kishin vikingët. Para se të shkonin në luftë, në të dalë të fshatit të tyre, burrat e kishin për detyrë që të linin një gur në një vend të paracaktuar. Krijohej kështu një muranë gurësh që fliste për ata që kishin shkuar në luftë. Numri i gurëve që përmbante murana fliste për numrin e burrave që kishin shkuar në betejë. Pas Luftës, kur luftëtarët ktheheshin, para se të shkonin në shtëpitë e tyre, e kishin po ashtu për detyrë që nga murana e gurëve të merrnin nga një gur. Gurët që mbesnin, që tepronin, ishte dhe numri i atyre që nuk ishin kthyer, që kishin mbetur në luftë, që ishin vrarë. Murana e gurëve të mbetur kthehej kështu vetvetiu në një memorial të natyrshëm të atyre që kishin dhënë jetën. Çdo gur i mbetur ishte jeta e një njeriu që nuk ishte kthyer e që nuk do të kthehej në jetë të jetëve.
Mendoj se të gjithë ne i mbajmë mbi kurriz gurët e fatit tonë. Nuk mund t’i shmangemi kësaj. Dhe as që ka rëndësi nëse jemi të vetëdijshëm a jo për peshën e gurëve që mbajmë. Në një trastë të vjetër si ajo e Marka Fanës a në një trastë të padukshme të cilën megjithatë e shohim në çastet e rralla të qartësisë së vetëdijes. Njeriu i mirë për t’i parë kohë pas kohe nga afër. Për të qenë i vetëdijshëm për praninë e tyre deri në çastin e fundit të jetës. Madje për t’u bërë i vetëdijshëm se këta gurë janë dhe gurët e varrit të vet. Dhe njeriu i lig që i mban gurët e Marka Fanës për të gjuajtur të tjerët. Për t’i mbajtur sa më larg të tjerët nga territori i vet, të cilin e beson se i takon vetëm atij dhe askujt tjetër. Dhe ky territor është zakonisht territori i pushtetit politik, është pozita politike, por është dhe territori artistik, territori i famës, territori vanitoz i vetëpërkëdheljes…Në Shqipëri jemi të gjithë të gjuajtur me gurë, sepse nuk e kemi ende fisnikërinë e Marka Fanës për të kuptuar se gurët janë të mjaftueshëm për veten tonë…
Herën e fundit që isha në Shqipëri, mora shijen e keqe të ujqërisë së ligësisë së rretheve letrare. Kur pashë se sa pikëllim shkaktoi fakti që një nga çmimet nuk iu dha të tjerëve, atyre që “kishin punuar mbi një vit që ta merrnin atë” (kështu u shpreh një autore që nuk mori çmim: Si, nuk e mora unë çmimin? Dhe të mendosh se kam plot një vit që kam punuar për ta marrë këtë çmim!),vë re se sa e gatshme është shoqëria shqiptare për gurë-gjuajtjet, për meskinitetet agresive, për vetëmburrjen e injorancës së certifikuar. Dhe këtu nuk është fjala për subjektivitetin e gjykimit të jurive që është një fenomen i përhershëm, por për ligësinë, për fenomenin aq karakteristik shqiptar të gurë-gjuajtjes…Përfytyroni një anëtare të përhershme të jurive letrare që thotë se në moshën 46-vjeçare ka lexuar për herë të parë dy autorë të huaj, që quhen njëri Çehov dhe tjetri Dostojevski. Nga autori që quhet Çehov paska lexuar një tregim të titulluar “Zonja me kone” dhe paskësh vënë re se as ky autor dhe as ai tjetri që quhet Dostojevski nuk kanë se çfarë t’i mësojnë gjë prej gjëje asaj, zonjës pa kone, që është anëtare e përhershme e jurive letrare të Tiranës, aq sa vrapon nga njëra juri për të kapur jurinë tjetër, e që është dhe profesore Letërsie e Katedrës së Filologjikut, në mos shefe e kësaj Katedre…
Gurët e trastës së Marka Fanës lëshohen mbi veprat letrare dhe mbi autorët, pa mëshirë, madje me gëzimin e mbrapshtë që i jep gruas shterpë gjuajtja e gruas shtatzënë. Dhe pse? Do thoshte i miri Aleksander Watt, poeti i shquar i emigracionit polak “Për një metaforë, për një metonimi?,,…Dhe gurë-gjuajtësit janë të shumtë, ah, sa të shumtë që janë në realitetin shqiptar. Gurë-gjuajtës që hedhin shpifjet tek buzëqeshin, që hedhin gurët e gjykimeve të tyre absolute, të mbështetur jo në gjykime estetike, por thjesht në interesa klanore dhe provinciale të tavolinave të kafeneve, që hedhin gurët e trastave të tyre në filxhanin tënd të kafesë kur ti kujton se je krejt i vetëm, në qetësinë e vetmisë tënde…
Dhe kjo ndodh në letërsi, në art, në zyrat shtetërore, në rrugë, në politikë, nëpër faqet e gazetave…Janë ata gurë që bien mbi njeriun e pambrojtur nga gjykatësit që kërkojnë mijëra euro (jo lekë, ju lutem, vetëm euro) që djali yt i burgosur pa të drejtë të mund të dalë nga burgu; janë gurët që ia lëshojnë mbi kurriz njeriut që po vdes në një shtrat kafkianesk në spitalet shqiptare ngase nuk ka para që të paguajë mjekun; gurët që i bien mbi kokë njeriut që guxon të trokasë në një zyrë shtetërore i pambrojtur nga mburojat e miqve a të rekomandimeve të njerëzve të fuqishëm…
Marka Fana kishte pranuar të mbante mbi kurriz gurë t që i përkisnin atij vetë, gurët e Fatit të vet, të lidhur me një dhimbje njerëzore, të vërtetë, uluritëse, dhe prandaj i mbante në trastë, mbi supet e lodhur, që të mund t’i përdorte sipas dëshirës së vet: me to mund të krijonte shtetet imagjinare, mund të krijonte OKB-në e vet, mund t’i vendoste mbi varrin e të dashurve, mund të ndërtonte një mur… Në njëfarë mënyre, Marka Fana ishte një autor, madje një autor i madh, sepse kishte njohur dhimbjen e vërtetë. Dhe ata që njohin dhimbjen e vërtetë nuk ngrysen në fytyrë, përkundrazi, qeshin, madje me të madhe…Ndërsa këta të tjerët, gurë-gjuajtësit, kalorësit e fytyrave të vrerosura, i hedhin me lehtësi gurët mbi të tjerët, sepse as gurët nuk i kanë të tyret, sepse nuk kanë asgjë, gjë prej gjëje, veç shpirtit të tyre të zbrazët. Dhe pikërisht këta pretendojnë të jenë autorë, gjykatës, kritikë, akademikë, profesorë…
Marka Fana ka vite që nuk është më në këtë botë gurë-gjuajtësish. Pikërisht ata njerëz që i shkonin pas duke e ngacmuar pamëshirshëm gjatë jetës së vet, mund të thuash se patën një si shkrepje të paparashikueshme të një shkëndije të largët kur ia nxorën gurët nga trasta e vjetër për t’ia vendosur mbi varrin pa asnjë mbishkrim. Por ata gurë mbi varrin pa emër shënojnë në mënyrë të pagabueshme identitetin e njeriut që fle poshtë dheut të varrit. Identiteti i një njeriu që gjithë jetës besoi se gurët e peshës së jetës janë të mjaftueshëm për vetë njeriun që i mban mbi kurrizin e vet. Që besoi se gurët nuk janë krijuar në këtë botë për të gjuajtur të tjerët. Se gurët janë fati i njeriut dhe se ai është i destinuar që t’i mbartë po aq sa dhe peshën e jetës së vet. Madje dhe atëherë kur ai gjuan të tjerët me ta.