Një sfidë ndaj sundimit të Erdogan
Arrestimet e fundit për korrupsion mund të shihen edhe si një përshkallëzim i luftës mes Erdogan dhe grupimit Gulenist, udhëheqësit shpirtër...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/12/nje-sfide-ndaj-sundimit-te-erdogan.html
Arrestimet e fundit për korrupsion mund të shihen edhe si një përshkallëzim i luftës mes Erdogan dhe grupimit Gulenist, udhëheqësit shpirtërorë të një perandorie botërore mediash dhe shkollash
Politika turke
The Economist
Kjo qe një nga sfidat më të guximshme në të gjitha kohërat ndaj sundimit të Recep Tajip Erdogan, Kryeministri i Turqisë. Më 17 dhjetor, policia shoqëroi djemtë e tre ministrave të qeverisë së tij, një oligark ndërtimi, një kryebashkiak nga partia e tij lehtësisht islamike Drejtësi dhe Zhvillim, (AK) në operacione të kryera në mëngjes herët në Stamboll dhe Ankara si pjesë e një hetimi kundër korrupsionit.
Lajmi për shoqërimin e rreth 49 njerëzve shkaktoi valë tronditjesh në të gjithë estabilishmentin politik, si dhe në bursën e Stambollit, indeksi kryesor i së cilës ra me më shumë se 2 për qind mes lajmeve se hetimi është zgjeruar te kredituesi shtetëror, Halkbank.
Operacioni shihet si një përshkallëzim tjetër dramatik në përleshjen për pushtet mes Erdoganit dhe klerikut më me ndikim turk, Fetullah Gulen, i cili zotëron një perandori botërore mediash, shkollash dhe organizatash bamirëse nga ekzili i vet i vetëimponuar në zonën rurale të Pensilvanisë.
Pak ditë më parë, Hakan Sukur, një ish-futbollist që është zgjedhur në Parlament me AK-në në zgjedhjet e vitit 2011, dha dorëheqjen nga partia e tij duke thënë se Erdogan nuk është mjaftueshëm mirënjohës ndaj Gulenit. A mund të ketë dezertime të tjera? Erdogan ka gjasa po vret mendjen për këtë. Laikët e lodhur të Turqisë duket se po fërkojnë duart nga gëzimi.
Megjithatë, në komentet e para pas shoqërimeve policore, Erdogan mbajti një qëndrim, si zakonisht, sfidues: “Ne nuk do të përkulemi para asnjë lloj kërcënimi. Ata nuk mund të përdorin ndonjë lloj metode të shëmtuar apo aleanca që ata zgjedhin… qeveria e partisë AK nuk do ta lejojë këtë”, tha ai. Erdogan drejtoi gishtin ndaj të njëjtave “forca të errëta të huaja” të cilat, sipas tij, patën orkestruar protestat antiqeveritare në qershor. “Turqia nuk është një republikë bananesh”, tha ai.
Sherri mes Gulenit dhe Erdoganit, i cili është gjithashtu nga profesioni një klerik mysliman apo imam, ka qenë duke u përzier prej kohësh. Erdogan ka akuzuar ndjekësit e Gulen për krijimin e një “shteti paralel”, duke “infiltruar” ministritë kyçe të qeverisë, drejtësinë dhe forcat policore. “Ata janë si fantazma, ata janë gjithkund dhe asgjëkund”, thotë Ahmet Sik, një gazetar që kaloi një vit në burg, pasi shkroi një libër mbi dyshimet për kontrollin e shtetit nga Gulen.
Të ashtuquajturit Gulenistë akuzohen se shfrytëzojnë ndikimin e tyre për të mbledhur prova inkriminuese kundër anëtarëve të partisë AK. Gulenistët e hedhin poshtë këtë pretendim si “propagandë të zezë” duke e nxjerrë veten si demokratë të alarmuar nga tendenca e Erdogan drejt sundimit autoritar.
Së fundmi është zbuluar se AK ka qenë duke spiunuar mbi Gulenistët gjithashtu. Auditorët e taksave tashmë thuhet se po përgatiten për të sulmuar bizneset e lidhura me Gulen, përfshirë bankën Aysa, një shtëpi e kreditimit sipas modelit islamik.
Shumë mendojnë se balta e grumbulluar atje do të dalë në shesh para zgjedhjeve për pushtetin vendor që do të zhvillohen në të gjithë Turqinë në marsin e ardhshëm. Zgjedhjet do të jenë një njësi matëse vendimtare për popullaritetin e Erdogan ndërsa ai përpiqet të garojë për president gushtin e ardhshëm.
Në mënyrë ironike, kur AK mori pushtetin më 2002, Gulenistët dukeshin se qenë aleatët më të ngushtë të tij në luftën për të vendosur nën kontroll ushtrinë. Prokurorët pro-gulenistë u panë si forca udhëheqëse në gjyqin e debatuar Energekon, i cili solli dënimin e qindra gjeneralëve dhe aleatëve të tyre nën akuza për planifikim komploti. Mbrojtja e të dënuarve thotë se janë përballur me prova të fabrikuara.
Koalicioni mes AK dhe Gulenistëve thuhet se është përçarë, pasi Erdogan refuzoi kërkesën për të lejuar infiltrimin nga ky grupim të agjencisë kombëtare të spiunazhit. Muajin e kaluar ai u përpoq t’i japë lëvizjes një goditje shkatërrimtare kur njoftoi plane për të nxjerrë nga tregu mijëra shkolla që përgatisin studentët për provimet e universiteteve. Shumë janë nën pronësinë e Gulenistëve dhe shërbejnë si një burim i madh parash e një terren me potencial për rekrutim.
Vrojtimet e opinionit publik së fundmi sugjerojnë se Erdogan vijon të kontrollojë rreth 50 për qind të votave. “Si zakonisht Erdogan do t’i përdorë këto sulme për të luajtur rolin e viktimës”, argumenton Levent Gultekin, një ekspert. Kjo mund të dalë një punë e vështirë në rast se akuzat për korrupsion janë serioze. Megjithatë, siç e ka deklaruar vetë Erdogan, është kutia e votimit ajo që do të nxjerrë fuqinë e tij të vërtetë.