Artizania: Shqiptarët nuk shpenzojnë, nuk i vlerësojnë punimet me dorë
Rrëfimi mbi eksperiencat me blerësit e huaj dhe përfaqësimi i tyre në panaire Shpresa Mezini Florinda Muça është 44 vjeçe, dhe prej 15 vje...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/12/artizania-shqiptaret-nuk-shpenzojne-nuk.html
Rrëfimi mbi eksperiencat me blerësit e huaj dhe përfaqësimi i tyre në panaire
Shpresa Mezini
Florinda Muça është 44 vjeçe, dhe prej 15 vjetësh merret me punime artizanale. Pasioni më i madh i jetës së saj janë punimet me dorë, qëndisja, punimet me grep, me mbushje. Gjithçka që lidhet me artizanatin, ku baza mbetet ajo tradicionale shqiptare, është dashuria më e madhe e saj. E megjithatë, përtej pasionit të paepur që e karakterizon këtë grua të fortë, të ardhurat financiare janë një arsye shumë e fortë pse ajo iu kthye artizanatit pas 15 vjetësh punë si mësuese e ciklit të ulët në Kukës. Pavarësisht se arsimtare me profesion, ajo nuk iu nda asnjëherë punimeve artizanale, të cilat tregon se i ka nisur që në moshë të vogël.
“Jo vetëm në Kukës, po në çdo trevë të Shqipërisë, nënat dikur i edukonin fëmijët të mësonin të bënin punë dore, si një traditë që trashëgohet brez pas brezi. Ndërsa prej vitesh kjo traditë për fat të keq është zbehur. Kështu është kultivuar ky pasion edhe tek unë personalisht, përtej faktit që më pëlqente të qëndisja apo të punoja me grep. Ime më thoshte shpesh që më vjen duarsh, një arsye më shumë për të mos e harruar asnjëherë, sipas saj. Që atëherë e aktualisht e ushtroj jo vazhdimisht, po të paktën këto 15 vitet e fundit intensivisht pa ndërprerje. Nëse kur punoja si mësuese bëja punime të ndryshme me dorë vetëm për qejf. Vitet e fundit, pas transferimit bashkë me familjen në Tiranë, u detyrova që pasionit t’i shtoj edhe një shkak të fortë: Përfitimet financiare. Kjo ishte e vetmja mundësi ku mund të përplasesha, sepse në Tiranë nuk njihja njeri që të më ndihmonte të gjeja punë. Pa punë jetesa bëhej çdo ditë e më e papërballueshme, kështu që vendosa ta marr seriozisht dhe t’u futesha kërkimeve për të filluar punë diku”, tregon Florinda.
Ajo është shpërngulur nga Kukësi në Tiranë në vitin 2007, ndërsa pas 1 viti pushim, pavarësisht përpjekjeve të pamunguara, arriti që në 2008-n, nëpërmjet një njoftimi për shtyp të njihej me një zonjë, përfaqësuesja e DMC-së për Shqipërinë, e cila prej vitesh punonte me gra artizane, punimet e të cilave shiteshin në Greqi, me porosi të klientëve grekë.
“Pasi bisedova me zonjën, e mora seriozisht këtë punë. Me kalimin e kohës, fillova të perfeksionohem, sepse deri më tani punimet që kisha bërë ishin jo shumë profesionale, sepse gjithçka e kisha mësuar në kushtet e shtëpisë. Ndërsa me të filluar punë në 2008-n, e para punë e mirëfilltë artizanati, mësova se si qëndisja. Grepi apo edhe punimet e formave të tjera të bëheshin më të bukura, më të pastra siç e quajmë ne në gjuhën tonë, mënyrën e të punuarit, e cila duhet të jetë aq e hollë sa të mos dallohet që është e bërë me dorë. Kështu filloi që puna të dilte më e pastër dhe më cilësore. Kemi punuar rreth 10 vjet me grekët, deri kur në Greqi nisën trazirat e para, çka ndikoi drejtpërdrejt në ‘biznesin’ tonë, pasi punimet artizanale nuk po shiteshin më, nuk kishte më kërkesa. Duke qenë se ngela sërish pa punë, po këtë herë më keq akoma, pas 10 vjetësh që punoja për çdo ditë, nisa sërish kërkimet. Nisa kontaktet me fondacionin
Rozafa, i cili u shërben grave në nevojë, e tillë isha edhe unë, duke qenë e papunë dhe me 3 djem për të rritur. Përfaqësuesit e saj më krijuan mundësinë të punoj për ta, praktikë e njëjtë me të parën, sepse punimet tona artizanale shiteshin sërish me porosi, por këtë herë për blerës të ndryshëm të huajsh, konkretisht për gjermanët, italianët dhe francezët”, shpjegon artizania.
Florinda punon në fondacionin Rozafa prej 5 vjetësh dhe tregon se nga ky bashkëpunim ka mësuar shumë, sepse tanimë ajo njeh shijet e blerësve të huaj. Madje është perfeksionuar aq shumë saqë në momentin që përmendet emri i një shteti të caktuar, ajo e ka fare kollaj të dijë se çfarë materiali apo modeli parapëlqen ai lloj klienti, vetëm duke iu referuar emrit të shtetit.
“Grekët për shembull preferojnë mbulesat e tavolinës, perdet, kuvertat e krevatit, me shumë ngjyra, me shumë lule. Ata preferojnë punë me mbushje dhe me grep, vitet e fundit filluan të kërkonin në masë edhe punimin e kryqit, punë edhe më e rëndë, sepse mbulesa fillonte e mbaronte me kryq, ndërsa rreth e përqark bënim atë që e quajmë bordurën e kuvertës. Franca përgjithësisht preferon punimet që realizohen me material të ricikluar, si përdorimi i thasëve të kafesë, trikove të vjetra që i shqepim. Nëpërmjet këtyre realizojmë çanta plazhi, çanta për lap-top. Ndërsa një zonjë në Shkodër realizon punime shumë të veçanta, siç janë karriget apo tavolinat me llamarina apo me kofanon e makinave, edhe me tezgjahun e po këtij qyteti. Ndërsa Gjermania kërkon më shumë perde, mbulesat e tavolinave, kuvertat, jo produktet që prodhohen me material të ricikluar. Italia kërkon çarçafët dopio, që janë pjesa më e madhe me azhure. Klienti italian nuk preferon lulet, por azhuret dhe sidomos ngjyrën e bardhë. Ngjyrat kërkohen më shumë nga Franca dhe Gjermania, ndërsa Italia jo”, sqaron Florinda.
Sipas saj, të punosh për këtë fondacion është shumë frytdhënëse pasi paguhen më shumë na ç’paguheshin dikur. 44-vjeçarja thotë se prej 5 vjetësh gjithçka përcaktohet përpara se të nisë puna për një punim të caktuar artizanal, përfshirë edhe çmimin, kështu që procesi vijon krejt normalisht. Një tjetër arsye e fortë pse Florinda gjykon që puna me të huajt është shumë më e mirë, është fakti që e njohin dhe e vlerësojnë punimin artizanal, për rrjedhojë edhe paguajnë, ndryshe nga shqiptarët të cilët ose paguajnë pak për ta pasur ose fare.
“Duke qenë se unë nuk arrija dot të çoja më shumë se një komplet në muaj, sepse është një punë që do kohë, për më tepër kur bëhet në kushtet e shtëpisë, sepse ne nuk kemi punishte të mirëfilltë, po ndërkohë kërkesat vinin në rritje, vendosëm të zgjeronim rrethin e punës. U mblodhëm një grup grash, brenda fisit, me njerëz të njohur fillimisht, ndërsa më vonë duke parë që kishte edhe gra që ishin në nevojë dhe të interesuara për të ushtruar këtë profesion, e zgjeruam rrethin dhe u bëmë një pjesë e mirë në staf. Duke parë që rrethi po zgjerohej, u pa e nevojshme që një prej të gjitha grave të ishte ajo që administronte punën, kështu që e mora unë përsipër koordinimin e të gjitha hallkave në mënyrë që puna në fund të dilte sa më e kënaqshme, por që edhe secila të paguhej nëpërmjet shitjes së produktit që përgatiste. Unë marr modelin, bëj shpërndarjen e punës, që do të thotë ndaj detyrat te gratë, merrem me pjesën e transportit në mënyrë që produkti të shkojë në duart e klientit brenda afatit të kërkuar prej tij. Domethënë ndjek të gjithë zinxhirin e procesit, deri te pagesa e punonjëseve. Që nga ai moment punoj më pak nga sa punoja më parë, por që gjithsesi është punë me shumë përgjegjësi. Qëkur u krijua grupi i punës, i cili aktualisht përbëhet nga 30 gra, ne ndamë detyrat, sepse tani gratë janë të specializuara, kështu që njëra merret me punimin e azhureve, njëra me qëndisjet, njëra me mbushjet e kryqit etj. Në këtë mënyrë puna është edhe më produktive. Secila punon në kushte shtëpie. Kjo është e vetmja mundësi e këtyre grave, që nuk kanë mundësi të punojnë diku, që kanë fëmijë të vegjël në shtëpi, që burrat janë xhelozë dhe nuk i lënë të dalin, ose për arsye të ndryshme. Kështu, paralelisht me rritjen e fëmijëve, me punët e shtëpisë ato edhe punojnë për të fituar para”, tregon artizania nga Kukësi.
Florinda thotë se vitet e fundit puna është bërë më e thjeshtë, për shkak edhe të lëndës së parë që, sipas saj, e gjen fare kollaj, të gjitha lloje si t’i dëshirosh, mjafton të kesh para për t’i blerë. E megjithatë, ajo konsideron disi problematike pjesën e pagesës, të cilat shpesh janë kthyer në burim konfliktesh me gratë artizane, të cilat duke mos njohur mirë procesin e transportit të produktit deri në momentin e mbërritjes së parave, janë të paduruara derisa të marrin lekët.
“Artizanet tona punojnë kryesisht me thasët e kafeve, kur porositësi kërkon që punimi të jetë i realizuar me material të ricikluar. Punime nga të cilat në ditë një grua përfiton rreth 70 mijë lekë të vjetra, që është edhe çmimi më i mirë i momentit. Ne të gjitha jemi të angazhuara që produkti klientit t’i shkojë në kohë, por edhe cilësor, sepse koha dhe cilësia ne na jep punën. Francezi që bën porosi te ne pasi i blen këto produkte i ekspozon në panairet që zhvillohen në Francë për artizanatin. Produktet kanë një etiketë të posaçme që shkruajnë: bashkëpunimi Shqipëri-Francë, kanë njëkohësisht stampën e fondacionit, çka tregon se ato produkte prodhohen dhe shiten në Shqipëri. Për këto produkte punojnë dy rrobaqepëse, një grua e moshuar rreth të 70-ave, e cila bën rripat e çantave me tezgjah. Kjo e fundit përdor vetëm materialin e ricikluar të vjetër. Ndërsa modelet që kërkohen për qëndisje kërkohen nga vetë blerësi, ndërsa ne i zmadhojmë dhe i qëndisim. Ne nuk e kemi mësuar kurrë çmimin e shitjes në shtetin fqinj. Dimë vetëm atë që i vendosim ne punimit artizanal përpara se të niset në destinacionin nga ku na është bërë porosia. Që përkatësisht është çmim minimal, rreth 70 mijë lekë të vjetra për punimet e sipërpërmendura, 1 metër me 1 metër afërsisht, plus edhe pecetat e duarve. Punë shumë e lodhshme, që zgjat 1 muaj dhe por që në fund nuk është se vlerësohet shumë. Megjithatë, ne jemi të kënaqura. I vetmi keqkuptim ndodh te momenti i pagesës, sepse gratë kërkojnë të paguajnë menjëherë pasi përfundojnë punën, por sipas kësaj logjike i bie që unë t’i paguaj me lekët e mia. Janë të paduruara të presin deri kur blerësi të nisë paratë, rreth 1 muaj pasi është dërguar punimi me dorë”, shpjegon artizania.
Panairi
“Drejtoresha e Agjencisë së Biznesit Social, Arjeta Bonjaku, kontaktoi me ne disa kohë më parë, për të na organizuar që për herë të parë të merrnim pjesë në Panairin e Gjirokastrës që u zhvillua në muajin shtator. Produktet tona kanë marrë pjesë edhe herë të tjera në panaire, por ne vetë nuk kemi qenë asnjëherë të pranishme për t’i prezantuar ato. Pothuajse gjithmonë janë prezantuar nga personat që kanë bërë porosi për t’i blerë punimet artizanale, por ne jo. Për shembull, vjet, në Gjermani, janë ekspozuar produktet tona në panair, por janë përfaqësuar nga blerësit. Së fundmi, kam filluar edhe unë të këmbëngul që produktet tona duhet të prezantohen nga ato që i kanë realizuar. Shtysën natyrisht e mora edhe nga pjesëmarrja në Panairin e Gjirokastrës. Kam kërkuar që puna jonë të përfaqësohet nga ne si brenda edhe jashtë vendit, sepse në këtë mënyrë ne mund të lidhim kontaktet edhe me persona që nuk i njohim dhe mund të na hapen rrugë të reja. Pjesëmarrja në panair na krijoi mundësinë për t’u njohur nga afër me produktet, të njihnim ndoshta edhe punime që nuk i kishim bërë më parë, të cilat bazoheshin në artizanat dhe në gjërat tamam të vjetra, pa përjashtuar modernet. Sepse vitet e fundit, klienti nuk preferon vetëm tradicionalen klasike, por tradicionalen të ndërthurur me pak moderne. Kështu që edhe ne për t’ju përshtatur shijeve, bazës tradicionale shqiptare i ndryshojmë diçka, për shembull llojin e copës, duke qenë se tani ka copa shumë të mira, cilësore por edhe të shtrenjta”, tregon Florinda.
Në Panairin e Gjirokastrës u shpërndanë tre çmime, një prej të cilave iu dhurua Florinda Muçës, si përfaqësuesja e grupit të Tiranës, ndërsa dy të tjerët iu besuan një zonje nga Pogradeci dhe një nga Shkodra.
“Pas kësaj, mësuam se për herë të parë do të zhvillohej një ankand me produkte artizanale, ku pjesë do të ishin edhe punimet tona. Na u kërkua që punimet tona të ishin me bazë tradicionale shqiptare, jo të ndërthurua mes tradicionales dhe modernes dhe kështu bëmë. Një prej punimeve të mia, që fitoi çmim në panair, u prezantua në ankand dhe u ble sërish nga një shtetas i huaj.
Tre-katër vitet e fundit është rritur interesi i shqiptarëve për të blerë punimet e bëra me dorë. Në panair vërejta që kërkesat e shqiptarëve për të përqafuar punimet artizanale janë rritur, pavarësisht se priren te çmimet e lira. Më habiti që tek punimet tona afroheshin edhe vajzat e reja, megjithatë kishte edhe të tjerë që çmimet u dukeshin të larta. Për shembull, disa punime që ne i kishim realizuar me material të ricikluar ato i quanin thes, por kjo ndodh se ato nuk e kuptojnë këtë punim, nuk e njohin. Megjithatë, në përgjithësi, vërej që shqiptarët po i rikthehen traditës, pavarësisht se me hapa të ngadaltë. Për shembull, po marr rastin e dasmave. Tani pothuajse të gjitha nuset preferojnë një kostum popullor të vendit nga vijnë për ta veshur në ceremoninë e dasmës. Një tjetër gjë që do ta cilësoja si të veçantë, është edhe qëndisja e çarçafëve të çifteve me inicialet e tyre, po ashtu edhe te peshqirët e syve apo të trupit. Madje kohët e fundit më është dashur shpesh të qëndis tek certifikatat e lindjes së bebit, gjatësinë, peshën, emrin. Ne marrim porositë, i qëndisim dhe presim deri sa nëna të lindë që të qëndisim edhe emrin. Kështu që detyrohemi që mamit t’ia çojmë dy ditë me vonesë. Qëndisja e emrave apo inicialeve është përhapur shumë, sepse ka njerëz që i ruajnë si kujtime edhe për fëmijët e tjerë”, tregon Florinda.
44-vjeçarja, e realizuar në punën e saj, por edhe në familje, gjykon se e vetmja dëshirë që do të donte të realizonte është të pasurit e një dyqani bashkërisht me artizanet e tjera për të shitur punimet artizanale që ato vetë përgatisin me kaq mjeshtëri. Në pamundësi për ta blerë apo marrë me qira një ambient, artizania shpreson që shteti t’i ndihmojë në hapjen e një biznesi të tillë social, ku vitet e para të mos tatohen, sepse sipas saj, të ardhurat e përfituara shkojnë për gratë në nevojë.
Detaje
Karakteristikat e qyteteve
Shkodra
Shkodra është vendi që mbahet për artizanat, sepse mundësitë për zhvillimin e këtij arti janë më të shumta, pasi artizanët e këtij qyteti i kanë konsoliduar lidhjet prej vitesh. Ka karakteristikë tezgjahun, qilimat, copa karakteristike, që në lokale i përdorin si mbulesa tavolinash apo perde
Kruja
Edhe artizanët e Krujës janë të njohur tashmë në treg, sepse në vite ka shumë vizitorë dhe për t’ju përshtatur kërkesave të tyre nxitet edhe dëshira për të prodhuar punime artizanale. Kruja njihet më së shumti për punimet e qelesheve, qilimave, punon me manigramin, me bizhuteritë
Gjirokastra
Gjirokastra, kryesisht ka ndjekur në vite stilin grek. Preferon shumë ngjyrat, lulet e shumëllojshme, por sidomos punimin e kryqit. Punë më e vështirë, për të cilën duhet më shumë kohë për t’u përgatitur, por që ka kosto edhe më të lartë. Diferencën e bën madhësia e kuvertës apo çarçafëve
Tirana
Ndërsa në Tiranë, grupi i grave që punojnë bashkë me mua bëjnë të gjitha llojet e punëve, punime artizanale të të gjitha krahinave, sepse gratë janë të gjitha nga qytete e fshatra të ndryshme të vendit, kështu që secila ka sjellë me vete edhe një pjesë të vendit të origjinës