Dashuritë e mëdha dhe të fshehta të Dritëroit

Xhevdet Shehu Botimi i fundit i Dritëro Agollit është vërtet befasues. Në moshën 82-vjeçare ai boton një vëllim me 82 poezi të zgjedhura për...

Xhevdet Shehu

Botimi i fundit i Dritëro Agollit është vërtet befasues. Në moshën 82-vjeçare ai boton një vëllim me 82 poezi të zgjedhura për… dashurinë. Është një botim luksoz nën titullin ‘I përndjekuri i dashurisë’. Mund të kishin zgjedhur shumë poezi të tjera familjarët e tij, bashkëshortja, djali dhe vajza, por ata kanë zgjedhur atë që spikat më shumë në krijimtarinë poetike të tij. Në fakt, dashuria është një nga temat më të preferuara të poetit Dritëro. Që nga vëllimi i tij i parë më poezi, dashuria u shfaq si kryetemë.

“Po të jem vërtet një Pitagorë,/ Ti je më e vështira teoremë”, shkruan ai në një nga poezitë e hershme të rinisë së tij. Mbase dhe në këto dy vargje shfaqet druajtja e djaloshit të ri që vinte nga fshati dhe që e konsideronte dashurinë si një nga gjërat më serioze të jetës së njeriut. Me kalimin e viteve dhe me maturimin si poet ai e ka parë dashurinë në të gjitha këndvështrimet e mundshme njerëzore. Është shumë interesante të shikosh evoluimin e kësaj dashurie të Dritëroit nëpër vite. Mendoj se studiuesit e vëmendshëm të krijimtarisë së tij do ta pikasin këtë dhe do t’i kushtojnë analiza të posaçme.
Dritëro Agolli është një poet i jashtëzakonshëm. Si askush tjetër ai ka prekur të gjitha aspektet njerëzore, nga lindja te vdekja, nga dashuria tek urrejtja, nga realiteti tek absurdi… Është një poezi që me kalimin e kohës mori kuptime të thella filozofike, ndërsa autori bëhej gjithnjë e më i famshëm me mënyrën e tij popullore, të sinqertë dhe poetike të komunikuarit më lexuesit. Në mesin e viteve ’80, pikërisht në kohën më të zymtë të diktaturës ai ka botuar një nga librat më të mirë të tij me poezi, të titulluar ‘Udhëtoj i menduar”, një libër që bëri jehonë të madhe jo vetëm për mjeshtërinë e të shkruarit por edhe me nëntekstet e fuqishme që ai shprehte brenda vargjeve të tij. Dy nga poezitë e tij ishin një alegori e hapur për sistemin: fabula ‘Kali dhe gomari’ dhe një poezi me pak vargje ‘Pela’. Kam takuar shumë njerëz që i kishin mësuar përmendësh dhe teksa i recitonin nëpër tavolina, shkelnin syrin duke thënë “Eh, ku rreh Dritëroi me këto që thotë…”
Nuk them ndonjë gjë të re kur pohoj se Dritëroi është poeti më prodhimtar në letrat shqipe. Por nuk është kjo kryesorja që e dallon Dritëroin si poet. Është thellësia e mendimit, janë mesazhet që kumton, është gjithë ajo hapësirë jetësore që vibron në poezinë e tij. Nuk gjen aspekt të jetës njerëzore që Dritëroi të mos e ketë kthyer në poezi. Ashtu si kjo antologji poetike për dashurinë, mund të bëhen antologji të tjera për tema të ndryshme … Hartuesit do ta kenë të lehtë gjithnjë për t’i përzgjedhur në hapësirat poetike të Dritëroit. E pamatë është dhe dashuria që përcjell në këtë vëllim më të ri të tij. Pavarësisht se i kemi lexuar dhe shumë nga ato i dimë përmendësh, me mënyrën se si është kompozuar libri, na duket sikur i lexojmë për herë të parë.
Në të vërtetë, Dritëroi në këtë vëllim ka përdorur një nga ato hiletë e tij të zakonshme. Nëse thuajse në të gjitha vëllimet e mëparshme ka vënë në fund të çdo poezie datën dhe vitin kur e ka shkruar, në këtë vëllim ai nuk e ka bërë këtë. Pavarësisht se janë shkruar në një hark kohor prej 60 vjetësh, poezitë e këtij vëllimi nuk kanë asnjë datë. Për të thënë se janë të gjithëkohshme. Dhe ka  plotësisht të drejtë. Arti i vërtetë është i përjetshëm. Prandaj le ta përshëndesim edhe për këtë hile që na këtë bërë këtë radhë.
Dritëroi është një poet i lindur që e ka konsideruar poezinë si një nga zhanret më serioze artistike dhe është pa dyshim një nga gjeneralët e mëdhenj të poezisë shqipe.
Vetë Dritëroi ka thënë në një nga poezitë e tij: “Lavdinë e kam të dykuptimtë, / Të njëkuptimtë e kam talentin”. Dritëroi është i vetëdijshëm për talentin dhe rolin e tij se shkrimtar por edhe si udhëheqës shpirtëror i popullit, sidomos i pjesës së majtë të këtij populli, të cilin ai nuk e tradhtoi asnjëherë. E kini vënë re se në momente delikate që kemi kaluar dhe kalojmë si shoqëri, mediat i turren Dritëroit ta marrin në intervistë, ndërsa njerëzit mbajnë vesh se ç’mendim ka shkrimtari i madh për këtë e atë çështje apo problem. Dritëroi na kujton në njëfarë mënyre Viktor Hygoin, kur populli francez kishte dalë në rrugë dhe bënte revolucionin që ndryshoi rrjedhat e historisë së njerëzimit. Kur turmat ishin nëpër rrugë dhe nuk dinin nga t’ia mbanin, prisnin një shenjë, një fjalë, një këshillë nga Hygoi. Dhe është e vërtetë se Hygoi kishte më shumë pushtet mbi popullin e tij se sa udhëheqësit politikë dhe ushtarakë. Kështu edhe Dritëroi ynë. E analizova poezinë e tij edhe për ndikimin e veçantë që ka te njerëzit. Dritëroi tani është tërësisht mbi palët, është me sovranin popull. Këtu midis popullit ai ndihet i sigurt dhe është në shenjtërinë e tij. Mjafton të sjell këtu këtë strofë nga një tjetër poezi e Dritëroit: “Ku të futem, s’gjej vend tjetër,/ Ku të qesh e ku të qaj?/ Majtas vrap më dalin dreqër, / Djathtas vijnë e presin djaj!”. Për Dritëroin mund të flitet pambarimisht, por unë po ndalem me kaq në këtë përgjigje për ju.

Pela
Pela do mëz, po kali është i tredhur,
Dhe tjetër kalë nuk ka.
Pela me barrë nuk ka për të mbetur,
Plepin me dhëmbë e ha.

Pela do mëz, po kali është i tredhur,
Me jargë veç vithet ia lan.
Pela bishtin përpjetë e ka hedhur
Si shatërvan…

I përndjekuri i dashurisë
Unë jam i burgosuri yt,
Rroj me prangat që ti më ke vënë
Po çudi, as qelia s’më mbyt
Dhe s’më mbyt as dritarja e zënë.

Kur ti prangat m’i hodhe në mish,
Unë i putha duart e tua,
Është rast i pashembullt ta dish,
Që xhelatin ta puth e ta dua!

I përndjekuri yt erotik,
I përndjekur të mbetet gjithmonë!
Erotik i mirë a i lig,
Hidhmi duart në fyt, torturomë!

Ky burgim sa do zgjasë s’e di;
I përjetshëm do kisha dëshirë,
Veç ti eja më shpesh në qeli,
Të përndjekurit tënd i vjen mirë…

Kaluan vitet

Koluan vitet, – ke qëndruar
E brishtë, e ashpër dhe peri,
Veç flokët krejt të qenkan shtruar
Dhe thinjët ndritën pakëz gri.

Kurse mbi librat unë i kërrusur,
Një plak i gjatë e thatanik,
Me një mendim pak të përhumbur
Ta shoh fytyrën si mistik.

Hej, s ‘na ndryshoi as kohë e gjatë,
Po marrim frymë e kemi shpirt,
I mbrojtëm vitet e begatë
Tek i kujtuam bashkërisht.

Dhe hiri i tyre – urnë e ndritur,
Dhe shpirti ynë – ylber në terr …
Të vjen vërtet për t’u mahnitur,
Kur tek e djeshmja frymë merr.

Related

Letërsi 6572186868006368031

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item