Nëse nuk doni të zini ndryshk, atëherë praktikohuni!

Psikologji/ Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli M...

Psikologji/ Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli
Majkëll R. Edelshtajn
Dejvid Ramsej Stile

Praktikë, Përsëritje, Riforcim

Mënyra më e zakonshme për të mësuar notin është që fillimisht t’i praktikosh lëvizjet e duhura të krahëve në tokë. Si parapërgatitje kjo është e dobishme, por vetëm me anën e kësaj metode nuk do të arrini kurrë të bëheni notar i zoti. Kjo do t’ju lejonte vetëm sa të pluskonit ngathtësisht në ujë. Pas shumë e shumë ushtrimesh në tokë e në ujë dhe mbasi t’i keni çimentuar lëvizjet e duhura, atëherë mund ta quani veten notar.
E njëjta gjë ndodh kur mëson një gjuhë të huaj – italishten, për shembull. Në fillim do ta flasësh mekanikisht e duke tu marrë goja. As vetë nuk pret që ta flasësh italishten rrjedhshëm që pas mësimit të parë. Ti vazhdon ta praktikosh e t’i përmirësosh aftësitë folëse, duke e programuar trurin dhe trupin me zakonet e duhura. Pasi arrin ta njohësh mirë e në mënyrë të gjithanshme, atëherë nisën ta ndjesh e të jetosh me të. Gjuha italiane të bëhet thuajse një natyrë e dytë e jotja.
Etapat përmes të cilave kalon me synimin për të menduar drejt e për tu ndjerë mirë, mund të krahasohen me etapat që tu deshën për të mësuar notin apo italishten. Në fillim bën një përpjekje për të parë nëse format e tua “DUHET” janë irracionale, të paarsyeshme dhe vetënënshtruese. Më vonë këtë do ta besosh më bindshëm dhe do ta ndjesh se është e vërtetë.
Rruga për tu përmirësuar është e thjeshtë dhe e qartë, por jo e lehtë: praktikë, praktikë, praktikë. Kërkohet praktikë e vazhdueshme dhe e kuptimtë. Sa më shumë, aq më mirë.
Sikurse me notin apo italishten, pasi t’i keni përvetësuar aftësitë dhe t’i ndjeni e tu besoni vërtet atyre, kjo s’do të thotë se i dhatë fund kësaj disipline. Ju me siguri do tu zërë ndryshku e do të përjetoni kthime mbrapa nëse nuk do të vazhdoni ta përforconi atë.
Krahasojeni këtë me pastrimin e dhëmbëve. Supozoni sikur i fërkoni dhe i lani dhëmbët me pastë vazhdimisht nga dy herë në ditë për një vit dhe pastaj, kur shkoni për vizitë te dentistja, ajo thërret e çuditur: “Nuk paske kavitete!”
A e lini ju pas dore larjen e dhëmbëve? Me siguri që jo. Ju e dini fare mirë se po ta lini pas dore, gurëzat dhe mikrobet do të rikthehen sërish vjedhurazi dhe do t’ia nisin nga puna e tyre e ndyrë. Kjo ndodh ngaqë organizmi njerëzor prodhon pareshtur gurëza dhe baktere sipas një procesi të përhershëm e të pandalshëm.
E njëjta gjë ndodh edhe me format “DUHET”. Si qenie njerëzore ju jeni një krijesë prodhuese e formave “DUHET” dhe ‘PATJETËR”. Ju s’e keni fare të vështire që t’i merrni preferencat, të cilat i keni klasifikuar si të rëndësishme për vetveten tuaj e të prodhoni me to forma “DUHET”. Këtë e keni gjenetike, por edhe nga edukimi. Ju nuk keni nevojë që t’ju mësojë ndokush si t’i ndërtoni gurëzat dhe as si të shpikni forma konceptesh me “DUHET”. Sigurisht, mund t’i ndërtoni gurëzat keq e më keq, duke ngrënë ushqime pa vlerë dhe po kështu mund t’i përkeqësoni “DUHET” e juaja, duke i ushtruar dhe përforcuar mendimet me formën “Duhet”. Nga ana tjetër, ju keni mundësi që ta ndaloni e ta ktheni mbrapsht procesin e ndërtimit të gurëzave me anën e furçës dhe pastës së dhëmbëve apo t’i ndaloni format “Duhet” me anë të diskutimit dhe pyetjes së vetëvetes rregullisht.
Në po të njëjtën mënyrë, rrjedhshmëria e të folurit tuaj anglisht mund të nisë e përkeqësohet nëse do të shpërnguleshit diku në Itali dhe do të flisni atje vetëm italisht. Madje, edhe kur e ke gjuhë amtare, mospraktikimi i saj për kohë të gjata do e bënte që të ndryshkej. Nëse nuk doni të zini ndryshk, atëherë praktikohuni!
Nëse ju thjesht vetëm sa e lexoni këtë libër deri në fund dhe tundni kokën në shenjë pohimi, mbase libri do ju pëlqejë vërtet e ndoshta mund t’ju ndihmojë disi. Por kjo nuk do të jetë aplikim i Terapisë Tri-minutëshe. Kthesa e madhe do të ndodhë vetëm po t’i përdorni ushtrimet ndaj problemeve tuaja, vetëm po t’i kopjoni ato duke i shkruar dhe pastaj t’i lexoni përpara një magnetofoni për t’i incizuar, në mënyrë që ta dëgjoni e ta ridëgjoni më pas këtë incizim, sa më shpesh.
Kur t’i mësoni elementët bazë të Terapisë Tri-minutëshe, ato mund të mos shndërrohen menjëherë në ndjenja e veprime të përmirësuara shumë dukshëm. Por, ndërsa do të vijoni të praktikoheni në mënyrë të ndërgjegjshme, ju do të përparoni drejt një niveli më të lartë aftësish dhe kjo do t’jua shpërblejë mundin. Terapia Tri-minutëshe do të bëhet atëherë një vegël, e cila do ju ndihmojë të mendoni me shpejtësi për tu shpëtuar shqetësimeve dhe dhimbjeve emocionale.
Njerëzit vijnë shpesh në seanca terapie, duke besuar se më së fundi kjo do t’i “kurojë” njëherë e përgjithmonë pa qenë nevoja t’i vijojnë më tej përpjekjet që kërkohen prej tyre. Për një pjesë të madhe të tyre, kjo nuk është e vërtetë. Njerëzit janë të prirur natyrshëm drejt të menduarit irracional e kërkues, prandaj edhe këshillohet që të luftohet kjo prirje, duke kryer pafundësisht ushtrime, njëlloj sikurse këshillohet vazhdimësia për të pastruar dhëmbët. Në rast se arrini dhe i kuptoni mirë mësimet bazë, analizat e ardhshme dhe korrigjimi i të menduarit gabim, zakonisht nuk do të kërkojë më shume se tri minuta kohë, në vartësi të rastit që paraqitet.

Related

Psikologji 5747415786865989003

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item