Vetmia e shqiptarit të globalizuar

FATOS BAXHAKU Ai, shqiptari i thjeshtë, ende nuk e ka edhe aq fort të qartë se çdo të thotë globalizim. E di që kjo fjalë e rrumbullakët vje...

FATOS BAXHAKU

Ai, shqiptari i thjeshtë, ende nuk e ka edhe aq fort të qartë se çdo të thotë globalizim. E di që kjo fjalë e rrumbullakët vjen nga larg, nga vende që nuk kanë as anë e as horizont, andej ku Veriu, Jugu, Lindja dhe Perëndimi nuk i duhen askujt, atje ku nata dhe dita bëhen një, pa pasur nevojë t’i lëshojnë vendin njëra-tjetrës, atje ku qielli, toka dhe deti nuk janë gjë tjetër veçse një lëmsh i ngatërruar rrugësh pa fund. Thonë se në ato anë të largëta edhe njerëzit janë të gjithë njësoj, askush më i gjatë apo më i shkurtër se tjetri, madje edhe vishen njësoj, edhe ecin njësoj, edhe hanë të njëjtën gjë.
I mësuar ta ndajë historinë e tij sipas atyre që ka pasur mbi krye, shqiptari i ngratë, i thjeshtë kujton: kohën e turkut, kohën “e Nemces”, Italinë e parë, kohën e Zogut, Italinë e dytë, kohën e gjermanit, kohën e jugosllavit (kësaj më rëndom i thonë edhe koha e Koçit), kohën e rusit, kohën e kinezit, kohën pa kohë të diktaturës në rënie. Për periudhën kohore, në të cilën po jetojmë që nga 1991 e këndej ka një mori me emra. Disa vazhdojnë me këmbëngulje ta quajnë tranzicion, duke pasur parasysh se shumë procese të demokratizimit të vendit nuk mbarojnë vetëm me ndërtimin e ngrehinës së shtetit demokratik, por në këtë rrugë të gjatë, pra në këtë tranzicion të kalimit nga diktatura në demokraci, ndërthuren edhe shumë procese të tjera, që janë ekonomike, shoqërore, psikologjike, kulturore, teknologjike e kështu me radhë. Të tjerë i bien më shkurt. “Koha e demokracisë”, thonë ata, duke harruar se demokracia është një kafshatë shumë e madhe për t’u gëlltitur e tëra njëherësh. Të tjerë akoma kanë nisur ta quajnë, mbase me shumë të drejtë, “koha e internetit”, duke pasur parasysh se si e ka ndryshuar profilin tonë etnopsikologjik bumi i fundit në industrinë e komunikimit dhe të informacionit. Sido që të jetë gjithnjë e më shumë termi globalizim dhe shumë herë më pak antiglobalizim, ka nisur të bëhet gjithnjë e më familjar për shqiptarin e thjeshtë. Ndonëse pa e ditur se si ndodh e se cili është mekanizmi që e sjell këtë ndërveprim gjigant planetar deri në shtëpitë tona, instinkti i vjetër i një populli të vogël e bën atë të besojë se gjërat e mëdha që ndodhin “atje larg” nuk do të kalojë shumë kohë dhe do të trokasin edhe në portën tonë. A nuk ndodhi kështu me shpërbërjen Perandorisë Osmane? A nuk ndodhi kështu me rënien e komunizmit?
Thonë se globalizimi e ka bërë botën më të vogël e njerëzit më të ngjashëm. Fare e vërtetë, mirëpo shqiptari ynë i thjeshtë, kur kthehet i lodhur nga puna në shtëpi, ka nisur ta ndiejë veten vetëm. Sigurisht që globalizmi nuk është vetëm internet dhe celulari. Ai ka të bëjë në radhë të parë me sundimin e botës nga shumëkombëshet, me ekonominë globale, me uljen e kostove të prodhimit, duke eksportuar teknologji në vende më të prapambetura, me shpërfilljen e mbrojtjes së natyrës dhe njerëzve, me eliminimin e pavarësisë së ekonomive lokale, me sundimin e BB, FMN dhe OBT, me zbehjen deri në fshirje të traditave lokale, e plot gjëra të tjera. Mirëpo shqiptari ynë i thjeshtë e percepton ndryshe. Fëmijët janë shpërndarë nëpër dhoma, kush duke lundruar në internet, një tjetër po bëhet copë në “Facebook” e ka nja dy vjet që nuk nxjerr asnjë fjalë, por vetëm qesh me vete. Hera-herës edhe përlotet me thënë të drejtën. Një tjetër, më i vogël, është duke parë një telenovelë me dashuri, ku disa aktorë të zeshkët me flokët dendur me xhel interpretojnë kunata që shkojnë me kunetërit, baxhanakë që shkojnë me kunatën e shoqes së ngushtë të kunatës, gjyshi që ka dashnore dhe i bën karshillëk gjyshes. I vogli gajaset me këtë lëmsh të ngatërruar që nuk shpërbëhet kurrë. Ai po rritet bashkë me këta kunetër të largët dhe të pacipë. Sapo vjen ora lë detyrat e matematikës dhe dystohet para televizorit me një thes me kokoshka. Këtë të voglin një herë e pat lënë në shkollë. Gabimisht kishte marrë një fëmijë tjetër dhe kishte marrë udhën ngadalë për në shtëpi. Për fat ishte kujtuar në kohë, dhe akoma më për fat, ai djali që kishte marrë gabim kishte qenë i komshiut. Po këta janë bërë të gjithë njësoj! Gruaja, me të cilën tashmë prej vitesh fjalët i ka të pakta, ka shkuar në palestrën e saj të përditshme.
Vetëm, i lodhur, ulet t’i hedhë një sy gazetës. E lë shpejt, shumë lajme i ka dëgjuar që më parë në radio, shkrimet e tjera duket sikur autorët i kanë shkruar për vete dhe jo për të. Të paktën kështu i duket atij. Atëherë vendos të ndezë televizorin e vetëm që ka mbetur i papushtuar nga fëmija që sheh telenovela. Disa portrete të egërsuara në kulm po shahen e po rrokanisen keqas. Shqiptari i thjeshtë nuk e kupton mirë se përse. Në shumicën e rasteve i duket sikur të dyja palët kanë të drejtë. Përemrat që përdoren janë: unë, ti, ju, ne. Shumë rrallë: ata, ato, ai, ajo. Edhe më i lodhur se në punë, del nga shtëpia. Përmes lagjes së vjetër, e mbetur si oaz mes kullave të larta prej betoni, këmbët e çojnë te klubi i lagjes. Këtu dikur mblidheshin me shokët dhe gajaseshin me njëri-tjetrin. Në lokal, banakieri i ka ngulur sytë në një cep të tavanit që prej shumë kohësh. Aty është një mizë që i ka mbijetuar dimrit. “Ku janë çunat?”, pyet shqiptari i thjeshtë. Banakierit i duket e kotë të flasë. Vetëm bën shenjë me kokë nga krahu tjetër i rrugicës. Andej është një lokal bastesh. “Ta hajë dreqi – mendon shqiptari ynë i thjeshtë – si harrova që sot është ditë ndeshjesh?!”. Dhe kështu mbetet ende vetëm në botën që gëlon nga celularë, internet, rrjete sociale, imazhe virtuale… Mbi kryet e tij, një rrjetë e tërë telash që ngjasojnë shumë me atë të një merimange gjigante, lëshon një gumëzhimë të mbytur. “Ja, nga ky lëmsh vjen globalizimi”, kujtohet shqiptari i thjeshtë dhe kthehet sërish në shtëpi. Për fat, kompjuteri ka mbetur për pak kohë i lirë. Vajza e madhe ka dalë me shoqet “sa për një makiato me qumësht të ftohtë e një cigare, e ke parasysh?”. Rast i mirë për të folur në “Skype” me të vëllain emigrant në Greqi. “Po hë mo si jeni?”, zëri i të vëllait i vjen si i përçudnuar, sikur mbërrin nga fundi i një shpelle të thellë. Pastaj edhe portreti i tij i duket i çuditshëm me atë gojën që herë mbetet hapur e herë të tjera mbyllur, ndonëse zëri i çuditshëm vazhdon të vijë. Qafa e tij se ç’ka një gjë si prej objekti të ngrirë, njësoj si e futur në allçi. Vëllai tani ka nisur t’i shëmbëllejë me një ventrilok. “Si jeni, mirë? Mirë. Shëndeti, puna mirë? Mirë. Gruaja, fëmijët, mirë? Mirë”. Biseda me vëllain ventrilok mbyllet këtu. Nuk kanë më se ç’t’i thonë njëri-tjetrit.
Edhe një herë në rrugë. Këtë herë hapi i tij është më i vendosur. Këtë herë e di fare mirë se ku do ta mbysë vetminë e tij: në postë. Rrëmben një kartolinë, ku Tirana duket si Monte Karlo, një pullë dhe nis të shkruajë: Miku im! Me rastin e festave të fundvitit po të dërgoj nga zemra urimet më të mira. Le të jetë viti që vjen koha kur nuk do të mbetesh kurrë vetëm! Fare i kënaqur e vërtit kartolinën në kutinë e zbrazët. Nuk e kishte besuar kurrë se çfarë kënaqësie do të ndiente kur të shihte pas kaq kohësh shkrimin e tij të dorës. Në të kthyer, shqiptari ynë i thjeshtë, edhe më i globalizuar tashmë përmes një kartoline, ecën dhe qesh me vete. Kartolinën ia kishte nisur vetes. Ishte e vetmja adresë shtëpie që mbante mend.

Related

Opinione 4561803309974294074

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item