Shënime nga Shkolla e Partisë

Luljeta Lleshanaku (Mbi librin me të njëjtin titull të Daut Gumenit, Botimet DUDAJ, 2013) As unë nuk munda të gjej një titull më të goditur ...

Luljeta Lleshanaku
(Mbi librin me të njëjtin titull të Daut Gumenit, Botimet DUDAJ, 2013)

As unë nuk munda të gjej një titull më të goditur për këtë shkrim, nga ai që vetë Daut Gumeni ka zgjedhur për librin e tij me “shënime”, që nuk janë gjë tjetër veçse një roman dokumentar mbi kampet e punës dhe burgjet komuniste, pjesë e përvojës e tij për 23 vjet. Ngjarje të cilat vijnë përmes personazheve reale (edhe pse nganjëherë me emra të ndryshuar) përbëjnë kapitujt e këtij libri, me një improvizim kaq bindës të detajeve dhe dialogjeve, sikur ngjarja të kishte ndodhur dje, brenda një historie, të cilën autori shprehet se e ka shkruar “të lidhur më tepër me fillin e hekurt të telave me gjemba, sesa me atë fillin artistik.”
Nuk qenkam gjeneral i kësaj Partie unë?!
E zhytur në kapitujt e këtij libri, m’u kujtua një nga pjesët e Testamentit të Vjetër, kur Zoti e paralajmëron Abrahamin mbi shkatërrimin e Sodomës, dhe Abrahami ndërhyn: “Le ta zëmë se ka pesëdhjetë njerëz të drejtë në qytet. Ti do ta shkatërroje vendin dhe nuk do t’i falje për hir të pesëdhjetë njerëzve të drejtë që banojnë midis tyre?” Dhe Zoti e pranon lutjen e tij nëse vërtetë do të gjendeshin pesëdhjetë njerëz të drejtë, por, duke i vënë në provë, e bind Abrahamin se as dhjetë nuk ishin të tillë dhe Sodoma digjet…E njëjta krizë mosbesimi, rishfaqet tek çdo individ,sa herë që historia degradon siç në rastin e holokaustit nazist, si në rastin e komunizmit. Por, interesant është fakti se si në një memuar të tillë rreth 600 faqesh, dhuna ndaj njerëzve të pafajshëm (përfshirë urinë, torturat, denigrimin moral, vdekjen),  nuk arrin të të tronditë aq sa forca, aq sa ato gjeste individuale qëndrese, që herë- here, shkojnë përtej mundësisë dhe arsyes njerëzore dhe që të shton respektin për njeriun. Por, akoma më mbresëlënëse, janë ato pak gjeste pozitive, kur këto vijnë pikërisht prej nga ku e prêt më pak: prej komunistëve dhe njerëzve me pushtet, si rasti i komandantit të kampit të Spaçit, p.sh, i një gjenerali karriere, i cili fillon dhe irritohet kur para syve të tij të burgosurit i trajtonin si kafshë. Madje kur Labo Gurrën (protagonistin e romanit) e arrestojnë për herë të dytë, ai i del jeep-it të Degës përpara, duke bërtitur: “Ç’jam unë që nuk di gjë se pse ma rrëmbeni njeriun si bisha?!! Nuk qenkam gjeneral i kësaj Partie dhe pushteti unë?!” Përmes një rasti të tillë, autori bën një analizë të pushtetit; ai tregon se sa subjektiv mund të jetë përdorimi i pushtetit: mund ta përdorje për keq, por, mund ta përdorje edhe për mirë, apo së paku, të mos abuzoje me të, siç ndodhte me operativët e sigurimit dhe me komisarët që vepronin me dorë të hekurt. Po aq sa Shindler-in e famshëm, komandantin dhe mjaft figura në këtë histori, i bën interesant pikërisht fakti që i përkasin kampit kundërshtar, pra persekutorëve, por që megjithatë janë në gjendje të dallojnë kufirin midis së mirës dhe të keqes, qoftë edhe duke vënë në rrezik ato që kanë. Të tillë janë edhe “komandanti i pleqve”, siç e quanin komandantin e Burgut të Burrelit, i cili më parë kishte qenë oficer kufiri, që megjithë arrogancën që i jepte pushteti, merrte në mbrojtje të burgosurit e moshuar; ekonomati i Burrelit, të cilit i skuqej fytyra, kur merrte pjesë në kontrollet e dhunshme në qeli dhe që në fund, u tregua edhe i gatshëm të fusë armë në burg nëse do t’u duheshin; apo polic Nuriu, që përplaste kërbaçin pas hekurave në vend të shpinës së të burgosurve.
Liria brenda telave
“Ti ke pushtet mbi njeriun, për sa kohë nuk ia merr të gjitha. Por, kur ia merr të gjitha, ai nuk varet më prej teje; ai është sërish i lirë.” shprehet Aleksandër Solzhenicin. Duke u nisur nga reagimet e shumë të burgosurve dhe Labos para hetuesve dhe sidomos në gjyq, kujtohesh, që nuk ndodhte një përplasje e tillë në botën “e lirë”. Apo sakrifica për të mbrojtur shokët, që në botën “jashtë”, do të ishin një luks vetëvrasës. Kostoja ishte jo e vogël: birucë, tortura, zgjatje e dënimit, apo edhe vdekje në burg. Duket më i lirë ai malësori me njërën këmbë të prerë dhe tjetrën të gangrenizuar, se sa vetë operativi, i cili duhej të mbahej me thonj, përmes njëmijë intrigave, për të mbijetuar brenda atij sistemi që bazohej mbi ngrënie kokash. Madje, autori ndalet qëllimshëm në përplasjet verbale midis të burgosurve dhe hetuesisë e prokurorisë, apo në gjyqe, duke e kaluar në plan të dytë vuajtjen, sepse këto ishin rastet e vetme të përplasjes me regjimin, të mbrojtjes përmes akuzave të drejtpërdrejta e të guximshme ndaj tij. Një tjetër aspekt interesant janë edhe debatet teorike midis vetë të burgosurve me bindje të ndryshme politike, por në një nivel të atillë argumentues dhe teorik, i cili mungonte pothuajse fare në botën intelektuale e politike jashtë mureve të burgut. Duket paradoksale, por, në këtë libër, ti kupton se shumica prej tyre,  ishin shumë herë më të lirë se të tjerët jashtë telave dhe se liria është një dimension i brendshëm.
…dhe kufiri i saj
Çuditërisht, kulmin e këtij libri nuk e bëjnë torturat, të cilat, nganjëherë e çmendnin njeriun normal dhe e bënin të lehte si qen (si rasti i hetuesisë në Tiranë), as greva e urisë e nisur nga Laboja që shndërrua në grevë kolektive, as helmimi nga mjeku i burgut, as vrasja pa gjyq e të atit,  as njëra nga këto…sadoqë nuk janë të lehta për t’u përtypur, as në një ambient të ngrohtë si ky i imi tani, me një filxhan kafe përpara. Pika më dramatike e librit nuk vjen nga përplasja e të mirës me të keqen, por nga përplasja e të mirës me të mirën, pra, momenti kur Laboja, në seancën e gjykimit të dytë, pas një mbrojtjeje spektakolare, thyhet ose detyrohet të heshtë, kur këtë ia kërkon i vëllai, i cili gjithashtu ishte i pandehur në gjyq: “Mos se na more në qafë të gjithëve!” nënkupton ai. “Çfarë do të ndodhë me gruan time me dy fëmijë atje në majë të malit?!!” duke zbuluar anën më djallëzore të komunizmit shqiptar: atë të presionit përmes persekutimit të gjithë familjes madje dhe farefisit. Dhe ky është shpjegimi që i jap vetes, sa herë që shikoj në fotografitë e marra nga Gjyqi Special i Tiranës, ata burra në bankën e të akuzuarve, të shkolluar e të vendosur, me atë shprehje të kujdesshme në fytyrë, ose më shumë se kaq, të trembur në fytyrë.
Sarkazma
Kam bindjen se ekziston një nivel tjetër përtej tragjikes, që ka aftësi gërryese, acide, ku gjykimi e humbet në një farë mënyre atë solemnitetin e tij: sarkazma. Është pikërisht toni i vazhdueshëm sarkastik (pa përjashtuar humorin e hollë, ironinë dhe vetë-ironinë) që funksionon si instrument racional në duart e autorit  në këtë libër, më tepër si një betejë e brendshme psikologjike me sentimentalizmin, keqardhjen, idealizimin, fajësimin, duke afruar me përcaktimin që i bën Fjodor Dostojevski sarkazmës, si një “strehë e fundit e njeriut modest e të moralshëm,  kur privatësia e shpirtit të tij është pushtuar vrazhdësisht.”  Madje, që në hyrje, Daut Gumeni shprehet se “nëse dikush mund të shohë shumë ngjashmëri me ndonjë nga personazhet e këtyre shënimeve , nuk kam ç’t’i bëj unë që ne vdekatarët ngjajmë me njëri-tjetrin”. Ndoshta edhe qasja aspak serioze dhe indiferenca, me të cilën është trajtuar persekutimi komunist gjatë njëzet e dy viteve demokraci, nuk të lë shteg tjetër, përveçse t’i thuash ato që duhen thënë, të paketuar me një dizajn të tillë.
Nga ana tjetër, vetë ngjarjet, nuk mund t’i shihje ndryshe përveçse si një komedi e zezë: është absurde se si kryheshin ato krime monstruoze ndaj njeriut, përmes asaj propagande kaq qesharake dhe naive, të cilën, pjesa më e madhe, e besonin edhe vetë. Komanda ekzekutonte edhe macet dhe qentë e burgjeve, vetëm sepse ishin afruar me “armiqtë e popullit”. Apo se si libri “Papa Jeshil” i Asturias, hyri në bibliotekën e kampit, vetëm sepse një komandant injorant supozoi që ishte një libër kundër papës së Romës.
Shumë episode në këtë libër, si zgjedhje letrare apo jo, mbyllen po me një sarkazëm: me këngën e policëve nëpër korridoret e burgut, një lloj folku banal krahinor me të cilën ata shtynin kohën, por që si “breshka në mort” e zbusnin disi tensionin.
Objektiviteti
Një element mjaft interesant në këtë prozë dokumentare, është objektiviteti, ose aftësia për të parë dhe gjykuar kthjellët, larg çdo emocioni. Secili nga karakteret ka pikat e tij të forta dhe të dobëta. Edhe major Sala, përbindëshi i kampit të kënetës, për të cilin thuhej se kishte vrarë edhe të atin, shfaq një moment ndjeshmërie para një fëmije në takim. Po kështu, polici më sadist i një tjetër kampi, preket kur të burgosurit që mezi mbahen në këmbë para infermierisë, i lirojnë të gjithë radhën, kur ky u shfaq me të bijën e sëmurë për dore, gjë që e ndryshoi totalisht qëndrimin e tij (po të kishim të bënim me fiksion, lexuesi do të ishte më skeptik lidhur me mundësitë e reflektimit.) Një tjetri, i duhet t’i vdesë i biri, që t’i fillojë brerja e ndërgjegjes, por kjo megjithatë ndodh. Në të njëjtën kohë, po kaq i kthjellët autori shfaqet edhe me krahun e tij, me të burgosurit politikë (disa prej tyre ishin thyer para presionit), dhe që funksionin si një shoqëri brenda shoqërisë, të ndara sipas bindjeve, me jo pak divergjenca (ish) klasore, krahinore dhe nganjëherë edhe fetare, madje përballë një trajtimi të pabarabartë nga regjimi.

Related

Letërsi 5997940321370273247

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item