Të gjithë për shpëtimin dhe…suksesin e qeverisë!
Preç Zogaj Dëgjova dje kryeministrin Edi Rama duke folur për paketën fiskale para disa njerëzve kryesisht tëmoshës së tretë, që dukej qartë ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/12/te-gjithe-per-shpetimin-dhesuksesin-e.html
Preç Zogaj
Dëgjova dje kryeministrin Edi Rama duke folur për paketën fiskale para disa njerëzve kryesisht tëmoshës së tretë, që dukej qartë se ishin thirrur për të bërë popull apo rolin e popullit, tamam si publiku i pafjalë që thirret për sfond, përkundrejt një honorari modest, në disa studio televizive. Nuk e diskutoj se dëgjuesit e djeshëm të Ramës ishin aty, rreth tij e përballë tij, falas. Si parti e madhe, Partia Socialiste nuk e ka problem të gjejë anëtarë dhe vullnetarë për këtë punë. Por kjo nuk ka rëndësi. Në një moment, ndërsa po replikonte “me gjithë botën” për paketën e tij fiskale, Rama shpërtheu dhe tha se ata që janë ngritur kundër janë të frikësuar nga suksesi që do të shënojë ky buxhet! Nga gjithë ligjërata e tij “pa pikë dhe pa presje”, si në dallditë e shkrimtarit portugez Saramago, ku autori shprehet duke iu marrë fryma, kjo që opozitën e tërbon suksesi i projektbuxhetit të qeverisë ishte gjëja më e qartë dhe më e kuptueshme për pjesëmarrësit në takim. Por këtë gjë ata mund ta kishin ditur më parë: Armiqtë e kanë patur dhe e kanë gjithnjë halë në sy udhëheqësin e Partisë! Armiqtë e kanë patur dhe e kanë zakon t’i qajnë hallin kalorësit që i varen këmbët! Kjo nuk ka ndryshuar e nuk ndryshon! Medet!
Të vjen rëndë të dëgjosh kryeministrin e vendit, moshë e mesme, kontestator dhe përbuzës dikur i stilemeve të vjetra enveriste, t’i përdorë gjithnjë e më dendur vetë këto stilema në komunikimin publik. Të vjen rëndë të konstatosh se në çdo kundërshtim ai nuk po sheh arsye të palëve të tjera, prej nga mund të marrë ose jo diçka pozitive, por po sheh vetëm prapamendim, hile, sabotim, inat; në çdo dështim po kërkon ta gjejë fajin dhe përgjegjësinë jashtë vetes, tek të tjerët dhe asnjëherë te vetja, ose edhe te vetja. Brenda një kohe të shkurtër, transformimi dhe deliri i tij prej pushtetit po kapin kuotën e të pagabueshmit! (Për konsum dhe vetëpërkëdhelje propagandistike ka qejf të thotë herë pas here frazën e neveritshme “nuk jemi të pagabueshëm”, që përmban një dozë më të madhe deliri se fraza e kundërt dhe është krejt tjetër në krahasim me frazën njerëzore “kam gabuar”).
E kemi parë këtë te mënyra si u tërhoq nga afera e armëve kimike, duke mallkuar majtas e djathtas, sikur ia kishte fajin tjetërkush që i kishte hyrë detit me këmbë pa mësuar notin, siç thotë populli. E pamë përsëri para tre-katër ditësh në qëndrimin që mbajti për shtyrjen e statusit, ku nuk gjeti asnjë arsye për be që të kishte lidhje me qeverisjen e tij tremujore, por iu përvesh Europës pa pikë takti, pa pikë modestie, urtësie dhe realizmi, si të ishte një komentues i zemëruar në internet dhe jo kryeministri i një vendi të vogël kandidat që e ka integrimin jetë, histori. Të njëjtën mendësi të trajtimit të kundërshtimit si sabotim, keqdashje dhe smirë nga suksesi tij e shpalosi dje në qëndrimin ndaj kritikave dhe kundërshtimeve për projektbuxhetin. Mjetet e analizës politike dhe publicistike po më janë të pamjaftueshme për të shpjeguar trajtat gjithnjë e më të rënda që po merr kjo mënyrë të menduari e kryetarit të Këshillit të Ministrave. Ndoshta do të duhet dija e një fushe tjetër që unë nuk e zotëroj. Por le të qëndrojmë në fushën tonë të politikës dhe logjikës.
Në parim, kompanitë dhe bizneset private e kundërshtojnë paketën fiskale dhe projektbuxhetin për interesat e tyre. Kjo është normale, e natyrshme. Një qeveri demokratike nuk gjen e nuk duhet të gjejë asgjë të djallëzuar në përpjekjet e sipërmarrjes për të ruajtur e shtuar fitimet e veta. Në të kundërtën, qeveria duhet t’i respektojë pa kushte ekzigjencat e biznesit dhe kur vendos të vërë dorë mbi to duhet të jetë shumë e hapur dhe luajale.
Në parim, opozita e ka për detyrë të shfaqë dhe regjistrojë kundërshtimin e saj për çdo akt të qeverisë që ajo e konsideron të papranueshëm, të rrezikshme. Politika në këtë rrafsh është edhe një lloj basti mes forcave politike kundërshtare. Opozita jonë e qendrës së djathtë e ka për detyrë gjithashtu të tregojë identitetin e vet politik në debatin për projektbuxhetin, duke i rezervuar kriticizmin e saj më të thellë, si projektbuxhet i një të majte të stampës së vjetër, thellësisht etatiste, libreske dhe amatoreske, të tejkaluar në Europë, që as Shqipëria nuk e ka patur gjatë këtyre dy dekadave të shoqërisë së hapur. Partia Demokratike në opozitë po e bën këtë.
Por përtej parimeve në fjalë, kësaj radhe kemi një situatë pa precedent. Është e gjithë sipërmarrja kundër paketës fiskale. Është e gjithë sipërmarrja e alarmuar, e frikësuar. Kundërshtimi i saj nuk është ai i kalkulimeve me presje dhjetore për normën e fitimit, por është ekzistencial, është për mbijetesë, për jetë a vdekje. Rritja e me dorë të rëndë 50 për qind e tatimit mbi fitimin, plus kostot që do të vijë nga efekti zinxhir i rritjes së taksave të tjera, janë jo vetëm një fyerje e pashembullt për sipërmarrjen shqiptare, por edhe një kërcënim real për rrudhjen, mehjen, zvogëlimin dhe falimentimin e qindra bizneseve. Qeveria nuk e rrit, fjala vjen, taksën nga 10 në 11 për qind, por drejt e në 15 për qind, a thua se biznesi po jeton periudhën e lulëzimit dhe superfitimeve. Opozita politike shihet se është në një gjatësi vale me sipërmarrjen, por duke e parë çështjen në rrafshin makroekonomik. Ç’do të bëhet me këtë vend ku qeveria, në vend që të luftojë evazionin, ka vendosur të stërmundojë ata që paguajnë, duke projektuar me mendjelehtësi një piramidë të vërtetë financiare që nuk mund të mos shpërthejë? Ç’do të bëhet me këtë vend ku qeveria bën hesape me kokrrat e pemëve në bazë të prodhimit të derisotëm, por duke i lënë vetë pemët të thahen? Ky është shqetësimi i madh që nuk ka të bëjë normalisht me lojën e zakonshme politike të partive, por me fatin e ekonomisë, domethënë të stabilitetit. Kundërshtimi i projektbuxhetit nga sipërmarrja dhe opozita politike kësaj radhe kanë një pikë takimi: nevojën për të shmangur kolapsin, që do t’i merrte me vete të gjithë; nevojën për të shpëtuar sistemin që na duhet të gjithëve. Pra janë të frikësuar jo nga suksesi i Ramës, por nga dështimi i tij.
Në asimetri me shefin e ekzekutivit, po dje, menjëherë pas Ramës, dëgjova kryetarin e PD-së, zotin Basha që po thoshte në takimin e tij të radhës me grupet e interesit se suksesi i qeverisë është një interes publik që opozita e mbështet. E kam dëgjuar edhe më parë zotin Basha të shprehë koncepte të tilla bashkohore. Kjo nuk është e zakonshme, e di edhe unë. Kjo është e pazakonshme, po të mbajmë parasysh faktin se opozitat në Shqipëri e kanë ndërtuar e arritur suksesin kryesisht me vota proteste kundër qeverisë dhe jo me vota besimi ndaj programit të tyre. I fundit Rama, duke dashur të lajë duart me premtimet e tij të fryra elektorale që s’do të mund t’i mbajë kurrë, nuk ka numëruar asnjë votë besimi për veten e tij në ato një milion vota që thotë se ka marrë, por vetëm shuplaka për ish-kryeministrin Berisha. Mos po troket një erë e re me suksesin që Basha i dëshiron qeverisë? Pse jo? Por në këtë moment unë do ta lidhja këtë qëndrim të ri para së gjithash me kohërat e vështira që po kalojmë e po trokasin, me rënin e ekonomisë poshtë e më poshtë, me të panjohurat e borxhit të rritur frikshëm, me shtyrjen e statusit që nuk e kemi të sigurt as pas gjashtë muajsh, me cektësinë dhe megalomaninë që po tregojnë krerët e shumicës Rama dhe Meta, me rënien e përshpejtuar të kredencialeve të Ramës në Uashington, në Bruksel, në opinionin e brendshëm dhe madje edhe në partinë e tij… Edhe po ta shohim çështjen në rrafshin e ngushtë të rivalitetit, Rama nuk tremb me atë që dikur konsiderohej forca e tij, por tremb me dobësinë e tij. E cila është dobësi e qeverisë si interes publik.
Paradoksalisht , edhe pse nuk thuhet shumë hapur, të gjithë duan në njëfarë mënyre vazhdimin e tij, shpëtimin e qeverisë së tij, suksesin e qeverisë së tij. Jo rastësisht me sa duket, në dy-tre raste shefi i opozitës Basha ka dekurajuar e ndoshta edhe refuzuar kërkesa apo opsione të shprehura nga individë me peshë brenda Partisë Demokratike për të kërkuar dorëheqjen e Ramës apo për të ngritur në këmbë lëvizje të tipit “Rama ik”. Refuzimi nuk ka të bëjë, mendoj unë, thjesht me faktin se është shpejt, megjithëse koha ka rëndësi në vendimmarrje të tilla. Shqipëria ka nevojë të qeveriset. Shqipëria ka nevojë të mbajë në stabilitet financat dhe të rimarrë ngritjen graduale. Shqipëria ka nevojë të marrë statusin e vendit kandidat. Opozita nuk mund të mos jetë shumë e ndjeshme për këto çështje dhe nuk mund të mos kuptojë pozitën e saj si opozitë e re që ka qeverisur përgjatë tetë vjetëve. Në mungesë të një zgjidhjeje gjermane, që do të shkulte e largonte shtyllat e malavitës nga jeta politike dhe do të përshpejtonte disafish integrimin e vendit në Europë, zgjidhje që nuk është varur as dje dhe nuk varet as sot nga opozita, Rama mbetet alternativa e votuar e së majtës. Në një mënyrë a tjetër, të gjithë duan që ai të mos mbyllet e mbetet në rrethin e gabimeve dhe dështimeve të veta. Por është e qartë se të gjithë do ta kenë të vështirë nëse Rama nuk merr pjesë e nuk bën më të mirën e mundshme për suksesin e tij. Ai duhet të mësojë të dëgjojë me respekt palët përballë dhe të reflektojë pa sedër të sëmurë ndaj propozimeve të tyre. Pse do të kishte lindur parimi i konsultimit me grupet e interesit nëse qeveritë do të qëndronin si mushka në zgjidhjet e tyre, pa lëvizur asnjë milimetër?