Njerëzit e famshëm që u shuan në 2013-n

Nga Thetçër e Andreoti e deri tek Trebicka, Pelingu dhe Olldashi në Shqipëri Revista prestigjioze TIME në numrin e saj të fundit ka bërë një...

Nga Thetçër e Andreoti e deri tek Trebicka, Pelingu dhe Olldashi në Shqipëri

Revista prestigjioze TIME në numrin e saj të fundit ka bërë një homazh për figurat publike që humbën jetën gjatë vitit 2013. Revista duke kujtuar disa nga njerëzit më me ndikim dhe tepër kontradiktorë, të cilët u ndanë nga jeta këtë vit, ka bërë nga një profil special për secilin nga këto figura. Që nga Hugi Çavez, Margaret Thetçer, Nelson Mandela, e deri tek Pol Uolker. Gazeta “Tirana Observer” duke botuar suplementin e revistës amerikane, bën një homazh edhe për figurat publike shqiptare që humbën jetën gjatë këtij viti. Që nga Sokol Olldashi, aktorja e madhe Drita Pelingu e deri tek Gjosho Vasia.
 *******
Hugo Çavez
President i Venezuelës, 58-vjeç
Ashtu si idhulli i tij, Fidel Kastro, edhe Presidenti i Venezuelës, Hugo Çavez, ishte njëri nga liderët më fjalëshumë e luftarakë që Amerika Latine ka njohur ndonjëherë. Kjo e bën edhe vdekjen e tij në 5 Mars, në moshën 58-vjeçare, pas një lufte të gjatë e të fshehtë kundër kancerit, një realitet të papajtueshëm nga shumë ndjekës të tij. Çavez, sundimi 14-vjeçar i të cilit e ekspozoi atë si një figurë të zhurmshme dhe të gjithëpranishme në Venezuelë dhe në mbarë Amerikën Latine me të njëjtën bujë që kishte muzika salca e kërcyer nëpër trotuare, e la skenën e politikës dhe të jetës me një heshtje jokarakteristike pas një periudhe tre-mujore të mungesës së tij në daljet publike. Hugo Çavez pëlqente ta quante veten “socialisti i shek. të 21-të”, dhe shpresonte se duke qenë i zgjedhur në mënyrë demokratike, do të mund të rrëzonte faktin e përfolur se ai nuk qeverisi edhe aq në mënyrë demokratike. Ai pati një karrierë politike që ngjasoi me një kthim prapa në socializmin dogmatik dhe autoritar të Fidel Kastros, së shekullit të 20-të, gati me një frekuencë të shek. të 19-të, ku impostimi prej gjysmëperëndie e Çavezit, të kujton heroin e Amerikës Jugore të luftës për pavarësi, Simon Bolivar-in. Kritikët e panë atë si një populist vulgar. Mbështetësit, për kontrast, e vlerësuan atë për rrëzimin e oligarkisë së korruptuar kriminale të Venezuelës, duke e orientuar pasurinë nga nafta në drejtim të krijimit të një dritareje të re ndryshimi për të varfërit, duke krijuar një mundësi për të majtën në Amerikën Latine. Ende sot, pavarësisht trashëgimisë që Çavez-i lë pas, Uashingtoni dhe pjesa tjetër e botës ka nevojë të kujtojë arsyet e tij të pagabueshme që e çuan në majë, si një dështim për ta, në rrugën e krijimit të institucioneve demokratike në Amerikën Latine për të mbyllur hendekun e pasurisë së papërmbajtur që vihej re në atë rajon. Kjo e “çarë” vazhdon edhe sot, si një arsye se pse edhe kujtimi i Çavez-it është ende aty.

Xhulio Andreoti
Politikan, 94 vjeç
Xhulio Andreoti (14 janar 1919 – Roma, 6 maj 2013), ishte një prej politikanëve më jetë gjatë dhe më të njohur në Itali. Ai ka shërbyer shtatë herë si kryeministër i shtetit fqinj, në segmente të ndryshme kohore, në periudhën mes viteve 1972-1992. Andreoti ka qene disa here edhe ministër, duke drejtuar diplomacinë italiane, apo edhe mbrojtjen. Politikani veteran ishte zgjedhur edhe senator i përjetshëm në dhomën e lartë të Parlamentit italian. Xhulio Andreoti njihet edhe për rolin e tij si një prej liderëve më të përsosur të Partisë Demokristiane, forcë politike që qeverisi Italinë për shumë vite. Megjithatë, karriera e Andreotit është shoqëruar edhe me faza të errëta, siç janë dyshimet që e lidhën me mafian siçiliane, “Koza Nostra”. Ndonëse nuk u provuan kurrë, për shumë kohë, në Itali pati dyshime se ai kishte lidhur një pakt me mafian dhe se ishte takuar edhe me kreun e saj, Salvatore Rinën. Emri i tij u lakua gjerësisht edhe si një prej qeveritarëve që pati gisht në vrasjen nga mafia të gjeneralit Karlo Alberto Dala Kieza në vitin 1982, si dhe në rrëmbimin e ish-kryeministrit dhe kreut të demokristianëve, Aldo Moro nga Brigadat e Kuqe. Megjithë akuzat, edhe pse u dënua me 25 vjet nga gjykata e shkallës së parë për lidhjet me mafien, ai u lirua nga gjykata e apelit.

David Frost
Gazetar, 74-vjeç
David Frost, i cili u nda nga jeta në 31 gusht në moshën 74-vjeçare, ishte më shumë se sa thjesht njeriu që intervistoi Presidentin Nikson. Ai zhvilloi një karrierë në Mbretërinë e Bashkuar duke i shfrytëzuar të gjitha mundësitë që të ofron televizioni duke drejtuar programin e tij satirik “Kjo ishte java që ishte” (That Was the Week That Was) një zhanër argëtues i shoqëruar nga intervista politike serioze. Por programi që mban ‘firmën’ e tij, seria e intervistave me ish-Presidentin në vitin 1977, e cila u shndërrua në intervistën politike më të shikuar ndonjëherë, rezultoi si një kombinim i shumë aspekteve që përbënin karrierën e tij. Ajo intervistë ishte pjesërisht, gazetari hetuese, hetim psikologjik, pjesërisht dramacitet dhe një ton i mirë teatral. Intervista shumëpërmasore u paraqit në formën e një kronike kinematografike në vitin 2008, me emrin “Frost-Nikson Movie”, i cili rezultoi si një pyetësor i gjatë mbi çështjen e ‘tradhëtisë’ së Niksonit ndaj besimit publik që kishte krijuar. Frost gëzonte një reputacion prej një komunikuesi të mprehtë, por me Niksonin ai u tregua i njëtrajtshëm, i vendosur, e ndoshta i pazakontë për kontekstin e një klime të ngutshme ndërveprimi dhe të paduruar, deri edhe zhbiruese të komunikimit televiziv. Reputacioni që Frost kishte krijuar mund t’i ketë dhënë atij mundësinë e intervistës por ai e tregoi veten si një gazetar. Ndikimi i tij më i qëndrueshëm ishte me kameran e ndezur, sa ashtu i natyrshëm sa bëhej, dëshmonte për të se një terren interviste mund të ishte njëherësh një skenë televizive dhe një sallë gjyqi.

Xhejms Gandolfini
Aktor, 51-vjeç
Një ditë, në vitin 1999, Xhejms Gandolfini, teksa bënte një shëtitje me kostum banjoje në një rrugicë me pemë, u përkul të merrte një gazetë dhe që prej aty e ndryshoi përgjithnjë ekranin e televizionit. Nëse më pas dikush nga ju e ka ndjekur serialin “HBO drama”, i cili nga emri të duket sikur ke të bësh me ndonjë opera, atëherë me siguri që do të kesh kuptuar se sa talent ka humbur bota në momentin që ai u nda nga jeta, papritur dhe shumë herët, në moshën 51-vjeçare, në 19 Qershor, në Romë. Por me performancën e tij të fuqishme, karizmatike, të hollë dhe të mprehtë të një gangsteri periferie, Gandolfini e ndryshoi fytyrën e televizionit, edhe sikur të mos e kesh parë për asnjë minutë të vetme filmin e tij “The Sopranos” (Sopranot). Pa “Sopranot”, i cili u shndërrua në një fenomen të kulturës popullore, duke rrëfyer një histori tmerrësisht të sofistikuar, është e vështirë të imagjinosh sot besimin e shumëpërhapur se televizioni mund të jetë po aq i pasur, madhështor, i përshtatshëm prekës, bisedor dhe domethënës sa një film apo novelë bashkëkohore. Për t’u rikthyer tek ai, Gandolfini, ishte thjesht një djalosh që të ngjasonte me një titan nga Nju Xhërsi, kokëfortë dhe i frikshëm, për rrjedhojë edhe shumë ironik kur e shihje të strukur në ndonjë kolltuk në zyrën e një terapisti. Por nga personazhi i Tonit ai menjëherë reflektoi inteligjencën, trishtimin, frikën e tij, keqardhjen ndaj vetes. Në sytë e këtij karakteri Gandolfini mund të përqendronte të gjithë fizikalitetin e Tonit, dinakërinë e tij kriminale. Do të kishte qenë mjaft e lehtë për Gandolfinin të na bënte të kishim frikë nga Toni Soprano. Ai mund të ishte një mashtrues i zoti sallonesh mondane (aristokratike) duke na bërë ta dashuronim atë nga një moment në tjetrin. Xhejms Gandolfini, na bëri ta kuptonim Tonin bashkë me ligësinë e tij patetike dhe karizmatike. Pa dyshim që kjo mund të konsiderohet fryt i një artisti.


Peter Kaplan
Redaktor i New York Observer, 59-vjeç
Peter Kaplan dukej si një njeri i mbërthyer në kohë, por krijoi atë kulturë raportimi në ato faqet bojë rozë të publikimeve të tij të New York Observer, për të cilën ai shërbeu si redaktor për 15 vjet. Në të ai çdo javë ‘shkoi në hell’ të gjithë klasën elitare për hir të një grupi tjetër elitar. Njerëzit prisnin që ai të shfaqej çdo të enjte, për të parë se ‘kush ishte ngritur’ e ‘kush ishte rrëzuar’, duke e përjetuar këtë fundit me një ndjenjë kënaqësie dhe shije gëzimi. Por Peter, i cili ndërroi jetë në 29 Nëntor, në moshën 59-vjeçare, rikrijoi atë formë gazetarie apo publicistike të mbështetur tek raportimi real, tek një këndvështrim i fuqishëm, tek një mënyrë e zgjuar të shkruari dhe tek përpunimi i titujve të mprehtë e të mençur. Ai ngjasonte me një antropologjist të New York-ut të fundit të shek. të 20-të, me një sens maniak argëtimi dhe dëfrimi të ngjashëm me atë të vëllezërve komikë Marks (Marx Brothers). Ai besoi deri në fund se gazetaria ishte një “thirrje fisnike”, dhe një mënyrë sado e papërkryer, për të mbërritur tek e vërteta.

Nelson Mandela
Ish-President i Afrikës së Jugut, 95-vjeç
Nelson Mandela kishte gjithmonë një mungesë rehatie kur fliste për vdekjen e tij. Kjo nuk ndodhte sepse ai kishte frikë apo dyshime, por sepse Mandela, i cili ndërroi jetë në 5 dhjetor 2013, në moshën 95-vjeçare, ndjente mungesë rehatie sepse e kuptoi se njerëzit e tij prisnin që ai të mbante fjalime moralizuese për vdekjen, ndërkohë që ai të tilla nuk kishte aspak. Ai ishte një njeri krejtësisht i pandjeshëm rreth vdekjes. Nëse do ta pyesje për vdekshmërinë e tij si figurë aq e bujshme, ai do të kishte pohuar se vdekja do të ishte vetëm një ribashkim me paraardhësit e tij. Siç do të shprehej vetë Mandela: “Njerëzit vijnë dhe shkojnë, ashtu edhe unë kam ardhur dhe do të largohem kur të më vijë momenti”. Mandela mund të kishte qenë një njëri më i ndjeshëm, nëse nuk do t’ia kishin shkulur me pahir pjesën më të madhe nga zemra. Mes tyre: Lirinë e tij. Aftësinë për ta zgjedhur vetë rrugën e jetës e për të vendosur për veten. Djalin e tij më të madh. Dy stërnipërit. Asgjë në jetën e tij nuk qe e përhershme sa shtypja që ushtruan mbi të dhe popullin e tij. Aq sa çdo gjë që mund të ketë pasur, ai e sakrifikoi për lirinë e njerëzve të tij. Por as rojet e pagdhendur të burgut, as qelia e vogël dhe as liderët e bardhë e të pacipë që e kryesuan regjimin e aparteidit nuk mundën t’ia merrnin krenarinë, dinjitetin dhe ndjenjën e tij të drejtësisë. Në aq shumë mënyra, imazhi i Nelson Mandelës është kthyer në një lloj përralle sipas së cilës ai konsiderohet si fisniku i fundit, një figurë arritjesh heroike. Ashtu siç do të pranonte edhe ai vetë, Mandela nuk ishte një shenjtor. Por si revolucionar i ri, nuk ka dyshim që ishte i zjarrtë dhe i potershëm, aq sa do të pranonte se mospërdorimin e dhunës e konsideronte si një taktikë, por jo si parim. Nëse ajo do të ishte mjeti më i suksesshëm për të arritur lirinë e popullit të tij, ai do ta kishte përqafuar, nëse jo, do ta kishte braktisur me patjetër. Ashtu siç bëri.

Margaret Thetçer
Ish-kryeministre e Britanisë, 87-vjeç
Çfarëdo që mund të keni menduar për Margaret Theçer, e cila hyri në zyrën e Kryeministres nga viti 1979 e deri në vitin 90’, ish-Kryeministrja, e cila ndërroi jetë në 8 prill, pas një goditjeje në tru, në moshën 87-vjeçare, tërhoqi njëherësh mbështetjen pasionante dhe urrejtjen e thellë, aq sa ishte e pamundur të dyshoje për forcën e vullnetit të saj. Zonja e Hekurt e shfaqte gjithnjë temperamentin dhe guximin e saj, duke e shkundur Britaninë, shpeshherë brutalisht, nga një gjendje e sëmurë dhe nga ndjenja gjithëpërfshirëse e dështimit, e cila e kishte dëmtuar atë për pjesën më të madhe të viteve të pas fundit të Luftës së Dytë Botërore. Kjo nuk do të thoshte se ajo do të dilte kundër vetëm ndaj kundërshtarëve të saj politikë, por edhe ndaj zërave kritikë që ndodheshin brenda partisë së saj. Përgjatë viteve 1980-të, ajo u bë mikesha shpirtërore ideologjike e Presidentit amerikan të asaj kohe, Ronald Regan, dhe së bashku ata rifreskuan konservatorizmin politik. Si femra e parë në krye, jo vetëm të Britanisë, por në një sens tjetër, edhe të çdo demokracie industriale, Thetçer farkëtoi një imazh dhe një model, me të cilin çdo grua, kudoqoftë, të mund ‘të maste’ ambiciet e veta.

Pol Uolker
Aktor, 40-vjeç
Nga Justin Lin*
“Kishim 48 orë të mbetura përpara se të fillonim xhirimet për Fast and Furious, dhe një buxhet prej 3 milion dollarësh. Pol u shfaq në sheshxhirim në ditën e parë, dhe ne u futëm në rimorkion time derisa e dërgova atje për të realizuar skenën me ndjekje. Ai buzëqeshi dhe tha: “E mahnitshme”, dhe më pas u larguam. Përgjatë turit mediatik të promovimit të Fast and Furious, ndodheshim në bar në Moskë, ku bënte një dimër të frikshëm. Pol dhe unë vendosëm të hidheshim e përdridheshim, në mënyrë që të stimulonim pak nxehtësi. Ja çfarë të ndodh kur ke Pol-in me vete, ai nuk të lë të bësh asnjë lëvizje qesharake dhe budallaqe i vetëm. Ishte gjithnjë aty, pavarësisht çdo gjëje. Nuk do të zgjaste shumë, kur të gjithë ata që ishin brenda në pijetore, do të bashkoheshin me ne, duke bërë të njëjtat lëvizje idiote në mes të borës. Ne u kthyem nga Mbretëria e Bashkuar e mbytur në shi, aq sa na u duk që edhe këtë të fundit e morëm me vete. “Luftuam” me motin për tre ditë me radhë, për ta mbyllur turin sa më mirë të ishte e mundur. Me 20 minuta në dispozicion për të xhiruar paksa, kishim për të filmuar një skenë të rëndësishme barbekuje. E dija që ajo do të ishte skena e fundit e xhiruar për ‘Fast ekskluzive’, dhe doja që të ishte e veçantë. Në momentin që na u fikën dritat në fundin e xhirimit, i hodha kufjet i xhindosur dhe me nervozizëm, dhe u largova për të mbledhur veten. Isha më shumë se ‘i fikur’. E vetmja gjë tjetër që di, është se ndjeva dy krahë që më përqafonin. Ishte Paul-i. Ai më thotë “Faleminderit”, dhe u largua ashtu pa zhurmë. Ky ishte momenti i fundit që ndava me Pol-in në sheshxhirim, dhe të them të drejtën mendoj se Pol ishte gjithçka që kalova me të deri tek ai përqafim.
*Lin drejtoi katër e filmat e fundit të sagës Fast & Furious

Figurat publike që u shuan në Shqipëri gjatë këtij viti
Sokol Olldashi
Politikan, 41 vjeç
Sokol Olldashi ishte një ndër politikanët më të spikatur jo vetëm të Partisë Demokratike, por i gjithë klasës politike. Ai u përfshi me lëvizjen e dhjetorit në vitin ’90, ku që në atë kohë ai u bë anëtar i Partisë Demokratike si dhe anëtar i mbledhjes themeluese të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. I ardhur nga gazetaria, Olldashi hyri që herët në politikë, përmes strukturave të PD, për të qenë një ndër zërat më të fuqishëm në këtë parti, një polemist shumë i zoti dhe një zë ndryshe dhe në Partinë Demokratike në të cilën ai u rrit si politikan. Nga Maji i vitit 2002 deri më Shtator të 2007-ës, Olldashi mbajti postin e Kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Në vijim, nga muaji maj 2005-Maj 2009 ai ka qenë Kryetar i Partisë Demokratike të Tiranës si dhe anëtar i Kryesisë së PD-së që nga viti 2002. Gjithashtu nga qershori i vitit 2001, Olldashi ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një herë përfaqësues i qarkut të Durrësit dhe në dy legjislaturat e fundit përfaqësues i qarkut të Fierit. Gjatë karrierës së tij politike, Olldashi ka mbajtur postin e Ministrit të Brendshëm, gjatë drejtimit të së cilës ai shënoi suksese të rëndësishme në luftën kundër bandave më të rrezikshme kriminale. Ai ka mbajtur gjithashtu postin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, duke shndërruar infrastrukturën rrugore së Shqipërisë në një infrastrukturë me standarde europiane. Ai vdiq më 20 nëntor 2013 në një automobilistik në Krrabë. Jeta e tij u shua në moshën 41-vjeçare.

Roland Trebicka
Aktor, 66 vjeç
Roland Trebicka (lindi më 1947 në Korçë – vdiq më 6 mars 2013 në Tiranë) ishte një aktor shqiptar i nderuar me çmimin Artist i Merituar. Kur ishte i ri punoi si aktor në Estradën profesioniste të SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore) ose shkurt “Estrada e Ushtarit”. Gjatë këtyre viteve në këtë trupë profesioniste debutuan edhe aktorë të tjerë të cilët më vonë do të bëheshin të famshëm ne fushën e humorit skenik dhe televiziv si Aleko Prodani, Koço Devole, Zef Deda, Sejfulla Myftari (Cekja), Mehdi Malkaj, Behar Mera, etj. Në vitin 1971 u bë pjesë e Teatrit Kombëtar (i njohur atëherë si Teatri popullor). Punoi në Teatrin Kombëtar deri më 1999. Pas një përvoje tri vjeçare me kompaninë “Publimedia”, u rikthye në Teatrin Kombëtar. Kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë Pallati 176. Mjeshtëria e tij në këtë rol ndikoi fort që komedia të thyejë të gjitha rekordet e mëparshme të shikueshmërisë. Edhe sot, me 500 shfaqje në shtatë vjet, me dhjetëra transmetime TV dhe dhjetëra mijë kopje videokasetash të shitura, “Jovan Bregu” është figura më popullore e skenës shqiptare, batutat e të cilit prej kohësh janë bërë pjesë e folklorit dhe zhargonit të sotëm. Por rolet e Trebickës në teatër janë të shumtë. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek “Magjia e madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori” (“Revizori”)…. tek “Një burrë me trandafil”. Në vitin 2002, për rolin e Rojës tek “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për Çmimin “Aktori më i Mirë Mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, në Kajro. Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Ishte kjo përvojë që shënoi kursin që do të merrte më vonë jeta e djaloshit korçar. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden Ëndërr për një karrige (Vaska) dhe Koncert në vitin 1936 (Nasi). Në vitin 2011 u sëmur rëndë nga një sëmundje në mushkëri që e detyroi të rrijë larg skenës rreth dy vjet. Është nderuar me titullin Artist i merituar dhe Qytetar nderi i Korçës. Vdiq nga kanceri në mushkëri më 6 mars 2013.
Drita Pelingu
Aktore, 87 vjeç
Drita Pelingu njohur edhe si Drita Pelinku (3 dhjetor 1926, Vlorë – 2 tetor 2013, Tiranë) ishte një nga aktoret më të shquara të skenës shqiptare, regjisore dhe pedagoge. Kreu shkollën e femrave Nana Mbretneshe në vitin 1944 dhe më pas vazhdoi shkollën e artit Jordan Misja për teatër ku ishte e vetmja femër. Filloi punën si aktore profesioniste në Teatrin Kombëtar në vitin 1946. Nga viti 1976 ka dhënë mësim mbi artin skenik në Akademinë e Arteve.[1] Në vitin 1982 bëri debutimin në skenën e Teatrit Petro Marko të Vlorës si regjisore me dramën Pavdekësia. Disa nga komeditë dhe dramat e para ku ajo ka interpretuar në teatrin shqiptar. “Rëshqitja”, “Arturo Ui”, “I çuditëshmi”, “Zonja e Bujtinës”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Artani”, etj. Në kinematografi ajo u shfaq fillimisht me një rol të vogël tek “Tana” (1958), e më pas tek “Njeriu me top”, “Kur hidheshin themelet”, ku interpreton rolin e Budës, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Radiostacioni”, “Përtej mureve të gurta”, “Fjalë pa fund”, “Shpresa”, etj. Si aktore e teatrit dhe kinematografisë numëron mbi 150 role, ndër të cilët më shumë se gjysma janë kryerole femërore të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore. Si një nga themelueset e Teatrit Kombëtar ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm është si autore e shumë botimeve biografike për artistë të skenës shqiptare. Për kontributet e saj të veçanta Drita Pelinkut iu akordua nga Presidenti i Republikës urdhri “Mjeshtre e madhe”, “Çmimi i Karrierës” dhe gjithashtu titulli “Artiste e Merituar” (1986), çmimi “Ismail Qemali” (1996), ndërsa Bordi Drejtues i Institutit Amerikan të Biografive e pati zgjedhur ndër 500 udhëheqësit më me influencë në botë. Qyteti i lindjes e ka çmuar si Qytetare Nderi të Vlorës dhe Presidenti i Republikës pati akorduar titullin më të lartë “Nder i Kombit”.

Artan Bushati
Sportist, 50 vjeç
Artan Bushati lindi në Shkodër në 9 Tetor të vitit 1963. Ai është një figurë shumë e njohur në rrethin futbollistik në Shqipëri. Gjatë karrierës së tij si trajner futbolli, përveç skuadrës kombëtare U21, ai ka drejtuar edhe skuadrën e vendlindjes së tij, Vllazninë e Shkodrës. Bushati ka qenë dhe trajner i ekipit të Elbasanit, ekip të cilin e nxori nënkampion të vendit. Gjatë pesë viteve që Kombëtarja Shpresa drejtohej prej tij, ka arritur rezultate pozitive dhe ka nxjerrë një sërë lojtarësh, të cilët i kanë shërbyer dhe ekipit Kombëtar të Shqipërisë. Gjatë karrierës së tij, Bushati ka të regjistruar emrin dhe në drejtimin e Kombëtares në njërën prej ndeshjeve më historike të vendit tonë, miqësoren mes ekipit të Milanit. Bushati si figurë e nderuar e qytetit të Shkodrës, në zgjedhjet e fundit parlamentare, ka marrë pjesë si kandidat për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, por pa arritur të marrë mandatin e deputetit. Ndahet nga jeta më 30 gusht 2013.
Antoneta Papapavli
Aktore, 75 vjeç
Aktorja e njohur shqiptare Antoneta Papapavli u largua nga kjo jetë duke marrë me vete dy dhimbje të mëdha, humbjen e të birit dhe të bashkëshortit. Iku në heshtje dhe pa bujë, teksa kishte 23 vjet qe i mungonte skenës dhe publikut, kohë gjatë së cilës ka qenë e sëmurë. Antoneta Papapavli lindi më 17 shkurt 1938 në qytetin e Përmetit. Studimet i kreu në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, dega e dramës dhe u emërua aktore në Teatrin Popullor më 1964. Kishte mbi 20 vjet karrierë artistike, ka interpretuar dhjetëra role në teatër dhe në filmin artistik shqiptar. Ajo mbahet mend me rolet në teatër si Olimbia tek “Karnavalet e Korçës”, Drita te “Drita”, Mara te “Toka jonë”, Deizi tek “Arturo Ui”, Bajamja te “Fytyra e dytë”, Ledi Milford tek “Intrigë dhe dashuri”, etj. Në kinematografi ka luajtur tek filmat, “Kur ndahesh nga shokët” – nëna e Zanës, Sania tek “Hije që mbeten pas”, drejtoresha tek “Shoku ynë Tili”, “Kur hapen dyert e jetës” -nëna e Lizës, “Hije që mbeten pas” – Sania, nëna e Marjetës, “Nxënësit e klasës sime”- Vangjelia, bashkëshortja e Kristoforit, “Apasionata” – Profesorja e Mirës, “Shoqja nga fshati” – Lefka, etj. Ngjitja e saj e fundit në skenë është në komedinë “Pallati 176”, ku interpreton rolin e nënës së Elsës, në variantin e dytë të komedisë. Adhuruesit e kinemasë e kujtojnë atë me batutën “Thesin Aga!” në filmin “Përballimi”. Për aktivitetin e saj artistik është nderuar me titullin “Artiste e Merituar”, me Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi I dhe dekorata të ndryshme.

Alfred Ziaj
Futbollist, 52 vjeç
Futbolli shqiptar në 2013-ën humbi një nga simbolet e tij, humbi ish-legjendën së Flamurtarit, Alfred Ziaj. Ish-ylli e viteve ’80 kishte një sëmundje të rëndë në mëlçi, çka i solli dhe vdekjen. Ziaji ka qenë një prej figurave më të njohura të futbollit në vend. Pas karrierës si lojtar, ai i qëndroi pranë këtij sporti, duke qenë edhe president i Shoqatës Kombëtare të Minifutbollit. Prej postit të lartë në futbollin e sallave, ai ishte edhe pjesë e Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Gjosho Vasia
Aktor, 84 vjeç
Gjosho Vasia ka qenë një ndër humoristët e veçantë shqiptar, i dalluar për mimikën e tij dhe gjestikulacionet. Aktori i njohur i humorit shkodran, Gjosho Vasija ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare. Ai prej shumë vitesh ka jetuar së bashku me familjen e tij në Trieste të Italisë, aty ku dhe ka ndërruar jetë. Bëhet e ditur se Vasia vuante nga një sëmundje kronike prej kohësh. Artisti shkodran do të kujtohet si mjeshtri i parodisë, alegorisë, por edhe i poezisë me nota ironike e sarkazme. Vasia ka qenë një ndër humoristët e veçantë shqiptar, i dalluar për mimikën e tij dhe gjestikulacionet. Gjosho Vasija ishte një meteor i humorit shkodran, që falë personalitetit dhe karakterit të fuqishëm, jo vetëm diti t’i rezistojë me fisnikëri përpjekjes së egër të diktaturës komuniste, e cila nëpërmjet internimit u përpoq ta mposhtë dhe ta denigrojë figurën e tij, por përkundrazi Gjosho Vasija me humorin e tij u dha gëzim, dritë dhe shpresë njerëzve të thjeshtë dhe bashkëvuajtësve të tij, jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por në të gjithë vendin. Gjatë dekorimit si “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Gjosho Vasia u shpreh: “Gjashtëdhjetë vjet në skenë jam munduar që t’i mbush shpirtin me gaz popullit që e kishte barkun bosh.
Minella Borova
Aktor, 66 vjeç
Minella Borova, është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë. Aktori u shua në Buenos Ajres të Argjentinës, ku jetonte me familjen e tij prej vitit 1993. I lindur në shkurt të vitit 1947 në qytetin e Korçës, Borova studioi në Akademinë e Arteve për aktor. Ai punoi për 10 vjet pranë teatrit te qytetit te tij, më pas për 14 vjet, ishte pedagog në Akademinë e Arteve. Duke realizuar rreth 50 role në skenën e teatrit, dhe mbi 30 personazhe në kinema, Borova kujtohet nga te gjithë për filma te suksesshëm dhe karaktere plot humor e satirë si te “Rrugë të Bardha”, “Në fillim të Verës”, “Udhëtim në Pranverë” apo “I paharruari”.

Related

Video 2406161721254516629

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item