DOSSIER/ Aventura shqiptare e të madhit Bill Tilman: Kur malet dhe njerëzit takohen (FOTO)
Nga Auron Tare “Ishte një natë e ngrohtë gushti e vitit 1943, kur nga barku i avionit anglez “Halifax” u hodha me parashutë mbi një grumbull...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/12/dossier-aventura-shqiptare-e-te-madhit.html
Nga Auron Tare
“Ishte një natë e ngrohtë gushti e vitit 1943, kur nga barku i avionit anglez “Halifax” u hodha me parashutë mbi një grumbull malesh të panjohura për mua deri më atëherë. Zjarret e ndezura si sinjalet për ne, ishin mjaft larg dhe na u desh të ecnim gjatë për të takuar mikpritësit tanë, partizanët shqiptarë”.
Me këto fjalë, majori britanik Tilman, i fillon shënimet e tij për aventurën shqiptarë të titulluar: “Kur malet dhe njerëzit takohen”.
Por, mikpritësit e tij nuk mund ta dinin kurrsesi se atë natë gushti në malet e ashpra shqiptare, ata kishin pritur një nga eksploratorët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, William “Bill” Tilman.
Bill Tilman, anëtar i grupit ekskluziv të eksploratorëve botërore të “Shoqatës Mbretërore të Gjeografisë”, ishte një personazh, i cili i përkiste “brezit të humbur” të dalë pas Luftës së Parë Botërore.
Pasi kishte shpëtuar gjallë nga tmerret e luftës, i ishte dedikuar përjetësisht pushtimit të majave më të larta në botë.
Mik i ngushtë me legjendën tjetër të maleve, Eric Shipton, ata së bashku eksploruan një sërë vendesh si në Patagoni, Afrikë, Juglindjen e Azisë dhe sigurisht… dhe të papushtuarat deri më atëherë: Himalajat.
Tilman është një nga dy eksploratorët e parë që ngjitën majën e Nanda Devit në Himalaja, maja më e lartë e pushtuar nga njeriu. Suksesi i kësaj ekspeditë bëri që fama e tij të ishte e pazakontë dhe si rezultat iu besua drejtimi i ekspeditës për ngjitjen e Everestit me 1938-ën.
Kjo ekspeditë, për mënyrën se si u realizua dhe rezultatin që solli, hyri në analet eksploruese si “stili Tilman& Shipton”. Por Tilman ishte dhe një shkrimtar brilant, i cili kontribuoi shumë në krijimin e letërsisë së udhëtimeve. Ai botoi një numër të madh librash rreth udhëtimeve të tij eksploruese, vendeve dhe njerëzve që takoi.
Gjatë Luftës se dytë Botërore, për eksperiencën e pasur në njohjen e maleve dhe luftës guerile, ai u caktua të shërbente në grupin elitar të njohur si SOE, pararendësja e “Beretave të Gjelbra” të forcave komando angleze.
I stërvitur në përdorimin e eksplozivit dhe krijimit të grupeve partizane, Tilman u parashutua në malet e Shqipërisë për të ndihmuar partizanët shqiptarë në goditjen e vijave të komunikacionit gjerman.
Ja çfarë shkruan ai:
“Shtabi ynë ishte caktuar në një fshat të vogël të quajtur Sheper, mes maleve të Zagorisë. Udhëtuam tre ditë nëpër male, pas mushkave tona të ngarkuara me pajisje për të arritur në bazë. Kur iu afruam Përmetit, pamë për herë të parë gjurmët e luftës. Përmeti ishte djegur plotësisht nga ushtria greke gjatë Luftës së Parë Botërore. Italianët e kishin djegur rishtas dhe popullsia ishte ngjitur në male. Me të arritur në Sheper, pamja e parë që na doli para sysh ishin trupat e tre partizanëve, të ekzekutuar para disa orësh se të vinim ne, pranë një kishe. Kolegët e mi, që me sa duket po mendonin të llahtarisur se kishim rënë në duart e një tufe të egërish, hynë në banesën e caktuar duke u dridhur. Pas disa çastesh, u prezantuam me komandantin e zonës së 1 operative, Islam Radovicken dhe komisarin e tij, Bedri Spahiu. Ata na shpjeguan se të vrarët ishin ekzekutuar për shkelje të rregullave të moralit dhe një prej tyre ishte kapur duke i vjedhur letër cigareje shokëve të tij. Gjatë gjithë qëndrimit tim mes partizanëve shqiptarë, unë isha mjaft i impresionuar nga qëndrimi i tyre ndaj njëri-tjetrit dhe disiplina mjaft e rreptë. Vjedhja, imoraliteti, grabitja, dënohej me vdekje. Pesë djelmosha nga Sheperi, të cilët ishin kapur me ilaçe të marra nga parashutimet tona, ishin dënuar me vdekje. Vetëm mosha dhe lutjet e familjeve i shpëtuan ata nga ekzekutimi i sigurt”.
Përfshirja e anglezëve në çështjet shqiptare gjatë pushtimit italian kishte qenë mjaft e limituar.
Foreign Office mbante kontakte me persona politikë, të cilët kishin lënë Shqipërinë pas pushtimit italian dhe nuk e njihnin mirë situatën në vend.
Në fillimet e vitit 1941, anglezët nuk kishin një strategji të përcaktuar për Shqipërinë.
Në përgjithësi, kur flitej për Ballkanin, ata ishin më shumë të preokupuar për çështjet e Greqisë, si aleati kryesor anglez në rajon.
Megjithatë, kishte përpjekje nga persona që e njihnin Shqipërinë para lufte, të cilët mundoheshin që të influenconin sadopak politikën angleze për Shqipërinë.
Një nga këta persona ishte Lord Glenconnër, shefi i SOE-s (Forcave Speciale Angleze), i cili kishte përgatitur një plan për ndërhyrje në Shqipëri dhe kërkonte që politikanët angleze të njihnin integritetin e Shqipërisë se paraluftës.
Do të ishte merita e tij që politika angleze shprehu njëfare interesi për Shqipërinë në fillimet e viteve ’40.
Me shtytjen e Lordit Glenconnër, Sekretari i Shtetit Anthony Eden, bëri një deklaratë zyrtare më 17 dhjetor 1942 në parlament, deklaratë, e cila shprehte simpati me fatin e Shqipërisë dhe kërkonte restaurimin e pavarësisë së saj.
Kjo deklaratë u pasua nga një deklaratë e ngjashme nga amerikanët dhe sovjetiket.
Por shkaku i vërtetë për ketë hap të politikës angleze ishte plani i përbashkët anglo-amerikan për krijimin e një force kundërshtare për trupat italianë në Ballkan, që do të sillte dhe mundësinë e kapitullimit të tyre.
Kjo do të bënte që gjermanët të reagonin në mbrojtje të prapavijave të tyre dhe të pushtonin Ballkanin.
Dhe si rrjedhim, dobësimin e frontit rus nga lëvizja e trupave. Shefat e shtabeve të përgjithshme aleatë kishin përgatitur një plan të detajuar për Ballkanin dhe kërkonin mbështetjen e politikanëve për vënien në zbatim.
Kjo strategji ishte adoptuar nga shtabi i përbashkët aleat në konferencën e Kazablankës- janar 1943- dhe për herë të parë Ballkani mori një rëndësi të veçantë në skenën e luftës.
Më tej Tilman vazhdon: “Partizanët, kur vendoseshin pranë ndonjë baze, e kalonin kohën duke zhvilluar debate të pafund politike dhe duke dredhur cigare. Pasi mbaronin debatet, fillonin të këndonin këngë partizanë apo të vallëzonin valle, të cilat më pëlqenin shumë me dinamiken e tyre. Në mes tyre kishte një numër vajzash, të cilat punonin si infermiere, përkthyese apo daktilografiste. Ishte e çuditshme, por, siç zbulova me vonë, volumi i shkresave që qarkullonte çdo ditë nuk do të kishte turpëruar një ushtri të madhe e të organizuar mirë. Makina e shtypit që unë iu sigurova, e shtonte edhe më volumin e shkresave propagandistike që ata prodhonin çdo ditë.
Duke pasur kaq kohe në dispozicion, unë iu sugjerova se do të ishte e udhës që të ndihmonin fshatarët në punët e bujqësisë. Por ata ua linin këto punë motrave, grave dhe nënave të tyre.
Në përgjithësi të gjithë luftëtarët mbanin nga një pushkë të vjetër italianë, greke, ruse apo franceze. Kishin shumë pak mitralozë italianë dhe asnjë automatik, por me alarmante ishte mungesa e këpucëve.
Për herë të pare mora pjese në luftimet që partizanët bënë në Libohovë. Një garnizon i vogël italianësh jetonin në kala. Libohova ishte qendra e disa liderëve të njohur të Ballit. Islam Radovicka me treqind partizanë ishin shtrire në bregun e një përroi dhe prisnin të binte nata. Masat me të rrepta ishin marrë që aviacioni italian të mos i diktonte partizanët, megjithëse unë mendova se këto masa ishin pak të ekzagjeruara dhe mbivlerësuese për një aviacion që deri me sot kishte hedhur vetëm një bombë në Sheper. Pasi ra nata, ne filluam sulmin kundra italianëve, të cilët na u përgjigjen me mitralozë dhe mortaja. Pas disa orësh shkëmbime zjarri nga të dy anët, partizanët hynë në fshat dhe iu vunë zjarrin shtëpive të liderëve kryesore të Ballit. Pasi ishte e pamundur që të merrej kalaja, partizanët u tërhoqën në rregull, duke tërhequr edhe gjashtë shokët e tyre të vrare. Të nesërmen, në Kishën e Labovës, përpara një numri të madh fshataresh, Bedri Spahiu foli për betejën e mbrëmshme dhe për partizanët e vrare. Pastaj ata sollën një person, i cili dridhej nga frika, të cilin e ekzekutuan përpara trupave të shtrire të partizanëve. Me sa mora vesh, ai person kishte njoftuar ballistët për sulmin e mbrëmshëm”.
Sipas një marrëveshje të nënshkruar midis shefit të forcave speciale angleze SOE dhe atyre amerikanë OSS, anglezët do të kontrollonin dhe ndihmonin në krijimin e luftës guerile në Ballkan.
Për këtë arsye, SOE krijoi Shtabin e Operacioneve për Ballkanin në Kajro, ku seksioni i Shqipërisë u riorganizua dhe u zgjerua me personel ndihmës, të cilët kishin njohuri për Shqipërinë dhe drejtoheshin nga një angleze, që kishte jetuar në Shqipëri prej 15 vjetësh dhe quhej Margaret Hasluck.
Kjo zyrë filloi një fushatë rekrutimi për personel të zgjedhur midis forcave angleze që ndodheshin në terren.
Grupi i pare i përgatitur më së miri dhe i udhëhequr nga majori Billy McLean, i njohur si “Misioni Konsensus”, u parashutua në prill të 1943-ës.
Grupi i Tilmanit ishte i dyti dhe ishte caktuar që të operonte në Zonën e Pare Operative.
Jeta e Tilmanit mes maleve të Zagorisë dhe partizanëve shqiptarë e bëri atë që të krijonte një miqësi me liderët lokale të rezistencës partizanë Islam Radovicka, Bedri Spahiu dhe Shefqet Peçi.
Tilman tregon:
“Sapo na njoftuan për kapitullimin zyrtar të Italisë dhe na kërkohej nga Kajro që të merrnim kontakt me trupat italianë në zonën tonë. Në Gjirokastër operonte Divizioni Perugia, i komanduar nga Gjeneral Ernesto Chiminelo. Unë dhe Bedriu (Spahiu) shkuam në Manastirin e Cepos së bashku me 200 partizanë. Atje takova edhe priftin, një figurë mjaft simpatike dhe komike njëkohësisht. Në Cepo në prisnim që të takoheshim me Gjeneralin Chiminelo, i cili kishte frikë të linte kazermat e tij, me pretekstin se patrullat e Ballit i kishin kërkuar që forcat e tij t’iu dorëzoheshin atyre në emër të Qeverisë Provizore të Tiranës. Pasi pritëm disa ditë, me në fund marshuam drejt Gjirokastrës dhe rrethuam kazermat italianë. Bedriu, unë dhe një eskortë e vogël me flamurë të bardhë, pasi kaluam telat me gjemba, u futëm në zyrat e Gjeneralit. E para gjë që i kërkuam atij, ishte që të largoheshim nga zyrat dhe të shkonim diku nga ku mund të vëzhgonim rrugën. Në kishim frikë se papritur mund të na shfaqej ndonjë patrulle gjermanë dhe na kapte në befasi. Të gjithë dolëm nga zyrat dhe u vendosëm pranë kazermave në një kodër të vogël. Gjenerali ishte i rrethuar nga pesë kolonelë, të gjithë të veshur si për parade, me çizme që shkëlqenin nga boja dhe plot medalje. Sapo u ulëm, Bedriu, që fliste italisht shkëlqyeshëm, hapi bisedën. I propozuam Chiminelos që ose të bashkohej me në, ose të dorëzohej tek partizanët si përfaqësues të aleatëve, ose të digjte gjithçka. Ai na u përgjigj se dëshironte të shkonte në Sarandë, ku i priste transporti për në Itali. Kjo kërkesë nuk na leverdistë, pasi në çdo çast mund të vinin gjermanët. Ne i thamë Gjeneralit që të vendostë deri në orën pesë pas dreke se çfarë do të bënte, pas kësaj ore në do të sulmonim kazermat. Ndërsa në prisnim, nga kazermat e italianëve na dërguan ushqime dhe në filluam të hamë. Ndërkohë, Bedriu dhe Shefqeti (Peçi) po bisedonin me një nga italianët, i cili u kishte thënë se ishte i gatshëm t’iu tregonte atyre shtegun nga partizanët mund të shtinin në dorë armatimet në kazerma. Unë i shfaqa dyshimet e mia Bedriut, dhe për momentin në e lamë italianin të shkonte mbrapsht. Në orën pese na erdhi një pusullë, ku Gjenerali shkruante: “Unë nuk i dorëzoj armët”.
Ramë dakord se një sulm mbi kazermat do të ishte shumë i vështirë dhe vendosem t’u prisnim ujin italianëve. Ndërkohë unë shkova në Sheper për të komunikuar me Kajron. Kur u ktheva, mësova se italianët, pasi kishin djegur gjithçka, ishin larguar natën për në Sarandë.
Në vend që të ndiqnim italianët për në Sarandë, Bedriu vendosi që partizanët të “çlironin” Gjirokastrën. Së bashku me partizanët hymë në Gjirokastër. Njerëzit kishin dalë anës shtëpive të gëzuar në kulm dhe hidhnin lule mbi partizanët. Në sheshin e qytetit, përpara një turme të madhe, filluan fjalimet. Në fillim Prefekti, pastaj Bedriu, pastaj unë dhe pastaj një student nga Zagoria, i quajtur Shemsi, i cili filloi të sulmoje Ballin me fjalë mjaft të ashpra. Pranë nesh ishte edhe një nga liderët e Ballit, i quajtur Bahri Omari, i cili me gjithë pozitën mjaft delikatë që kishte përpara turmës, u përpoq disa here që t’u përgjigjej akuzave të të riut partizan. Duke parë se mund të krijoheshin probleme, unë i thashë Bedriut që të ndërhynte për të zbritur partizanin nga podiumi.
Ndërkohë që italianët po mundoheshin që të evakuonin trupat e tyre nga Saranda, gjermanët kaluan kufirin e Greqisë dhe hynë në Shqipëri. Unë nuk e pashë me Gjeneralin Chiminelo, më vonë dëgjova se ai dhe 150 oficerët e tij ishin vrarë në Gjirin e Porto Palermos nga gjermanët”.
Tilman, në dallim nga një pjesë e oficerëve anglezë që jetuan dhe punuan në Shqipëri gjatë luftës, i qëndroi besnik parimit të neutralitetit midis fraksioneve politike që ai gjeti në Shqipëri. I dërguar me mision për të ndihmuar ata që luftonin gjermanët, ai me të mbërritur në Sheper filloi të përgatiste terrenin për krijimin e kushteve të mira për parashutimin e ndihmave për çetat partizanë. Tilman shkruan se misioni i tij, me gjithë problemet e mëdha në kohë të tilla, përsëri arriti që të sillte ndihma të konsiderueshme për partizanët e Zonës së Parë. Megjithëse ai e vlerëson shume faktin se çetat e vogla partizane kishin mundur që të jetonin me ndihmën e popullsisë vendase, edhe me vështirësitë e luftës, ai e vë në dyshim mundësinë se kjo popullsi mund të mbështeste formacione të mëdha partizane. Tilman thekson se ndihma angleze ishte faktor i rëndësishëm për formimin e brigadave të para partizane.
Për një kohe të gjatë, historiografia komuniste ka nënvlerësuar ndihmën që dhanë anglezët në krijimin e formacioneve të mëdha partizane, prandaj dëshmia e një oficeri të paanshëm dhe mjaft dashamirës ndaj këtyre formacioneve, është për t’u marrë në konsideratë.
Sipas dokumenteve të misioneve angleze, vetëm “Misioni Konsensus” hodhi pranë partizanëve 19.5 ton armatim luftarak gjatë muajve qershor- gusht 1943.
Ja çfarë shkruan Tilman:
“Gjatë shtatorit dhe tetorit, në arritëm që të organizojmë ardhjen e rreth tre- katër avionëve në muaj që parashutonin armatime, veshmbathje dhe këpucë për partizanët. Pilotët gjithnjë ishin mjaft të saktë në koordinatat që në u jepnim. Ishte një krenari e madhe për në, kur “Halifax” katërmotorësh hidhnin ngarkesën e parë dhe ktheheshin përsëri për të hedhur ngarkesën e dytë. Një natë, tre avionë të mëdhenj kishin mbërritur në të njëjtën kohe për të parashutuar dhe Lugina e Zagorise ngjante si një aeroport i vërtetë. Shpesh mendoja se ç’thoshin vallë gjermanët, të cilët rrinin në Gjirokastër dhe me siguri i dëgjonin avionët që parashutonin.
Baza jonë ishte mjaft mire e organizuar. Shpesh partizanë të ndryshëm vinin të na vizitonin dhe bisedat zhvilloheshin rreth të njëjtës teme. Pse B.B.C nuk denonconte ndihmën që Balli dhe Legaliteti u jepnin gjermanëve? Përse aksionet e kryera nga L.N.Ç i referoheshin “patriotëve” pa përmendur partizanët?
Për të gjitha këto pyetje unë nuk kisha një përgjigje të saktë.
Një prej misioneve tona kishte ngritur bazën në Karaburun, në një shpelle të quajtur prej nesh “Seaview”. Këtu anijet tona kishin sjellë disa tonelata me armatime dhe veshmbathje, por fatkeqësisht, megjithëse oficerët ishin munduar që të mbështesnin të dy krahët (Ballin dhe partizanët), ata më në fund kishin vendosur që të mbështesnin Ballin. Ndërkohë, Balli ishte afruar shumë me gjermanët dhe urdhrat ishin që këto armatime të mos u jepeshin atyre, por gjermanët sulmuan bazën dhe i morën të gjitha armatimet.
Ndërkohë, unë po shikoja mundësinë që të hapnim një pikë zbarkimi për anijet tona, në territoret e kontrolluara nga partizanët në bregdet. Për këtë arsye, së bashku me shoqëruesin tim Mehmetin, u nisëm nga Sheperi për në Borsh dhe Karaburun, për një mision vëzhgues. Një natë qëndruam në fshatin Golem të Kurveleshit dhe pastaj në shtabin partizan në Kuç. Kuçi ishte i gjithi i djegur, dhe unë pashë qindra ushtarë italianë që, të shtrire në kasolle të ndërtuara me kashtë, jetonin në mjerim të madh. Më vonë partizanët i ndanë ata nëpër shtëpitë e fshatarëve, ku punonin në shkëmbim të ushqimit. Doja të thoja se shqiptarët treguan një fisnikëri të madhe në trajtimin e këtyre ushtarëve, të cilët kishin pushtuar vendin e tyre dhe iu kishin shkatërruar shtëpitë. Nga Kuçi shkova në Brataj, ku takova Brigadën e Parë, në inaugurimin e të cilës kisha qenë në gusht. Në atë zonë Balli dhe partizanët ishin mjaft të acaruar me njëri- tjetrin. Takova Mehmet Shehun, i cili me foli mjaft ashpër për politikën angleze të bashkëpunimit me të dyja palët. Ai më dha një mesazh personal për oficerin anglez të “Seaview”, ku ai, Mehmet Shehu, nuk do të mbante përgjegjësi për atë që do të ndodhte, nëse ai e merrte atë bazë. Megjithatë, fjalori i përdorur prej tij nuk ishte asgjë në krahasim me atë të një vajze të re, e cila ishte pjese e stafit të tij. Sjellja e saj ishte mjaft e ashpër dhe me një gjuhe papagalli, na shurdhoi me propagande deri në mesnatë.
Pasi kalova nëpër Dukat, me vështirësi të madhe u gjenda në bazën e “Seaview”, ku takova oficerin përgjegjës për misionin. Ishte e pamundur që pas një jetë të gjatë me njërën apo tjetrën palë, të mos ishte simpatizant i çështjes së tyre. Dhe për ketë arsye, unë e kuptoja mjaft mirë misionin e “Seaview” dhe simpatitë e tyre për Ballin.
Në kthim, në ramë në një betejë që po zhvillohej midis partizanëve dhe ballistëve. Ne qëlluam shumë afër dhe, pasi iu dhamë të njohur partizanëve, ata na shoqëruan tek Mehmet Shehu, i cili tregoi përsëri mosaprovimin e tij me oficeret e “Seaview”. Ndërkohë garnizoni gjerman i Llogorasë kishte ardhur në ndihmë të fshatit Dukat dhe partizanët u tërhoqën. Kur u kthyem në bazë, na priste lajmi i keq se lideri i misionit britanik në Shqipëri, Davis, ishte kapur nga gjermanët dhe zëvendësi i tij kishte vdekur. Një pjesë e fshatrave të Zagorisë ishin djegur nga gjermanët dhe nga banda balliste e një personi të quajtur Ismail Golemi dhe ndihmësit e mi kishin lëvizur bazën tonë nga Shqipëria”.
Tilman u largua nga Shqipëria në maj të 44-s, pas gati 10 muajsh qëndrimi mes partizanëve, për të cilët ai kishte mjaft simpati për çështjen e tyre të drejtë në luftën kundër gjermanëve. Me gjithë rrjedhën që morën ngjarjet pas luftë, ai me guxim botoi pikëpamjet e tij për ata me të cilët ai ndau vështirësitë e mëdha në malet shqiptare, ashtu si edhe shkruan në shënimet e tij: “U largova nga Shqipëria i bindur se mbështetja jonë materiale, financiare dhe morale për partizanët ishte e drejtë. Fatkeqësisht, mbështetja jonë u vu në pikëpyetje kur ne mbështetëm edhe grupime të tjera politike. Në fillim të gjithë u trajtuan njësoj, por kur grupimet e tjera u treguan të pavullnetshëm të luftonin gjermanët, ne vazhduam t’i mbështesnim këto grupime moralisht e materialisht, refuzuam që t’i denonconim publikisht dhe asnjëherë nuk folëm qartë për sakrificat e shumta të partizanëve. Si rezultat i kësaj politike të mefshtë, ndershmëria jonë si oficerë u pa me dyshim. Një partizan i thjeshtë nuk mund ta kuptonte se me gjithë aleancën tonë me Rusinë, në nuk mund ta mbështesnin komunizmin. Me mbështetjen e një grupi të vetëm, ne mund të ofendonim një pjese të shqiptarëve dhe mund t’i fusnim ata në një situatë të vështirë pas lufte, por përderisa ne kishim ardhur për të inkurajuar rezistencën, ishim të detyruar të mbështesnim vetëm ata që bënin rezistence. A ishte një politike dritëshkurtër apo jo, ajo që ndoqi Anglia, unë nuk mund të them. Partizanët kishin fajet e tyre, por e vërteta qëndron se ata luftuan, u vranë për të njëjtin qëllim për të cilin luftonim edhe ne. Kurajon që ata treguan gjatë luftës, dëshirën për të fituar, besimin në vetvete dhe në çështjen e tyre, të gjitha këto më bënë të besoj se ata e meritonin që të udhëhiqnin vendin pas lufte”.
Pas luftë, Tilman ndërmori një sërë ekspeditash në zonat me të vështira të globit si në Kinë, Nepal, Kashmir, si dhe në shkretëtirën e Gobit. Ai së bashku me një grup të zgjedhur alpinistësh, ngjiti majat e Rakaposhit dhe Muztagh Ata në Himalaja. Në një prej udhëtimeve të tij nëpër lumin Oxuse (nga burimet e deri në Afganistan), ai u arrestua nga forcat afganë dhe u lirua nga protestat e shumta të një sërë liderësh botërore.
Por Tilman kontribuoi gjithashtu jo vetëm në pushtimin e majave me të larta botërore, por edhe në letërsinë botërore me një numër librash, që edhe sot mbahen si kryevepra të letërsisë së udhëtimeve eksploruese.
I quajtur si eksploratori më i mirë i shek 20-të, ai është vlerësuar edhe nga kritiket letrare si shkrimtari më i mirë i ekspeditave.
I palodhur me udhëtime dhe eksplorime të pafund, në moshën 80-vjeçare në 1977, vendos që të eksplorojë i vetëm hapësirat e Oqeanit Antarktik, me jahtin e tij personal.
Ky eksplorim do të ishte edhe udhëtimi i fundit për të, pasi nuk u kthye me kurrë prej andej. Një epilog për jetën e tij, ndoshta të cilin e kishte parashikuar si mbylljen me të denjë të një kapitulli aq të lavdishëm prej eksploratori.