Shtypi rumun midis dy luftërave botërore për mbretin Ahmet Zog dhe Shqipërinë e viteve ‘30

Nga Marius Dobresku Pas shpalljes së monarkisë dhe stabilizimit të situatës politike në Shqipëri, marrëdhëniet e Rumanisë me shtetin e ri sh...

Nga Marius Dobresku



Pas shpalljes së monarkisë dhe stabilizimit të situatës politike në Shqipëri, marrëdhëniet e Rumanisë me shtetin e ri shqiptar njohën një zhvillim të rëndësishëm. Sigurisht që në bazë të tyre qëndronin afritë e shumëfishta, të pranuara në mënyrë unanime, por dhe një numër i madh arsyesh të tjera. Midis tyre, situata e pakicave arumune dhe shqiptare apo ndjenja e lidhjeve mijëvjeçare kanë qënë, pothuaj gjithmonë, në krye të agjendës së takimeve diplomatike rumuno-shqiptare.
Kësisoj, në marrëdhëniet e tij me mbretërinë shqiptare, shteti rumun ka pasur gjithmonë parasysh fatin e popullsisë me origjinë arumune dhe ka pretenduar, me të drejtë, që kjo të gëzonte të gjitha të drejtat që i ka pasur popullsia shqiptare në Rumani për shekuj me radhë. Në këtë kontekst, është e qartë se vetë ekzistenca e minoriteteve të lartpërmendura ka përbërë (dhe përbën edhe sot e kësaj dite) një element lidhës qenësor midis rumunëve dhe shqiptarëve.
Duke u bërë jehonë ndjenjave që u dhanë jetë marrëdhënieve të rumunëve me shqiptarët, shtypi i Bukureshtit ka relatuar gjithmonë me simpati mbi realitetet në “Vendin e shqiponjave”. Ja, për shembull, gazeta “Universul” ka realizuar, në numrin e saj të datës 19 shtator 1931, një intervistë me Eqerem bej Libohovën, marshall i Oborrit mbretëror shqiptar, mbi gjendjen e marrëdhënieve midis dy shteteve. Bashkëbisedimi u zhvillua me rastin e vizitës në Bukuresht të një delegacioni të lartë shqiptar që kishte mbërritur në Rumani për t’i dorëzuar mbretit Karol i II-të Urdhrin “Skënderbeu”. Ceremonia u zhvillua më 16 shtator 1931 dhe vinte si rrjedhojë i një gjesti të ngjashëm që kishte të bërë pala rumune: dekorimin e mbretit Ahmet Zogu, më 1 qershor të po atij viti, me Urdhrin me Gjerdan “Mbreti Karol I”. Në delegacionin shqiptar që kishte mbërritur në Bukuresht në shtator të 1931 bënte pjesë dhe Sotir Martini, mjeshtër i ceremonive të Oborrit mbretëror të Tiranës, shqiptar i lindur në Rumani. Duke iu referuar pritjes së bërë në Bukuresht, Eqerem bej Libohova, theksoi që në fillim të fjalës së tij: “Nuk mundemi të falënderojmë mjaftueshëm për dashurinë spontane dhe të ngrohtë që na është treguar”. Duke komentuar më pas arritjet e regjimit të cilin përfaqësonte, i dërguari i Oborrit mbretëror nga Tirana i deklaroi redaktorit të gazetës “Universul”: “Sovrani ynë ka realizuar në një periudhë prej katër vjetësh mbretërimi një vepër domethënëse për organizimin e shtetit, të cilën paraardhësit e tij nuk e realizuan dot për 15 vjet që nga pavarësia e Shqipërisë e deri në ardhjen në fron të Madhërisë së Tij, Mbretit Zog”. Dhe shembulli më i mirë që marshalli i Oborrit mbretëror shqiptar ofroi ishte ai që lidhej me rikthimin e rendit dhe disiplinës në vend. Nëse vetëm pak vite përpara, Shqipëria ishte kapluar nga anarkia, ndërsa konfliktet ndërrajonale  dhe ndërpersonale ishin gjithnjë e më të shpeshta, me hipjen në fron të mbretit Zog, këto u shuan, kurse vendit iu kthye rendi dhe siguria. Cilësitë ushtarake të sovranit e thanë fjalën e tyre, shpirti i organizimit dhe disiplinës i zunë vendin kaosit dhe çorganizimit të mëparshëm. Ndër realizimet e regjimit të Zogu-t, marshalli i Oborrit mbretëror, përmend ndërtimin e shumë udhëve urbane dhe rrugëve, të cilat kishin arritur në mesin e vitit 1931 në një gjatësi totale prej 2.000 km (në krahasim me 200 km që ishin në fund të vitit 1912). Tek e fundit, mbreti Zog dhe qeveria e tij parashikonin realizimin e një reforme agrare, pas së cilës fshatarët shqiptarë do të bëheshin pronarë tokash dhe do të ishin  të detyruar të kultivonin tokat dhe të zhvillonin pronat e tyre.
Duke iu referuar marrëdhënieve dypalëshe, Eqerem bej Libohova pohoi si: “Me Rumaninë na afron gjithçka dhe nuk na ndan asgjë” dhe, më pas: “Shqiptarët jetojnë në Rumani si në vendin e tyre, kurse vëllezërit tanë arumunë gëzojnë të njëjtat të drejta tek ne, duke qenë elementi më i rregullt dhe përkrahës i shtetit”. Intervista e dinjitarit të lartë shqiptar përfundon me një deklaratë të një fisnikërie të lartë: “Ruajmë për Rumaninë, dikur të vogël, por tashmë të madhe, gjithë mirënjohjen dhe dashurinë tonë”.
Pozicioni miqësor i gazetës “Universul” ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë nuk ka qenë i vetëm në shtypin rumun të asaj kohe. Nën titullin “Shqipëria, një vend i ri”, gazeta “Curentul” e datës 23 qershor 1933 paraqiste opinionet e një udhëtari rumun në Shqipëri, gazetarit Vlad Bănățeanu. Ky e fillonte artikullin me episodin e “Wilhelm de Wied-it dhe dështimin e tentativës për të hipur në fronin e Shqipërisë të një princi të huaj (1914)”. Viti 1925, thotë gazetari rumun, shënoi ardhjen në udhëheqjen e vendit të kolonelit Ahmet Zogu, moment ky që u pasua nga “një periudhë me një stabiliteti të qëndrueshëm” në historinë e trazuar të shtetit të vogël ballkanik. Bănășeanu tregon me admirim për masat energjike të udhëheqësit të Tiranës për organizimin dhe modernizimin e ushtrisë shqiptare, duke e përshkruar mbretin si një njeri dinamik, me mendime të qarta dhe me veprime të shpejta. Duke e cituar në vazhdimësi gazetarin rumun, mund të shtojmë se, në vitin 1933, Zogu mori masa për dekurajimin e praktikave mesjetare të gjakmarrjes, të cilat bënin akoma shumë viktima në zonat rurale. Gjakmarrja u përfshi në kodin penal në kapitullin “Krime të së drejtës zakonore” dhe dënohej si një akt penal. Si rrjedhojë, sipas të njëjtave dispozita të qeverisë, të vetmit që ishin të autorizuar për mbajtje arme ishin vetëm bajraktarët dhe këta vetëm në bazë të një leje për armëmbajtje që lëshohej nga autoritetet. Ata që shkelnin parashikimet e këtij ligji dënoheshim me vdekje ose me varje. Në përfundim, me të njëjtin regjim dënimi “trajtoheshin” edhe ata që praktikonin zhvatjet në rrugë, duke u ekzekutuar në vend,  me një procedurë urgjence. Konkluzioni i gazetarit rumun ishte se, nën udhëheqjen e vendosur të mbretit Zog, Shqipëria po drejtohej me hapa të shpejtë drejt modernizimit.
Siç shihet, toni i relatimeve për Shqipërinë dhe shqiptarët është plot simpati. Opinioni publik rumun shihte në këtë vend të vogël në perëndim të Gadishullit si mikun e vetëm të vërtetë në rajon, në detin me sllavë që i rrethonte. Dhe më pas, nuk mund të harroheshin traditat e përbashkëta, afritë gjuhësore dhe as evenimentet historike nëpër të cilat kishin kaluara së bashku gjatë pesëqind vjetëve të fundit.

Ligjërata e mbajtur në takimin përkujtimor në Bukuresht, kushtuar 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dypalëshe

Related

Lajme 6779396290361696320

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item