Mes shqiptarëve të Edit Durhamit një shekull më pas
Aida Tuci Edit Durham, ishte 37 vjeç kur ndërmori udhëtimin në Ballkan. Deri në atë moment ajo nuk ishtelarguar qoftë dhe një ditë të vetme ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/12/mes-shqiptareve-te-edit-durhamit-nje.html
Aida Tuci
Edit Durham, ishte 37 vjeç kur ndërmori udhëtimin në Ballkan. Deri në atë moment ajo nuk ishtelarguar qoftë dhe një ditë të vetme nga shtëpia, ku kujdesej për nënën e sëmurë. Një krizë nervore dhe këshillat e mjekut për të shkuar sa më larg nga jeta që bënte në Angli e çuan në udhëtimin më të jashtëzakonshëm të jetës së saj në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë. Pas atij udhëtimi jeta e Edit Durhamit ndryshoi tërësisht. Shkroi shtatë libra mbi politikën e Ballkanit brenda Perandorisë Osmane, për luftën e shqiptarëve për pavarësi, si dhe vrojtime antropologjike mbi njerëzit e ndryshëm të Ballkanit, me të cilët ishte takuar. Libri i saj më i njohur është “High Albania” i shkruar në vitin 1908, që përbën një kronikë të udhëtimeve të saj në Shqipërinë Veriore. Më shumë se, një shekull më vonë Elizabeth Gowing, do të vihej në kërkim të gjurmëve të Edit Durhamit. Pas këtij udhëtimi Gowing u ul dhe shkroi librin “Edith and I”…
Përse zgjodhët të ndiqnit gjurmët e Edit Durhamit?
Ky libër është pak udhëshkrim, pak biografi dhe pak autobiografi. Unë kam ndjekur gjurmët e Edit Durhamit në Kosovë dhe pak në Shqipëri. E nisa udhëtimin tim nga Rugova. Zgjodha rrugëtimin e Edit Durhamit për disa arsye. E para sepse unë jam angleze. Kur Edit Durhami nisi udhëtimin e saj në Ballkan ishte 37 vjeçe, ashtu si dhe unë sot. Por ajo që më impresionoi më shumë ishte jeta që kish pasur Edit Durham para atij udhëtimi.
Pse si kishte qenë jeta e saj?
Edit Durham nuk kishte udhëtuar kurrë më parë. Deri në moshën 37 vjeçare ajo ishte kujdesur për nënën e sëmurë. Pikturonte herë pas herë. Kishte hapur ekspozita në Londër edhe pse ishte pak e njohur si piktore. Pikërisht në këtë periudhë ajo po kalonte një krizë nervore dhe mjekët e këshilluan që të ndërmerrte një udhëtim sa më larg që të ishte e mundur. Pas këtij udhëtimi për të filloi një jetë e dytë. Ajo filloi të angazhohej në njohjen e vendeve të Ballkanit. Shkroi shumë libra, artikuj etj. për Shqipërinë dhe vende të tjera ku kishte shkelur. Pas atij udhëtimi ajo bëri dhe një pakt: 10 muajt e vitit do të kujdesej për nënën dhe 2 muaj do të udhëtonte. Mu duk shumë interesante mënyra e saj për të balancuar obligimet dhe kërkesat familjare me ëndrrat e saj. Për mua ishte privilegj të njihja Shqipërinë dhe Kosovën përmes saj.
Në librat e saj Durham flet dhe për vështirësitë e udhëtimit në një vend si Shqipëria aq më tepër për një grua. Ju si e patë veten pas një shekulli në këtë udhëtim?
Unë personalisht e kam pasur më të vështirë udhëtimin nëpër manastiret serbe. Ata më shihnin me dyshim ashtu si dhe arsyet e udhëtimit tim. Në Kosovë nuk kisha të tilla probleme, ndoshta sepse shqiptarët e njohim më mirë Edit Durhamin dhe historinë e saj. Kur u tregoja shqiptarëve se ndiqja hapat e Edit Durhamit ata më kuptonin menjëherë, kurse serbët jo dhe aq. Atyre duhet tu shpjegoja një herë se kush ishte Edit Durhami dhe çfarë kishte bërë ajo. Pas kësaj serbët shfaqnin interes për historinë time.
Para se të ndërmerrnit këtë udhëtim keni hulumtuar në arkivat angleze?
Shumë angleze dinë shumë pak për Edit Durhamin. Unë kisha dëgjuar për të në Kosovë. Kam ardhur në Kosovë në vitin 2006-të kur bashkëshortit tim Robert iu propozua posti i këshilltarit të kryeministrit Agim Çeku. Shkova në arkiv për të zbuluar më shumë rreth Edit Durhamit dhe udhëtimit të saj në Ballkan. Ajo ka lënë pas shumë letra. Ka pasur letërkëmbime me shumë personalitete të kohës, të huaj dhe shqiptarë. P.sh. nga letrat e saj kuptohet se ajo ka pasur një lidhje shumë të fortë sentimentale me gazetarin anglez, Henry Nevinson. Një dashuri fatale në fakt, sepse ishte e njëanshme. Nevinsoni nuk ushqente të njëjtat ndenja. Ai ishte i martuar, madje kishte dhe një të dashur. Në ditarin e tij, ai flet për udhëtimin e tij me Durhamin në qytetin e Shkodrës dhe përshkruan në detaje bashkëjetesën me Editin. Me sa duket për shkak të kushteve kanë qenë të detyruar të ndajnë bashkë të njëjtën dhomë, por në asnjë moment ai nuk flet për lidhje intime me Editin. Nëse do të kishte pasur diçka mes tyre me siguri do të kishte shkruar.
Po mes shqiptarëve e gjeti dashurinë Durhami?
Në Kosovë më kanë thënë se qe dashuruar me një gjakovar me emrin Mark Krasniqi. Por unë nuk e besoj. Në fillim të udhëtimit të saj ajo ka pasur një afeksion për serbët dhe malazezët, këta të fundit i ka ndihmuar vërtet shumë. Edit Druham mësoi gjuhën serbe por kurrë nuk mësoi gjuhën shqipe. Për disa vite ajo ka jetuar në Serbi, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinë. Mirëpo duket se menjëherë ajo e ka transferuar dashurinë e saj tek shqiptarët dhe ka vazhduar kështu për gjithë jetën. Sipas gojëdhënave thuhet se kjo ndodhi për shkak të dashurisë së saj për një djalë, dhe ai ishte Mark Krasniqi. Por siç ju thashë nuk jam e sigurte për këtë tezë.
Do të vijë në shqip libri juaj?
“Edith and I” është një libër që i drejtohet lexuesit anglez, por po mendoj ta sjell edhe në shqip./mapo