Femra përballë të vërtetës gri

Nga Majlinda Bushja          dhe Elona Lesaj Sot një prej gjërave që ka ndryshuar më pak në shoqërinë shqiptare e për të cilën diskutohet va...

Nga Majlinda Bushja
         dhe Elona Lesaj



Sot një prej gjërave që ka ndryshuar më pak në shoqërinë shqiptare e për të cilën diskutohet vazhdimisht në media është arritja e barazisë gjinore në çdo nivel përfaqësimi. Në fakt thuhet shpesh se “gurët” kanë lëvizur nga vendi e femra është më e pavarur seç qe dje, pasi barazia gjinore është në fokus të strukturave vendimmarrëse dhe shoqërisë civile, madje qeveria e re sot mburret me pjesmarrjen e grave në qeverinë e saj që konsiderohet një nga më të mëdhatë në historinë e demokracisë shqiptare, por në realitet femra vuan nga një mungesë e theksuar pavarësie. Kur flasim për pavarsinë e femrës dhe barazinë gjinore, nuk e kam fjalën vetëm për femrën që është grua karriere, por për të gjitha femrat që përfaqësojnë çdo shtresë të shoqërisë sonë.
Shoqëria shqiptare që ende ruan tiparet e një shoqërie patriarkale, për hir së vërtetës e sheh femrën si një “enë qelqi”, ndërkohë që, konservatorizmi i trashëguar prej qindra mijëra vjetësh, sot, nuk pranohet nga femra shqiptare e kundërshtohet nga ajo me forcë duke e vendosur atë përballë dhunës dhe humbjes së jetës në shumë raste. Praktikat e jetës së përditshme kanë treguar jo vetëm në Shqipëri, po kudo në botë, se për të shkuar deri tek pragu i lirisë femrës janë dashur sakrifica të mëdha të cilat ngërthejnë brenda vetes një kompleksitet faktorësh diskriminues, të cilët me kohën kanë ndryshuar shumë pak. Vet statistikat e viteve të fundit tregojnë për shtimin e rasteve të dhunës në familje e tronditjen që ka pësuar familja tradicionale shqiptare veçandërisht në demokraci, ku hyrja e kulturës perendimore solli transformimin e pakthyeshëm pozitiv, por jo pa kosto për femrën shqiptare. Nëse i referohemi dy viteve të fundit vërejmë një tendecë në rritje të dhunës ndaj grave. Ministria e Brendshme ka raportuar 2036 raste të dhunës në familje për vitin 2012, kurse për këtë vit vetëm për 9-mujorin e parë mbi 2600 gra kanë kërkuar urdhër mbrojtje në gjykatë, ndërkohë që në vitin 2005 rasti i denoncimeve ishte vetëm 94. Ndërkohë, pretendohet që numri i grave dhe vajzave të dhunuara të jetë më i lartë duke marrë në konsideratë numrin e grave të cilat nuk e denoncojnë atë.
Veçandërisht në demokraci ku shumë njerëz mbetën pa punë për shkak të ndërrimit të sistemit politik, tronditjen më të madhe e pësoi femra për shkak të izolimit të saj. Ndërkohë që, vit pas viti vështirësia për t’u përfshirë në tregun e punës u bë akoma edhe më e madhe për shkak të diskriminimit moshor që ju bë e që vazhdon t’i bëhet në tregun privat të punësimit. Duke e mënjanuar femrën shumë të re nga tregu i punës rreth 35 vjeç, (kjo referuar njofimeve të punësimit vitet e fundit), e vë atë përballë një sërë vështirësish ekonomike të cilat bëhen shkak për vështirësi të tjera, që së pari është e drejta për të jetuar me dinjitet. Kriteri moshor është një plagë e rëndë mbi punësimin në ditët e sotme, për të cilat flitet pak ose aspak në media, megjithëse konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut, ai kalon pa u vënë re apo në heshtje aprovuese. Gjithë ky transformim në tregun e punës që në pamje të parë dukej i parëndësishëm me kohën u pasua me histori e ngjarje të cilat nxorën në pah problemet reale të femrës, nëpërmjet të cilave ,ajo, po përballet çdo ditë.
Duke jetuar në kushte të tilla dhe e varur nga pjesa mashkullore e familjes e drejta e gruas brenda familjes vazhdoi të ishte e ndrydhur, sidomos në zonat rurale, madje ka raste në atë masë sikur vitet nuk kanë lëvizur nga vendi e ne kemi mbetur po të njëjtët në mentalitetin tonë karshi saj. Për hir së vërtetës duhet thënë pasi ndodh jo rrallë ky fenomen në familjet shqiptare, veçandërisht në Veri të vendit, ku femra të kalojë nga dera e babait tek ajo e bashkëshortit të saj dhe pa u pyetur fare, ku një palë e tretë vendos për të ardhmen e saj.
Shekulli i 21 në pamje të parë duket se nuk pajtohet me të tilla vendime dhe këto i përkasin një të shkuare të largët, por në fakt ato janë ende të gjalla në realitetin shqiptar. Duket absurde sepse pavarsisht se e tillë është si ide, por në realitet qendron, pasi të thuash të vërtetën në lidhje me femrën është shumë e vështirë, pasi e vërteta ndonjëherë  s’pranohet, e herë të tjera duket si diçka normale. Në zonat e thella rurale por jo vetëm, ku zhillimi hyn më ngadalë është pak e tepruar të diskutohet për pavarsinë apo barazinë gjinore, pavarsi e cila jo vetëm që nuk egziston por mund të konsiderohet nga shoqëria e atjeshme si diçka e tepruar, apo siç thotë populli “dalje nga binarët”. Shumkush në shoqërinë shqiptare nuk mund ta kuptoj dot pavarsinë e femrës si diçka të domosdoshme, apo si një e drejtë që e garanton ligji, apo si një e mirë nga e cila vet familja do të rrisë cilësinë e jetës brenda saj, por si diçka të tepruar e ku pavarsia nuk i shkon përshtat. Është diskutuar shumë për pavarsinë ekonomike e cila është “a”-ja që garanton pavarsinë e saj në aspekte tjera të jetës, për angazhimin në jetën sociale, por në zonat rurale ku femra e ka të vështirë të krijoj pavarsinë e saj ekonomike për shkak të kushteve në të cilët ndodhet çdo revoltë e saj për të fituar këtë të drejtë mund të konsiderohet e tepërt.
Kjo situatë diskriminuese në lidhje me femrën nuk është vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të tjera të botës. Vet koha ka treguar se femra në gjithë historinë e egzistencës së saj ka kaluar përmes një mungese të theksuar pavarsie në raport me burrin jo vetëm në Shqipëri, por në shumë vende të tjera. Madje dhe në shumë vende të zhvilluara të botës ajo ka kaluar përmes një ambjenti mbytës, ku shpirti i sakrificës ka qenë gjithmonë ai që e ka shoqëruar. Beteja për barazi ka qenë e gjatë dhe ende nuk ka përfunduar. Vetëm në vitin 1920 femra ka fituar të drejtën e votës në SHBA, madje ka vende të Lindjes ku gruaja e ka fituar edhe më vonë këtë të drejtë. “ Amendamendi i 19-të shkoi në Kongres në vitin 1918 dhe u ratifikua nga shtetet më 18 gusht të vitit 1920. Gratë amerikane fituan më në fund të drejtën e votës”(Ana Ward, Zëri i Amerikës). Vet shembujt tregojnë që edhe në vendin shembull të lirisë e barazisë gjinore në botë siç është SHBA-ja gruaja penetron me vështirësi për të ngjitur shkallët e karrierës dhe për të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Vlen për t’u veçuar se këtë vit, për herë të parë në historinë e Amerikës vihet një grua, (Janet Yellen)  në krye të Bankës Qendrore të SHBA-së në gjithë historinë gati 100 vjeçare të FED-it, një nga funsionet më të rëndësishme në botë për tregjet financiare. Kjo është e vërteta në lidhje me femrën të cilën ne shpesh nuk duam ta shohim sepse nuk kemi aspak dëshirë për ta parë.
Vetëm para disa javësh u publikua në media hendeku i raportit gjinor nëpër botë nga “World Economic Forum”që rankon shtetet në bazë të barazisë gjinore ku Shqipëria renditet në vendin e 108 midis 136 vendeve në botë. Shqipëria ndodhet në vendet e fundit nëse i referohemi në renditje shteteve të tjera evropiane, ndërkohë shetet si: Islanda, Finlanada, Norvegjia, kryesojnë listën e këtij raporti. Vet raporti që ka në qendër të tij nivelin e barazisë gjinore qartëson ndër të tjera për vendin që i kemi dhënë ne si shoqëri femrës shqiptare në ditët e sotme.  Nëse gjerat kanë ndryshuar në dukje, kjo do të thotë se ato nuk kanë ndryshuar, e ne kemi mbetur po ata që ishim dje në mendësinë tonë. Shoqëria jonë dukshëm maskiliste e tregon vetveten jo vetëm në zonat e thella rurale, por edhe në kryeqytet, ku edhe emancipimi është i një niveli tjetër e duke qenë i tillë ai duhet të jetë shembull për pjesën tjetër të shoqërisë, por realisht ndodh e kundërta. Psh, Nëse i referohemi shtypit të shkruar në Shqipëri do të vemë re me lehtësi se kryeredaktor të 20 gazetave të përditshme janë  pothuajse të gjithë meshkuj, çka do të thotë që femra shqiptare e ka më të vështirë të përparojë në karrierën e saj në këtë fushë jo për shkak të aftësive, por për shkak të “murit mashkullor” që është i vështirë të kapërcehet pse mos të themi edhe për shkak të një mentaliteti të trashëguar në lidhje me femrën. Një shembull i tillë flet qartë për mungesën e barazisë gjinore, e cila kur është në këto përmasa në shresat të emancipuara të shoqërisë, në botën mediatike, në nivelet që ndodhen poshtë saj të diskutosh për barazi gjinore konsiderohet mision i pamundur.

Kështu, të gjithë shembujt e më sipërm na çojnë në një përfundim në lidhje me të drejtat e grave dhe barazinë gjinore në shoqërinë shqiptare: Në parim të drejtat egzistojnë, por ndryshe thuhet dhe ndryshe bëhet, sepse realiteti na qas me një të vërtetë që as këtij shekulli nuk mjafton për ta ndryshuar; Ajo e mendësisë patriarkale të çimentuar, që tregon vendin e femrës në shoqërinë tonë të zhubrosur.  

Related

Opinione 1359032358005601838

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item