Çfarë shkakton diabeti, rrezikshmëri edhe për sytë

Diabeti shkakton komplikime në organe të ndryshme e ndër to edhe në sy. Sëmundja diabetike e syrit i referohet një grupi të ndryshimeve në s...

Diabeti shkakton komplikime në organe të ndryshme e ndër to edhe në sy. Sëmundja diabetike e syrit i referohet një grupi të ndryshimeve në sy, të cilat paraqiten te personat me sëmundje të sheqerit dhe që shënohen si komplikime të diabetit. Këto ndryshime mund të shkaktojnë humbje të rëndë të të parit ose të shkaktojnë verbim të plotë. Dëmtimet diabetike në sy njihen si retinopati diabetike. Vlerësohet që rreth 60% e personave me diabet kanë ndonjë manifestim të retinopatisë diabetike dhe që retinopatia diabetike (RD) është shkaktari kryesor i verbimit te pacientët e moshës 20 gjer 74-vjeçare. Gjasat për të zhvilluar këtë komplikim varen nga kohëzgjatja e diabetit, kualiteti i kontrollit të glikemisë, presioni i gjakut, niveli i lipideve të serumit, niveli i marrjes së kalorive, niveli i aktivitetit fizik, etj. Grup-mosha, e cila më së shumti është duke u rrezikuar nga diabeti është 30-39 vjeç. 

Manifestimet klinike të retinopatisë diabetike: Është me rëndësi të ceket se pacienti nuk do të vërejë ndryshime në pamje gjersa diabeti të mos dëmton regjionin e makulës, gjegjësisht gjersa të mos paraqitet ndonjë gjakderdhje më sinjifikante në trupin qelqor apo retinë. Prandaj, pacienti mund të ketë retinopati të shkallës së rëndë, ndërsa në anën tjetër ende të ketë pamjen e mirë. Prandaj, ekzaminimet e rregullta të fundit të syrit janë të domosdoshme. Ndryshimet të cilat mund të paraqiten në retinë janë: mikroaneurizmat (zgjatjet në formë qeske të murit të kapilarëve), gjakderdhjet sipërfaqësore apo të thella, eksudatet e forta dhe të buta, neovaskularizimet, proliferimet fibrovaskulare, etj. Varësisht nga paraqitja e tyre retinopatia diabetike ndahet në joproliferative dhe proliferative (natyrisht në kuadër të tyre pastaj ekzistojnë nënklasifikime).

Trajtimi
Mjekimi i retinopatisë diabetike bëhet në 3 mënyra: me laserfotokoagulim (LFK), injektime intravitreale të substancave të ndryshme dhe operacione të retinës dhe trupit qelqor (pars plana vitrektomi-PPV). LFK shfrytëzon nxehtësinë nga burimi laserik për të kauterizuar enët e dobësuara të gjakut të cilat mund të gjakderdhin dhe po ashtu ka një rol shumë të rëndësishëm në parandalimin e zhvillimit të neovaskularizimit dhe të shkolitjes së retinës. LFK-ja është një procedurë e shpejtë, pa dhimbje, kryhet për 10-15 minuta dhe mund të përsëritet shumë herë. Përafërsisht te 70% të sëmurëve që e bëjnë laserimin vjen gjer te stabilizimi i pamjes, ndërsa në 15% të rasteve pamja edhe mund të përmirësohet. Ekzistojnë dy mënyra të kryerjes së LFK. Njëra është LFK fokale, ndërsa tjetra është panLFK. Natyrisht, rekomandohet që para LFK, sidomos asaj fokale, të kryhet ekzaminimi i fluorescein angiografisë – FAG (foto 4). Gjatë FAG jepet një substancë kontrasti në venë dhe pastaj me anë të një kamere speciale bëhet fotografimi i retinës dhe vizualizimi i enëve retinale të gjakut. Në ato zona ku kemi dëmtim të enëve të gjakut dhe rrjedhje të kontrastit pastaj kryhet LFK fokale. Përveç LFK, mjekimi i retinopatisë diabetike bëhet edhe me injektimin e substancave të ndryshme në trupin qelqor. Ekzistojnë disa lloje të substancave të cilat mund të injektohen si kortikosteroidet, substancat anti-VEGF etj. Në vitet e fundit trajtimi i retinopatisë diabetike ka përjetuar një revolucion të vërtetë me paraqitjen e substancave anti-VEGF (si avastin, lucentis, etj) të cilat janë treguar shumë efikase në largimin e neovaskularizimeve. Mënyra tjetër e trajtimit të komplikimeve diabetike është edhe trajtimi kirurgjik, gjegjësisht PPV. Në rastet me gjakderdhje në vitreus, zhvillim të membranave proliferative apo ablacione traktive të retinës, atëherë duhet të intervenohet në mënyrë kirurgjike. Mirëpo, trajtimi është shumë më i suksesshëm nëse pacienti paraprakisht ka bërë trajtime me LFK dhe injektime intravitreale. Në të kundërtën rezultatet e intervenimit shumë shpesh janë të kufizuara. Në fund duhet të thekësojmë se duhet një bashkëpunim i mirëfilltë në mes të mjekut familjar, endokrinologut dhe oftalmologut, në mënyrë që pacienti të informohet dhe të udhëzohet për trajtim sa më efikas dhe me kohë, në mënyrë që të parandalohen komplikimet e mundshme të diabetit. Dr. Valbon Ajazaj.

Related

Shëndet & estetikë 4979138540701782190

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item