Pse francezët tolerojnë kaq shumë taksa
Francezët po përballen me një ngarkesë të stërmadhe me taksa, por janë edhe të famshëm për tolerancën e tyre ndaj taksave të larta në këmbim...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/12/pse-francezet-tolerojne-kaq-shume-taksa.html
Francezët po përballen me një ngarkesë të stërmadhe me taksa, por janë edhe të famshëm për tolerancën e tyre ndaj taksave të larta në këmbim të shërbimeve publike të shkëlqyera. Por a ka një limit për këtë tolerancë?
“The Economist”
Francezët po e përgatisin veten për rritjen e radhës të taksave, pasi ministri i Financave, Pierre Moscovici, shpalli buxhetin e vitit 2014 më 25 shtator. Qeveria po planifikon të mbledhë 3 miliardë euro taksa të reja vitin e ardhshëm, të cilat do ta ngrenë ngarkesën e përgjithshme të taksave në ekonomi në 46.5 për qind dhe do ta bëjnë vitin 2014, vitin e pestë radhazi kur ngarkesa e përgjithshme me taksa rritet.
François Hollande, Presidenti socialist, u zgjodh vitin e kaluar nën premtimin për të taksuar të pasurit, me një skemë për taksimin e njerëzve me të ardhura më të larta në masën 75 për qind. Por ligji fiskal tashmë po fut duart jo vetëm te xhepat e të pasurve, por edhe të pjesës tjetër.
Po pse francezët durojnë të paguarit e kaq shumë taksave?
Franca tashmë ka një ngarkesë më të lartë fiskale se sa çdo vend tjetër i eurozonës me përjashtim të Belgjikës. Ngarkesa e përgjithshme me taksa e Gjermanisë është plot 6 pikë përqindje më pak, ndërsa ajo e Britanisë, plot tetë pikë. Edhe Suedia, emblema e modelit skandinav me taksa të larta, merr më pak taksa sesa Franca.
Historikisht francezët kanë toleruar taksat e larta si një çmim për t’u paguar për shërbime dinjitoze publike dhe një sistem sigurie shoqërore me të vërtetë universal.
Të gjithë ata trena të shpejtë, spitale të klasit të parë e shërbime publike nuk vijnë falas dhe francezët janë të parët që mbrojnë një mënyrë jetese të subvencionuar nga portofoli publik, që vende si Britania apo SHBA-ja mund t’i kryejnë vetëm përmes shërbimeve private. Për më tepër, francezët e dallojnë shumë qartë pagesën e taksave nga pagesa e sigurimeve shoqërore.
Vetëm gjysma e familjeve duhet të paguajnë tatim mbi të ardhurat personale, por çdokush paguan sigurime shoqërore e shëndetësore. Nëse francezët paguajnë kaq shumë, kjo është e kuptueshme, për shkak të parimit të sigurimeve shoqërore: përfitime bujare në rastin e papunësisë së përkohshme, për shembull, nuk janë një shenjë bujarie nga shteti i Francës, por një përfitim i garantuar nga sigurimet shoqërore.
Me të vërtetë, toleranca e gjatë për taksat ka përforcuar qëndrueshmërinë e borxhit sovran të Francës, pasi është e lehtë të kuptohet se me çfarë eficiense të lartë qeveria e Francës mund të mbledhë taksat që ka nevojë.
Kur Xherar Depardje (Gérard Depardieu), një aktor i famshëm, njoftoi vitin e kaluar se po largohej nga Franca për shkak të taksave të larta, shumica e francezëve e përbuzën.
Kjo kontratë sociale, gjithsesi, mund të jetë pranë pikës së thyerjes. Përgjatë vitit të kaluar, ndërsa taksat mbi birrën e cigaret janë rritur, puna përtej orarit e pataksuar më parë u anulua, reduktimet e taksave u pakësuan etj., edhe francezët filluan të zemërohen.
Sondazhet tregojnë se rritja e taksave është bërë shqetësimi kryesor mes votuesve dhe arsyeja kryesore e rënies drastike të popullaritetit të Hollande. Rritja e shpejtë e taksave, e cila filloi nën qeverisjen e Nikolas Sarkozi (Nicolas Sarkozy), presidenti i mëparshëm, si pjesë e përpjekjeve për të reduktuar deficitin buxhetor të qeverisë, krijojnë më shumë pakënaqësi në një kohë kur francezët nuk janë më të bindur se shërbimet e tyre publike, nga shkollat shtetërore me eficiensë të ulët te trenat e mbipopulluar, nuk janë më, më të mira sesa shërbimet e vendeve të tjera. E çfarë kuptimi ka të paguash taksa sipas stilit suedez apo më shumë, nëse nuk merr shërbime publike të stilit suedez?
Politikanët duket se e kanë vënë re këtë lloj ndjesie, pasi Moscovici pranoi së fundmi se francezët “janë ngopur” me taksa. Edhe Hollande pranoi në një intervistë televizive se rritja e taksave është “tepër e madhe”.
Pjesa më e madhe e përpjekjeve për të reduktuar deficitin buxhetor më 2014-n nuk do të bëhen në drejtim të rritjes së taksave, por në drejtim të uljes së shpenzimeve. Hollande ka premtuar një “pushim fiskal”, gjë që do të jetë pjesë e mesazhit në buxhetin e vitit 2014.
Por vetë ideja e pushimit, gjithsesi, nuk është përkufizuar saktë. Nuk flitet për ulje taksash. Në vend të kësaj, duket se nënkuptohet ngadalësimi i normës së rritjes. Pra, nëse qeveria po planifikonte 6 miliardë euro taksa të reja më 2014-n, një rritje me 3 miliardë në buxhetin e prezantuar duhet të shikohet si lajm i mirë.
A mos po flasim për një tolerancë të pafund të francezëve për taksa? Votuesit do të japin verdiktin e tyre në zgjedhjet vendore dhe europiane pas gjashtë muajsh.