Marketingu, ai momenti kur të prodhoje nuk ishte më një problem

Përgjatë shekullit të njëzetë, kur bota mësoi të prodhojë mallra pa fund, industrialistët përdorën Frojdin për të bindur njerëzit të konside...

Përgjatë shekullit të njëzetë, kur bota mësoi të prodhojë mallra pa fund, industrialistët përdorën Frojdin për të bindur njerëzit të konsideronin të domosdoshme gjithçka që ata prodhonin. Kështu lindi marketingu
Krijimi i marketingut
Kjo është pjesa e tretë e një panorame gjithëpërfshirëse të modelit ekonomik të botës së sotme të përgatitur nga Peter Day i BBC-së. “Ti je bosi, imagjinoni një botë pa dyqane dhe pa fabrika”. 

Në fillim të shekullit të njëzetë, mallrat qenë me të pakta. Shtëpitë qenë të zbrazëta nga lojërat dhe konsumatorët zinin radhë e prisnin me durim për të blerë çfarë të mundnin.
Prodhimi masiv i bëri gjërat më të shumta dhe në fund, nuk mjaftonte më thjesht prodhimi i mallrave me një emër të famshëm. Pikërisht në këtë çast prodhuesit zbuluan Sigmund Frojdin (Freud).
Atyre iu desh të gjenin mënyra për një pamje të dallueshme apo stil e psikologji për produktet e tyre për të kënaqur atë që perceptohej si kërkesa më të thella njerëzore.
Nga kjo makineri e palodhur prodhimi lindi marketingu, koncepti i klasave socio-ekonomike dhe i segmentimit të tregut.
Industritë e stërmëdha mediatike u formuan duke u bazuar te reklamimi i gjithë këtij malli, rritja drejt supremacisë së markës dhe ndryshimeve në produkte gjithnjë e më sipërfaqësore të quajtura “novacione”.
Erdhi në atë kohë kur interneti po ndihmonte për të gjeneruar sasi të stërmëdha informacioni mbi konsumatorët e dëshirat e tyre dhe po krijonte pasuri të stërmëdha për një gjeneratë sipërmarrësish. Megjithatë, më 1998-n, kur unë shkova të takoj një nga ekspertët më të lavdëruar të menaxhimit në atë kohë, ai tha se diçka po ngjante e çuditshme.
I ndjeri profesor Peter Druker (Drucker), në atë kohë 87 vjeç, tha: “Kompjuteri nuk ka mbërritur ende të ndikojë me të vërtetë biznesin amerikan”. Dukej çmenduri që aq shumë para po investohej në kompjuterizim.
Por ai si zakonisht kishte të drejtë. Druker nënkuptonte se forma dhe struktura e hierarkisë së korporatës nuk u ishte përgjigjur flukseve të stërmëdha të informacionit që kompanitë kishin sakaq në majat e gishtave të tyre mbi konsumatorët, në rast se vendosnin t’i përdornin.

Ata kishin kompjuterizuar formën e tyre të shekullit të njëzet në vend që t’i përgjigjeshin mënyrës se si rrjetet kompjuterike po ndryshonin pjesën më të madhe të asaj që ata kishin ndërtuar përgjatë shumë dekadave. Kjo ishte një nga gjërat që nuk ta mësojnë nëpër shkollat e biznesit.
Organizatat e të gjitha llojeve sërish i shihnin përdoruesit e tyre përmes syzeve të filozofisë së tregjeve masive. Ata i shikonin përdoruesit si grupime njerëzish me dëshira të ngjashme, të grumbulluar “diku atje jashtë” në dhjetëra tregje me miliona njerëz secili.
Nëse dëshironin të kontaktonin klientët e tyre, ata dërgonin skuadra njerëzish me dosje dhe pyetësorë.
Ata dukeshin gati të frikësuar nga njerëzit që po bënin gjëra të ndryshme. Kështu ata menduan se është më e lehtë të prodhohen gjëra, pastaj pyetën skuadrat e marketingut dhe reklamave të krijonin ambalazhe, fushata e slogane që do t’i lejonin të shisnin mallin që ata mund të prodhonin më lehtë e me kosto më të ulëta nëpër linjat e tyre ekzistuese të prodhimit apo që mund t’i merrnin nga furnitorët e tyre.
Klientët përbënin interes për korporatat vetëm sa i përket faktit se ata mund të blejnë atë që bizneset mund të furnizojnë. Pati një hendek të stërmadh mes përdoruesve dhe furnizuesve. Por ky vijon të jetë udhërrëfyesi i gjithëpranueshëm për pjesën më të madhe të ekonomisë moderne, për botën që ne kemi krijuar përgjatë 100 viteve të fundit.
Kjo krijon lodhje mes punonjësve, menaxherëve dhe konsumatorëve.
Eksperienca e transaksionit është ajo që pothuajse gjithmonë dhe kudo rrit presionin e gjakut për pjesëmarrësit e të dyja palëve, por veçanërisht për blerësit dhe shitësit. Dhe gara e pafundme drejt eficiensës së kostove është në zemër të kësaj prirjeje për fitime që ka dalë nga modeli aktual i biznesit në botën perëndimore.
Kompanitë perëndimore thjesht nuk mund të konkurrojnë me prodhuesit e vendeve në zhvillim, të cilët po përdorin modelin e prodhimit masiv më shpejt dhe më lirë. Ky është kapitalizmi që konkurron veten deri në vdekje. Për të perifrazuar Leninin, janë kapitalistët që shesin litarin që do t’i varë.

Filloi në Detroit me një shpikje të thjeshtë dhe gjeniale

Bota industriale e sotme ka një nofkë! Ajo nofkë është Fordizmi, ose mënyra e prodhimit masiv në seri themeluar nga Henri Ford, biznesmeni amerikan që krijoi modelin që dominoi të gjithë shekullin e njëzetë
Henri Ford
Kjo është pjesa e dytë e një panorame gjithëpërfshirëse të modelit ekonomik të botës së sotme të përgatitur nga Peter Day i BBC. “Ti je bosi, Imagjinoni një botë pa dyqane dhe pa fabrika”.

Pak më shumë se 100 vjet më parë në Detroit, Henri (Henry) Ford pati huazuar disa ide të fuqishme nga njerëz të tjerë për të krijuar ide edhe më të fuqishme. Ai mori konceptin e pjesëve të këmbimit nga industria amerikane e armëve. Mori transportuesin e lëvizshëm nga thertoret e Çikagos. Nga këto krijoi një linjë asemblazhi në shkallën e një fabrike. Një njeri jashtëzakonisht praktik, ai ndoqi idenë e eficencës, e reduktimit të kostove, të bërjes së gjerave më të lira – që të gjitha fillimisht qenë të zeza.
Por ai reduktoi punën në linjat e tij të reja të prodhimit deri në atë pikë sa u bë sinonim i aktivitetit industrial. Kjo ndodhi për shkak se pothuajse të gjithë inxhinierët e aftë dhe me eksperiencë në Detroit në atë kohë qenë sakaq të punësuar për të prodhuar vagonë trenash.
Fordi mori punëtorët e vet të pakualifikuar me shumë pak aftësi komunikimi në anglisht drejtpërsëdrejti nga varkat e emigrantëve.
Ai e çmontoi punën që u kërkohej atyre të kryenin për të bërë një Ford Model T deri te niveli i aktivitetit më të thjeshtë të përsëritur, udhëhequr nga linja e lëvizshme e prodhimit.
Natyra e vijuar e kësaj pune bënte që ai duhej të paguante punëtorët jashtëzakonisht mirë. Më 1914 ai i dyfishoi pagesat për punonjësit e industrisë së makinave në 5 dollarë në ditë – mjaftueshëm që ata të përballonin vetë blerjen e një makine Model T.
Dhe ai hoqi një orë nga dita e punës gjithashtu. Këto dy gjëra patën një ndikim të madh në produktivitetin e fabrikave të Ford.
Linja e asemblimit më 1914
Punonjësit e Fordit e urrenin aq shumë metodën e linjës së re të asemblimit sa nga fundi i vitit 1913, ndryshimet e punonjësve qenë në nivele shumë të larta. Në mënyrë që të zgjeronte forcën e punës me 100 burra, kompania duhej të punësonte 953 vetë.
Ajo që është kaq e jashtëzakonshme është se si modeli fordist i prodhimit masiv dhe zbulimet e tij të mekanizimit për eficencë gjithnjë e më të madhe u bënë kaq shpejt dominuese jo vetëm për prodhimin e makinave, por për prodhimin ekonomik në përgjithësi, në pothuajse çdo industri.
Linja e prodhimit të korporatave të mëdha u bë modeli absolut për biznes gjithkund në botën e industrializuar dhe koncepti i punës për miliona njerëz. Ajo solli mirëqenie të stërmadhe dhe të mira materiale për njerëzit që nuk patën pasur kurrë mundësi t’i kishin më parë. Ajo krijoi lagje ku njerëzit prodhuan makina dhe ku njerëzit që i blenë mund të jetonin.
Pastaj, pas 80 vjetësh të dominimit perëndimor Fordist, makineria prodhuese e botës së pasur filloi të zhvendoset, drejt vendndodhjeve shumë të largëta.
Por edhe atje, gjatë revolucionit të frikshëm industrial të Kinës dhe kur shërbimet filluan të zhvendosen në masë drejt Indisë, sërish prodhimi masiv dominoi.
Përgjatë dekadës së fundit të shekullit të njëzetë dhe në fillim të shekullit të 21, unë ndjeva se mënyra e vetme për bizneset që të siguroheshin se do të mbijetonin në botën e zhvilluar, pra në SHBA dhe Europë, qe që të hiqnin dorë nga konkurrenca me prodhuesit me kosto të ulët të botës dhe unë kam parë se si këto prodhues u shfaqën kaq shpejt në Kinë dhe në shumë vende të reja industriale. Unë kuptova se shpërthimi i lidhjeve dixhitale qe përgjigjja për këtë.

Themeluesi
Henri Ford 1863 – 1947
Henri Ford qe një industrialist amerikan dhe themelues i kompanisë së makinave Ford. Ai qe sponsorizuesi i zhvillimit të teknikës së linjave të asemblazhit dhe rrjedhimisht, prodhimit masiv në seri. Ndryshe nga sa besohet, ai nuk e shpiku makinën dhe as linjën e asemblazhit. Por ai qe i pari që zhvilloi dhe prodhoi makinat për përdorim nga shtresa e mesme e Amerikës. Në këtë mënyrë, ai e konvertoi makinën nga një shpikje relativisht e panjohur në një novacion që pati ndikim të thellë në gjithçka që u përjetua gjatë shekullit të njëzetë. Prodhimi i tij i automjetit Model T revolucionarizoi transportimin dhe industrinë e Amerikës. Si pronar i kompanisë Ford, ai u bë një nga më të pasurit njerëz në botë.
Modeli që ai zhvilloi vijon të njihet në librat e historisë dhe të menaxhimit si modeli “Fordist”. Prodhimi masiv i mallrave të lirë të kombinuar me paga të larta për punëtorët.
Fordi pati një vizion botëror, me konsumerizmin si çelës për paqen. Angazhimi i tij sistematik në uljen e kostos së prodhimit solli shumë novacione teknike dhe të biznesit, përfshirë sistemin français që e vendosi një model të ri partneriteti në shitje në shumicën e Amerikës së Veriut dhe në qytetet e mëdha në të gjitha kontinentet. Fordi ia la pasurinë e tij të pafundme në pjesën dërrmuese Fondacionit Ford dhe u sigurua që familja e tij të kontrollonte kompaninë në mënyrë të përhershme.
Fordi qe gjithashtu i njohur edhe për qëndrimin e tij pacifist në vitet e para të Luftës së Parë Botërore, por edhe si publikues i teksteve antisemite të tilla si Libri i Judaizmit Ndërkombëtar.

Imagjinoni një botë pa dyqane dhe pa fabrika


Kur gjendesh në mes të një rryme ndryshimi, novacioni eklipson novacionin. Është e vështirë të dish se çfarë do të triumfojë dhe çfarë do të zhduket. Por modeli ekonomik sot duket se po përmbyset
Ti je bosi
Peter Day, BBC
Pjesa e parë
Këta 100 vjet janë kaq të rëndësishme, sepse është kohëzgjatja e një epoke të prodhimit masiv që u shfaq menjëherë pas vitit 1910 me Henri Fordin (Henry Ford) në Detroit. Është një epokë për të cilën unë mendoj se po vjen pranë fundit, ose së paku, po i nënshtrohet një kufizimi të madh. Epoka e parë industriale po zëvendësohet me diçka tjetër.
Henri Ford tha në mënyrë mbresëlënëse mbi makinën e tij Model T: “Çdo konsumator mund të ketë një makinë të lyer me ngjyrën që ai dëshiron, për sa kohë ajo që ai dëshiron është e zeza.”
Por pse veçanërisht e zezë? Nuk është një çështje stili apo shijeje, është thjesht se boja e zezë thahet më shpejt, kështu që makinat dalin nga linja e prodhimit më shpejt. Ford ishte një njeri jashtëzakonisht praktik.
Por le të fillojmë me origjinën, shenjat e para që tregojnë se shekulli i 21 do të jetë shumë i ndryshëm nga ajo që ne kemi parë gjatë shekullit të 20.
Në verën e vitit 2004, unë pata një takim domethënës dhe zbulues me ndikimin e Kinës në botë. Po qëndroja në një dok të Portit Qingdao në Detin e Verdhë. Para meje, në krah të majtë, qenë malet e hekurit që sapo ishin sjellë aty nga jashtë vendit, që qëndronin duke u ndryshkur nën diell. Dhe pastaj, për të më zbuluar superfuqinë industriale në ngritje, unë pashë mijëra kontejnerë në skelën aty pranë, të vendosura mbi njëra-tjetrën deri në lartësinë e pallateve, përplot me mallra të gatshme që prisnin të eksportoheshin nëpër botë.
Revolucioni i ri industrial i Kinës ishte pikërisht atje para meje. Me një pamje unë zbulova fuqinë e Kinës në ekonominë botërore – një rritje të stërmadhe të çmimeve të materialeve bazë të domosdoshme, si hekur e ushqime dhe në të njëjtën kohë, një rënie të stërmadhe të çmimeve në mallrat e gatshëm që bota po nxitonte të blinte nga Kina.
Ishte një simbol i botës së zhvilluar, të sfiduar në zemrën e vet nga një fillestar i fuqishëm, pastaj kjo u pasua nga e gjithë Azia. Bota po fillonte të përmbysej.
Këtu ishte teza e ekonomistit britanik, Xhim Onill (Jim O’Neill), duke vërtetuar veten – ngritja në tryezën ekonomike të botës së kombeve “BRICS”, Brazili, India, Rusia dhe Kina. Onill ishte kryeekonomisti i bankës së investimeve “Goldman Sachs”, 12 vjet më parë, kur ai mori një reputacion ndërkombëtar për disa parashikime habitëse.
Ai argumentoi se nëse kombet në zhvillim do të vijonin të rriteshin me ato ritme që qenë, atëherë Kina do të bëhej ekonomia më e madhe e botës në vetëm pak dekada. Më e madhe sesa ajo që në atë kohë ishte më e madhja, Shtetet e Bashkuara.
Për të vlerësuar shpejtësinë dhe përmasat e transformimit të Kinës, ne kemi nevojë të shohim te Britania e Madhe, e cila në vitin 2000 ishte një ekonomi pak më e madhe sesa Kina.
Por, ndërkohë, Kina mbeti shumë më e varfër sesa bota e zhvilluar në termat e Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë. Ekonomitë e reja në zhvillim, po transformoheshin në ekonomitë më të mëdha të botës.
Por njerëzit në postet vendimmarrëse në shumicën e kompanive dukej se ndienin (me pak përjashtime) se ky ndryshim i madh nuk do të ndodhte gjatë mandatit të tyre, kështu që nga pikëpamja praktike nuk kishte rëndësi. Në fakt ajo kishte rëndësi, siç e pamë në Qingdao.
Pastaj pashë një pamje tjetër frymëzuese në udhëtimin e kthimit nga Kina në Britani përmes Kalifornisë. Në Palo Alto, Lugina Silikon, shkova të vizitoja Joe Kraus. Ai ishte një nga të pestë të diplomuarit e Stenfordit që shkoi menjëherë nga universiteti për të themeluar një motor kërkimi të quajtur “Excite” në mes të viteve ’90.
Kompania ia shiti aksionet e veta publikut të gjerë – në moshën 26-vjeçare, Joe Kraus sapo ishte bërë multimilioner kur unë e takova për herë të parë më 1996-n. “Excite” u rrit me ritëm eksponencial dhe u bashkua për t’u bërë “Excite@Home”. Në vitin 1999, ajo ishte një sipërmarrje me vlerë 6.7 miliardë dollarë me qindra të punësuar dhe dukej se kishte një të ardhme të pafundme.
Dhe sërish, një vit më vonë, flluska dotcom shpërtheu dhe para fundit të vitit 2000, “Excite@Home” ishte një praktikë e falimentuar. Në të njëjtën kohë, disa kilometra më larg, një kompani tjetër fillestare e themeluar nga të diplomuarit e Stenfordit, një kompani konkurrente e kërkimit në internet e quajtur “Google”, po kthehej në kompaninë më të madhe mediatike të botës.
Duke rishikuar këtë eksperiencë të jashtëzakonshme një vit më vonë, Joe Kraus, ishte pajisur me njohuri domethënëse mbi si dhe pse dështoi “Excite” dhe si e pse triumfoi “Google”. Ai thotë se “Excite” ishte një kompani tipike e shekullit të njëzetë, që kërkonte të mblidhte të gjitha të ardhurat e veta nga 10 kompanitë më të mëdha në Amerikë, siç pati vepruar biznesi i medias për shumë dhe shumë dekada. Por, ndërsa ky ishte një ndryshim nga lart për poshtë, “Google” e strukturoi biznesin e vet, me synimin për të tërhequr një milion apo dhjetë milionë reklamuesit më të mëdhenj të Amerikës.
Dhe Joe Kraus më tha diçka që unë e shoh si një nga çelësat për të kuptuar se sa e ndryshme është jeta sot në krahasim me botën ku unë kam jetuar pjesën më të madhe. Është një nga deklaratat më të rëndësishme që ne kemi transmetuar ndonjëherë në programin tonë “Në biznes” (In Business).
Ai tha: “Shekulli i 20 ishte për disa dhjetëra tregje me miliona konsumatorë. Shekulli i 21 është me miliona tregje dhe dhjetëra konsumatorë”.
Kjo frazë e vetme, “miliona tregje dhe dhjetëra konsumatorë” me të vërtetë e kthen botën konvencionale të prodhimit masiv, botën e biznesit të shekullit të njëzetë, me kokë poshtë. Gjëja me të vërtetë revolucionare që po ndodh me konceptin “konsumator”, një term që duket se është shfaqur në publikime pikërisht në fund të viteve 1800 dhe që u rrit në rëndësi përgjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë.
Në shumë shoqëri, konsumatorët tashmë po sfidohen në rolet e tyre pasive si përdorues të mallrave që u ofrohen nga të tjerët. Ata po bëhen më shumë si krijues në një mënyrë që nuk qenë lejuar kurrë më parë.
Unë pata edhe një takim mbresëlënës me rivalin e tij “Google” më 2002-shin. Kjo ishte katër vjet pasi kompania qe themeluar dhe dy vjet pas hyrjes së saj spektakolare në bursë. Shkova te selia e vjetër e ngrohtë, “Googleplex”, e cila nuk ishte kampusi i stërmadh ku ka selinë sot kjo kompani. Kishte korridore përplot me biçikleta. Ishte një piano e madhe në recepsion për dëfrim në kohën e drekës dhe llamba të thjeshta gjithandej.
Por mbi tavolinën e pritjeve gjendej diçka që nuk e kisha parë më parë. Në një ekran të madh ata paraqisnin në kohë reale (por me termat seksuale të fshehura) disa nga kërkimet botërore që po bëheshin nga përdoruesit anembanë planetit, kur dhe ku. Udhërrëfyesi im Dejvid (David) Krane dhe unë lexuam ata terma një nga një në mikrofonin tim dhe kur unë ndalova, e kuptova. Kuptova se ne po shihnim mendjen e botës.
Aty ishte një lidhje gjysmë e strukturuar e miliona njerëzve dhe miliarda të tjerëve që do të vinin. Një mendje e re për botën. Sistemi i ri nervor. Kjo, në fakt, ishte bota jonë e përmbysur. Ajo ishte bota që ne na kishte formëzuar thellësisht dhe që ne ia detyrojmë aq shumë Henri Fordit.

Related

Marketing 7252761537486662481

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item