Ndizemi e shuhemi - Mihal Hanxhari
Emrin ia mësova shumë kohë pasi u njohëm. Quhej Eva. Shpesh më ka ndodhur që të shoqërohem dhe të kem marrëdhënie me dike, e të mos ia kem d...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/12/ndizemi-e-shuhemi-mihal-hanxhari.html
Emrin ia mësova shumë kohë pasi u njohëm. Quhej Eva. Shpesh më ka ndodhur që të shoqërohem dhe të kem marrëdhënie me dike, e të mos ia kem ditur emrin. Ndofta më është dukur fort pak i rëndësishëm.
Se si e njoha, kur e pashë për herë të parë, s’di të them. Bile`, kur u kujtova se ajo po ecte pranë meje në rrugën e jetës s’ime në atë qytet, isha për shumë kohë indiferent karshi saj dhe kurrë s’mendova se do të lidhesha sadopak me te. Eva, jo. Ajo më kishte takuar mes morisë së njerëzve, më kishte ndjekur ditë e net, më kishte përgjuar dhe isha bërë për te një njeri i dashur, isha bërë një ikonë e paparë, para së cilës ajo gjunjëzoheshe e vetmuar, netëve duke u lutur në heshtje.
Më vonë, më tregonte se si më kish dashur së largu, më tregonte shumë gjëra, që më kishin ndodhur, e që unë i kisha harruar, por që ajo i mbante mend me hollësi; i ruante si kujtime të ëmbla dhe ndihej e lumtur, kur tregimet e saj ngjallnin kureshtjen dhe habinë time. Dhe me të vërtetë në shpirtin tim ndjenja një paqe të ëmbël, ndofta ndjenja dhe një dridhje krenarie, që isha dashur aq shumë prej një vajze, pa e ditur unë.
Ajo s’ishte nga Budapesti, kishte ardhur nga krahina. E ndofta kurrë nuk pat menduar se Budapesti i madh e i zhurmshëm, ku ajo dukej si manushaqe e vogël, që mund të shkelej herë pas here, nga ndonjë kalimtar i shkujdesur, do e lidhte papritmas me një të panjohur, me një lidhje të fortë dhe plot pasion.
Në fillim e mëshirova, pastaj u tregova një mik i ftohtë, më vonë ndjeva nevojë të isha pranë saj, si përpara një zemre të gjerë, që mund të merrte ndonjë pike nga helmi i zemrës sime të mbushur. Pastaj e desha. E kur nisa ta dua, pashë që qe e bukur. Pothuaj ishte gjithmonë në gaz, dhe u çudita se si në fund të shpirtit ajo ruante një melankoli të thellë.
U futëm në pyllin e ri, me drurët e rritur si djem të shëndetshëm e të gëzuar. Asgjë nuk na shqetësonte aty. Më kishte zënë për mesi sikur unë të isha dama e saj, dhe ecnim pa thënë një fjalë. Kisha pështetur kokën në supin e saj, e shihja gjethet që njollosnin qiellin e kaltër me arabeskat fantastike. U ulëm pastaj në një lëndinë të shtruar me bar të njomë si një sixhade e butë jeshile, e tek tuk të zbukuruar me një kërpudhë të bardhë. Mbështeta kokën në prehrin e saj, dhe më pëlqente të ëndërroja bukurinë.
-Misha…
Më perkëdheli flokët dhe u përkul mbi mua. Ngrita sytë dhe pashë gjinjtë që i rëndoheshin në fustanin e hapur. M’u kujtua kur zhvishja lëkurën e portokallit, ai pushi i bardhë që ka lëkura përbrenda. Aq të bardha ishin gjinjtë e saj.
-Misha…
-Hesht Eva…
-Përse?
-S’e di. A s’është çdo gjë më e bukur në heshtje?
Më pështeti kokën lehtë mbi bar, dhe u ngrit. Ndenja ashtu duke parë ato copëzat e kaltra të qiellit mes gjetheve. Ndjeva një kapitje dhe mbylla sytë.. Kur i hapa, pashë atë që më rrinte përsipër dhe më vështronte me sy të thellë e të shkëlqyer. Buza i digjej nga një afsh përvëlonjës, dhe gjysmë e hapur puthte së largu plot epsh, çdo gjë timen. U ngrita pakë, ia mora kryet në duar, dhe e mbështeta mbi vete. E putha me gjithë shpirt dhe pastaj e lashë të shtrirë mbi bar. U përkula sipër saj dhe më pëlqente ta shihja në sy, ta shihja, e pastaj ta puthja papritmas në buzë, në gushë, në gjinjtë… Më dukej gjiri i saj më i bukuri që mund të bënte një gdhendës i zot në qelibarin e bardhë, më dukej sikur kish gjithë aromat e luleve të pyllit, më dukej i freskët si ujët e kulluar të një burimi të fshehur në hije e gjethe, më dukej sikur kisha në duar bukurinë më të madhe që ka trupi i një vajze në moshën e rinisë, dhe kurrë nuk putha me aq dëshirë, kurrë nuk desha si athere të fus atë trup të huaj në mbrendësinë e trupit tim, për ta absorbuar, për ta patur krejt timin, me dëshirën e afshin bashkë! Oh! Ç’dëshirë, ç’dashuri për një qenje që s’është tëndja. U lëshuam te njëri tjetri si dy udhëtarë të etur që gjejnë ujë në një burim të kulluar, u bashkuam si dy duar që lidhen me gishtërinjtë e s’hapen më, u bëmë një, e ashtu dora e natyrës u tall me ne sa deshi; pastaj heshtëm, heshtëm dhe u tërhoqëm kush e kush në vehten e vet, e u bëmë përsëri dy, dy si dy pemë me rrënjë të veçanta. Kur pylli filloi të errej e të ftohej, ne po ecnim njëri pranë tjetrit pa thenë një fjalë. Vura re që sytë i ruanin një cipë loti që s’binte kurrë. E afrova pranë vehtes, por ajo s’ndjente më dorën time. Diçka mendonte. Kur dolëm nga pylli m’u lut ta linja të ikte vetëm.
-Përse?
-Dua të jem vetëm.
-S’më don më?
Ngriti sytë dhe më pa e lodhur e si në faj:
-Ç’gjë tjetër më ka mbetur për të dhënë që të besosh se të dua?
Desha ta puth, por ajo u fsheh në gjirin tim, në këmishën e bardhë. E qau.:
-Misha, sa e kisha pritur këtë ditë; sa herë e kisha ëndërruar me sy hapur, sa herë e vetme në shtratin tim, natën në errësirë, e kisha kërkuar. Ja kjo qe; ç’tjetër mbetet tani për të kërkuar? Çmë mbetet tjetër për të dhënë ty tani. Ndofta mbaroi ç’do gjë mes nesh..
E më shtrëngoi fort, e s’e largonte kryet nga gjiri im duke qarë.
-Eva, përse flet kështu, përse?
S’dija ç’të thosha. Kurrë s’kisha kujtuar se ajo vajzë nga krahina ishte aq e pastër; mendonte aq thellë e që donte aq shumë.
-Jo, s’duhet të arrinim gjer këtu. Ky është fundi.
-Marrëzi po flet… -i thashë me padurim..
-E shikon që kam të drejtë. Unë e shoh fundin. Ndofta dhe ti e sheh, por s’e thua. Ti je më pak i sinqertë. Ndofta sepse s’je ti që më deshe i pari, ndofta sepse jam unë që të dua e pa shpresë.
Fillova të ndjeja vështirësinë e këtyre fjalëve. Shihja që ajo më deshte akoma më shumë, e që unë s’kisha më dashurinë e parë. Dhe e shihja se kjo s’vinte vetëm nga epshi i shuar, jo ishte rruga e re që po niste zemra e ime për në një sferë akoma të panjohur.
U ndamë kështu atë natë. E u ndamë kështu edhe katër herë të tjera. Pastaj erdhi dita që ajo do të largohej nga Budapesti. E përcolla në stacionin e lindjes dhe i dhurova një fletore të bukur për të shkruar ditët kur do të ishte larg meje.
Iku.
Pas dy vitesh postjeri i kolegjit më dorëzoi një pako të vogël. Ish fletorja e bukur, e shkruar me një shkrim të rregullt. Nuk e lexova, por vajta në takim: ajo ishte kthyer dhe më kish lënë një pikëpjekje. E takova në mbrëmje te këmbët e urës së këputur të Elizabetës. S’e njoha lehtë. Qe bërë grua. Qe bërë si gjithë të tjerat. E, ndjeva një zhgënjim në shpirt.
-Në fletore ke lexuar gjithçka. Tani di çdo gjë- e qeshte.
Pohova me kokë pa ditur përse. U ulëm në një espresso.
-Si të dukem? – më tha njëherë.
-Sikur s’je ti.
-Sigurisht, ke të drejtë, s’jam më unë. Por a e ke harruar atë që isha?
-Jo s’mund ta harroj, më pate dashur vërtetë.
-Po, vërtetë.
-Ajo mbas dite në pyll.
-Ah po në pyllin e mëkatit tim, dita e fundit e dashurisë sonë. Jo vetëm, qe dashuria e tërë jetës sime që u shkri. Sikur të mos qe epshi në botë, sikur të duheshim vetëm në shpirt, sikur të desha atëhere, kur ti s’më njihje akoma, ndofta tërë jeta e jonë do të qe mbushur me ëmbëlsi e dhemshuri të dashurisë deri në ditët e vdekjes, ndërsa kështu, ndizemi e shuhemi, kujtojmë se jemi perëndi dashurie për një çast, e pastaj si tretemi si dylli, kujtohemi që s’jemi veçse demonë të akullt me gjak të ftohtë e krejtësisht të mjerë, pa dashur asgjë, as vehten tonë…E më lëshoi tymin e cigares në fytyrë.
-E di Mihal! Kam parë në galeri një pikturë, që paraqet Evën dhe Adamin, që po i përze Perëndia nga Parajsa. E di? M’u kujtua ajo mbas dite në pyll, kur qava atje në rrugë…
-Eva , ti më flet shumë bukur, unë i dua këto fjalë..
-Tani veç fjalë mësoj, fjalë, fjalë të reja, mendime, por ç’janë gjithë këto, ç’më duhen, ç’më kthejnë? Sikur këto mendime dhe fjalë ti kishim përpara se të hanim mollën, ndofta do të kishin një vlerë, por i kemi vetëm më pas, e kjo është më e dhimbshëme dhe më e kotë.
U ngrit. Pagova, dhe dolëm… Më ftoi në shtëpinë e saj, të cilën i shoqi e kishte blerë në një rrugë të largët (ishte martuar). Nuk i vajta. Pas ca ditësh mora një kartëpostale.
“E di, ti do të më kthesh lumturinë e humbur. E ke kot, ajo ka rënë në fund të oqeanit, bashkë me lumturinë e gjithë botës s’onë. Eja pra, duku këtej. Të jetojmë si gjithë bota. Jeta është një rrugë, në të cilën ecet vetëm përpara gjer në fund. Përse mendon se atë rrugë mund ta nisim nga fillimi? A se sheh fundin e saj sa pranë është? Ti gjithmonë s’ke ditur të shohësh. Eja, “ai”kthehet veç në darkë…”
Vajta…dhe fillova ta ndjej vehten si një baltë të njomë, me të cilën ajo ndërtonte formën e shpirtit të saj./standard