12 hapa që vlejnë për t’u ushqyer shëndetshëm
Situata shëndetësore në Shqipëri karakterizohet nga një kombinim i niveleve në rritje të mbiushqyerjes, sidomos mes grupeve urbane, tek të c...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/12/12-hapa-qe-vlejne-per-tu-ushqyer.html
Situata shëndetësore në Shqipëri karakterizohet nga një kombinim i niveleve në rritje të mbiushqyerjes, sidomos mes grupeve urbane, tek të cilat konsumi i ushqimeve të përpunuara po rritet, ndërkohë që aktiviteti fizik vjen në ulje, si dhe nënushqyerjes të theksuar mes grupeve të brishta si femrat shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët e vegjël në zonat e largëta.
Studimi i fundit Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri, i realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik dhe INSTAT, në bashkëpunim me organizata botërore që operojnë në këtë fushë, tregoi se 19% e fëmijëve nën 5 vjeç paraqiten të shkurtër për moshën dhe rreth 11% janë shumë të shkurtër. Më e shprehur është tek foshnjat 0-6 muajsh e në zonat malore dhe te nënat pa arsim, ku niveli arrin rreth 30%. Kështu, të dhënat treguan se 17% e fëmijëve nën 5 vjeç dhe 19% e grave paraqesin anemi të shkallëve të ndryshme. Shkak i saj është ushqyerja e pakët me ushqime që përmbajnë hekur, folate, vit B12, etj.
Për foshnjat 0- 6 muajsh, vetëm 39% e fëmijëve janë ushqyer ekskluzivisht me gji dhe 21% kanë marrë ushqime plotësuese, të cilat nuk këshillohet të futen në këtë moshë, theksojnë specialistët e shëndetit publik. Nga ana tjetër, 39 % e femrave 15-49 vjeç janë mbipeshë apo obeze. Rreth 20% e grave dhe 28% e burrave kanë tension të lartë gjaku ose marrin barna antihypertensive, ndërkohë që 79% e grave dhe 90% e burrave me hipertension nuk janë në dijeni të këtij fakti. Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se ushqyerja e pakët mund të çojë në ulje të imunitetit dhe rritjen e mundësisë për t’u sëmurë, zhvillim të dobët fizik dhe mendor, ulje të produktivitetit dhe përqendrimit në shkollë, prishje të dhëmbëve etj.
Rreth 20% e vdekjeve të fëmijëve nën 5 vjeç në të gjithë botën mund të evitohet nga zbatimi korrekt në praktikë i udhëzuesve të ushqyerjes sipas OBSH, shprehen specialistë të shëndetit publik. Por, sipas tyre, vitet e fundit vihet re rritja drastike e obezitetit dhe marrja e një diete ushqimore gjithnjë e më hiper kalorike. Mbiushqyerje konsiderohet kur një person është mbipeshë ose i dhjamosur, gjë që mund të shkaktojë diabet në fëmijëri dhe sëmundje të zemrës, të vazove të gjakut dhe sëmundje të tjera në moshë më të rritur. Dymbëdhjetë hapat e ushqyerjes së shëndetshme Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ushqyerja e ekuilibruar dhe e përshtatshme, e kombinuar me aktivitet fizik të rregullt, janë guri i themelit për një shëndet të mirë dhe njëherësh mjete shumë efikase për parandalimin e shumë sëmundjeve dhe për trajtimin e disa të tjerave. Sigurimi i një ushqyerje të shëndetshme dhe të sigurt gjatë viteve të para të jetës ka përfitime për gjithë jetën.
Ndërkohë, specialistët e shëndetit publik rekomandojnë 12 hapa për ushqyerje të shëndetshme:
1. Konsumo një dietë ushqyese të bazuar në ushqime të ndryshme me origjinë kryesisht bimore sesa shtazore.
2. Konsumo bukë, drithëra, oriz, ose patate disa herë në ditë
3. Konsumo varietete zarzavatesh e frutash disa herë në ditë (së paku 400 gr në ditë), mundësisht të freskëta dhe të prodhuara lokalisht.
4. Mbaj peshën trupore në limitet e rekomanduara, duke mbajtur nivele të moderuara të aktivitetit fizik çdo ditë.
5. Mbaj nën kontroll konsumin e yndyrnave (jo më shumë se 30% të energjisë ditore)
6. Zëvendëso mishin me dhjame me prodhimet e mishit me bizele, bishtajore, thierrëza, peshk, pule ose mish pa dhjame.
7. Përdor qumësht dhe nënproduktet e tij që kanë sasi të pakta yndyre dhe kripë.
8. Zgjidh ushqime që janë me përmbajtje të pakët sheqeri dhe konsumo sheqer të përpunuar dhe me kursim, duke limituar frekuencën e pijeve me sheqer dhe ëmbëlsirave.
9. Zgjidh një dietë me sasi të pakët kripe. Konsumi total i kripës nuk duhet të jetë më shumë se një luge çaji (6 gr) në ditë, duke përfshirë kripën në bukë dhe ushqimet e konservuara e te përpunuara. (Jodizimi i kripës duhet të jetë universal atje ku deficienca jodike është endemike)
10. Nëse konsumoni alkool, konsumi limit duhet të jetë jo më shumë se 2 pije (secila të përmbajë 10 gr alkool) në ditë.
11. Përgatitni ushqimin në mënyrë të sigurt dhe higjienikisht pastër. Zieni, piqni apo gatuani me avuj ose mikrovalë për të pakësuar sasinë e yndyrnave shtesë.
12. Promovoni ushqyerjen ekskluzive me gji dhe futjen e ushqimeve shtesë të sigurta në moshën rreth 6 muajsh, por jo më parë se 4 muajsh, ndërkohë që ushqyerja me gji të vazhdojë gjatë vitit të parë të jetës.