Formimi i përshtypjeve për të tjerët

Prof. Dr. Ylli Pango Është e rëndësishme rruga si formohet përshtypja për tjetrin, opinioni e gjykimi për të, duke filluar nga përshtypjae p...

Prof. Dr. Ylli Pango

Është e rëndësishme rruga si formohet përshtypja për tjetrin, opinioni e gjykimi për të, duke filluar nga përshtypjae parë e deri tek krijimi i asaj të përgjithshme. Formimi i përshtypjeve ndjek një rrugë të komplikuar që ndryshon nga njëri individ te tjetri, por rasti i krijimit të gjykimeve a vlerësimeve të gabuara e të cekëta, sidomos tek ne është mjaft i shpeshtë. Ka mjaft rëndësi procesi mbi bazën e të cilit njeriu kap, mbledh, organizon informacionin lidhur me një individ tjetër për të gjykuar për të. Ka gjithashtu mjaft rëndësi opinioni i parë dhe ndikimi i të tjerëve në ngulitjen e parë të tij, por edhe pjekuria e përvoja e vetë atij që gjykon në dhënien a krijimin e gjykimit për tjetrin. Kjo sepse njeriu si fillim e fokuson vëmendjen më shumë te disa cilësi qendrore për krijimin apo formimin e përshtypjes së përgjithshme. Këto cilësi qendrore shërbejnë për të organizuar përshtypjen dhe sigurojnë një kornizë për të interpretuar informacionin që do të merret më pas.

Përse është veç të tjerash e rëndësishme sidomos përshtypja e parë. Njerëz me avantazhin natyral të lënë një përshtypje të parë të mirë, pozitive, për shkak të sjelljes, paraqitjes etj., arrijnë të kenë fjala vjen një punë të mirë, një mbështetje a një sukses, më me lehtësi se të tjerë që nuk e kanë këtë fat a dhunti. Në intervistat për të fituar një punë, ata fitojnë simpatinë e intervistuesit që në fillim dhe arrijnë jo rrallë shumë më tepër në këtë moment të parë kontakti sesa gjatë gjithë aktivitetit të tyre të mëvonshëm, së paku në aspektin e raportit me eprorin, punëdhënësin, partnerët. (Natyrisht, pas kësaj është me mjaft rëndësi mbajtja gjallë e këtij raporti, e imazhit pozitiv të krijuar, nëpërmjet punës a aftësive të tjera). Në përgjithësi është e zakonshme që shpesh të formohet një gjykim, mendim, opinion, a pjesë e madhe e opinionit, mbi bazën e përshtypjes së parë. Por kjo nuk mjafton. Përshtypjet e së bashku me to edhe gjykimet thellohen, sepse edhe situatat nëpër të cilat kalon njohja e njeriut janë nga më të shumtat e të larmishmet dhe natyra njerëzore është jo e thjeshtë. Por gjithsesi, përshtypjet e para mund të jenë me mjaft rëndësi për ardhmërinë e marrëdhënieve tona me të tjerët, qofshin këto përshtypje pozitive apo negative. Nga ana tjetër, kur njohja thellohet dhe njeriu njihet gjithnjë e më shumë e më thellë nga të tjerët, faktori përshtypje e parë mund dhe ta humbasë jo rrallë peshën e tij të parë të madhe a rëndësinë e tij. A nuk janë raportet mes çifteve a ndryshe ato dashurore, ndër shembujt më sinjifikativë të kësaj? Është i pakrahasueshëm efekti i përshtypjeve të para, të takimeve të para të të dashuruarve, por edhe të njerëzve që krijojnë një raport normal çifti. Më pas njohja e thelluar por edhe efekti i përsëritjes, situatat e shumta nëpër të cilat kalohet, njohja e të metave të zakonshme për çdo njeri, e bëjnë të kujtohet me nostalgji por në disa raste edhe jo pa një lloj nënqeshje disi ironike këtë periudhë të parë njohje, për vetë efektin sipërfaqësor, ndonëse të bukur të saj.

Jo rrallë besojmë në gjykimin tonë në mënyrë të ekzagjeruar dhe pavarësisht madje edhe fakteve të kundërta, thellojmë gabimet në njohje te raportet që krijojmë, duke bërë kështu që edhe tjetri të bëhet refraktar në sjelljen e tij karshi nesh dhe të mos nxjerrë në pah karakterin e tij të vërtetë. Kjo mund të sjellë edhe pasoja të pariparueshme në raportet me të tjerët dhe në ruptura të pandreqshme me ta. Në këso rastesh jemi vetë ne që kemi krijuar një pjesë të atij personaliteti fiktiv të tjetrit, që nuk është veçse gjykimi ynë i gabuar për ta dhe pasoja të tij. Gjithsesi gjykim që ndonëse jo drejt, formëson diçka, diçka që prish të mirën dhe tenton plotësimin e paragjykimit vetjak fillestar.

Shumë rrallë ne kërkojmë të dimë se përse filan person u soll kështu apo ashtu, madje në disa raste edhe, nëse e njohim mirë atë. Ne vëzhgojmë jo aq të fokusuar tjetrin dhe kjo ndodh sidomos në rastin e vëzhguesve egocentrikë që janë shumë më të përqendruar tek vetja se te të tjerët, dhe shpesh gjejmë shkaqe sjelljeje të tjetrit që nuk përputhen me të vërtetën. Në njërin nga gjykimet e gabuara për sjelljen e tjetrit, ne e bëjmë atë sjellje, përfaqësuese të personalitetit të tij, tipike për të dhe kësisoj i vëmë atij një damkë të shpejtë e me tendencë mbetëse, duke u bazuar në një a disa pak sjellje qofshin këto edhe të rastit. Në këso rastesh ne “i fusim një mendje të lehtë”, siç thuhet, e arrijmë në një konkluzion të nxituar a të gabuar, a përcaktime negative të tipit “plehrë”, “negativ”, i keq” etj., tipike për njerëz që tentojnë me vetëdije vlerësime të cekëta, dashakeqe e aspak realiste…Në mjaft raste kur kjo sjellje e tjetrit që ne e quajmë sinjifikative, dëmton raportet tona me të, ne do e gjykojmë atë si fajtor dhe  nuk do të përpiqemi të korrigjojmë as veten e as raportin dhe kjo nuk do t’i përmirësojë marrëdhëniet me tjetrin, përkundrazi. Ndërkohë që me pak indulgjencë mund të thuhej a gjykohej edhe mundësia tjetër, që shkak i kësaj apo asaj sjelljeje janë disa faktorë të rastit, një situatë e caktuar, apo ngjarje të tilla që dhe ne vetë mund të na kishin bërë të silleshim në të njëjtën mënyrë në ato rrethana. A nuk është qëndrimi moralist i disa njerëzve karshi gabimeve të tjerëve, qofshin këto edhe të rastit, një shembull tipik i kësaj, a thua se moralisti jo rrallë nuk fsheh pas guaskës së vet moraliste, një moral jo rrallë shumë më të lëkundur se ai i të keqgjykuarit. Pra, jo gjithnjë mund të gjykohet njeriu mbi bazën e sjelljes duke e lidhur atë veç me karakterin e tij, ndonëse dihet që në jo pak raste sjellja pasqyron brendësinë e njeriut. Duhen marrë parasysh edhe mjaft faktorë të tjerë si rrethanat, gjendja ndofta specifike e tjetrit, të tjerët, por edhe vetja në ato rrethana.

Të nxjerrësh konkluzione mbi shkaqet e sjelljes nuk është gjithnjë e lehtë. Natyrisht, duke patur parasysh rastet kur ekziston dëshira e mirë për të analizuar thellë e gjykuar drejt e me paanësi. Politika është ndër fushat e jetës njerëzore ku nuk ka pothuaj fare indulgjencë analize e ku gjykimi i kundërshtarit (por jo rrallë dhe i species të të njëjtit lloj), bëhet me njëanshmëri e tendenciozitet, me vetëdije të cekët e mbi bazën e një parimi të vetëm: “Nxij kundërshtarin (kolegun e suksesshëm), një hap më pranë pushtetit”. Kjo haset jo rrallë edhe në fusha të tjera ku konkurrenca njerëzore e gara, ambicia e kompeticioni janë në plan të parë. Të tilla janë arti, biznesi etj. Në rastin e studimit tonë ne kemi më shumë parasysh marrëdhënien pozitive njerëzore, atë bashkëpunuese, e me tendencë një zhvillim pozitiv të saj për të mirë të individit e të dy palëve, e kur bashkëpunimi e mirëkuptimi, sjell progres, duke e bazuar mbi një analizë të drejtë e të thelluar të sjelljes së njeriut tjetër partner. Nëse nisemi nga kjo prirje duhet pasur parasysh edhe një element tjetër me rëndësi në përcaktimin e sjelljes: ne nuk mësojmë shumë nga ato lloj sjelljesh të të tjerëve që janë aq të zakonshme e të parashikueshme nga ana sociale sa që zbulojnë pak për individin. Kështu një artist që i thotë publikut “jeni më të mirët, jeni të mrekullueshëm, ju dua shumë, vetëm përpara jush këndoj kështu “ etj., etj, është njëlloj si shumë artistë të tjerë dhe kryen një kortezi formale e të zakonshme ndaj publikut, një kortezi stereotipe për të si për mjaft artistë të tjerë tek ne, që nuk duhet e nuk mund të na bëjë të mendojmë se ai është një njeri i dashur, i ngrohtë, e që do gjithë njerëzinë. Mund të jetë edhe kështu, por mundet që pas kësaj sjelljeje të fshihet një ambicie e egoizëm pa fre që nuk pranon njeri tjetër të suksesshëm veç vetes në skenë. Sjellja e paparashikuar, e papritur, jo e zakonshme, është ajo që jep më shumë informacion për natyrën e njeriut. Kështu në rastin e këngëtarit në fjalë, ne do të  mësonim shumë më tepër për karakterin e tij, kur të shihnim a dëgjonim se si do të sillej ai apo në rastin pozitiv, a do të ndihmonte ai duke sakrifikuar nga vetja, një kolegun e tij në nevojë apo një talent të ri. Apo a do të ruante ai vlerësimin e respektin pa demonstruar as edhe një ambicie karshi tij, për një artist tjetër që do të shkëlqente mbi të me kalimin e kohës ndërkohë që talenti i vet, venitej e ai thjesht mbetej më pas.

Në analizën e sjelljes së tjetrit duhet pasur parasysh veç atij që kryen sjelljen dhe rrethanave, edhe njeriu që ndodhet përballë tij, vetë ne apo të tjerët dhe ndikimi i këtyre në sjelljen e tjetrit. Po kështu duhet gjykuar njeriu në vijimësi në kohë, si ka evoluar apo jo ai në sjelljen e tij gjatë kësaj kohe, sa e përsëritshme a e përsëritur ka qenë e është sjellja e tij që ka rënë në sy, pozitive a negative, por edhe sjelljet rutinë të tij. Nëse sjellja e tij (jo ajo rutinë), nuk është tipike atëherë ajo nuk përfaqëson cilësi të personalitetit. Dhe po kështu për të gjykuar drejt sjelljen e tjetrit duhet marrë parasysh ajo që përmendëm më sipër: sa të tjerë do të silleshin si ai në po ato rrethana? Po ne vetë? Nëse shumica do të sillej po ashtu, duhet pranuar se sjellja e tjetrit duhet gjykuar në mos me indulgjencë së paku me drejtësi, po të ishte negative (parabola e Krishtit me Madalenën është shembulli më tipik i këtij gjykimi të drejtë e njerëzor) dhe jo si e jashtëzakonshme po të ishte pozitive.                                                                                  Ndërkohë që kemi prirjen për t’ia atribuuar gjithnjë sjelljen negative të të tjerëve shkaqeve të brendshme, tipareve të qëndrueshme, personalitetit dhe jo shkaqeve të jashtme, ne shpesh, sjelljes tonë të gabuar i vëmë si shkak ndikime të jashtme, situata të tipit “ku nuk kishim ç’bënim” etj, etj tendenca justifikuese.

Dhe anasjelltas kur një sjellje jona është e mirë, e pëlqyeshme, ka efekt pozitiv tek të tjerët, ia dedikojmë atë vetes, personaliteti tonë, vlerave tona të brendshme të qenësishme, ndërkohë që po qe se kjo është sjellje e dikujt tjetër, e cilësojmë atë të ndikuar nga rrethanat, rastësore, jo tipike a të qenësishme për personalitetin e atij që e bën. Ky është një shembull i qartë egocentrizmi nga njëra anë, e gjykimi të njëanshëm të tjetrit nga ana tjetër. I njëjti individ i këtij tipi, kur dështon tjetri, e bën fajtor atë “për vetë tipin që ka”, e kur gabon vetë ia vë fajin rrethanave. (Edhe kjo është tipike sidomos për politikanët tek ne). Sipas psikologëve, njeriu shpesh tenton ta bëjë këtë që të ruajë vlerësimin pozitiv për veten, (sedra), ndërkohë që për tjetrin ky vetëvlerësim nuk merret shumë në konsideratë sa i rëndësishëm është gjithashtu.

Vlerësimet e të tjerëve, gjykimet për ta, tendencat, njëanshmëritë, ndikojnë raportet tona me ta, mënyrën se si ndikojmë a bashkëpunojmë me ta por edhe veten tonë, karakterin tonë. Në këtë aspekt, të gjykimit për të tjerë, ne shpesh bëjmë gabime, përgjithësojmë cekët, keqinterpretojmë të tjerët. Por jemi qenie sociale dhe raportet tona me njerëzit janë aq të rëndësishme për jetën tonë sociale, në përgjithësi por edhe për atë individuale në veçanti, për mirëqenien e shëndetin e saj mendor, për veten tonë. Së këtejmi del rëndësia e gjykimit të drejtë e të thelluar të të tjerëve, njohja më e mirë e natyrës njerëzore, jo veç në aspektin praktik, por edhe mbi bazën e teorive që ka dhënë deri më sot dija njerëzore. Një pjesë modeste të tyre i parashtruam këtu.

Related

Psikologji 8030365641252918018

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item