Intervista e Kadaresë për televizionin francez, para arratisjes

 Rrëfimi i Ismail Kadaresë pak ditë para arratisjes nga Shqipëria, në vitin 1990   Emisioni “Abc Story” prezantoi intervistën e Ismail Kadar...

  •  Rrëfimi i Ismail Kadaresë pak ditë para arratisjes nga Shqipëria, në vitin 1990 
  •  Emisioni “Abc Story” prezantoi intervistën e Ismail Kadaresë, dhënë gazetarit Frederik Miterran në tetor 1990, përpara se të kërkonte azil politik 

Ismail Kadare njihet nga kritika dhe nga një pjesë e publikut si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore. Ismail Kadare nuk ngjall kërshëri vetëm për talentin e tij të pamatë, por dhe për kombësinë e tij, ai është shqiptar. Jeton dhe punon në Tiranë.
Në përgjithësi gazetarët vazhdojnë ta shqetësojnë duke e pyetur se si mund të jesh shkrimtar në gjirin e diktaturës më të kuqe të planetit? Si mund të krijosh një vepër me cilësi të jashtëzakonshme? Ju kanë censuruar? Keni qenë rob, bashkëpunëtor, i burgosur? Këto janë pyetje interesante, por të panevojshme. 
Është e qartë se Ismail Kadare nuk mund t’u japë përgjigje. Ekziston një lloj arrogance perëndimore dritëshkurtër me synimin për ta zënë në grackë, me qëllim që ne mund ta studiojmë qetësisht, që nga shoqëria jonë liberale. Është më e udhës që me të të diskutosh për librat dhe për historinë, kështu që përgjigjet që jep mund të kuptohen në plane të ndryshme dhe të ofrojnë gjithashtu çelësin e shumë kodeve që mbeten të fshehta kur u qasemi nga afër. 
Vetmia, dinjiteti, forca e njeriut dhe artistit do t’ju tërheqin, më pas lexojini librat e Kadaresë nëse nuk i njihni ende. Kjo është një ndër këshillat, sepse është pothuajse e sigurt se, interesi ynë mbi Isamil Kadarenë dhe asaj që na përcjellë ai mbi gjendjen e botës nëpërmjet rrathëve të mistershëm të botës dhe Shqipërisë, nuk mbaron me kaq. 

“Piramida e Keopsit” 1967 është një ndër poemat e Ismail Kadaresë... Në ç’kuptim kjo piramidë është simbol force dhe qëndrese?  

Po. Imazhi i piramidës më ka tërhequr gjithmonë, madje tani sapo kam mbaruar një roman të shkurtër mbi “Piramidën e Keopsit”. Sigurisht që ky imazh më ka tërhequr prej vitesh, sepse këtë ndërtesë të madhe absurde, si gjithë të tjerët e kam parë si mishërim të diktaturave të shtypjes dhe presionit. 
Nga mënyra sesi i përfaqësonte ajo këto, si ishte ndërtuar dhe si arriti ajo që të shtypte një popull të tërë, si u vjetërsua gjatë mijëvjeçarëve, sesi arriti ajo të ngjiste fëmijë, kur të gjithë menduan se ishte plakur. Për shembull Timor Lengu, tiran i Azisë, ndërtoi një piramidë me koka njerëzish, ajo ka ngjizur gjithashtu të tjerë fëmijë të çuditshëm, ide diktatoriale, pra strukturat, hierarkitë. 
Gjithë bota do të kishte nevojë për këtë, të Lindjes, të Veriut, të Perëndimit, sepse të gjithë do të përfitonin diçka nga ky bllok i stërmadh gurësh. Është e vërtetë që të gjithë kanë nevojë për këtë, por sigurisht që është një nevojë e ligë. Tregimi im shtrihet deri në ditët tona, te piramida prej xhami, ajo e Luvrit.

Pikërisht ky paradoks është shumë interesant, piramida është njëherazi një simbol force, për të cilin ka nevojë gjithë bota, një objekt tiranie dhe njëkohësisht një vepër arti. Nëse i them një egjiptiani sot, se piramidat e tyre duhet të shkatërrohen se janë fryt i tiranisë, ata do të fillojnë të ulërijnë... 

Po, ndodh që gjërat në botën e sotme të jenë kaq paradoksale dhe që tirania të shndërrohet në diçka artistike dhe anasjelltas. Krijohen në mënyra të ndryshme si piramida ashtu dhe arti. Por unë besoj se piramida ishte mishërim i pushtetit, ishte  mënyra më e mirë për të lodhur një vend, një popull, që ai të bëhej i pafuqishëm. Sepse është një punë e kotë që thith të gjitha energjitë. Besoj se ideja që faraonët krijuan piramidat, ishte që t’i bënin të pafuqishëm popujt e tyre. 

Gjithsesi nga tirania mund të lindi dhe një vepër arti? 

Ndoshta.

Kur ka lindur letërsia shqiptare? 

Letërsia e kultivuar, e shkruar dhe e publikuar ka lindur në shekullin XV-të, por më parë ekzistonte letërsia gojore, ishte shumë e vjetër dhe shumë e bukur gjithashtu. Librat e parë u shkruan gjatë shekullit XV-të nga murgjit katolikë, të cilët ishin shkrimtarët e parë në Shqipëri, sepse në fillim shqiptarët kanë qenë të gjithë katolikë. 
Përgjatë tre shekujve ka qenë një letërsi fetare dhe laike njëkohësisht, si në shumicën e vendeve të europës. Ndonjëherë ishte e shkruar në latinisht dhe në shqip, sepse shkrimtarët kishin studiuar nëpër vende të europës. Për shembull, në shekullin XV-të u botua një libër, të cilin nëse e lexojmë tani duket shumë modern. Është ditari i një prifti që ishte oficer në një kështjellë të rrethuar. Ai ka përshkruar të gjitha ditët, madje ka numëruar dhe predhat. Sa predha u hodhën sot? Sa të mërkurën? Sa të plagosur janë? Apo sesi turqit hidhnin kafshë të sëmura për të përhapur murtajën.
Ai ka përshkruar gjithashtu dhe halucinacionet e ushtarëve gjatë këtij udhëtimi të vështirë. Shpesh kritikët janë shprehur se, ka qenë ndikimi i fesë, por nuk ishte aspak kështu. Ato janë deliri, makthet e shkaktuara nga lodhja. Ai ka përshkruar çdo gjë, filan ushtar e pa këtë skenë teksa bënte roje. Kështu ka nisur letërsia shqiptare dhe ka vazhduar deri në shekullin XVIII-të, kur pati një përhapje të gjerë, njëlloj si në të gjitha vendet e Ballkanit. Të gjitha vendet ballkanase përjetuan në të njëjtën kohë një rilindje letrare dhe kombëtare gjithashtu. 

 Perandoria turke 

Kam përshtypjen se shqiptarët u bënë shumë rezistencë turqve dhe nga ana tjetër ia dolën shumë mirë mbanë në kuadrin e Perandorisë Turke, sepse disa nga oficerët e Perandorisë ishin shqiptarë...
Kjo është e vërtetë. Ky është një paradoks i historisë. Shqipëria është vendi i fundit që iu nënshtrua perandorisë, 100 vjet pas betejës së Kosovës. Është e vërtetë që ekzistonte një paradoks i tillë, që do të thotë se, shqiptarët u rezistuan për më shumë se 100 vjet dhe më pas princat shqiptarë, feudalët bashkëpunuan me Perandorinë Turke. 
Ndonjëherë politika turke ishte shumë e zhdërvjellët, shumë dinake. Ata e kuptuan se mund ta përdornin këtë energji, këta njerëz që ishin shumë inteligjentë. Ata joshën shqiptarët me poste të larta, poste ministrash, vezirësh. Ka pasur prej tyre që janë bërë kryeministra të Perandorisë. Kjo ishte pak a shumë si një kuptim i dyfishtë, ishte diçka negative për Shqipërinë, sepse ishte si një lloj bashkëpunimi me pushtuesin, por populli ruajti një farë krenarie, një farë dinjiteti. 
Në Perandorinë Turke kishte tre popuj të privilegjuar, ishin shqiptarët, të cilëve turqit u ofronin poste të larta, ishin hebrenjtë të favorizuar në fushën e mjekësisë apo në diplomaci, por dhe grekët paksa në diplomaci apo në ekonomi, ndërsa popujt e tjerë ishin shumë të shtypur. Te ky fakt që ishte vërtetë paradoksal, paksa kontradiktor, shikoheshin ndonjëherë në mënyrë instiktive rrënjët e pasionit kombëtar. Xhelozitë e vjetra mes etnive të ndryshme janë zgjuar.
Ka nga ato vende të Ballkanit që thonë: “Ju shqiptarët keni qenë bashkëpunëtorë të Perandorisë Turke, na keni shtypur. Sepse është e vërtetë që feudalët shqiptarë, si të gjithë feudalët e Perandorisë kanë qenë shumë mizorë. Për shembull Ali Tepelena, që besoj se njihet edhe këtu në Francë, kishte gjysmën e Shqipërisë dhe gjysmën e Greqisë. Ai ka qenë një tiran i tmerrshëm. Ka pasur gjithashtu të tjerë tiranë të tmerrshëm në të gjithë Ballkanin.  .
Gjuha Shqipe dhe të "preferuarit" e Kadaresë në letërsi

 Fakti që Shqipëria është një vend i ndarë në dy pjesë, është një fakt që diskutohet pak në perëndim... 

Më shumë do të thosha se kombi shqiptar është një komb i ndarë në dysh. Kjo është një fatkeqësi e madhe, që luan një rol në të gjitha mentalitetet shqiptare, në historinë moderne, në qytetërim, në demokratizim, sepse ndonjëherë të tjerët harrojnë se gjysma e kombit është brenda kufijve, kurse tjetra është ngjitur në Jugosllavi, jashtë kufirit. 
Për këtë arsye është një nga kombet dhe popujt më fatkeq të Europës, aq më tepër kur shqiptarët morën vesh se u bashkuan edhe dy Gjermanitë. Janë të vetmit që kanë mbetur të ndarë në dysh, kjo ka luajtur një rol shumë të madh në zhvillimin tërësor të Shqipërisë së sotme. 

Kur unë përdora pa u menduar mirë fjalën vend, ju më korrigjuat duke e zëvendësuar me fjalën komb. Çfarë kuptimi ka kjo? Çfarë do të bëhet me kufijtë?

Të them të drejtën e zëvendësova fjalën për të shmangur fjalitë provokuese, pasi autoritetet serbe janë shumë vigjilentë. Dhe nëse do të thosha fjalën vend, atëherë ato do të thoshin se kemi pretendime territoriale ndaj Jugosllavisë. Por në fakt vendi dhe kombi janë e njëjta gjë, sepse dhe ata jetojnë në vendin e tyre.

Çfarë është Gjuha Shqipe? Ju thoni se është një gjuhë shumë kursimtare? Duhen më pak fjalë sesa në frëngjisht për të shprehur ndjenjat? 

Gjuha Shqipe është gjuhë indoevropiane  që qëndron më vete. Në familjen e gjuhëve indoeuropiane janë tre gjuhë, të cilat janë më vete. Shqipja, armenishtja dhe greqishtja, pra janë gjuhë pa familje. Një prej tyre është shqipja, është gjuhë e vjetër. Ka më tepër karakteristika të gjuhëve gjermanike sesa të atyre latine. Teksti i përkthyer nga shqipja në frëngjisht ka gjithmonë 2 për qind më shumë fjalë. Sapo e thatë ju vetë. Por edhe po ta përkthesh në anglisht është e njëjta gjë, sepse fjalëformimi në shqip është shumë i lehtë, siç ndodh në gjermanishten apo greqishten e vjetër.
Ndonjëherë mund të bashkohen dy-tri fjalë bashkë, pra të krijosh një fjalë të re, nisur nga disa fjalë ekzistuese. Ndërsa frëngjishtja është gjuhë shumë analitike. Është e vështirë ta bësh këtë. Shqipja ka gjithashtu një cilësi shumë të vjetër mitologjike, mënyrën dëshirore të foljes. Kjo e ka origjinën nga thellësia e mitologjisë, sepse në atë kohë të gjithë mendonin se, nëse dëshirohej diçka për mirë apo për keq, ajo do të realizohej, atëherë kjo u bë pjesë e gjuhës.
Nëse të njëjtën folje e përdorim dhe në frëngjisht, kjo nuk tingëllon natyrshëm. Prandaj në greqisht apo në shqip, mjafton që t'u shtosh një "sh" dhe kalon në mënyrën dëshirore për të shprehur dhe mallkimet. Ja pse është e lehtë për të përkthyer në shqip tragjeditë greke.

Mallkimi është i ngjashëm?

Po, mallkimi është i ngjashëm. E ka origjinën nga një mentalitet i vjetër.  

Ju mbroni shumë një shkrimtar të viteve ‘30-të, të cilin e keni prezantuar këtu si një Rembon shqiptar, që quhet Migjeni... A mund të na thoni dy fjalë për rëndësinë që paraqet ky shkrimtar për ju dhe shqiptarët?

Migjeni është një shkrimtar, të cilin e kam krahasuar me Rembon, nuk e di është e drejtë apo jo. 

Nëse dikush vdes i ri, duhet të themi se ishte si Remboja? 

Ndoshta ngaqë vdiq shumë i ri, 27 vjeç, ishte shumë nervoz në shkrimet e tij, shumë tragjik. Kësaj periudhe i përkasin tre shkrimtarë shqiptarë, Migjeni është ndër shkrimtarët më modern, në shkrimet e tij vihet re diçka kafkiane dhe pse nuk e di nëse e ka njohur Kafkën apo jo. Ishte Fan Noli që ka qenë Kryeministër i Shqipërisë, para mbretit Zog. 
Marrëdhëniet e tij më Zogun kishin diçka të çuditshme, ai e rrëzoi dhe më pas u rrëzua vetë prej tij. Ishte një kryetar shteti shumë i kulturuar, por duke qenë se shkrimtarët nuk janë të aftë ta mbajnë pushtetin, ai nuk arriti ta mbante veçse gjashtë muaj. Ka qenë një përkthyes shumë i madh. Ka përkthyer Shekspirin dhe Servantesin në mënyrë të përkryer në shqip. 
Është dhe një shkrimtar i tretë, një poet shumë i famshëm, Lasgush Poradeci, janë tre shkrimtarë të ndryshëm, që nuk u takuan kurrë me njëri-tjetrin.

Përse nuk janë takuar kurrë? 

Kjo është e çuditshme, por qëndronin të ndarë, si të jetonin në tri valë të ndryshme. 

“Shqipëria nuk ka qenë dhe aq shumë e izoluar”
A mund të themi se te “Dimri i madh” me personazhet realë, si Enver Hoxha, Hurshovi, personazhe të kohëve tona, ju imagjinoni ndjenjat, reagimet e tyre... Mund të themi se është një roman shekspirian, ashtu si merrte Shekspiri personazhe nga historia e Anglisë në përpjekje për t’i animuar?

Epiteti shekspirian është një fjalë shumë e madhe. Nuk e di, ndoshta është e njëjta mënyrë. Unë nuk kam frikë t’i përziej personazhet historikë me ata fiktivë. Kjo më duket normale për një shkrimtar, mendoj se letërsia duhet të ripërtërihet vazhdimisht, sepse dihet se të përjetshme mbeten ato gjëra që pësojnë ndryshime, por në të njëjtën kohë letërsia nuk duhet të dalë nga kufijtë e saj. 
Ka diçka të përjetshme që nuk duhet ndryshuar, për shembull njerëzit nuk duan që dashuria të ndryshojë, por ka nga ata që thonë: “mjaft me dashurinë”. Këtë nuk mund ta bëjmë se nuk është njerëzore, s’mund të ndryshojmë puthjen, sepse askush nuk do ta donte këtë. E njëjta gjë vlen dhe për letërsinë, nuk mund të ndryshojmë gjithçka, sepse do të ishte diçka tragjike dhe e kotë. 

A mund të themi se Shqipëria ka jetuar e izoluar. E di që ju keni rezervat tuaja në lidhje me këtë, nuk ju pëlqen shumë të themi se, Shqipëria ka jetuar e izoluar. Ju keni më tepër tendencën që të thoni: “Shqipëria nuk ka qenë dhe aq shumë e izoluar”. A mund të na i shpjegoni? 

Për mendimin tim, një popull quhet i izoluar nëse ka izolim total, por nëse njerëzit s’janë të izoluar përbrenda, mund të themi se politika e shtetit apo administrata e tij janë të izoluara, por jo kombi apo populli. Duke qenë se shqiptarët janë shumë të informuar, dinë gjithçka se çfarë ndodh nëpër botë, atëherë unë them se nuk janë fare të izoluar. 
Mendja e tyre është e lirë, tjetër gjë është politika e hapjes dhe tjetër gjë është natyra e njerëzve, ka vende shumë të mëdha, ku ndonjëherë ky izolim është i dyfishtë, izolim administrativ    dhe populli nuk e di fare se çfarë ndodh. Fatmirësisht Shqipëria është një vend, ku në krahasim me vendet e tjera, ne mund të shikojmë televizor gjatë gjithë kohës. 

A i ndiqni televizionet italiane?

Të gjithë shqiptarët i ndjekin. Në çdo moment je në dijeni se çfarë ndodh nëpër botë. 

Së fundmi keni mbrojtur një libër me titullin “Thika” dhe keni shkruar gjithashtu disa rreshta shumë të ashpër dhe prekës, duke folur për një shkrimtar besoj. Ju keni shkruar: “Ai po përgatitej të shkruante nekrologjinë e vet”. Ju shprehni një ndjenjë rreziku që i kanoset shkrimtarit, artistit, nga ana tjetër artisti është ai që sakrifikohet. Ky është statusi juaj? 

Në përgjithësi unë mendoj se, shkrimtari është gjithmonë i rrezikuar. Në përgjithësi rreziqet ndryshojnë nga vendi në vend, por ai mbetet i rrezikuar.

Ndryshon natyra e rrezikut? 

Rreziku ekziston gjithmonë për shkrimtarin.

Ka vdekje fizike, por dhe sociale, kur humbet nderin, paratë?

Përfshihen të gjitha llojet e vdekjes.

Shqipëria kufizohet me Greqinë dhe sigurisht që ne na shkon mendja tek universi i Homerit. Tek ai univers që për të gjithë ne është simbolika e këtyre teksteve të mrekullueshme. A ka ekzistuar e njëjta gjë? A kanë lidhje?

Grekët dhe shqiptarët janë popujt më të vjetër të Ballkanit, ekziston një lloj afrimiteti mes tyre, janë krejtësisht dy popuj të ndryshëm përsa i përket gjuhës, qytetërimit, por dhe nga raca, në këndvështrimin gjenetik. Por megjithatë ka një lloj ngjashmërie mes tyre, sepse kanë disa pika të përbashkëta. Për shembull kam shkruar gjerësisht për këtë në librin tim mbi Eskilin, janë ritet mortore, mentaliteti, kodet, ndonjëherë dhe gjestet janë të njëjta, filozofia e jetës dhe konceptimi i saj.  

Related

Letërsi 1647094674621830180

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item