Poezi e shqetësimeve dramatike

Brenda poezisë më të re të Adem Gashi është një dramë, në të cilën subjekti lirik vërtitet ndërmjet qenies e mosqenies. Në këtë dramë ndërmj...


Brenda poezisë më të re të Adem Gashi është një dramë, në të cilën subjekti lirik vërtitet ndërmjet qenies e mosqenies. Në këtë dramë ndërmjet jetës e vdekjes luajnë: subjekti lirik, femra - ajo muzë yshtëse për krijim, e të cilët përshkohen nëpër frymën e dashurisë, shtypjen e dhembjes e deri te gjakimi për përsosmërinë jetësore e artistike. Përbrenda janë ndërfutur situata të ndryshme, janë poetizuar sekuenca jetësore herë që ngjajnë në formë kënge e herë në trajta a imazhe pikture të pazakonshme

Ragip Sylaj
Tregimtar e eseist i shquar, Adem Gashi është krijues i një poezie me vlerat më të dallueshme në letrat shqipe. Ky krijues sivjet para lexuesit doli me librin e tij të poezisë “Kthimi i pamundur, Lady”. I paraprirë nga një poezi e pa titulluar që mund të lexohet edhe si prolog i këtij vëllimi, materia tjetër letrare është organizuar në katër cikle poezish: Kur s'dija ç'të bëja me tepricën e vetvetes,
Kur u kthye të vdesë pjesa që më mungonte, Kur më zuri çasti i lig, Kur më vinte të shtrihesha nën lahurinë e territ. E tërë kjo materie poetike është vendosur ndërmjet dy krijimeve poetike, të titulluara: “Xhami midis I” dhe “Xhami midis II”. Ky xham i figurshëm që qëndron e thyhet si ndërmjet dy botëve, dy realiteteve, dy gjendjeve të ndryshme, vdekjes e pavdekësisë, të cilat i bën një demiurgu, krijuesi. 
Brenda poezisë më të re të Adem Gashit është një dramë, në të cilën subjekti lirik vërtitet ndërmjet qenies e mosqenies. Në këtë dramë ndërmjet jetës e vdekjes luajnë: subjekti lirik, femra - ajo muzë yshtëse për krijim, e të cilët përshkohen nëpër frymën e dashurisë, shtypjen e dhembjes e deri te gjakimi për përsosmërinë jetësore e artistike. Si e tillë, ajo del një poezi e shqetësimeve dramatike por e realizuar mjaft mjeshtërisht. Përbrenda janë ndërfutur situata të ndryshme, janë poetizuar sekuenca jetësore herë që ngjajnë në formë kënge e herë në trajta a imazhe pikture të pazakonshme. Autori edhe në këtë vëllim poezish lirizmin subjektiv sikur e objektivizon, ndërsa atë objektiv e subjektivizon në masën e duhur. Kjo sa iu jep sensibilitet (të përkorë) krijimeve poetike po aq mundëson krijimin e një distance nga hiperemocionalieti.
Këto situata nga realiteti jetësor sikur përshkohen e filtrohen nëpër ëndërr për t’u eksplikuar në realitetin artistik. Ky realitet (ideal) ndryn gjendje të ndryshme të subjektit lirik, por janë shqetësimet krijuese që e trandin atë dhe po ashtu mendimi krijues që e nder perden e qetësisë.
Është gruaja- muzë që i krijon trazimet e bukurisë poetike dhe fjala – peng i këtij arti. Nëpërmjet saj, poeti të fshehtën e shpërfaq, të dukshmen e fsheh, e sjell te papranishmen, ndërsa e pranishmja shpeshherë bëhet mister (poetik). 
Kreativiteti gjuhësor, që është edhe kreativitet stilistik i poezisë së tij (në këtë rast), i mundëson gjallëri e zhdërvjelltësi, por edhe ekspresivitet. Ndoshta mjaftojnë fjalët e rikuptimësuara, nga emrat e përveçëm: Ajkunë - në Ajkunshëm e nga Halil - në Halilshëm, që bartin ngarkesa të veçanta kuptimore e emocionale. 
Duke i thyer rregullat e ngurta të gjuhësisë, Adem Gashi, si njohës i mirë i saj, stis edhe nocione të reja apo inkuadron në funksion semantik fjalë a terma që përmenden rrallë e hiç në letra,si mbiemrat: i delltë, i pranvertë, i djegshëm etj.
Në kuadër të fjalësit të tij të pasur e të veçantë gjuhës arkaike, (të themi pa të keq), ia kundërvë atë moderne me llojin e fjalëve: maus, dandy, snob, demode etj.
Është ky një shembull i shkëlqyer i shndërrimit të fjalëve të rëndomta në figura origjinale stili, respektivisht i formimit të neologjizmave në gjuhën shqipe. E nisi njëherë e një kohë poeti ndër më të mirët e letrave shqipe Azem Shkreli me vargun, “Koha jonë s'guxon të kohosh pa ne” dhe e vazhduan sivëllezërit e tij poetë, për të mbërri deri te mjeshtri i fjalës poetike, Adem Gashi. Figurat e tilla, në mos të kodifikoheshin si pjesë e fjalësit të gjuhës shqipe, mbase do të mund të përbënin një fjalor të nocioneve poetike. 
Ndërlidhjet a shkrirjet e përbërësve të eposit heroik e të baladës sonë të moçme me temat e motivet e bashkëkohësisë poezinë e këtij libri e bën më me sharm, më të ngjeshur e rrjedhimisht të thellë e tërheqëse, ta zëmë si te poezia, “Re të mbarsura me vetëtima”. 
Një zë rebelimi i shpërfaqur herët (së paku që nga libri “Duke punuar autoportretin”, 1985) ngre krye edhe te ky vëllim, si te poezia “Skicë për një lirike atdhetarie”. Si e tillë poezia e Adem Gashit mund të lexohet e të përjetohet si komentim poetik i realitetit tonë ekzistues e po aq edhe kontestim i një dimensioni të tij.
Për lexuesin e kujdesshëm bien në sy e janë mbresëlënëse format antitetike ose paradoksi poetik si te vargjet e poezisë, “Distancë”. Në këtë vëllim do të veçoja edhe një karakteristikë tjetër të tij: variantet si karakteristika krijuese te poezia a poezitë, “Rob i xanun”. Në këtë këndvështrim shquhet edhe ritmi i brendshëm i formave të vargut të lirë dhe krijimi i muzikalitetit nëpërmjet asonancave, pa u bërë rob i rimariumit standard (që do të prodhonte monotoni).
Libri “Kthimi i pamundur, Lady” është në një lidhje të brendshme me librin tjetër pararendës të Adem Gashi, “Lady Mak(th)beth” (2006). Këtë ndërlidhje e bën jo vetëm emri (i personazhit lirik) Lady, por edhe struktura poetike e po aq fryma, gjuha (kur e kur dialektore e kur e kur në standard) e stili i tij. Këso mënyre, këta dy libra mund të lexohen edhe si një diptik poetik i këtij autori.
Që nga viti 1982, shkrimtari Adem Gashi ka botuar tetë vëllime poezish, tri përmbledhje tregimesh, dy romane dhe dy libra esesh.
Librin “Kthimi i pamundur, Lady” e botoi SHB “Buzuku”, Prishtinë, 2013 dhe ka 110 faqe./KultPlus.com

Related

Letërsi 8242542550249481754

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item