Shfaqet lidhja iraniane dhe ndikimi amerikan
Në qendër të korrupsionit qe një marrëveshje “gaz në këmbim të arit” që Uashingtoni tentoi ta ndalojë, por nuk bëri mjaftueshëm. Miliarda që...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/12/shfaqet-lidhja-iraniane-dhe-ndikimi.html
Në qendër të korrupsionit qe një marrëveshje “gaz në këmbim të arit” që Uashingtoni tentoi ta ndalojë, por nuk bëri mjaftueshëm. Miliarda që qarkulluan përmes bankës shtetërore turke dhe që cenuan sanksionet mbi Iranin
Skandali i Turqisë
JONATHAN SCHANZER, MARK DUBOWITZ, Foreign Policy
Qeveria islamiste e Turqisë po tronditet nga skandali më i madh korruptiv i qeverisjes së saj. Afërsisht dy duzina figurash të larta, përfshirë biznesmenë oligarkë me shumë lidhje dhe djemtë e tre ministrave të qeverisë janë akuzuar për shumë krime financiare. Akuzat shpërthyen në krizë të plotë më 25 dhjetor kur tre ministra të përzier në skandal dhanë dorëheqjen ndërsa njëri prej tyre bëri thirrje që edhe vetë Kryeministri Recep Tajip Erdogan të japë dorëheqjen gjithashtu. Erdogan, me pamje të lodhur doli në televizion në mbrëmje për të njoftuar ndryshime të rëndësishme në qeverinë e tij dhe zëvendësoi dhjetë ministra.
Drama përreth dy personaliteteve është veçanërisht habitëse: Policia raportohet se zbuloi kuti këpucësh me 4.5 milionë dollarë brenda në shtëpinë e Sulejman Aslan, drejtorin e bankës shtetërore Halkbank dhe arrestoi Reza Zarrab, një biznesmen iranian i cili ka aktivitet kryesor në tregtinë e floririt, i cili akuzohet se qe përgjegjës për marrëveshje me vlerë 10 miliardë dollarë vetëm vitin e fundit.
Tregtia e arit ka qenë prej kohësh shumë e debatuar si lidhje mes Halkbank dhe Iranit. Kërkime të kryera në maj 2013 nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive dhe Roubini Global Economics zbuloi se banka po shfrytëzonte një “vrimë të artë” në sanksionet financiare amerikane kundër regjimit iranian, të cilat synonin të ndalonin ambicien bërthamore të këtij vendi.
Ja se si funksiononte: Turqit eksportuan 13 miliardë dollarë ar në Teheran drejtpërsëdrejti ose përmes Emirateve të Bashkuara Arabe mes marsit të vitit 2012 dhe korrikut të vitit 2013. Në këmbim, turqit morën gaz natyror dhe naftë nga Irani. Por për shkak se sanksionet ndalonin që Irani të paguhej në dollarë apo euro, turqit e lejuan Teheranin të blinte arin me lira turke – dhe kështu ari gjeti rrugën drejt kasafortave të Iranit.
Kjo skemë “gaz për flori” lejoi iranianët të mbushin rezervat e tyre në pakësim të valutës së huaj, të cilat qenë goditur ashpër nga sanksionet ndërkombëtare të vendosura mbi sistemin e tyre bankar. Qe habitëse se si Ankaraja lejoi që kjo skemë të vijonte: Turqit, aleatë të NATO-s, e patën siguruar Uashingtonin se ata kundërshtojnë programin bërthamor ushtarak të Iranit, por dukshëm kryen këto transaksione masive me ar, edhe pasi administrata Obama ashpërsoi sanksionet mbi tregtinë e metaleve të çmuara nga Irani në korrik 2012.
Turqia, gjithsesi, vendosi të shfrytëzojë një vrimë që teknikisht e lejonte transferimin e miliarda dollarëve ar te të ashtuquajturat ente “private” të Iranit.
Ambasadori i Iranit në Turqi, Ali Reza Bikdeli, së fundmi lavdëroi Halkbank për “menaxhimin inteligjent të vendimeve gjatë viteve të fundit, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet Iran-Turqi”. Halkbank këmbëngul se roli i saj në këto transaksione qe tërësisht i ligjshëm.
Kongresi i SHBA-së dhe Presidenti Obama e mbyllën këtë “vrimë të artë” në janar 2013. Në këtë kohë, Obama mund të ndërmerrte aksione kundër Halkbank, e cila procedonte këto transaksione, duke përdorur sanksione që sakaq qenë në fuqi për të ndaluar marrëdhëniet e saj me sistemin financiar amerikan.
Por në vend të kësaj, administrata loboi që të sigurohej se legjislacioni që e mbyllte këtë vrimë të mos hynte në fuqi për gjashtë muaj, gjë që bëri që transaksionet e floririt të vijonin të qeta deri më 1 korrik 2013. Kjo e ndihmoi Iranin të tërheqë miliarda dollarë më shumë në ar, duke minuar më tutje regjimin e sanksioneve.
Duke mbrojtur vendimin për të mos zbatuar menjëherë sanksionet e veta, Obama këmbënguli se Turqia transferoi flori vetëm te qytetarët privatë italianë. Administrata argumentoi se, si pasojë e kësaj, kjo nuk qe një shkelje e hapur e urdhrit të vet ekzekutiv.
Është e mundur që administrata Obama nuk pati prova të qarta për rolin e qeverisë së Iranit në tregtinë e arit. Gjithsesi, ndoshta Presidenti thjesht po kërkonte të mbronte marrëdhëniet e veta me Ankaranë dhe nuk dëshironte të hynte në një sherr diplomatik me Erdogan, të cilin e konsideron një aleat kyç në rajon.
Nëse administrata nuk ndiente se sanksionet në fuqi qenë të mjaftueshme për të ndërmarrë veprime kundër Halkbank, në fund të fundit, ajo thjesht mund të ndalonte tregtinë e arit duke amenduar urdhrin e vet ekzekutiv. Por në këtë kohë, Turqia gjithashtu po luante një rol vendimtar në politikën e SHBA-së në Siri, e cila përfshinte përpjekje për të fuqizuar opozitën e moderuar që lufton Presidentin Bashar al-Asad.
Është gjithashtu e mundshme, gjithsesi, se vendimi i administratës Obama kishte më pak të bënte me Turqinë dhe më shumë me detyrimin e Iranit për nënshkrimin e marrëveshjes mbi programin bërthamor. Në një periudhë njëvjeçare mes korrikut 2012, kur urdhri ekzekutiv u lëshua dhe korrikut 2013, kur “vrima e artë” u mbyll, refuzimi i Obamës për të mos zbatuar sanksionet e vëna i dha Iranit 6 miliardë dollarë ar. Kjo mund të ketë qenë edhe një shenjë mirësie e Amerikës ndaj Iranit – të dhënë përmes Turqisë – për të bindur udhëheqësit e këtij vendi të vijonin me bisedimet në kanalet e pasme me Shtetet e Bashkuara, të cilat raportohen se patën filluar që më korrik 2012. Ajo mund të ketë qenë gjithashtu edhe një karamele e rëndësishme për marrëveshjen e përkohshme bërthamore që u arrit në Gjenevë dhe që i dha Iranit edhe 7 miliardë dollarë të tjera zbutje sanksionesh.
Me të vërtetë, për çfarë arsye tjetër administrata do të lejonte tregtinë turke të arit që të vijonte për gjashtë muaj më shumë, kur Kongresi e pati dhënë qëndrimin e vet për ta mbyllur atë?
Kjo na sjell ne te ngjarja e fundit korruptive në Turqi. Partia në pushtet Drejtësi dhe Zhvillim ka pretenduar se është viktimë e një komploti të gjerë, duke akuzuar këdo nga Uashingtoni tek Izraeli dhe te kleriku Fethullah Gulen që jeton në SHBA për telashet e saj.
Disa media turke e kanë drejtuar gishtin nga David Kohen (Cohen) nënsekretarin e Departamentit të Thesarit përgjegjës për informacionin mbi terrorizmin dhe financiar për çfarë ndodhi në Turqi. Erdogan madje shtroi edhe mundësinë e përzënies së ambasadorit amerikan në Ankara Frnsis Rikiardone (Francis Ricciardone).
Por nëse akuzat qëndrojnë kundër figurave të mirëlidhura nën akuzë, AKP do të ketë vetëm veten e vet për të konsideruar fajtore. Megjithëse skema gaz për flori mund të ketë qenë teknikisht e ligjshme para se Kongresi ta mbyllte atë në korrik, duket se ngjarja e ka ekspozuar elitën politike turke dhe lidhjet e saj me botën e madhe të nëndheshme të Iranit.
Sipas gazetës Zaman, transaksionet e dyshimta mes Iranit dhe Turqisë mund të arrijnë në 119 miliardë dollarë – nëntë herë më shumë sesa transaksionet gaz për ar të raportuara.
Edhe nëse tregtia e floririt Turqi-Iran përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të një hetimi më të gjerë për korrupsion, hetimi aktual mund të japë një dritare mbi disa pyetje të vështira mbi marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Teheranit. Ndoshta ne në fund do të mësojmë se pse qeveria e Turqisë lejoi Iranin të akumulojë ar, ndërsa në mënyrë sfiduese zbatonte një program bërthamor të paligjshëm – dhe nëse administrata Obama mund të kishte bërë diçka më shumë për ta ndaluar këtë tregti.