Çfarë nuk është gazetaria investigative?
Artan Fuga Ka një farë gazetarie investigative, por ajo është ajo që është dhe duhet përmirësuar, forcuar, mprehur, ndonëse personalisht nuk...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/12/cfare-nuk-eshte-gazetaria-investigative.html
Artan Fuga
Ka një farë gazetarie investigative, por ajo është ajo që është dhe duhet përmirësuar, forcuar, mprehur, ndonëse personalisht nuk jam shumë optimist. Përgjithësisht gazetari, sa herë bën një lajm, bën një lloj investigimi. Media është një “qen roje” i demokracisë, dhe i si e tillë sa herë ngre probleme për korrupsion, mungesa të ndryshme, sjellje jo korrekte zyrtarësh, lajm si këto mbushin gazetat tona, aq herë ka edhe elemente investigative. Sigurisht këtu problemi është se shpesh këto lajme mbeten në formën e opinioneve të paverifikuara si duhet, mbeten të pandjekura deri në fund, mbeten jo të provuara aq sa duhet, e mbi të gjitha nuk zgjojnë sa duhet vëmendjen e organeve të drejtësisë. Por, nuk është e vërtetë se gazetarët herë pas here nuk nxjerrin rezultate në investigimet e tyre modeste.
Mos harroni që shfaqjet e elementëve të fshehur në Shqipëri janë aq të hapura dhe aq masive sa ato nuk kanë nevojë fare për investigim për t’u shkruar në gazetë. Ato bëjnë “muuuuu…”, i shohin të gjithë dhe askush nuk ve dorë për t’i rregulluar. Edhe gazetarit ato nisin t’i duken si gjëra normale. Merrni vetëm dukuritë e një mirëqënieje që nuk përputhet me të ardhurat e shumë zyrtarëve dhe do të imagjinoni pyetjen : More po ku i kanë gjetur këto të ardhura? Si është e mundur që pallatet i ngrenë ata që kanë lidhje politike?
sSot, në botë me krizën e mediave, ka pasur shumë probleme edhe gazetaria investigative. Aq shumë, saqë autorë të ndryshëm perëndimorë venë në dyshim nëse ka pasur ndonjëherë gazetari investigative që deritani thuhet se e ka pasur kulmin te çështja e “watergate” ku është thënë se dy gazetarë amerikanë çuan në dorëheqjen e presidentit sepse zbuluan se njerëzit e tij përgjonin rivalët politikë. Tani ka dalë se ato të dhëna gazetarëve u a ofruan shërbime sekrete për të larë hesape mes zyrtarëve të tyre. Gazetarët vetëm sa i botuan.
Pse ka rënë gazetaria investigative në botë? Sepse është shumë shumë shumë e kushtueshme. Duhen miliona e miliona dollarë për të garantuar sigurinë e gazetarit dhe të familjes së tij, duhen miliona për të shtënë në dorë dokumente sekrete apo të fshehta, duhen miliona për të paguar burimet, duhen muaj e vite të shkëputësh gazetarë që të merren vetëm me një çështje dhe pastaj ta shesësh lajmin për pak parà. Pra ekonomikisht është e pamundur që një mall me kosto kaq shumë të lartë të shitet me çmim të ulët. Sot në Shtetet e Bashkuara ka mecenë që jashtë medias, paguajnë miliona, për të bërë investigime jashtë mediave, në qendra autonome, dhe pastaj ja u japin mediave falas. Ndryshe nuk bëhet dot.
Kurse te ne ka edhe arsye të tjera veç këmbanës që mungon, sepse këmbana nuk bie. Mediat janë të pavarura, por vetëm formalisht, sepse ato kanë varësi të madhe ndaj politikës, ndaj bizneseve private, ndaj interesave ekonomike, aq shumë sa çdo gazetar që do të bënte gazetari investigative të vërtetë do t’i “pritej koka”… nga “shpata” që i rri te koka.
Gazetari investigative e vërtetë është kur zbulohen shkelje flagrante dhe skandale nga ana e pushtetit që prekin sistemin ose bëhen nga njerëz shumë të fuqishëm, apo që prekin interesa vitale të qytetarit. Këtu është gazetaria e vërtetë investigative, se po na shesin si gazetari investigative “zbulimin” e ndonjë derdimeni që ka vjedhur pulat e komshiut, e ndonjë mjeku që merr lekë pacientëve (oh, kush nuk e dinte…!), apo se burri i gocës së tezes është gjallë dhe punon si banakier në një ishull andej nga Kreta… Këto janë gazetari investigative sa është aeroplan një avion prej letre që kam qef të hedh nga ballkoni…