11 gjërat që duhet të dini mbi Tokion përpara se ta vizitoni
Një nga metropolet më të mëdha në botë, Tokio, mbetet qendra më e vizituar e Japonisë që tërheq çdo vit miliona turistë Turizëm Pas një peri...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/12/11-gjerat-qe-duhet-te-dini-mbi-tokion.html
Një nga metropolet më të mëdha në botë, Tokio, mbetet qendra më e vizituar e Japonisë që tërheq çdo vit miliona turistë
Turizëm
Pas një periudhe të vështirë prej katastrofave natyrore dhe bërthamore të vitit 2011, turizmi ka rilindur në Tokio. Zyra Kombëtare e Turizmit vendas raporton një rritje prej 21 për qind të vizitorëve për periudhën janar dhe gusht të vitit 2013.
Rikthimi i vizitorëve është pjesërisht meritë e kërkesës së suksesshme të Tokios për të organizuar Lojërat Olimpike të vitit 2020. Vjeshta është periudha më e mirë për të vizituar qytetin.
Këshilla të ndryshme për pushime sa më të bukura në Tokio.
1. Mos lini bakshish
Shërbimi i kujdesshëm është normë në Japoni, si pjesë e dedikimit kulturor ndaj mikpritjes dhe quhet sipas vendasve omotenashi. Mos e merrni mundimin t’u lini atyre që ju shërbejnë një bakshish, që nga taksisti, berberi, portieri deri tek kamerieri, sepse asnjëri nuk do t’jua pranojë.
2. Qëndrimi bëhet majtas
Me 35 milionë banorë, qyteti i madh i Tokios është një nga qendrat urbane me dendësinë më të madhe të popullsisë në botë. Të gjithë presin sinjalizimin e semaforit për të kaluar rrugën. Këmbësorët nëpër trotuare (pothuajse aq strikt sa makinat) ndjekin rregullin e pashprehur të qëndrimit në të majtë të rrugës kur nuk janë në ecje. E njëjta gjë ndodh edhe në shkallët lëvizëse, të gjithë qëndrojnë në të majtë dhe ecin në të djathtë.
3. Pijet jashtë, duhani brenda
Sa më i vogël dhe i ngushtë të jetë një bar ose restorant, aq më shumë gjasa ka që t’ju lejojnë të pini duhan brenda. Nga ana tjetër, duhanpirja është e ndaluar në shumë trotuare dhe lejohet vetëm pranë koshave publikë që janë posaçërisht për hirin e cigares. Të pirit një pije si limonadë apo birrë në rrugë, nuk është e ndaluar, por përkundrazi bën pjesë në traditën vendase.
4. Një kartë për të gjitha trenat
Sistemi hekurudhor i Tokios është një rrjet i përbërë prej tri kompanive të trenave. Fillimisht çdo kompani kërkonte biletën e saj, tani kartat rimbushëse Suica dhe Pasmo iu lejojnë pasagjerëve të udhëtojnë kudo pa asnjë pengesë. Karta e përbashkët ka lehtësuar shumë transportin në qytet dhe çmimi i saj është i arsyeshëm (5 dollarë).
5. Vende për qetësi
Që nga tempujt, deri te ndërtesat e zyrave në Tokio do të gjeni kudo oaze qetësie. Rrugicat plot “xhepa” të fshehur me kopshte janë ngjitur me rrugët kryesore të qytetit, por ofrojnë qetësi dhe prehje për banorët dhe kalimtarët.
6. Banjot publike me sauna
Banjot publike të cilat ofrojnë sauna dhe hidromasazh janë një luks për vendasit që s’mund ta përballojnë një vaskë në shtëpi. Pavarësisht nëse jeni në një vend modern apo në një lagje të zakonshme, tarifa është e njëjtë kudo, 450 jen ose afërsisht 4 dollarë.
7. Fjala më e përhapur është “mirë se vini”
Pas disa ditësh qëndrim në Tokio, do ta gjeni veten duke pyetur se cila është shprehja që dëgjoni më shumë kur po hyni në ndonjë vend, përgjigjja është “mirë se vini”. Do ta dëgjoni kudo që shkoni, që nga burrat që mirëpresin në restorante deri te femrat që murmurijnë në hyrje të lokaleve irasshaimase ose ndryshe mirë se vini. Nuk është e nevojshme t’i përgjigjeni përshëndetjes duke filluar bisedë, mjafton të buzëqeshni dhe të rehatoheni.
8. Sushit janë vërtet të mirë
Ankandi i famshëm i tonit të peshkut fillon në marketin Tsukiji pas orës 5:00 të mëngjesit, megjithatë 120 biletat në dispozicion janë mbaruar që përpara orës 4:00. Dyqanet pranë marketit janë vendet ideale për të shijuar sushin më të mirë dhe më të freskët. Nuk është e nevojshme të zgjoheni që pa gdhirë, shumica e lokaleve fillojnë të mbyllin në orën 1:00 të drekës.
9. WiFi falas është e rrallë
Ndonëse numri i vendeve që reklamojnë për wireless falas është i madh, aksesi në internet nëpërmjet kësaj mënyre është rrallëherë i mundur. Mënyra më e mirë për të siguruar internet gjatë qëndrimit në Tokio është marrja me qira e një pajisjeje WiFi në aeroport.
10. Proshuta gjendet kudo
Japonia ka një traditë të kuzhinës vegjetariane budiste të quajtur shojin ryori. Gatimi i shërbyer në qeramikë është i përgatitur me kujdes, por do shumë kohë dhe është njëkohësisht i shtrenjtë. Për vegjetarianët, qëndrimi në Tokio nuk do të jetë i thjeshtë, kjo sepse në çdo ushqim që reklamohet si vegjetarian gjendet një copë e hollë proshute.
11. Çadrat transparente janë më të mirat
Në çdo pushime ka nga pak shi. Nëse ndodheni në Japoni dhe hasni me kohë të paqëndrueshme, gjëja më e mirë që mund të bëni është të zgjidhni një çadër transparente. Është një shpikje e thjeshtë, por tepër e gjetur. Çmimi nuk është i shtrenjtë, por vjedhjet e çadrave janë tepër të përhapura në Tokio.