Unë si qytetar shqiptar nuk pranoj BDI të më llogaris si përqindje e saj
Nga Musa Lamallari (Tim Shkupi) Termi “popull” për shqiptarët në Maqedoni nuk ekziston, sepse shqiptarët në Kushtetutën e Maqedonisë nuk jan...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/une-si-qytetar-shqiptar-nuk-pranoj-bdi.html
Nga Musa Lamallari (Tim Shkupi) |
Termi “popull” për shqiptarët në Maqedoni nuk ekziston, sepse shqiptarët në Kushtetutën e Maqedonisë nuk janë “popull”, por “bashkësi etnike”. Të drejtat e tyre si shqiptarë i realizojnë me përqindje. Kurse disa të ashtuquajtur akademik dhe pseudo-intelektual, kur përdorin termin “populli shqiptar” dhe verdiktin e tij, kanë probleme me politikën si shkencë dhe mundohen të fshehin mashtrimin më të madh, që po inagurohet në historinë e re të shqiptarëve të Maqedonisë për interesat e tyre miskine.
Nëse unë si individ, me nocionin: njeri, qytetar, si shqiptar, kam përqindjen time, prej sot, nuk pranoj në asnjë mënyrë që në përqindjen time të thirret ndokush nga BDI-ja, ose të thotë se realizonë të drejtën time si qytetar-shqiptar, pasi e drejta ime është e garantuar me shtet, qoftë ky shtet edhe përbindëshi më i ftoftë, siç thotë Niçe, që duhet të kryejë detyrat e veta pa “of” sipas rregullave të shkruara në fuqi, qoftë edhe kur ngulfatet liria në emër të shqiptarisë.
Pranoj pluralizmin politikë, partitë, grupet dhe pranoj legjitimitetin e thyer “historik” të BDI-së prej 153 mijë vota, edhe pse nuk pranoj sistemin unitar dhe procesin zgjedhor kështu siç është, megjithatë duhet ta shkruaj: ju nuk jeni popull, jeni vetëm votues, pra, jeni qytetarë, kurse si shqiptarë jeni vetëm “bashkësi etnike” asgjë më shumë. Nuk kam nevojë as për folk-patriotizmin e juaj, as për betejat e juaja të humbura në Diasporë, as për idenë e juaj hipokrite “president konsensual”, e tani nuk duhet të kem nevojë as për historinë e juaj, pasi e drejta ime realizohet në shtet dhe jo në qeveri. Nëse ju keni pranuar të jeni racë vasalësh në parlament, qeveri, nuk pranoj të identifikohem me ju, sepse parlamenti dhe qeveria ku mundoheni të mbroheni nuk është vet shteti dhe nuk është vet jeta.
Kur i humbni betejat, pastaj i tradhtoni konceptet e juaja, i mashtroni votuesit e juaj, dikend me qindrak e dikend me ninulla, kur gëzoheni se “i Munduri ka fituar të Mundurin” nga injoranca dhe paaftësia të realizoni premtimet e 153 mijë votuesve, në vend që të vërsuleni në trikat e “car Nikollës”, ju do të mundoheni të vërsuleni vetëm mbi votuesit e juaj, por të gjeni edhe fajtor kujdestar tek partitë dhe grupet tjera shqiptare, të shfajësoni vetveten, por nuk keni të drejtë as morale dhe as kombëtare, prandaj JO, në emrin tim, kurrën e kurrës!