Të fuqizosh gratë, ke fuqizuar njerëzimin: Përfytyrojeni një gjë të tillë

Nga Phumzile Mlambo-Ngcuka* Gati 20 vjet më parë, bota u mblodh në Pekin në Konferencën e Katërt Botërore për Gratë. Aty të, 189 qeveritë e ...

Nga Phumzile Mlambo-Ngcuka*



Gati 20 vjet më parë, bota u mblodh në Pekin në Konferencën e Katërt Botërore për Gratë. Aty të, 189 qeveritë e pranishme miratuan një udhërrëfyes largpamës për barazinë gjinore: Deklaratën e Pekinit dhe Platformën për Veprim. Më shumë se 17,000 delegatë dhe  30,000 aktivistë përshkruan një botë ku gratë dhe vajzat kanë të drejta, liri dhe mundësi të barabarta në çdo sferë të jetës.
Ndonëse është bërë një përparim i madh gjatë dy dekadave të fundit, asnjë vend nuk mund të pretendojë se e ka arritur barazinë midis burrave dhe grave. Tani ka ardhur koha që bota të mblidhet përsëri për gratë dhe vajzat dhe ta përfundojë këtë udhëtim.
UN Women po prezanton një fushatë një vjeçare për të rigjallëruar vizionin e përcaktuar në Konferencën e Grave në Pekin. Qëllimi ynë është i drejtpërdrejt: rinovimi i angazhimit, forcimi i veprimit dhe rritja e burimeve për të realizuar barazinë gjinore, fuqizimin e grave dhe të drejtat e njeriut. Ne këtë fushatë e quajmë: Të fuqizosh gratë do të thotë të fuqizosh Njerëzimin: Përfytyrojeni këtë! 
Deklarata e Pekinit përcaktoi veprimet për të adresuar 12 fushat kritike për situatën e grave dhe vajzave në mbarë globin. Qeveritë, sektori privat dhe partnerë të tjerë u nxitën të reduktojnë varfërinë e grave dhe të vajzave, të sigurojnë të drejtën e tyre për  arsimim dhe trajnim, për të mbrojtur shëndetin e tyre – përfshirë dhe shëndetin seksual  e riprodhues, për të mbrojtur gratë dhe vajzat nga dhuna dhe diskriminimi, për të siguruar që përparimet teknologjike të jenë në të mirën e të gjithëve, dhe për të nxitur pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe të barabartë në shoqëri, politikë dhe ekonomi.
Deklarata dhe Platforma për Veprim e Pekinit vazhdon të mbetet marrëveshja globale më e gjithanshme e përfshirëse për fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore. Oh, sikur ajo të ishte zbatuar!
Megjithatë, sot ne mund të kremtojmë arritjet e deri tanishme. Më shumë vajza shkojnë në shkollë. Më shumë gra janë në punë, zgjidhen dhe marrin poste drejtuese. Megjithatë, në të gjitha rajonet e botës dhe në të gjitha vendet gratë vazhdojnë të përballen me diskriminimin, për shkak se janë femra.
Ne e shohim këtë çdo ditë. E shohim në pabarazitë e pagave, dhe në mundësitë e pabarabarta në punë … në kokëfortësinë për të mbajtur një përfaqësim të ulët të grave në role drejtuese në sektorët publikë dhe privatë … në fatkeqësinë e vazhdueshme të martesave të fëmijëve, dhe në përhapjen e dhunës së përjetuar nga një në tre gra në botë – një numër më i madh se popullsia e Evropës.
Por, mbase edhe më i habitshëm është fakti se, po të zhvilloheshin sot negociatat e Pekinit, ka të ngjarë që të arrihej një marrëveshje më e dobët. Ne të gjithë kemi përgjegjësi që të ushtrojmë trysni për zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje, sepse sa herë që një grua apo vajzë pengohet të ecë përpara për shkak të diskriminimit apo dhunës,  njerëzimi  humbet.
Që nga Konferenca e Pekinit, janë mbledhur prova të padiskutueshme që tregojnë se fuqizimi i grave, fuqizon njerëzimin.
Përfytyrojeni këtë!
Vende me nivele më të larta të barazisë gjinore kanë rritje më të mëdha ekonomike. Kompanitë me më shumë gra në bordet e tyre kanë të ardhura më të larta për aksionarët e tyre. Parlamentet me më shumë gra shqyrtojnë një gamë më të gjerë çështjesh dhe miratojnë më shumë ligje për shëndetësinë, arsimin, anti-diskriminimin dhe mbështetjen e fëmijëve. Marrëveshjet e paqes të bëra nga negociatorë femra dhe meshkuj zgjasin më shumë dhe janë më të qëndrueshme.
Studimet tregojnë se për një vit më shumë arsimim për gratë, vdekshmëria foshnjore ulet me 9.5 për qind. Sigurimi i mundësive të barabarta për të pasur akses në burime dhe shërbime për gratë fermere do të rriste prodhimin dhe eliminonte urinë për 150 milion njerëz. Një miliardë gra do të futen në ekonominë botërore në dekadën e ardhshme. Me mundësi të barabarta, ndikimi i tyre në mirëqenien tonë të ardhshme do të jetë një faktor që do ta ndryshojë lojën në shkallë globale.
Ne mundemi dhe duhet ta kthejmë këtë tablo në realitet. Pikërisht në këtë moment, çdo vend po punon për të arritur Qëllimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit deri në vitin 2015 dhe për të përcaktuar një plan të ri zhvillimi global.
Duhet ta kapim këtë mundësi që vjen një herë në një gjeneratë për ta vendosur barazinë gjinore, të drejtat e grave dhe fuqizimin e grave në qendër të programit global. Kjo është gjëja e drejtë që duhet bërë dhe gjëja më e mirë për njerëzimin.
Burrat dhe djemtë, të cilët kanë ndenjur në heshtje për një kohë tepër të gjatë, tani po fillojnë të ngrihen dhe të flasin për të drejtat njerëzore të grave dhe vajzave përmes iniciativave të tilla si ajo e UN Women “Fushata e Atij për Atë” – #HeForShe. Ne u bëjmë thirrje të gjithë burrave dhe djemve të na bashkohen!
Pothuaj 20 vjet pas Pekinit, unë besoj se bota është gati për të zbatuar vizionin e saj të barazisë për burrat dhe gratë. Sot ne po prezantojmë fushatën Pekin +20, e cila do të përqendrohet te progresi, duke vënë theksin te mbrojtësit e barazisë gjinore dhe te puna që po bëhet për barazinë gjinore. Çdo vend do të prodhojë një raport për gjendjen e grave dhe vajzave të tij pas njëzetë vjetësh nga Deklarata dhe Platforma e Pekinit. Fushata u bën thirrje si udhëheqësve ashtu edhe njerëzve të zakonshëm që të angazhohen dhe veprojnë, për ta kthyer vizionin e Platformës së Pekinit në realitet.
Nga Suedia, ku njerëzit do të mblidhen në qershor për të mbrojtur të drejtat njerëzore të grave dhe vajzave, në Nju Jork, ku në shtator do të mbahet samiti për klimën, ku gratë kryetare shtetesh dhe aktiviste do të konfirmojnë rolin e grave në mbrojtjen e mjedisit tonë; në Indi, kur burrat dhe djemtë do të tregojnë forcën e tyre për barazi gjinore në nëntor. Ndërsa në ditën ndërkombëtare të Grave në 8 mars 2015, njerëzit në çdo vend të botës do të ngrenë zërin e tyre për një botë më të mirë.
Të gjithë së bashku duhet të arrijmë barazinë gjinore midis grave dhe burrave. Nuk ka më kohë për të humbur!
Duke fuqizuar gratë, fuqizojmë njerëzimin. Përfytyrojeni këtë!
*Drejtore Ekzekutive e UN Women

Related

Top Lajm 1348462712751847135

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item